Bankat “lëshojnë” dorën, rrisin kreditë

August 8, 2016 09:45

Bankat “lëshojnë” dorën, rrisin kreditë

Teksa Banka e Shqipërisë ka bërë negative interesat e euros dhe vendosja e parave në bankat jashtë sjell kthim negativ, bankat po i rikthehen kreditimit të ekonomisë dhe blerjes së letrave me vlerë të qeverisë…

Aktivet e sistemit bankar janë rritur me rreth 11 miliardë lekë, apo rreth 1% në gjashtëmujorin e parë të vitit, në raport me dhjetorin 2015, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë.

Por, si janë investuar ato? Paratë, që grumbullojnë nga depozituesit, bankat i investojnë kryesisht, duke i depozituar në bankën qendrore, duke i vendosur në institucionet financiare jashtë, duke blerë letra me vlerë të qeverisë, apo duke dhënë kredi për bizneset dhe individët.

Deri vitin e kaluar, dy format e preferuara ishin vendosja e parave në institucionet financiare jashtë dhe në Bankën e Shqipërisë (kjo e fundit sidomos në gjysmën e dytë të vitit), duke lënë mënjanë kreditimin e ekonomisë, ndërsa dhe blerja e letrave me vlerë u reduktua, pasi qeveria emetoi eurobondin 450 milionë euro në nëntor të 2015-s.

Në 2015-n, investimet në Bankën qendrore dhe bankat e huaja u rritën përkatësisht me 40 dhe 22 miliardë lekë, ndërsa huaja për ekonominë ra me 9 miliardë lekë, dhe portofoli i veprimeve me letrat me vlerë u reduktua me 20 miliardë lekë. Ndonëse më pak fitimprurëse, bankat vitin e kaluar zgjodhën të kryejnë investime më të sigurta, duke mos “preferuar” të kreditojnë ekonominë.

Muajt e parë të 2016-s e kanë ndryshuar tërësisht këtë sjellje të bankave, të cilat nuk i kanë investuar më paratë jashtë, apo në bankën qendrore, por po i kthehen kredisë dhe blerjes së letrave me vlerë të qeverisë.

Pas vërshimit të parave të lira në tremujorin e katërt tek Banka Qendrore, kjo e fundit vendosi të mbyllë edhe këtë rubinet të të ardhurave, duke e bërë normën negative të euros në -0.55%, si një mjet “presioni” që bankat të përqendrohen në kreditimin e ekonomisë. Si rrjedhojë, marrëdhëniet me bankën qendrore ranë me 30 miliardë lekë në qershor (-20%), në raport me dhjetorin 2015.

Bankat nuk kanë preferuar as të vendosin paratë jashtë në institucionet financiare, një zgjedhje kjo që kishte qenë mjaft e preferuar vitet e fundit, teksa bankat me kapital perëndimor pas 2010-s ulën ekspozimin në tregun shqiptar, në procesin e njohur si “deleveraging”.

Ky zë është rritur vetëm me 3 miliardë lekë, apo 1.5% për 6 mujorin në raport me fundin e 2015-s, nga 19 miliardë lekë (11%), që ishte rritja për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Një zhvillim pozitiv ka qenë rritja e kredisë për ekonominë. Në fund të qershorit,, zëri “Huaja dhënë sektorit privat dhe individëve” u rrit me 13 miliardë lekë, apo rreth 2.41% në raport me dhjetorin 2015. Një vit më parë, Huaja dhënë sektorit privat ra me 1.5% me bazë vjetore në 2015-n, apo me 9.1 miliardë lekë (65 milionë euro).

Treguesi i huas i raportuar tek aktivet e sistemit bankar është neto, duke hequr efektin e fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave. Kjo ishte performanca më e dobët historike e kredisë në sistemin bankar. Huaja bruto ndërkohë ra me 2.4% në 2015-n.

Në muajt e parë të 2016-s rritjen më të lartë e ka shënuar huaja afatmesme dhe ajo afatgjatë dhe ajo për pasuritë e paluajtshme.

Një tjetër alternativë e preferuar investimi në gjysmën e parë të këtij viti ka qenë dhe blerja e letrave me vlerë të qeverisë, ndonëse dhe yield-i i letrave me vlerë ka rënë ndjeshëm (në ankandin e fundit yield-i 1 vjeçar ishte 1.28%). Zëri “Veprime me letrat me vlerë” është rritur me gati 30 miliardë lekë, pas rënies me 20 miliardë lekë vitin e kaluar.

Ngushtimi i alternativave të investimit, rënia e interesave, por dhe rritja e shpenzimeve për provigjione bënë që fitimi i sistemit bankar të binte me 39% për 6 mujorin. /MONITOR

August 8, 2016 09:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim