Rinasi dhe akuzat / Bandat i solli dhe i mban në skenë politika

April 13, 2019 09:56

Rinasi dhe akuzat / Bandat i solli dhe i mban në skenë politika

Nga Bedri Islami

Ngjarja e para pak ditëve në aeroportin e Rinasit, e pazakontë për cilindo vend në botë, aq më tepër në një vend antar i Nato-s, ku në pikun e ditës, banditë të armatosur thyejnë dyert, kërcënojnë me armatim të rëndë disa punëtorë të përcjelljes së bagazheve, ndërsa pasagjerët presin fluturimin dhe shohin nga dritaret nën makthin e së keqes dhe, në fund, grabisin miliona euro, largohen si në mallin e babait, ishte dëshmia më e plotë se bandat në Shqipëri janë rritur e fuqizuar në një përmasë të frikshme.

Dëgjova në një emision TV deklaratën e ish shefit të qeverisë, Berisha, se e gjithë kjo kishte ndodhur nga segmente të pushtetit, pikërisht në prag të zgjedhjeve vendore, për të blerë vota dhe se bandat janë të lidhura me qeverisjen aktuale.

Ndoshta Berisha është njeriu që e di më mirë se gjithë të tjerët lidhjen e bandave me pushtetin. Ndoshta ai e di çdo fillesë të tyre, si kanë lindur dhe kush e strukturon, si janë ngritur dhe ku e kanë forcën e tyre, çfarë lidhjesh kanë me drejtues të lartë të shtetit, dje dhe sot; mund të dijë që nga fillesa e tyre në mitingjet e para dhe deri tek ajo që në media mori emrin e njohur si “Grupi çiftelia”.

Ai është një njeri i njohur për vesin e tij për të kontrolluar gjithçka e kudo, për të krijuar dosjet për gjyqtarë e prokurorë, që sa herë i është dashur u a ka bërë publike; i njohur për krijimin rreth vetes të një strukture të veçantë informimi, vëzhgimi e ndëshkimi, dhe, mbi të gjitha, për një sistem të lidhur në mijra fije me politikën.

Që bandat kanë lidhje me politikën, kjo dihet tashmë, por se me cilin krah të politikës, kjo do të njihet një ditë. Rrugët të çojnë drejt skajeve politikë, por se në cilin skaj, kjo është një gjë e pritshme dhe, nëse do të ketë heshtje, do të thotë se janë të gjithë bashkë në të njëjtin thes.

Një fakt është i qartë: të gjitha bandat, në fillesën e tyre, kanë pasur lidhje të fuqishme me pëdëistët, janë krijuar pranë vatrave të tyre dhe, nëse më vonë kanë ndërruar padron apo janë bërë padron i tjetër kujt, kjo ka lidhje me pushtetin e jo se banditët janë njerëz të politikës.

Bandat as nuk janë menduar ndonjëherë në periudhën para pluraliste. Ndoshta diktati i ashpër i shtetit,  mjedisi mbytës dhe gjykimet e shpejta e të ashpra, nganjëherë edhe më të ashpra se sa duhej, ishin rrethinat ku nuk mund të mendohej se do të kishte krim të organizuar, e aq më pak banda të tilla, të cilat sulmojnë në mes të ditës banka, grabisin në aeroporte dhe në rrugën drejt tij, të vrasin në derën e shtëpisë, të humbin ku nuk të gjen askush, të vendosin gjoba, të bëjnë shantazh, kthehen në qoshe fajdexhinjsh mizorë, të marrin pasurinë, të degdisin në një cep të humbur të botës.

Si u krijuan bandat? Dolën nga rastësia apo ishte e menduar? Ishin thjeshtë banditë apo në shumë raste banditë politikë? Mund të eliminoheshin që në fillim, apo dikujt i duhej prania e tyre? Janë thjeshtë njerëz të frustuar apo vijnë edhe nga struktura të mirëpërgatitura, ku kanë qenë pjesë më herët?

