Ballkani në Fokus – Bosnjë-Hercegovina

February 28, 2015 15:28

Ballkani në Fokus – Bosnjë-Hercegovina

Me një perspektivë evropiane të bllokuar që prej vitit 2009, më në fund është ndezur drita jeshile edhe për Bosnjën. E “lënë në harresë” që prej 5 vitesh, dinamikat politike, angazhimi i vazhdueshëm i Rusisë në zonë, si edhe përkeqësimi i mëtejshëm ekonomiko-social, kanë marrë tërësisht fokusin e Unionit. Konkluzionet e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së (dhjetor 2014), për t’i dhënë një impuls  integrimit evropian të Bosnjës, u shoqëruan edhe me një angazhim politik nga klasa politike e Bosnjës mbi kryerjen e reformave në kuadrin e integrimit evropian. Por, çfarë ka ndodhur përgjatë këtij harku kohor, ku integrimi evropian është zhvlerësuar dhe a mund të flasim për një reflektim ndaj perspektivave bllokuese ?

Bllokimi

Integrimi evropian i Bosnjës është i bllokuar prej pothuajse pesë vitesh, duke mos futur në fuqi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, të ratifikuar tashmë që prej vitit 2009, nga qeveritë e vendeve anëtare.

Në thelb të këtij bllokimi, qëndronte zbatimi i vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në lidhje me çështjen “Sejdiç-Finci” (kryerja e ndryshimeve kushtetuese për gjithëpërfshirje në proceset garuese zgjedhore).

Por, bllokimi i Bosnjës nga Unioni, ka tërhequr vëmendjen e vazhdueshme në dy pika: së pari, në pengimin e politikave të zgjerimit duke përdorur kritere apo standarde të dyfishta; së dyti mbi rrezikshmërinë e degradimit të mëtejshëm të situatës së brendshme në Bosnjë, duke lejuar në këtë mënyrë favorizimin e zonave gri.

Standarde të dyfishta

Ndryshimet kushtetuese, që imponon vendimi i GJEDNJ, vlerësohen si shumë të rëndësishme për mirë funksionimin e përgjithshëm politik dhe demokratik në vend. Por, Unioni po kritikohej mbi faktin se e kishte shndërruar këtë zbatim vendimi, si kusht për avancimin e mëtejshëm të Bosnjës në BE. Së pari, logjika e imponimit të zbatimit të këtij vendimi, dilte nga kuadri i përgjithshëm i kritereve të kërkuara për integrim të mëtejshëm; së dyti, nëpërmjet këtij bllokimi, Unioni po konfirmonte logjikën e aplikimit të standardeve të dyfishta. Disa prej vendeve anëtare të BE-së, jo vetëm që kanë vështirësi dhe mungesë vullneti në aplikimin e vendimeve të GJEDNJ, duke i zvarritur ato në kohë, por nga ana tjetër disa prej këtyre vendeve funksionojnë pjesërisht mbi të njëjtat baza ligjore si edhe Bosnja (Belgjika, Qipro, Italia (Tiroli i Jugut), etj).

Favorizimi i “zonave gri”

Shqetësimi në rritje i penetrimit të politikave ruse ndaj Bosnjës, ka marrë një vëmendje në rritje nga Unioni. Lidhjet e forta të Moskës me Republika Srpska, tendenca për imitim skenarësh shkëputje si ato të Krimesë nga Ukraina, nuk mund të nënvlerësoheshin. Paralelisht me idenë për skenarë shkëputje që vinin nga presidenca e Republika Srpska nën drejtimin e Milorad Dudik, po afirmoheshin edhe mosmbështetja për integrim të mëtejshëm në NATO dhe BE.

Teksa, kjo panoramë po skiconte influencën në rritje të Rusisë, brenda vendit, Moska po vepronte edhe ndërkombëtarisht. Dy veprimet e saj të fundit, sigurisht që tërhoqën vëmendjen evropiane: nga njëra anë, abstenimi i Moskës, për zgjatjen e misionit ushtarak paqeruajtës të BE-së në Bosnjë, që lidhej me formulimin e tekstit, ku parashtrohej qartë perspektiva evropiane e Bosnjës. Ndërkohë, Rusia e kishte shprehur tashmë opinionin e saj mbi Bosnjën, se perspektiva evropiane, nuk është i vetmi opsion, që vendi duhet të ndjekë; Nga ana tjetër, ishte qëndrimi kundër i Rusisë ndaj  iniciativës së fundit gjermano-britanike(Këshilli i Implementimit të Paqes), që synon ndër të tjera edhe  zhbllokimin ekonomik të Bosnjës.

