Barjaba: Ja “sabotatorët” e reformës së pensioneve!

Intervistoi Erion Habilaj February 17, 2014 14:27

Barjaba: Ja “sabotatorët” e reformës së pensioneve!

Reforma në pensione është një nga shtyllat kryesore ku mund të vendoset balanca mes kontribuesve dhe përfituesve. Zoti Barjaba këtë reformë e lidh me disa pika kryesore që janë shumë të ndjeshme dhe kërkojnë një zgjidhje afatgjatë. Çështja e moshës, ngritja e kolonës së dytë për bashkë-menaxhimin publik-privat të skemës, investimi i fondit të pensioneve dhe vendosja e pensionit social janë shtyllat ku duhet të bazohet reforma në pensione.

Po kështu investimi i fondit të pensioneve neutralizon ndikimet negative në skemë prej disa rrethanave, të cilat në mënyrë të figurshme mund t’i quajmë “sabotatorë” të reformës së pensioneve, e ku këta sipas zotit Barjaba, është situata demografike e vendit, konservatorizmi dhe informaliteti.

 

Ditët e fundit qeveria ka avancuar me reformën e pensioneve, duke e vendosur atë në rendin e ditës. Cili është komenti juaj, nisur edhe nga kontributi që keni dhënë në konceptimin e reformës së pensioneve në programin e Rilindjes?

Vendosja në kalendarin e punës e reformës së pensioneve është një nga aktet më të guximshme dhe më të përgjegjshme të qeverisë Rama. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Paketa me propozimet e Bankës Botërore për reformën ka 6-7 vjet që rrinte në sirtaret e qeverisë. Reforma është vonuar për arsye se shumica e djeshme e konsideronte atë një çështje elektorale dhe jo kolonë kryesore të sistemit të mirëqënies. Qeveria ishte dhënë pas rritjes thërrimore të pensioneve dhe jo shëndoshjes së skemës, e cila, siç kam nënvizuar disa herë, është praktikisht e rrënuar ose në prag të rrënimit. Rritjet populisto-elektorale të pensioneve mund të kenë shtuar votat në kutinë e qeverisë, por jo paratë në fondin e pensioneve.

 

Cilat janë, sipas jush, piketat kryesore të reformës?

Unë do t’i ndaja në dy grupe. Reforma ka nevojë për zgjidhjen e disa nyjeve gordiane politike dhe pas tyre edhe të disa nyjeve teknike. Ishin pikërisht nyjet politike që e kanë penguar deri tani kryerjen e reformës. Ndër to unë mendoj se më kritiket janë: i) çështja e moshës; ii) ngritja e kolonës së dytë për bashkë-menaxhimin publik-privat të skemës; iii) investimi i fondit të pensioneve dhe iv) vendosja e pensionit social.

 

Janë zgjidhur tashmë këto dilema?

Disa janë zgjidhur. Për shembull, është për tu përshendetur deklarimi publik i qeverisë, që mosha e daljes në pension nuk do të ngrihet. Banka Botërore rekomandon ose rrisni moshën e daljes në pension, ose barazoni moshën e grave me të burrave. Qeveria ka një mendim të ndryshëm dhe unë mendoj se ky është edhe më i drejti dhe i qëndron besnik zotimit të saj programor. Ndërsa për vendosjen e pensionit social ka një përputhje midis rekomandimeve të Bankës Botërore dhe programit të Qeverisë. Probleme të vështira politike janë vendosja në funksionim e kolonës së dytë të skemës, pra bashkë-menaxhimi i sektorit publik me sektorin privat të pensioneve dhe investimi i fondit të pensioneve në kompani të sigurta dhe të fuqishme financiare. Investimi i fondit të pensioneve është një element i ri, sipas meje i domosdoshëm. Por për të deri tani nuk bëhet fjalë as në rekomandimet e Bankës, as në programin e Qeverisë, as në platformën e reformës.

 

Ku qëndron domosdoshmëria e këtij rekomandimi tuaj?

Investimi i fondit të pensioneve neutralizon ndikimet negative në skemë prej disa rrethanave, të cilat në mënyrë të figurshme mund t’i quajmë “sabotatorë” të reformës së pensioneve. Ju mund të pyesni, cilët janë këta “sabotatorë”? I pari është situata demografike e vendit. Ne kemi një popullsi të vogël, por një përqindje të lartë pensionistësh, rreth 21 përqind të popullsisë. Kemi njëkohësisht një nivel të ulët të pagimit të kontributeve. Vetëm 22 përqind e popullsisë në moshë pune paguan kontribute ose rreth gjysma e forcës së punës, zyrtarisht e rregjistruar: rreth 650 mijë në 1.2 milion. Por kemi mbi 550 mijë pensionistë. Raporti midis kontribuesve dhe përfituesve është tepër kritik, rrënues. Që ky raport të arrijë të paktën 2:1, do të duhet të zbardhet gjithë puna e zezë (çka është praktikisht e pamundur) dhe ta hapen edhe 300 mijë vende të reja pune (objektiv që qeveria e ka programuar dhe besoj se do ta realizojë). Ndërsa për ta rritur këtë  raport në 3:1 ose më shumë është praktikisht e  pamundur. Dhe ja pse: Shqipëria ka aktualisht rreth 1.9 milion banorë në moshë pune dhe ekonomikisht aktivë. Edhe sikur të gjithë këta të hyjnë në tregun e punës (gjë që është teorikisht dhe praktikisht e pamundur), mund t’i afrohemi raportit 3:1 vetëm teorikisht, ndërsa për raporte më të thella as që bëhet fjalë, kur dihet që popullsia rezidente e vendit është 2,831 milion banorë. Një rrugë tjetër mund të ishte rritja e masës së kontributeve, por kjo është e vështirë për tu realizuar sepse rrit kostot e punës, në një kohë që hapja e vendeve të reja të punës kërkon uljen e tyre. Prandaj i vetmi shpëtim i skemës është investimi i fondit. Gjatë 10-15 vjetëve të fundit, kompanitë financiare dhe hedge funds që investojnë fondet e pensioneve kanë revolucionarizuar botën e financave. Ne mund tu bashkohemi këtyre praktikave dhe modeleve të suksesshme. Duke e investuar fondin e pensioneve në investime të sigurta, të cilat do ta shumëfishojnë atë, nuk jemi të parët. Disa dhjetra vende kanë shëndoshur skemat e pensioneve dhe kanë rritur masën e pensionit, nëpërmjet investimeve. Nëse nuk bëhet kjo, nuk është çudi që pas disa vitesh të arrijmë aty ku jemi sot: në një skemë të pafuqishme dhe me pensione të ulta!

 

Po aplikimi  i kolonës së dytë, pra menaxhimi privat?

Edhe hezitimi për ta bërë këtë ka “sabotuar” shëndoshjen e skemës, duke e privuar atë nga efiçienca e menaxhimit privat. Qeveritë janë stepur për të hapur “dritën jeshile”, edhe pse legjislacioni aktual për pensionet dhe sigurimet shoqërore pjesërisht e mundëson këtë. Këtë ide e kemi diskutuar gjatë tryezave të programit të Rilindjes për një vit rresht (2012) dhe të gjithë partnerët social e kanë mbështetur. Konservatorizmi i qeverive këtë rradhë po kapercehet nga vizioni që ka qeveria për reformimin e skemës.

 

Pra, deri tani i zbuluam dy “sabotatorë”: demografia dhe konservatorizmi! A ka të tjerë?

Një “sabotator” i rrezikshëm, që ka gërryer skemën dhe pengon reformën është ekonomia dhe puna informale. Ekonomia informale, si një gangrenë e  ekonomisë shqiptare, vepron edhe si një “serrë” për ushqimin e punës informale. Mos u çudisni kur them se punëtorët në të zezë mund të jenë po aq sa punëtorët e rregjistruar. Për shembull, në fshat paguajnë kontribute vetëm gjysma e të punësuarve. Mjafton të bësh dallimin midis kontributit në GDP dhe kontributit në punësim që të bindesh se ekonomia dhe tregu i punës janë mbytur në informalitet. Për shembull, sektori i shërbimeve jep 56 përëqind të GDP, por punëson vetëm 17 përqind të të punësuarve. Ndërsa bujqësia kontribon vetëm me 19 përqind të GDP-së, por punëson 54 përqind të të punësuarve. Ndërsa për ndërtimin dhe industrinë kjo asimetri është 20 me 10 përqind.

 

Ju thatë më lart se skema ka edhe mjaft nyje teknike që duhen zgjidhur.  

Nyje të tilla gjenden në menaxhimin e skemës, e cila është e mbushur me padrejtësi shoqërore. Njera nga këto padrejtësi është diferenca  pensionit minimal-mesatar (1 mijë lekë) dhe minimal-maksimal (1:2). Për pensionin minimal duhen 15 vjet, ndërsa për pensionin mesatar 30. Pra, për të marrë 1 mijë lekë më shumë duhet të punosh 15 vjete më shumë! Për të zgjidhur këtë difekt, reforma duhet të synojë standartin europian, ku pensioni mesatar është 2-3 herë më i madh se minimali. Vetëm kështu mund të shkojmë drejt rritjes së pensioneve minimale dhe zvogëlimit të vendit të tyre në skemë. Aktualisht pensionet minimale përbëjnë rreth 65 përqind të pensioneve dhe kjo është e papranueshme. Ndërsa pensioni maksimal është aktualisht sa dyfishi i minimalit. Por kontribuesit që marrin pension maksimal paguajnë 5 herë më shumë kontribute. Pra, paguajnë 5 herë më shumë, por marrin vetëm 2 herë më shumë. Eleminimi i këtyre padrejtësive do të shmangë evazionin kontributiv dhe paratë që do të derdhen në skemë do të shërbejnë për të rritur pensionet minimale. Një tjetër padrejtësi është raporti midis pagës minimale dhe pensionit minimal. Në BE paga minimale është rreth 20 përqind më e madhe se pensioni minimal, ndërsa në Shqipëri rreth 2 herë më e madhe.  Edhe ky raport duhet të ndryshojë, pensioni minimal duhet të rritet dhe kjo bëhet e mundur vetëm me fuqizimin financiar të skemës.

 

Vendosja e pensionit social, a nuk mund të “sabotojë” pagesën e kontributeve, përderisa njerëzit  do të kenë një pension të garantuar edhe nëse nuk paguajnë?

Po, mund ta “sabotojë”. Por ky rrezik mund të shmanget në dy rrugë: i) Pensioni social duhet të jetë më i vogël se pensioni minimal dhe masa e tij mbetet të diskutohet, në varësi të pensionit minimal, pagës minimale dhe minimumit jetik; ii) Pensioni social nuk duhet të përfitohet menjëherë sapo arrin moshën e pensionit, por disa vite më vonë, në mënyrë që njerëzit të inkurajohen të punojnë. Në këtë mënyrë pension social do të përfitojnë ata që nuk munden të punojnë, jo ata që nuk duan të punojnë.

A është i nevojshëm konsensusi i opozitës dhe i partnerëve social për reformën  e pensioneve dhe a mund të bëhen ata “sabotatorë” të reformës?

Duke garantuar publikisht se mosha e daljes në pension nuk do të rritet, qeveria ia “vështirësoi” rezistencën opozitës. Por Qeveria mund ta neutralizojë tërësisht opozitën duke lenë hapur shtegun për rritjen e pensioneve. Por konsensusi politik duhet të jetë i qartë dhe i plotë edhe për një aspekt delikat të reformës: investimin e fondit të pensioneve. Ndërsa për partnerët social, mendoj se nuk ka vend për kundërshtime, sa kohë që mosha nuk rritet. Betejat sindikaliste janë zhvilluar kryesisht për moshën e daljes në pension. Megjithatë, reforma e pensioneve, ashtu si edhe reforma për punësimin, kanë nevojë për një pakt kombëtar, politik dhe social.

 

Intervistoi Erion Habilaj February 17, 2014 14:27
Komento

4 Komente

  1. nibiru February 17, 18:23

    Z.Kosta ka doza te theksuara amerikanizimi ne variantet qe ofron,e them kete sepse merr shembuj te paster te sistemit amerikan dhe do qe ti transplantoje ne menyre mekanike ne realitetin shqiptar ku eshte praktikisht e pamundur per shume arsye(informaliteti,legjislacioni,sistemi ne teresi si dhe forca e zbatimit te ligjit per te shmangur abuzimet).Vete amerika nuk e ka te lehte te mbaje te paster dhe eficent sistemin privat.Personalisht kam nje pyetje,cfare do te ndodhe me ata qe te themi kane 40 vjet pune dhe vazhdojne te paguajne kontributet nderkohe qe sipas ligjit shqiptar maksimumi i pensionit eshte i llogaritur bazuar ne 35 vite? a do pershtatet legjislacioni qe njerezit te paguajne ne varesi te kontributit?ose sugjerimi tjeter eshte qe ata te nderpresin pagesen e kontributeve pas 35 vitesh pune me kohe te plote sepse ndryshe eshte grabitje e ligjeruar qe shteti ju ben qytetareve te tij.

    Reply to this comment
  2. gjergji February 18, 00:55

    Idete e paraqitura nga z. kosta jane intersente per auditoret ku zoteria jep leksione, por jo aq te lehta per tu implementuar ne nje shtet me popullsi te vogel si Shqiperia, pasi nje tronditje sado e vogel e ben skemen jo funksionale e pastaj duhet te vine ndihma nga Europa apo edhe nga pertej oqeanit.
    Ai eshte pothuaj konfuz ne ato cfare parashtron e i shvlereson po vete me argumenta kunder, por cmenduria e tij cfaqet me propozimin per “Investimin e fondit te pensioneve” ne ato qe ai i quan “fonde te sigurta” ku po sipas ti ato “Shumfishohen” .
    Kesaj i thone (ai nuk e thote) se me investimin e parave te pensioneve mer fund varferia dhe lumteria e pensionisteve shqiptre do te jete e garantuar nga fitimet qe do tju garantojne korparatat financiare qe do te punojne pa u kursyer per lumterine e tyre.
    Turp zoteri, shume turp per cfare propozon, pasi si profesionist qe je, e di si 1+1 qe bejne 2 se te gjitha fondet e investimit jane bisnes i pater dhe ato bartin mundesine fitimit po aq sa dhe riskun e madh te humbjes.
    Per kete arsye nuk mund te perdoren kursimet e pensioneve per ditet e pleqerise per te bere bisnes e per ti humbur ne furtunat e mashtrimit informatik te tregjeve financiare.
    Ju me siguri e dini se miljona amerikane i humben pensionet e tyre pikerisht se ata kishin pranuar qe ndermarjet ti investonin kursimet e pensioneve. Por per atej ndihma sociale u siguron nje minimum standarti per te jetuar, po ne shiperi kush do te kujdeset per ditet e tyre te pleqerise.
    Shpresoj qe Rama te jete i kthjellet si gjithnje e mos vere ne loje kursimet e moshes se trete aq te nevojshme per vitet e pleqerise.
    Por edhe ne se duhet qe buxheti i shtetit te ndihmoje fondin e pensioneve me fonde, nuk mund te quhet sakrilegj apo fatkeqesi, pasi ato para jane kontribut i bijave e bijve te atyre pensionisteve qe do te perfitojne dhe ata e kane aq obligim ndaj prinderve te tyre tashme te plakur nga peshs e viteve.
    Teorite ekonomike te aplikuara jashte perfitimeve humane njerezore nuk kane asnje vlere, pasi teoria e Fridmanit per te rendur si i cmendur vetem pas realizimit te fitimit nga cdo gje dhe kudo eshte cmenduri, e cila po e trondit boten.
    Analiza ekonomike e fondit te pensioneve do te jete ne binaret e duhur vetem ne se i drejtoheni origjines se saj, perpjekjeve dhe qellimit per te cilin ajo u krijua, ku du te gjeni se nuk ekziston qellimi i mbrapshte i realizimit te fitimimeve por vetem sigurine e te moshuarve.

    Shpresoj qe kjo prapesi e mendjeve te mrapshta e te marosura mbas fitimit mos gjeje zbatim ne te mire te prinderve te vuajtur te ketij vendi.

    Reply to this comment
  3. Kris February 18, 01:53

    Snore Kosta,meqenese I di mire punet e Rames me pensionet dhe angazhimet e qeverise a na thua dot qe kjo skemedo siguroje qe nje me arise te large kur te Dale ne pension do mare me teper se nje pastrues
    a do vazhdoje te paguhen ne shqiperine tone me pension special rreth 701 profesore.Me ka profesore ne pension gjithe shqiperia njgjan si akademi
    si do behet me pensionet e qeveritareve dhe deputeteve qe jane ha Muco dhe pi o Muco ?

    Reply to this comment
  4. nick February 18, 09:57

    mendoj se profesorllek nuk eshte te sjellesh shabllon praktikat e huaja,kur ne nje krah po shpenzojme dekada dhe resurse pr te hyre ne BE dhe ne krahun tjeter merr model sistemin amerikan te pensioneve.Ose idete kane mbaruar dhe mbeteni ne fushen e perkthimeve.Por nuk jeni i vetmi,keshtu kane bere e bejne mjaft studjuese,e tek e fundit pse ta vrasin mendjen te gjejne nje zgjidhje autentike?Per veten e tyre jane kaparosur saqe pensioni u duhet sa per çeplendisje.Me ne fund,po ju mesoj dhe une nje praktike amerikane zoti autor.Meqe u pergojuat per nje gjest qe me vone u sqarua se nuk ishit fajtor dhe sinqerisht gezohem per kete,ju mund te shfrytezoni nje avokat te mire per te hedhur ne gjyq supermarketin qe t’u paguaje demin ne imazh dhe demet e tjera qe rrodhen nga kjo,ne imagjinaten time demshperblimi i mundshem(nqs jeni i pafajshem)shkon ne shifra astronomike,saqe nuk do kishit nevoje me te punonit.Perveçse do ju riktheheshin titujt akademike,dhe femijet do kishin mundesi te ndiqnin shkollat me te shtrenjta ne bote,se supermarketet per deme te tilla imazhi paguajne ne miliona dollare(po e perseris,nqs jeni i pafajshem).Nqs dini me shume nga mua dhe s’e beni,kjo ju nderon pa mase,pasi jeni duke falur ata kapitalistat qe i kane parate me thase e s’dine si ti prishin….

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*