Bandat i solli në skenë politika. Askush tjetër. Ajo u hapi rrugë, i mbajti afër, i bëri të pasur, u dha prona, mbylli sytë para ndodhive të tyre dhe i afroi për të mbajtur pushtetin. Kushdo, në cilindo qytet, e di fare mirë se çfarë bandash janë, kush u prin, kujt i shërbejnë, me cilën forcë politike janë të lidhur, çfarë votash sigurojnë, ku e kanë territorin e tyre, në cilët sinorë shtrihen dhe ku fillojnë kufijtë e bandës tjetër.

Në fillimet e tyre bandat i shërbyen politikës për të prishur aktivitetet e kundërshtarëve politikë. Shullazi, për shembull, mburrej dikur se prishte tubimet elektorale të socialistëve dhe duartrokitej nga Berisha e njerëzit pranë tij. Ai ishte bërë i fuqishmi që prishte, ndreqte, vendoste gjoba, ishte njeriu ku politika falej dhe, kur ajo harronte të falej, ai gjente një faltore tjetër politike. Në Shkodër, qoftë fisi Licajve, qoftë ai i Bajrajve, ishin të njohur si njerëz të lidhur me PD-në, ndër mbështetësit më të fuqishëm të tyre. Në Durrës, fisi i Niçes së burgosur ishte i njohur për mbështetjen pëdëiste, por kur pushteti lëvizi, ai u lidh pas qeveritarëve të tashëm. Në Elbasan, ish ministri i brendshëm, Basha, lironte për disa ditë, në prag të zgjedhjeve politike, banditë të njohur, edhe për vrasje, vetëm se kishte njohurinë e plotë se ishin bastion i partisë së tij dhe se, përmes tyre, mund të siguronte disa qindra vota më shumë.

Njerëzit e lidhur me ish deputetin socialist, Arben Ndoka, ishin, po ashtu, një magazinë e votave socialiste dhe, nën këtë maskë do të fillonte tjetërsimi masiv i tokave në bregdet. Habilajt, si duket edhe nga përgjimet mjedisore, relatonin për shumicën qeverisëse, duke u nisur edhe nga lidhjet e largëta fisnore me ish ministrin e brendshëm, Tahiri, por, më parë, kishin patur lidhje të njëjta me pëdëistët në pushtet. Abdulajt e Durrësit, po ashtu, nga mbështetja e forcës politike, nën të cilën u krijuan, PD-së, kaluan në mbështetje të kryebashkiakut durrsak , Dako.

Ndodhi e gjithë kjo, pasi, vetëm lidhja me politikën i bënte ato të paprekshëm, të fuqishëm, mbivendosës mbi shtetin. Në ngjarjen e fundit, në Rinas, njeriu që mbeti i vrarë, që mendohet se ishte kapoja i grupit dhe që kërkohej në disa shtete, disa qindra metra larg aeroportit kishte ngritur vilën e tij madhore, duke u nisur nga një shtëpi përdhese; kishte në bankë disa qindra mijra euro, pasuri të paluajtshme të vlerësuar në qindra mijra euro të tjera dhe, megjithëse dihej, megjithëse shteti shqiptar ishte sinjalizuar nga institucione të sigurisë jashtë vendit, përsëri kjo nuk ngriti asnjë dyshim se me çfarë ishte vënë ajo pasuri.

Shteti shqiptar ka shërbimin e tij të sigurisë. Në fakt, pas vitit 1991 , me një fillesë të papritur regresive, pasi u kthye në një  përshfaqje të sigurimit të shtetit, por, ende sot, askush nuk e di mirëfilli se me çfarë merret ai. Nëse një zyrtar i lartë i shtetit , ministër në këtë rast, sinjalizon se në vend janë ngritur 14 apo 20 banda të rrezikshme, të cilat cenojnë edhe sigurinë kombëtare, atëherë ku duhet të lëvizë më parë dhe më dendur shërbimi ynë informativ kombëtar?

Ngjarja e pak ditëve më parë në Rinas tregoi se bandat nuk janë më si në vitin 1997, kur dilnin rrugëve me kallashnikovë dhe vriteshin në hak të qejfit. I gjithë veprimi i grabitjes së disa milionave euro ishte një ndërtim ushtarak, i mirë menduar, i përgatitur shkëlqyeshëm dhe jo nga një dorë e panjohur. Më shumë se me banditë rrugësh, gjithçka ngjante me njerëz të ditur në këtë fushë, me trupë të stërvitur, e cila kishte llogaritur në sekonda kohën që i duhej, rrugën që do të bënin, pengesat që kishin përgatitur, fshehjen e tyre, dëshmitë e rreme nga një makinë e djegur, që nuk është djegur nga ato që rrëmbyen, por nga grupi i tyre. Shumë më i gjerë, se sa pesë vetë me maska dhe nga të cilët vetëm njëri tashmë nuk është më.

Bandat e krijuara pas vitit 1991 e filluan aktivitetin e tyre me rrëmbimin e pronave publike, pasurisë së përbashkët. Nën lgon e më të fortit, ata u bënë pronarë të pasurisë që nuk ishte e tyrja. Pushteti heshti, sepse ata e mbështetën pushtetin. Kur pushteti mendoi goditjen e tyre, ata ndërruan shefat politikë. Por goditja ka qenë gjithnjë sipas mendësisë se kujt i shërbejnë, cilës forcë politike. Një ndër ministrat e brendshëm më operative ë goditjen e bandave njihet Olldashi, por edhe atë nuk e lanë të godiste në “territorin” e partisë së tij. Kur filloi ta tepronte me goditjet dhe kërkoi të shtrihej më tej se sa i kishin vënë jorganin politik, , e larguan. Duket se të njëjtën rrugë ndërmori edhe ish ministri socialist, Xhafa, i cili, si mendoj, kërkonte gjithë hapësirën e duhur në luftën kundër bandave. U largua nga posti në ditët më të mira të tij. Një vendim i marrë tërësisht në lirinë e tij, i vështirë, por i domosdoshëm për të ruajtur integritetin e tij politik e njerëzor.

Në Shqipëri, sipas informacioneve serioze të partnerëve ndërkombëtarë që monitorojnë Shqipërinë, veprojnë më shumë se 20 banda të rrezikshme, në disa nga qytetet e vendit, sidomos në Shkodër, ku mendohet se janë 4 të tilla, në Elbasan,- katër banda, në Durrës- tri, në Vlorë – tri, në Korçë- dy,  etj.

Vrasjet e ndodhura në kohët e fundit dëshmojnë se janë ashpërsuar marrëdhëniet mes tyre dhe se, nga disa prej bandave politika ka hequr dot ose njerëzit e lidhur me to nuk janë në pushtet.

Politika është ndoshta përgjegjësja më e madhe e krijimit dhe fuqizimit të bandave. Ajo u ka hapur trasenë politike dhe ata kanë bërë ligjin në territorin që u është lënë nën kontroll. Më shumë se sa çështja që mund të zgjidhet nga sistemi i drejtësisë eliminimi i tyre është në dorën e politikës.

Mosndëshkimi i së keqes, e cila ka pasur thuajse gjithnjë lidhje me bandat, qofshin në politikë apo në financë, kanë krijuar mendësinë e të paprekshmëve. Kanë krijuar strehën ku kanë vegjetuar fillimisht e ku janë rritur më pas.

Ngjarja në Rinas tregon se disa struktura të shtetit nuk kanë bërë punën e tyre. Rrahja sot e gjoksit se nuk është faji i tyre, por i koncensionarit është vetëm dëshira për të larë fytyrën, por duart nuk janë të pastërta.

Pohimi i Berishës se ngjarja në Rinas, përgatitur nga njëra prej bandave më të rrezikshme, është e lidhur me politikën, ka edhe ajo të vërtetën e saj.

Por, vetëm fillesën. Koha, jam i bindur, do të dëshmojë se nga cili kah i politikës janë ndërvarur dhe përse Berisha shpejtojë të fajësojë si gjithnjë kundërshtarët e tij politikë.

 

April 13, 2019 09:56