“Banda e babagjyshave”, kapen edhe 2 të tjerë

February 13, 2015 00:17

“Banda e babagjyshave”, kapen edhe 2 të tjerë

Shkon në gjashtë persona numri i të arrestuarve si pjesë e “Bandës së Babagjyshave” që kryente grabitje të armatosura të veshur si policë apo babagjysha të Vitit të Ri, ku më e bujshmja ishte vjedhja te TEG-u më 24 dhjetor 2013 në Tiranë. Dy persona të tjerë të dyshuar si pjesëtarë të bandës së drejtuar nga Ilir Kupa, tashmë i arrestuar pas arratisjes nga burgu në Greqi, janë arrestuar dje në Lezhë.

Lajmi konfirmohet nga burime nga Policia e Tiranës dhe Prokuroria  e Përgjithshme. Të arrestuarit janë Angjelin Ndreka dhe Lin Kola. Sipas policisë, ata akuzohen se janë bashkëpunëtorë të grupit që akuzohet për 9 grabitje në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni dhe hetohet për të tjera. Ndërkohë nga banda e babagjyshërve mbeten në kërkim edhe tre persona, kurse një tjetër mbeti i vrarë korrikun e kaluar në Dibrën e Madhe në Maqedoni, pas një grabitjeje të argjendarive.

Më 17 dhjetor 2014 u arrestuan 3 persona të tjerë, Agustin Sula, 25 vjeç, nga Durrësi, i dënuar më parë me 23 vite për vjedhje me armë dhe plagosjen e dy personave po në këtë qytet, Hajdar Sefa, 30 vjeç, nga Kruja, i dënuar më parë, Julian Qerushaj 29 vjeç nga Fushë-Kruja, i dënuar më parë për vjedhje. I arrestuar ndërkohë gjatë operacionit ishte Ilir Kupa, i cili ishte arratisur në mars 2013 nga Burgu i Trikallës së bashku me 10 shqiptarë të tjerë dhe kaloi kufirin në muajin gusht.

Kurse në muajin shtator nisën grabitjet e bujshme të argjendarive, fillimisht në Kuçovë me një të plagosur dhe më pas në Durrës, Laç dhe Tiranë, ku bien në sy grabitja e 300 mijë eurove mall te argjendaria në TEG dhe pika e basteve në pronësi të biznesmenit Arben Frroku, afër Kombinatit. Kupa e ka mohuar përfshirjen në këtë bandë, por i penduari durrsak Agustin Sula ka rrëfyer për Prokurorinë e Krimeve të Rënda gjithçka nga aktiviteti i bandës, 9 grabitjet e argjendarive dhe bizneseve, si dhe 4 grabitje makinash. Në bandë sipas hetimeve kishte edhe të afërm të të arratisurve nga Greqia.

Operacioni për goditjen e këtij grupi kriminal u krye më 17 dhjetor 2014 dhe zgjati disa ditë. Gjithashtu u ndaluan edhe 2 persona të tjerë që bashkëpunonin me bandën duke blerë flori për dyqanet e tyre, por që mohuan të ishin pjesë e grupit. Në kërkim janë F.P., 28 vjeç, banues në Tirane, i dënuar më parë në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë, D.K., 36 vjeç, banues në Shkodër, i dënuar në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë dhe S.K., 31 vjeç, banues në Kurbin.

 

February 13, 2015 00:17
Komento

1 Koment

  1. Lul February 13, 16:57

    Keta jane anetaret e grupit te banditit P.D Edi Paloqes…ky spijun duhet te varet ne litar.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*