Balla përcjell mesazhin e Ramës në Kongresin e PBDI në Maqedoni

March 28, 2015 14:03

Balla përcjell mesazhin e Ramës në Kongresin e PBDI në Maqedoni

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka marrë pjesë sot në Kongresin tematik te Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim të Maqedonise, ku ka percjellë edhe mesazhin e Kryeministrit Rama drejtuar ketij Kongresi.

I dashur Ali,

E nderuar kryesi e Bashkimit Demokrat për Integrim,

Të nderuar delegatë dhe pjesmarrës në këtë Kongres,

Të dashur vëllezër,

Koha që jetojmë, me vrullin dhe shpejtësinë e komunikimit që e karakterizojnë, mund t’i duket shumëkujt e papërshtatshme për mbledhje kuvendesh të cilët shpalosen në hapësira që kërkojnë reflektim, dialog dhe shkëmbime me orë të tejzgjatura. Si për ata që janë të angazhuar në vorbullën e aksionit, si për të tjerë që kërkojnë kompromise konsensuale, një kongres është padyshim një sfidë ndaj intelektit dhe një sprovë për durimin dhe nevojën për tu ulur dhe kuvenduar së bashku. Cilatdoqofshin kritikat apo pritshmëritë ndaj këtij kongresi, nuk nguroj ta përshëndes, me shpresën se do të jetë një gur më shumë në ndërgjegjësimin e shqiptarëve të Maqedonisë, përtej elektoratit tuaj tradicional, mbi rolin dhe vokacionin e tyre në vendin ku kanë rrënjët tash sa mot dhe në një rajon të pajtuar e të paqtuar, i cili mbetet instrumenti kryesor për shkuar drejt ëndrrës së përbashkët europiane. E përshëndes këtë Kongres, si Shqiptar, si kryetar partie por edhe si Kryeministër në kontekstin e përpjekjeve tona të përbashkëta për të implementuar në Ballkan, pa komplekse dhe në vërtetësi, përballjen e çiltër mes ideve, kulturën e dialogut mes nesh dhe me fqinjët, strategjinë gjithpërfshirëse të partneriteteve rajonale, aq të domosdoshme për të ardhmen. Mbledhja e dy Qeverive, të Kosovës dhe Shqipërisë, që mishëron rrugëtimin institucional të një populli me një ëndërr zemërbardhë prej së cilës kurrkush, bashkombas a fqinjë qofshin, nuk është i përjashtuar, u shpreh qartë se pa përfshirjen në proceset vendimmarrëse madhore të faktorit shtetformues shqiptar në Maqedoni, sfidat e integrimit europian dhe të mirëkuptimit mes Shteteve në Ballkan, nuk mund të japin frutet e shpresuara. Duke reflektuar dhe shkëmbyer mes jush mbi rolin historik që i bie barrë dhe që naltëson vokacionin stabilizues dhe emancipues të shqiptarëve të Maqedonisë, ju shfaqeni, në sytë e partnerëve ndërkombëtarë vullnetmirë dhe të kthjellët, të gatshëm e të denjë të vetqeveriseni në bashkësitë e tuaja jo si një minorancë apo tepricë e anashkalueshme, por si një pjesë konstitutive thelbësore e Shtetit që ka për detyrë t’ju përfaqësojë. Të prirur për të respektuar deri në vetmohim angazhimet e marra në marrëveshjen e Ohrit, horizont por jo limit i perspektivës suaj vetvendosëse në kuadrin e një Maqedonie të larmishme dhe të rithemeluar në parimet e barazisë dhe braktisjes së diskriminimit dhe segregacionit, Shqiptarët e Maqedonisë, të cilado partie qofshin, janë të ftuar të bëhen aktorë të debatit që ju çelni sot në këtë kongres. Për mbarëvajtjen e tyre dhe përfundimin me sukses në interes të zgjedhësve tuaj dhe popullit tonë anëembanë bjeshkëve dhe gjoleve që na bashkojnë, ju përcjell urimet më të mira personale. Dalshi faqebardhë!

Edi Rama

March 28, 2015 14:03
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*