Bankat po japin më shumë kredi, sinjal pozitiv për ekonominë në vend

April 30, 2019 15:50

Bankat po japin më shumë kredi, sinjal pozitiv për ekonominë në vend

Kredia për ekonominë u rrit me 15 miliardë lekë, 120 milionë euro, në 3 muajt e parë të vitit, teksa bankat kanë financuar më shumë para për biznesin dhe familjet.

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në mars, huaja që bankat kanë dhënë për ekonominë arriti në 547 miliardë lekë, nga 532 miliardë që ishte në fund të vitit të kaluar.

Kjo është hera e parë në gati 3 vite, që kredia rritet për 3 muaj radhazi, duke shfaqur sinjale rigjallërimi pas një ngërçi të gjatë disavjeçar. Të dhënat e detajuara tregojnë se, gjatë kësaj kohe, kursi Euro-Lek ka qenë thuajse stabël dhe e gjithë rritja në stokun e kredisë ka ardhur nga disbursimi i huave të reja për sektorin privat, kryesisht kreditë për biznesin.

Prej disa vitesh, kredia për biznesin ka qenë në trajektore të qëndrueshme rënëse, duke u ulur në mënyrë të ndjeshme. Por, gjatë 3 muajve të parë të këtij viti, kredia për biznesin është rritur me 9 miliardë lekë, duke përfshirë të gjitha segmentet, veçanërisht ndërmarrjet e mesme dhe ato të mëdha.

Që pas vitit 2012, mungesa e kredive ka qenë një nga faktorët më frenues për rritjen ekonomike, teksa bizneset kanë qenë hezituese për të investuar në projekte të reja, ndërsa bankat dorështrënguara për të dhënë para borxh, të trembura edhe nga rritja e kredive të këqija.

Por, rritja e ndjeshme e kredive në 3 muajt e parë është një sinjal shprese për thyerjen e këtij cikli të gjatë negativ. Banka e Shqipërisë thotë se është ende herët për të konfirmuar rigjallërimin e kredisë.

Por, nëse ecuria pozitive e kredisë në tremujorin e parë do të konfirmohet edhe gjatë muajve në vijim, ekonomia shqiptare mund të ketë një ndihmë shtesë këtë vit, i cili është paralajmëruar si i vështirë.

 

b.b/dita

April 30, 2019 15:50
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim