Ballkani në Fokus – Mali i Zi

February 20, 2015 12:25

Ballkani në Fokus – Mali i Zi

Një terren delikat në të cilin historia ka treguar shpesh se, tendencat nacionaliste kanë prirjen të sundojnë mbi logjikën bashkëpunuese dhe integruese, sigurisht që nuk mund të neglizhohet. Edhe pse riformatimi i Komisionit te ri Junker, fshiu postin e Komisionerit të Zgjerimit, duke e reduktuar atë thjesht, në një optikë negociatash, Ballkani tërheq vëmendjen. Situatat e brendshme politike në Kosovë, Maqedoni, por edhe Bosnjë-Hercegovinë kanë pasur fokus të veçantë në nivel evropian. Pa neglizhuar këtu Shqipërinë, Serbinë apo Malin e Zi. Por, a mund të flasim për një vëmendje në rritje ndaj Ballkanit, të simuluar edhe nga dinamikat e fundit gjeo-politike në skenën ndërkombëtare ?

Vëmendje në rritje

Brenda një kohe relativisht të shkurtër, vendet e Ballkanit kanë pasur vizita të niveleve të larta evropiane, me një axhendë të qartë, pro avancimit në terma integrues. Vetë Shefja e Diplomacisë së BE-së, Federika Mogerini së bashku me Komisionerin për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn kanë vizituar Bosnjën. Teksa Komisioneri Hahn, ka përfunduar së fundmi vizitën e tij në Kosovë dhe Maqedoni, duke rikujtuar këtu edhe vizitat e tij menjëherë pas marrjes së postit në Serbi dhe Mal të Zi, Shefja e Diplomacisë Mogerini pritet të shkojë sërish në Bosnjë javën e ardhshme, si edhe të vizitojë Shqipërinë.

Po ku ndodhemi aktualisht me integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor  dhe cilat janë sfidat konkrete për secilin vend ?

Nëse mund të bëjmë një kategorizim, atëherë grupi më i avancuar është Mali i Zi dhe Serbia, që janë në proces negociatash dhe këtij grupimi mund t’i bashkëngjitet edhe Shqipëria, në rast se do të kemi një hapje të shpejtë të procesit të negociatave.

Bosnja dhe Kosova janë më mbrapa në proces, e para pret futjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA) e ratifikuar tashmë nga qeveritë e vendeve anëtare, që prej vitit 2009 dhe Kosova, e cila pret nënshkrimin së shpejti të MSA-së, ndoshta në pranverë.

Ndërmjet këtyre dy grupime, gjendet e pozicionuar Maqedonia, e cila pavarësisht se ka marrë statusin e vendit kandidat që prej vitit 2005, e ka të pamundur hapjen e procesit të negociatave nga bllokimi që vjen nga diplomacia greke, për zgjidhjen e çështjes të emrit.

Mali i Zi

Fokusi mbi integrimin e Ballkanit Perëndimor fillon me Malin e Zi, i cili kryeson paketën e zgjerimit dhe po trajtohet si modeli integrues, pikë referimi edhe për vendet e tjera. Vullneti i vazhdueshëm qeveritar pro-evropian, përqasja institucionale evropiane e parakohshme si edhe mbështetja popullore vlerësohet se, përbëjnë themelet e një mekanizmi të brendshëm, që po përparon me shpejtësi drejt BE-së.

Pasi u shpall vend kandidat në dhjetor 2010, vetëm brenda dy vitesh arrin të realizojë me sukses përmbylljen e 7 prioriteteve kyçe: kuadri legjislativ për zgjedhjet dhe roli legjislativ i parlamentit, reforma në administratën publike, reforma në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar, liria e medias dhe bashkëpunimi me shoqërinë civile, implementimi i kuadrit anti-diskriminues dhe situata e personave të zhvendosur. Prej 7 prioriteteve kryesore, dy prej tyre renditeshin si më të rëndësishmet: reformat në sistemin gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit.

Reforma në Gjyqësor 

Vëmendje tërheq realizimi i prioriteteve, që preknin fushën e gjyqësorit, për sa kohë Mali i Zi ofrohet si modeli shembull.

Sipas Raportit të Komisionit Europian, i cili shërbeu si bazë vlerësimi për hapjen e negociatave, Mali i Zi kishte arritur të kryente progresin e duhur në përforcimin e pavarësisë së gjyqësorit, përgjegjshmërisë dhe paanshmërisë së tij dhe në rritjen e efikasitetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Një sërë ndryshimesh ligjore, që preknin funksionimin e gjykatave, Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorinë kaluan në parlament në korrik 2011. Paralelisht me këtë fazë reformash nis edhe procesi i amendimit të Kushtetutës, me synim përmirësimin e mëtejshëm të pavarësisë së gjyqësorit. Këto reforma, përmirësuan kuadrin ligjor, duke krijuar edhe mundësitë për reduktimin e influencës politike.

Amendimet e ligjeve mbi Këshillin Gjyqësor dhe Zyrës së Prokurorisë së Shtetit, përcaktuan kriteret për emërimin e parë të gjykatësve dhe prokurorëve, si edhe kriteret për promovimin e mëtejshëm të tyre. Këto amendime futën gjithashtu për herë të parë një detyrim ligjor për përzgjedhjen e gjyqtarëve: aplikimet nëpërmjet testeve anonime, metodë që ndihmon në  zvogëlimin e mundësive për influencë dhe rrit transparencën e procesit të përzgjedhjes.

