Ballshi dhe uzina, dy binjakë të sëmurë

Sokol Hysenaj December 2, 2015 10:54

Ballshi dhe uzina, dy binjakë të sëmurë

Ballshi është qendra administrative e krahinës së Mallakastrës nën kurorën e bleruar të kodrave, një qytet po aq sa i vjetër edhe i ri. Si i vjetër është pinjoll i Bylisit të lashtë, ndërsa si qytet i ri është i lidhur me Uzinën e Përpunimit të Thellë të Naftës, e cila u ndërtua në vitet 70-të, në luginën e lumit Gjanica që gjarpëron në këmbët e tij.

Qyteti dhe uzina janë pothuajse binjakë dhe në gjithë këto vite kanë bashkëjetuar. E gjithë nafta që nxirrej nga nëntoka jonë përpunohej aty dhe përfitimet ekonomike të larta. Pranë saj u ndërtua edhe një TEC, që funizonte me energji elektrike dhe avull jo vetëm këtë uzinë, por mbulonte nevojat e rajonit.

Ky qytet i vogël pati jo vetëm zhvillim ekonomik, por dhe kulturor dhe profesional, falë lidhjeve të tij me këtë uzinë të cilës i jepte fuqinë punëtore të kualifikuar nga shkolla e mesme industriale, që ishte aty krahas gjimnazit dhe merrte prej saj forcën ekonomike e kulturën e njerëzve të shkolluar e të ditur.

Me ardhjen e demokracisë ballshiotët prisnin që të fillonte një erë e re e zhvillimeve të shpejta ekonomike, politike e shoqërore. Por kjo ëndërr ngeli ëndërr. Për të qënë realist, me inatin e akumuluar gjatë ndaj shtetit, u shkatërruan uzina, fabrika, ferma, vreshta etj, për të cilat qe derdhur shumë djersë dhe mund. Më parë popullit i mungonte liria, që të ndalte abuzimet e shtetit ndaj lirisë së individit dhe shoqërisë, kurse pas viteve 90-të shteti nuk ishte në gjendje të ndalte abuzimet me lirinë. Por uzina fal përkujdesjes së punonjësve të saj i rezistoi shkatërrimit e më vonë u kthye në një shoqëri aksionere me emrin ARMO. Në këto vite ajo ndjeu shenjat e lodhjes dhe prapambetjes teknologjike, por kollonat e saj ishin ende të forta. Para disa vitesh ARMO u privatizua me synimin për t’u shfrytëzuar më mirë, por progresi qe i pakët dhe roli i shtetit në realizimin e detyrimeve për të cilat ishte rënë dakort nga kompania qe minimal. Në këto kushte uzina shtrydhej dhe hante përditë veten, aq sa sot nuk është në gjendje të paguajë as pagat e punonjësve të saj prej 4 muajsh. Tani kjo uzinë e sëmur nga indiferenca dhe abuzimet, nga pakujdesia dhe lënia në harresë.

Tek- tuk hidhet ndonjë fjalë në parlament, zyrave të ministrive, apo këtu në Ballsh, por pa rrugëdalje, pa shpresë për ta nxjerrë këtë uzinë nga kolapsi e ajo vazhdon lëngimin e mplakjen çdo ditë e më tepër bashkë me 1000 punonjësit të saj, të cilët kanë 4 muaj që marrin bukën me listë dyqaneve të qytetit të Ballshit.

Si mallakastriot, si ballshiot që u rrita me erën e gurëve të Bylisit, që dhurojnë qëndresë, pranë Gllavenicës që i lutej Zotit, me erën e rëndë të arit të zi ,që përpunohej në këtë uzinë, përjetoj si bashkëqytetarët e mi zhgënjimin e dhimbjen të cilat i bëjnë këto ditë edhe me të ftohta. Bashkë me ta eci këmbë zbathur mbi flori dhe padashur kujtoj, kur hyra për herë të parë në atë uzinë si vizitor, si nxënës shkolle, kur e gjithë ajo uzinë kimike kishte aq pastërti e lule sa nuk kishte e nuk ka sot asnjë qytet i tërë. Kurse sot e plakur, e rrudhur para kohe, kur simotrat e saj nëpër botë ndoshta më të vjetra se ajo punojnë si më parë.

Rënkimet e saj i ndjejnë përditë ata që kanë punuar ndër vite aty, e sot qëndrojnë të heshtur dhe nuk mund të bëjnë asgjë as për vete dhe as për uzinën. Kurse të tjerë që duhet të flasin, por heshtin lajnë duart si Pilati. Të tillë njerëz e marrin zvarrë kohën dhe vendin gjithë halle. Të tillë njerëz bejnë vecse premtime nga thesi i pafund i premtimeve, për të marrë një trastë vota nga varfanjakët.

Sa turp! Ç’marrëdhënie mjerane, ç’hendek i thellë mes atyre që lypin vota dhe atyre që lypin bukë. Premtimet kanë ngelur si daulle e grisur dhe zgjedhjet janë larg për të na ngopur me të tjera premtime nga thesi pafund. Në këto ditë të ftohta uzina e heshtur bashkë me binjakun e saj shtrijnë dorën për ndihmë e të dy digjen nga ethet e urisë, njëri për naftë bruto e tjetri për bukë.

Ballshi dhe uzina, dy binjakë me thirrjen “SOS” pyesin dhe presin çdo të sjellë e nesërmja për ta.

Sokol Hysenaj December 2, 2015 10:54
Komento

1 Koment

  1. miku December 2, 17:27

    Hera e pare qe kujtohet per uzinen. po leket kur do ti marrim?
    O Rama sille dhe ketu ne Ballsh rilindjen se po vdesim.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim