Banda e Xhevdet Mustafës, Kadri Hazbiu përballë oficerit të infiltruar Halit Bajrami

Kujtim Boriçi February 2, 2013 10:21

Banda e Xhevdet Mustafës, Kadri Hazbiu përballë oficerit të infiltruar Halit Bajrami

Gjyqi i Kadri Hazbiut. Seanca 23

 

Halit Bajrami:Porositë nga UDB e CIA i mora për Kadri Hazbiun, grushtin e shtetit, vrasjen e Enver Hoxhës dhe marrjen e pushtetit. Kadriu Hazbiu: Banda s’ka ardhur për mua!

 

Në seancën e 23-të të gjyqit të Kadri Hazbiut, ish-ministri përballet me Halit Bajramin, ish-oficerin e Sigurimit të Shtetit të infiltruar në bandën e Xhevdet Mustafës. “Porositë nga UDB e CIA që solla për Kadri Hazbiun janë realizimi i grushtit të shtetit, krijimin e kushteve për vrasjen e Enver Hoxhës nga Xhevdet Mustafa dhe marrjen e pushtetit” – pohon mes të tjerave në dëshminë e tij Bajrami. I vënë përballë kësaj dëshmie, Kadri Hazbiu pranon njohjen e ish-vartësit të tij, por këmbëngul që ai nuk ka lidhje me bandën e Xhevdet Mustafës dhe se ardhja e kësaj bande, është inskenim për të rënduar pozitën e tij….

(Vijon nga numri i kaluar)

Kryetari(Aranit Çela):- I pandehur Kadri Hazbiu, ke pyetje për këtë Halit Bajramin?

Kadriu:- Kam.

Kryetari:- Hajde.

Kadriu:-  I pandehuri thotë që u vu në shërbim të jugosllavëve, kështu?! U vure tani, apo ke qenë më përpara?

Haliti:- Tani.

Kadriu:- Përderisa u vure në shërbim të jugosllavëve, desha të të pyes se a ka informuar organet e sigurimit për ardhjen e bandës, të kësaj bande….

Haliti:- Ishin ndarë në dy pjesë të veçanta. Shkurtimisht, me bandën, unë isha i lidhur me shokët, me qendrën. Ata dinin çdo gjë, me përjashtim të jugosllavëve. Ata nuk dijshin porosinë që më dhanë vetëm mua. Këtë unë e bëra ma ndërgjegjen teme, me kokën teme, me dijen teme. Që unë u lidha me jugosllavët. Shokët nuk e dijshin. Unë kam takuar shokët në Paris e në Romë, edhe dijshin për bandën, dijshin për armatimin, dijshin për çdo gjë tjetër që ne do të shkojshim në Shqipëri. Por nuk dijshin që ne ishim të organizuar dhe të instruktuar…

Kadriu:- Një minutë. Mua më intereson kjo, domethënë i vure në dijeni ti që ne do të nisemi për në Shqipëri me këto qëllime terrori, pavarësisht, domethënë, me urdhër të jugosllavëve ose pa urdhër të jugosllavëve. E informove sigurimin për këtë?

Haliti:- Unë, siç thashë më përpara, e informova sigurimin se ne ishim një grup i organizuar me katër vetë. Anëtarët e grupit ishin Halit Bajrami, Xhevdet Mustafa, Fadil Kaceli dhe Sabaudin Haznedari. Qëllimi jonë ishte për me shkue në Shqipëri për terror…

Kadriu:- Edhe një herë se nuk e mbarova pyetjen. Domethënë, kështu ta kuptoj unë që ky i njoftoi organet e Sigurimit të Shtetit se ne do të vinim në Shqipëri, me qëllim terrori. Kështu, apo jo? Dha datë?

Kryetari(Aranit Çela):- Dhatë datë?

Haliti:- Jo.

Kadriu:- Nuk ka dhënë, thotë ky. Ju lutem të mbahet shënim, të shikohet. Dha pikë zbarkimi?

Kryetari:- Pikën e zbarkimit e dhe?

Haliti:- U thashë atyre se ne do të zbarkojmë mes dy pikave, në grykën ku derdhet Erzeni ose afër Kavajës. Është një torrë atje. U dhashë atë drejtim, ishte 40 gradë, më duket se 40 gradë e disa minuta…

Kadriu:- Të lutem shumë i nderuar kryetar, të mbahet shënim, se janë dokumentet atje që ka dhënë pikë zbarkimi ekzakt edhe afat ekzakt. Për rrethanat e takimit me mua në Rrogozhinë, është ekzakt, në këtë që u takova në rrugë unë apo në zyrë….

Haliti:- Në zyrë.

Kadriu:- Të ka goditur njeri atje?

Haliti:- Të më kishte vrarë 600 herë ai njeriu që më goditi, nuk do isha la hakut për krimet që bëmë ne kundër Atdheut…

Kadriu:- Unë kam deklaruar në proceset e mia se si është kjo çështje. Edhe qëndrimin tim ndaj kësaj bande e kam deklaruar që kjo është një shpifje, është një provokacion i kurdisur nga ky edhe të tjerë…

Kryetari:- Çfarë nuk është e vërtetë këtu?

Kadriu:- Nuk është e vërtetë që kjo bandë të ketë pasur mesazh për mua, nuk është e mundur…

Kryetari:- Po nga e more vesh këtë?

Kadriu:- Di veten time që nuk kam qenë armik dhe nuk jam armik…

Kryetari:- Unë të pyes këtë Kadri Hazbiu. Për një moment jugosllavët e bënë këtë, thuaj ti ai… Po ti vetë je i sigurt, e di që jugosllavët e bënë këtë blof?

Kadriu:- Bllof mund të jetë, por realisht nuk mund të jetë.

Kryetari:- Sigurime…(!?), etj, se ç’thonë jugosllavët atje, këtë s’marr vesh unë…?

Kadriu:- Çfarë sigurie?

Kryetari:- Pse e merr absolute që jugosllavët nuk mund ta kenë drejtuar tek ty këtë?

Kadriu:- Po pse do ta dërgonin tek unë, unë s’jam armik. Të mbahen parasysh i nderuar trup gjykues deponimet e tij, se i ka vonuar në hetuesi, që nga koha e kapjes, deri në fund. Unë kam parë se proceset e tij me këto deponime, janë marrë në maj të këtij viti, domethënë tani. Si kanë evoluar?! Kërkoj që mundësisht të shikohet gjithmonë në kuadrin e të vërtetës që ky është një procesverbal i kurdisur me qëllim diskriminimi ndaj meje… Ky thotë se është thirrur nga Sabaudin Haznedari, ose njërën e tjetrën. Në mos gabohem, në procesin që më është lexuar mua, që unë s’kam pranuar ta lexoj atë, po atë që lexuan hetuesit, thotë që jugosllavi ka vajtur atje, e ka takuar në Zelandën e Re. Në qoftë se është e vërtetë kjo, të shikohet ç’diferencë kanë deponimet e tij?

Haliti:- Ai më ka telefonuar. Kur telefonoi Sabaudin Haznedari nga Zelanda e Re, nga dyqani im telefonoi në Beograd edhe i tha(unë po dëgjojsha në një telefon tjetër)… Kur mbaroi muhabeti, unë fola me atë. “Sa mirë sinjor Bajrami, edhe bëra pak muhabet edhe mirë u pafshim në Beograd” – i thashë…

Kadriu:- Në përgjithësi, i nderuar trupi gjykues, kërkoj që të shikohet në kompleks dosja e tij, qoftë dhe për momentin e takimit me mua, kur është takuar, kush ka qenë, se duhet të reflektohen aty. Nga ana tjetër, e theksoj edhe një herë përpara trupit gjykues, që ky është një provokacion, të cilin mund ta bëjë ky si agjent i jugosllavëve, me urdhrin e jugosllavëve, siç mund ta bëjë dhe me urdhër tjetër…

Prokurori(Rrapi Mino):- Po pse drejtohet pikërisht tek ty?

Kadriu:- Nuk drejtohet tek unë, por shpifje, i nderuar prokuror…

Prokurori:- Kjo nuk është aspak shpifje shoku kryetar dhe shokë gjyqtarë. Se kjo është një gjë e organizuar nga jugosllavët. Dhe dihen mirë përpjekjet që bënin jugosllavët në atë kohë edhe me ultimatumin që i kërkonin tradhtarit Mehmet Shehu që të vinte në zbatim planin e tyre, sepse po u digjnin këmbët në Kosovë. Kosova i kishte nxjerrë shumë probleme gjithë Federatës jugosllave. Gjithashtu, ata e lanë dhe gjithë metodën e mëparshme me anë të helmit për të likuiduar Sekretarin e Parë sepse ai ishte për një kohë të mëvonshme dhe nuk i priste koha. Pikërisht në këtë kohë kanë filluar edhe me drejtimin tjetër në organizimin e bandës. Dhe ishte pikërisht kjo bandë që drejtohej nga Sabaudin Haznedari dhe me pjesëmarrës edhe të pandehurin që pyetet sot si dëshmitar.

Tani, vjen problemi se pse erdhi me kaq ngut banda? Në këtë periudhë Partia kishte rënë në gjurmët e veprimtarisë armiqësore të të pandehurit Kadri Hazbiu, Komiteti Qendror kishte filluar t’i kërkonte llogari të pandehurit Kadri Hazbiu për veprimtarinë e tij armiqësore. Dhe me këtë rast, duhej shpëtuar Kadri Hazbiu. E vetmja mundësi, siç e gjykuan jugosllavët, padronët e të pandehurit Kadri Hazbiu, agjentura jugosllave ishte kjo bandë e dërguar nga UDB-ja jugosllave. E para kjo, pra për të shpëtuar Kadri Hazbiun. Dhe e dyta, me qëllim që ky, Kadri Hazbiu, të merrte pushtetin, domethënë nëpërmjet puçit që do të organizonte. Kështu, dërgon me urgjencën më të madhe këta, pa i pajisur dhe me dokumente e as mjete të tjera, se nuk priste koha. U nisën me kaq urgjencë dhe erdhën këtu.

Ndërlidhësi kryesor, do të ishte, natyrisht, Halit Bajrami. Sepse ky e njihte të pandehurin Kadri Hazbiu dhe do i jepte këtij atë mesazhin për të cilin shpjegoi. Edhe unë nuk zgjatem për të. Por e kam fjalën këtu shoku kryetar e shokë gjyqtarë se sa poshtë ka rënë i pandehuri Kadri Hazbiu, që meqë dështoi për eliminimin e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror nga Mehmet Shehu, thirri me urgjencë bandën këtu. Pra, atëherë duhesh vënë në zbatim banda me qëllim që të merrnin pushtetin. Po kësaj nuk ja arritën se Partia i kapi këta si miu. Këta diversantë erdhën që andej dhe kapi atë thithësin, atë të zotin e bandës, të pandehurin Kadri Hazbiu bashkë me të tjerë që sot japin llogari përpara popullit, përpara drejtësisë për këtë krim kaq të rrezikshëm dhe kaq të përbindshëm që donte të bënte ndaj socializmit në vendin tonë…

Kryetari:- Nga ju të pandehurit e tjerë ka ndonjë pyetje në drejtim të këtij? Nuk ka. Largohu. Kalojmë me problemin tjetër me ju të pandehur, që kanë lidhje me këtë e të tjera akuza… Pra, lidhur me atë të sabotimit. Fillojmë me të pandehurin Llambi Ziçishti… Siç e dëgjove dhe në aktakuzë, domethënë organizata juaj, e ti si pjesëtar i organizatës, akuzoheni edhe për sabotim në fusha të ndryshme shtetërore dhe shoqërore. Jep shpjegime për akuzën  e sabotimit…

Mihallaqi:- Tani kjo është një veprimtari e gjatë. Unë do ta filloj që kur vajta në Korçë. Para se të largohesha nga Ministria e Brendshme, më vë në dijeni Kadri Hazbiu se unë do të largohesha me rastin e qarkullimit që u bë në vitin 1966. Pas një jave më thërret Mehmet Shehu dhe më tha se ti do të shkosh në Korçë. Qëllimi kush ishte? Qëllimi ishte që ta shtrinte veprimtarinë tonë armiqësore edhe në fusha të tjera si në atë ideologjike, politike dhe ekonomike. Tani, unë vajta në Korçë të afirmoja veten si sekretar i parë, pasi unë nuk kisha asnjë eksperiencë në këtë drejtim. Së dyti, Mehmeti më porositi që të ngre lart figurën e tij, kryesisht si ushtarak i zoti.

Do të theksoj disa momente të veprimtarisë armiqësore të zhvilluar nga unë në Korçë. Para se të dalë Deklarata e Komitetit Qendror, më thërret Mehmet Shehu dhe më thotë: Të ngarkoj të më bësh një studim për të ardhurat e kooperativave bujqësore. Unë e bëra studimin dhe më dilte se 50% e të ardhurave fshatarësia kooperativiste e merrte nga kopshti. Ai më tha, do të argumentosh të kundërtën. Dhe unë në mbledhjen e bërë me gjithë sekretarët e Parë, argumentova që kopshtet e fshatarëve janë të padobishëm e të hiqen ata… Më vonë, u hoqën kopshtet e bagëtitë, erdhi varfëria e pakënaqësia që dihet…

Një çështje tjetër, pa hyrë në atë të Plasës, Mehmet Shehu ishte kundër komplekseve blegtorale dhe ato janë ndërtuar në kundërshtim me ato që ka menduar ai.

Çështje tjetër. Korça ka një ekonomi jo të keqe në fushën e industrisë… Në këtë fushë të saj, të veprimtarisë time armiqësore, nuk u shfrytëzuan të gjithë ato kushte të favorshme, të gjitha ato mundësi materiale që kishte krijuar Partia për zënien në punë të krahëve të lira…

Një problem tjetër dhe që ka rëndësi dhe nxjerr në pah mirë edhe figurën time prej armiku, është çështja e Plasës. Pse them figurën time prej armiku? Udhëheqësi i Partisë, erdhi e më thotë që do të ngremë një kooperativë të tipit të lartë në Plasë. U ngrit kështu dhe në Pojan e në Dishnicë. E merr vesh Mehmet Shehu këtë, e më thotë që kjo të mos bëhet… U ngrit kooperativa, pasi unë nuk kisha çfarë bëja, por unë nuk zbatova më tej direktivat e Partisë. Këtu ishin presionet e Mehmet Shehut, Abdyl Këllezit e Pirro Dodbibës… Pra, nuk mora masa për të ndihmuar Plasën, e sabotuam. Kështu vazhdova unë dhe me kooperativat e tjera… Kështu, në drejtim të bujqësisë e të industrisë, në drejtim të sektorëve ekonomikë, në bazë të punës time si anëtar i organizatës puçiste të kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu, ne sabotuam. Me këto pak fjalë doja të them veprimtarinë time armiqësore në këtë drejtim… Çështje tjetër, lidhur përsëri me sabotimin, ka dhe në Malësinë e Madhe… Për të plotësuar gjithë këtë veprimtari armiqësore, me rekomandim të Mehmet Shehut e me interesimin direkt të Beqir Ballukut, kemi bërë veprimtari armiqësore dhe në Malësinë e Madhe. Kështu bëmë kolektivizimin atje, shkurtuam më pas dhe kopshtet… Ranë të ardhurat, pasi ne sabotuam politikën e Partisë në këtë fushë. E theksoj edhe një herë si përfundim, se në saj të punës time armiqësore, si pjesëtar i bandës kundër revolucionare të drejtuar nga poliagjenti Mehmet Shehu, bujqësia dhe ekonomia në Korçë nuk eci mirë, nuk arriti atje ku duhet të shkonte, por u sabotua…

(Vijon nesër)

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

 

SOM 1

“Banda e Xhevdet Mustafës ishte ndarë në dy pjesë të veçanta. Shkurtimisht, me bandën, unë isha i lidhur me shokët, me qendrën. Ata dinin çdo gjë, me përjashtim të jugosllavëve. Ata nuk dijshin porosinë që më dhanë vetëm mua, Halit Bajramit, për Kadri Hazbiun. Para se të nisesha, unë kam njoftuar Sigurimin e Shtetit nëpërmjet pikave të kontaktit në Paris dhe në Romë. U kam dhënë hollësi për numrin, emrat e pjesëtarëve të bandës, armatimin që kishim si dhe dy pikat e mundëshme të zbarkimit. Për shkak të konspiracionit (na nisën me urgjencë pa njoftim), nuk munda t’i informoj për kohën e saktë të nisjes nga brigjet e Italisë”

 

SOM 2

“Ndërlidhësi kryesor,ishte, Halit Bajrami. Ky e njihte të pandehurin Kadri Hazbiu dhe dhe i jepte këtij atë mesazhin e CIA-s e UDB-së. Por unë Halit Bajrami, e kam fjalën këtu se sa poshtë ka rënë i pandehuri Kadri Hazbiu, që meqë dështoi për eliminimin e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror nga Mehmet shehu, thirri me urgjencë bandën këtu. Pra, atëherë duhesh vënë në zbatim banda me qëllim që të merrnin pushtetin. Po kësaj nuk ja arritën se Partia i kapi këta si miu. Këta diversantë erdhën që andej dhe kapi atë thithësin, atë të zotin e bandës, të pandehurin Kadri Hazbiu bashkë me të tjerë që sot jep llogari përpara popullit, përpara drejtësisë për këtë krim kaq të rrezikshëm dhe kaq të përbindshëm që donte të bënte ndaj socializmit në vendin tonë”

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Deponimet e Mihallaq Ziçishtit: Si i mbronte Mehmet Shehu ‘armiqtë në fushën e kulturës’ Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Mihallaq Luarasi, etj….

-Si u punua për qëllimet e grupit për përgatitjen dhe vënien në skenë të dramave ‘Njollat e murrme’ dhe ‘Të pamposhturit’, që binin ndesh me artin e realizmit socialist. Shkuarja me urgjencë e Fiqret Shehut me porosi të Mehmetit në Korçë, porositë dhe takimi me Todi Lubonjën

-Sabotimi i ‘grupit armiqësor, në fushën e mbrojtjes.

Kujtim Boriçi February 2, 2013 10:21
Komento

4 Komente

  1. Tirana March 3, 14:07

    Gazeta dita pse nuk shkruani per kete video ose te inerviston autorin e kesaj letre. http://www.youtube.com/watch?v=WCQjZtU-iww

    Reply to this comment
  2. bardhyl cenolli December 20, 11:13

    Per nje njeri qe eshte professional ne drejtim te drejtesise,te gjitha keto qe lexon ne keteshkrim jane fakte te nje gjyqi te monture,edhe pse deshmimtaret jane porositur se cfare duhet te thoshnin kundra Kadri Hazbiut kuptohen qe jane te fabrikuara per te denuare me cdo kusht Kadriun.Ne fakt qe kur lindi konspiraci teori rreth viteve 1960,kjo ishte nje shpikje perfekte qe filozofia kapitaliste do ti linte shteteve diktatoriale.Ne kete menyre keto sisteme,dhe sidomos ajo ne shqiperi tani do ta kishin me te lehte per te denuare kundershtaret e tyre politike duke fabrikuare akuza nga me te ndryshmet dhe tja servirnin gjyqit si te verteta,por qe ne fakt ishin vetem fantazi e atij qe keta njerez nuk I duheshin me.Ne fakt shume studius dhe njerez qe punojne ne organet e drejtesise kudo ne bote,sidomos ne shtetet e bashkuara te Amerikes,nuk besojne dhe jane skeptike ne TEORI KONSPIRACI,Disa njerez besojne ne Teori Konspiraci,por thone qe;-=Qe te akozosh dike per krime ne Konspiraci duhet te kesh ne dore prova shume bindese,fakte qe provojne njeqind perqind kete krim,atehere gjyqi e denon personin qe ka kryere kete krim.Po te lexosh te gjitha seancat e gjyqit te Kadri Hazbiut do te shikosh qe gjate hetuesise si dhe zhvillimit te gjyqit nuk ka asnje fact ku te provoje fajesine e tij si dhe anetareve te ketij grupi.Po te lexosh me kujdes procesin hetimor si edhte ate gjyqesor do te shikosh nje montim akuzash ndaj te akuzuareve.Teori konspiraci vravi J F Kennedin,Marlin Marlo,Princes Diana,etj.Kadri Hazbiu dhe grupi I tij qe u denua dhe egzekutua eshte viktime eTeori konspiraci–se.

    Reply to this comment
  3. Hana February 19, 03:20

    Is it possible to get the full transcript of Hazbiu’s trial and how do I find out how he died. The picture does not explain what happened. I am an Albanian who came to American in 1970 so I cannot read Albanian well. If someone can contact me it would be very helpful. I am working on a book and Kadri is mentioned in 2 of my books

    Reply to this comment
  4. Nezir Amiti. October 8, 22:42

    Shumè e vertete…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*