Amendimet e ligjit mbi Këshillin Gjyqësor, mundësuan hapësirat për krijimin e një Komisioni për monitorimin e aplikimit të kodit të etikës për gjyqtarët. Amendimet e Ligjit mbi Zyrën e Prokurorisë Shtetërore, të krijuara për adoptimin dhe monitorimin e kodit të etikës për prokurorët rendisin të gjithë arsyet e mundshme për veprim disiplinor ndaj prokurorëve. Ndërsa ligji mbi gjykatat tashmë rendit të gjithë arsyet e mundshme, për veprime disiplinore ndaj gjykatësve dhe presidentëve të gjykatave. Këto amendime, sipas KE-së, fuqizojnë principin e sigurisë së palëvizshmërisë, duke futur qartësisht bazat ligjore për veprime disiplinore ose shkarkim ndaj gjykatësve dhe prokurorëve.  

Lufta kundër Korrupsionit

Një tjetër kuadër interesant paraqet edhe lufta ndaj korrupsionit.

Çështjet më të shumta të korrupsionit lidhen me abuzime të pozicioneve zyrtare.

Në dhjetor 2010, një gjykatës i Gjykatës së Lartë u dënua në shkallën e dytë me shtatë vite burgim për korrupsion pasiv. Nëntë persona të tjerë janë dënuar në qershor 2011, me burgim për abuzim me postet zyrtare dhe korrupsion në një çështje, që përfshinte kadastrat. Tre çështje të tjera, janë hapur ndaj 28 personave për abuzim të pushtetit dhe korrupsion, ndër të cilët gjenden dhe ish bashkiaku i Budvës, zëvendësi i tij dhe një deputet. Gjatë vitit 2010 njësitë kompetente organizative, ngritën akuza kundër 12 oficerëve të policisë për 13 vepra penale, që përfshinin elementë të korrupsionit (11 prej tyre për abuzime me pozicionet zyrtare dhe dy për korrupsion pasiv).

Sipas vlerësimeve të KE-së, ligji i ri mbi financimin e partive politike, ka përmirësuar kuadrin ligjor në këtë drejtim. Ligji i ri mbi nëpunësit e administratës shtetërore krijoi hapësirën ligjore për mbrojtje të denoncuesve në administratën publike. Një tjetër ligj i ri që lidhet me prokurimet publike është miratuar, i cili synon zvogëlimin e mundësive për korrupsion si edhe rrit transparencën në këtë fushë.

Një skuadër speciale hetimi anti-korrupsion është krijuar, e përbërë nga përfaqësues të administratës policore, zyrës për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, administratës së taksave dhe doganave, e cila raporton tek prokurori special për krimin e organizuar, korrupsionin, terrorizmin dhe krimet e luftës.

Për sa i përket deklarimit të pasurive të zyrtarëve shtetërorë, brenda afateve ligjore, për herë të parë një zyrtar publik është çuar përpara gjykatës, pasi nuk ka plotësuar deklarimin e pasurisë.

Në vitin 2010, Gjykata Penale i kërkoi Komisionit për Parandalimin e Konflikteve të Interesit të fillojë procedurat penalizuese kundër 615 zyrtarëve publikë, që nuk kishin dorëzuar deklaratat e plota të interesit, duke rezultuar në 382 vendime përfundimtare dhe gjoba për kundërvajtje ligjore. Amendimet e kryera në lidhje me ligjin e Konfliktit të Interesit, synonin fuqizimin e mëtejshëm të  kompetencave të Komisionit.

Aktualisht deri në dhjetor 2014, kemi një përparim të Malit të Zi drejt përthithjes së legjislacionit të BE-së, duke avancuar në total me hapjen e 16 kapitujve nga 35 të tillë, duke përfshirë edhe Kapitujt mbi Sundimin e Ligjit, mbi Gjyqësorin dhe të drejtat Themeltare si edhe kapitullin mbi Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë. Vlerësimet e Komisionerit për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit Hahn shkonin drejt konsiderimit mbi punën e mirë që ishte bërë në fushën e sundimin e ligjit, si edhe në luftën ndaj korrupsionit.

Mali i Zi edhe pse është zgjedhur si modeli integrues dhe pikë referimi për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, njeh edhe ai problematikat e tij. Por, ka një element që tërheq vëmendjen gjatë këtij procesi në vijim integrues, çështja Gjukanoviç. Ka një sensibilizim në nivel evropian ndaj problematikës që shfaq fenomeni Gjukanoviç, pra një tendencë për të mos hezituar në përdorimin e kësaj karte si në rastin e kartës së Sanaderit kroat. Marrja e statusit të vendit kandidat në vitin 2010, u përfol gjerësisht se u shoqërua me tërheqjen e Gjukanoviç nga skena politike, si mjet presioni që vinte nga diplomacia e Unionit. Rishfaqja e kësaj karte lundron vazhdimisht, si mjet që edhe mund të shkaktojë bllokimin e përkohshëm të negociatave. Nën presionin e Gjermanisë, Austrisë dhe vendeve skandinave ky presion ishte i lartë para daljes së progres-raportit të fund vitit të kaluar, por që ekuilibrohej me presionin e shteteve të tjera anëtare, që kërkojnë avancimin e mëtejshëm të Malit të Zi, që po shfaq një vullnet të qartë integrues. Por, rëndësia e përdorimit të kësaj karte të paktën në princip, qëndron tek fakti se, pandëshkueshmëria është një fenomen, që nuk duhet toleruar dhe favorizuar. Dhe kur ky presion vjen i qartë nga Unioni, vlerat e tij rriten duke u shndërruar në impuls brenda politikave kombëtare të vendeve të Ballkanit, që pak a shumë njohin të gjithë “Sanaderin” e tyre specifik./im.ta/

(vijon Serbia)

 

 

 

February 20, 2015 12:25