“Banda e tritolit”, kush janë dy personat më të kërkuar nga policia

February 28, 2015 17:24

“Banda e tritolit”, kush janë dy personat më të kërkuar nga policia

Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ka dhënë sot detajet për të arrestuarit e “bandës së tritolit”. Didi ka thënë se të arrestuarit dhe dy personat e shpallur në kërkim, janë përgjegjës për vendosjen e tritolit më 10 shkurt në Tiranë.

“Në lidhje me aktet e rënda kriminale të datës 10.02.2015, në qytetin e Tiranës, ku në orët e para të mëngjesit u vendos lëndë plasëse eksplozive në vendin e quajtur Rruga “Kongresi i Manastirit” dhe pikërisht në farmacinë e shtetasit B.T., në rrugën “Arben Minga” dhe konkretisht në pallatin nr. 46/7, si dhe në afërsi të Urës Vasil Shanto, tek stacioni autobuzit të unazës dhe për pasojë në dy rastet e para ndodhën shpërthime, ndërsa në të fundit, shpërthimi mbeti në tentativë, për shkaqe të pavarura nga autorët, akte të cilat sollën si pasojë dëmtimin e pronës private dhe cënimin e rëndë të sigurisë publike, informoj opinionin publik se:

Strukturat e Hetimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim dhe bashkërendim me Prokurorinë për Krimet e Rënda, Tiranë pas një pune intensive dhe profesionale, arritën në sigurimin e provave të cilat çojnë në dyshime të arsyeshme për përfshirjen e disa personave në aktet e shpërthimit me tritol dhe të mbetur në tentativë. Në këto rrethana Strukturat e Policisë së Shtetit më datën 26.02.2015, bënë ekzekutimin e Urdhrave të Prokurorit të Krimeve të Rënda, lëshuar më datë 25.02,2015, në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për masat e sigurisë “Arrest me burg “ për shtetasit ; Lumjan (Emiljano) MATMUJA ,27 vjeç, lindur në Kukës e banues në Tiranë , person me preçedent kriminal , i dënuar në vitin 2010 me 3 vjet e 6 muaj burg nga Gjykata e Durrësit për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.

Ernest GJUTA, 24 vjeç, lindur në Kukës e banues në Tiranë. Kamber BRUKA, 31 vjeç ,lindur në Kukës e banues në Tiranë . Erjon DULE, 33 vjeç , banues në Tiranë . Sot me date 28.02.2015, bazuar ne kerkesat Prokurorise per Krimet e renda, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda vendosi vleresimin e mases se sigurisë “Arrest me burg “ pa afat, për shtetasit e mesiperm “, ka thënë Didi.

Ai ka dhënë detaje edhe për dy personat e shpallur në kërkim, Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka. Këta të fundit, përveçse akuzohen për vënien e eksplozivit, akuzohen edhe për disa vepra të tjera kriminale. “Vladimir GJUTA, 35 vjeç , lindur në Kukës e banues në Tiranë , person me preçedent kriminal, i arrestuar disa herë nga Policia në kohë të ndryshme për “Kundërshtim me dhunë të Punonjësve të Policisë ,dhe Funksionarëve që kryejnë detyra shtetërore”. Gjithashtu, ky shtetas është nën hetim për organizim dhe vendosje të lëndëve eksplozive ndaj shtetasit A.T në Durrës, si dhe i dyshuar për “Vrasje mbetur në tentativë” në vitin 2013 të një shtetasi në qytetin e Kukësit, si dhe për një sërë veprash të tjera kriminale.

“Baftjar BRUKA, 24 vjeç , lindur në Kukës banues në Tiranë ,me preçedent kriminal , i hetuar në vitin 2013 për veprën penale “Vrasje me dashje në bashkëpunim , mbetur në tentativë” dhe “Armbajtie pa leje”. Çështje e cila me pas është pushuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Kukës”, tha Didi. “Bazuar në hetimet e kryera nga Strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda, rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke bashkëpunuar edhe me persona të tjerë ende të pa identifikuar, dyshohet se kanë kryer përgatitjen, vendosjen dhe shpërthimin e paisjeve bombë të telekomanduara me celular në farmacinë e shtetasit B.T, si dhe vendosjen e lëndës shpërthyese në stacionin e autobuzëve në Rrugën Muhamet Gjollesha.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda vazhdojnë hetimet për zbulimin, dokumentimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Arrestimi dhe shpallja në kërkim e tyre u bë për veprat penale, “ Vepra me qëllime terroriste”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 230, 233/a dhe 234 të Kodit Penal në ngarkim të këtyre personave, në kuadër të proçedimin penal Nr. 42/2015. Policia e Shtetit është e angazhuar dhe e motivuar për t’u përballur dhe luftuar krimin në cilën do formë që ai shfaqet. Garantojmë qytetarët se të gjitha Strukturat e Policisë së Shtetit janë duke kryer detyrat funksionale , në funksion të zbatimit të ligjshmërisë , si dhe krijimit të një ambjenti social sa më të sigurtë”, e mbylli Didi.

February 28, 2015 17:24
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*