BARAZIA GJINORE / Emancipimi i gruas arrin kulmin: Diktatorja e parë femër

June 18, 2018 21:58

BARAZIA GJINORE / Emancipimi i gruas arrin kulmin: Diktatorja e parë femër

KËPUSHKA – Në një zhvillim që është vlerësuar botërisht nga organizatat për të drejtat e grave anembanë globit, diktatorja e parë femër merr pushtetin në Tajmania.

Revolucionarja Baranda Gama, edhe pse në kushte të pabarabarta me kolegët e saj meshkuj e aq më pak përballë makinës luftarake shtetërore të paraardhësit, ka hyrë në pallatin presidencial në krye të trupave të saj.

Reporterët e huaj flasin për një gëzim të ligjshëm të grave tajmaneze, ndërkohë që gjithandej nëpër rrugët e kryeqytetit Këpushka, syri të zë portrete të Baranda Gamës në uniformë ushtarake.

“Dikur na vrisnin dhe na grabisnin diktatorët burra dhe lakejtë e tyre”, thotë një shitëse perimesh, “këtej e tutje ndihemi të privilegjuara që do na vrasë dhe grabisë njëra prej nesh. Rroftë Baranda”.

Rrugëtimi i gjatë i Baranda Gamës nuk ishte i lehtë, thonë burimet.

Asaj i duhej të tregohej dyfish më e aftë se burrat, që kur filloi karrierën revolucionare në pyjet e Tajmanisë. Sipas analistit dhe publicistit të njohur vendas Raxh Bundra, “njëzet, madje deri dhjetë vjet më parë, asnjë tajmanez nuk do ta çonte në mendje se një grua do ishte në gjendje të merrte pushtetin në mënyrë të përgjakshme. Por sot kjo është realitet. Baranda Gama u tregua po aq e zonja në prerjen demonstrative të kokave të armiqve, në torturimin pastaj eliminimin e rivalëve politikë, në hedhjen në erë të kazermave ushtarake etj. Unë kam besim se ajo do të dëshmohet po kaq e zonja në fazën tjetër të karrierës së saj, në vjedhjen masive të votave në zgjedhjet farsë të pas dy viteve”.

Por kjo grua në karrierë ka edhe anën tjetër të saj, familjen. Baranda Gama nuk i lë pas dore dy djemtë e saj të vegjël Shatra dhe Patra, dy engjëj të vegjël në uniformë ushtarake, të cilët po stërviten të ndjekin rrugën e saj.

Shënim: Gojët e Liga janë një rubrikë satirike vendosmërisht të vendosur pro barazisë gjinore në çdo fushë. Ose kodër. Qoftë dhe mal

June 18, 2018 21:58
Komento

1 Koment

  1. Ladi June 19, 18:32

    Ky analisti Raxh Bundra duket burre me nje barre mend. Njesoj si keta bundrat tane!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*