Barazim i hidhur in-extremis, ëndrra e Skënderbeut në Europë vazhdon

August 17, 2017 21:11

Barazim i hidhur in-extremis, ëndrra e Skënderbeut në Europë vazhdon

Skënderbeu për pak trondit Europën, tashmë në futboll është legjendë, ndonëse ndalet in-extremis me rezultatin 1-1. Ekipi korçar ka dominuar në rezultat skuadrën e Dinamo Zagreb, ndonëse luhej në transfertë, në “Maksimir” të Zagrebit, por deri në minutën e 90+5’, kur vendasit kanë barazuar të ndihmuar edhe nga fati. Bardhekuqtë kanë surprizuar kur kanë kaluar të parët në avantazh në minutën e 37’ me anë të Latifit.

Një epërsi të cilën e kanë mbajtur gjatë të gjithë kohës, madje duke patur edhe shanset për të dyfishuar, me dy gola të anulluar nga arbitri për pozicion të parregullt. Dinamo e Zagreb, superiore gjatë pjesës së dytë ka barazuar shifrat në minutën e pestë shtesë me anë të Henriquez, i asistuar nga Fernandes. Tashmë, kualifikimi për në grupet e UEFA Eurpa League do të vendoset në Shqipëri, në ndeshjen e kthimit.

Pjesa parë

Kombinim perfekt i Gavazajt nga e djathta që shërben për Vangjelin. Ky i fundit asiston për Latifin që dërgon topin në zonë, por arbitri e konsideron të parregullt golin e shënuar në minutën e 10’, për pozicion jashtë loje të paqenë të Vangjelit. Një takim i korçarëve me golin që vetëm sa është shtyrë, pasi në minutën e 37’ ekipi shqiptar ka kaluar në avantazh.

Një kundërsulm i shpejtë i korçarëve me Gavazajn të jashtëzakonshëm që nxjerr të zbuluar Latifin. Ky i fundit fillimisht gjuan në trupin e portierit, për të mos gabuar në tentativën e dytë, kur me portën e boshatisur ka dërguar topin në rrjetë. Korçarët i afrohen golit të dytë me anë të Radas, i frikshëm në goditjet standarde, por portieri kundërshtar ka qenë në lartësinë e duhur për të larguar rrezikun.

Pjesa e dytë

Ky fraksion i dytë loje ka nsiur pikërisht aty ku ishte mbyllur pjesa e parë, me korçarët që hidhen në kërkim të golit të dytë. Një aksion shumë i shpejtë me protagonist Lilajn që ka shërbyer në qendër për Sowe është finalizuar me gol, por arbitri ka anulluar sërish tentativën e Skënderbeut për pozicion jashtë loje.

Më pas gjithçka ka folur në favor të ekipit vendas, i cili është spostuar i tëri në gjysmëfushën e korçarëve, por pa mundur dot të gjejë saktësinë në finalizim. Veç meritave dhe kualiteteve, edhe fati ndihmon bardhekuqtë, të paktën në një rast, kur portieri Shehi ka dalë në mënyrë të gabuar. Duhet të vinte minuta e 72’ që Skënderbeu të regjistronte aksionin e parë kundrasulmues, kur fillimisht James ka shërbyer për Sowe, më pas ky i fundit për Latifin, por pa mundur dot në asnjë rast të godasin drejt portës së Dinamo Zagreb.

Në të 84’ Shehi bëhet hero i ndeshjes pasi ka shpëtuar në vijën fatale një gol të sigurtë. Në minutën e fundit të kohës së rregullt, Latifi dhuron spektakël në të majtë, pasi driblon me finte kundërshtarët për të shërbyer për James, por Livakovic lë portën dhe largon rrezikun. Dinamo e Zagreb, superiore gjatë pjesës së dytë ka barazuar shifrat në minutën e pestë shtesë me anë të Henriquez, i asistuar nga Fernandes.

Dinamo Zagreb- Skënderbeu 1-1

Shënues: Henriquez 90+5’ / Latifi 37’

Dinamo Zagreb: Livakovic, Stojanovic, Benkovic, Sigali, Lecjaks, Doumbia, Moro, Gojak, Coric, Hodzic, Fernandes.

Trajner: Mario Cvitanoviç

Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici, Osmani, Lilaj, Nimaga, Gavazaj, Latifi, Sowe.

Trajner: Ilir Daja

Gjyqtar: Andris Treimanis

August 17, 2017 21:11
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*