Kosto e bllokimit të zgjerimit

Pas zgjedhjes dhe emërimit të Komisionit Junker, u shpall edhe politika e ndalimit të zgjerimit të mëtejshëm për 5 vitet në vijim. Një politikë bllokuese, e cila sigurisht që në një optikë të brendshme,  mund të konsiderohet si e logjikshme dhe e nevojshme.

Por, a mund të flasim për konturimin e një politike, që shfaq minimalisht një pamundësi për të mbajtur premtimet dhe angazhimet në nivel evropian përballë vendeve në proces, qoftë edhe përkohësisht ? A mund të shikohet ky bllokim zgjerimi edhe si tendencë neglizhimi, shmangie apo papërgjegjshmërie ?

Sigurisht, që nëse ofrojmë një skemë të qartë anëtarësimi politik dhe vizioni integrues dhe e pezullojmë atë përkohësisht, mund të flasim edhe për një pamundësi mbajtjesh premtimesh të ofruar nën skemën e një lodhjeje zgjerimi.

Por, ky bllokim i përkohshëm, ndonëse logjik nga një këndvështrim i brendshëm, shfaqet kompleks teksa favorizon një sërë problemesh. Problemi i parë, duket se prek favorizimin e zonave gri, që në mungesë të një perspektive të qartë integruese evropiane, kanë tendenca rikthimi drejt shkatërrimit të vetvetes. Përkeqësimi i mëtejshëm politik, ekonomik dhe social në Bosnjë është i pamundur të mos lexohet nën filtrin bllokues pesëvjeçar të integrimit evropian. Edhe penetrimi në rritje i influencës ruse, teksa terreni lihet “përkohësisht i lirë” sigurisht që shkakton edhe joshje në terma ekonomikë nga elita e brendshme politike. Problemi i dytë, që gjen shtrirje edhe përtej Bosnjës, prek tendencën për modelim autoritar që vjen bashkë me fuqinë dhe penetrimin rus. Teksa, drejtimi i Republika Srpska nën Milorad Dudik ka shfaqur modelime autoritare dhe nacionaliste, vëmendja shkon drejt tendencave të njëjta autoritare në Serbinë e drejtuar nga Vuçiç dhe Nikoliç, pa nënvlerësuar edhe autoritarizmin e Gruevskit. Nën frymëzimin rus përtej Ballkanit, kemi edhe modelin hungarez nën Orban apo edhe të Erdogan në Turqi.

Rusia e ka shfaqur hapur ambicien e saj gjeo-politike, se për Ballkanin nuk ka vetëm një perspektivë Euro-Atlantike. Dhe ajo ka kohë që po vepron. Teksa influenca e saj është e lartë në Serbi, pa përjashtuar edhe Malin e Zi, me Bosnjën ajo po luante kartën reale frymëzuese të një separatizmi të modelit Krimea. Nga ana tjetër, gjendja e përkeqësuar politike dhe socio-ekonomike në Bosnjë ishte një tjetër sinjal alarmi, se neglizhenca po rrit kostot.

Ndonëse, u deklarua fillimisht një bllokim zgjerimi për pesë vitet në vijim, vëmendja ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor është rritur. Nën këtë optikë kemi si zhbllokimin e Bosnjës, por edhe presionin aktual për zhbllokimin integrues të Maqedonisë. Bllokimi i perspektivës evropiane, aq më tepër me argumente, që janë vlerësuar se përmbajnë standarde të dyfishta, duke rrezikuar edhe minimin e besueshmërisë të politikave të zgjerimit, ka kosto të lartë. Nga njëra anë ndikon në çmotivimin e popujve të Ballkanit, si edhe elitave politike drejtuese, dhe nga ana tjetër krijon një hapësirë për penetrim të influencës ruse, që shfaqet tunduese dhe joshëse përballë ofertave të larta ekonomike. Lodhja nga zgjerimi është një fenomen tërësisht i kuptueshëm, por nuk duhet harruar se, kosto që mbart neglizhimi i zgjerimit dhe i integrimit është i pallogaritshëm në terma të sigurisë si rajonale, por edhe evropiane./im.ta/

February 28, 2015 15:28