Basha: Mbrëmë u hodh hapi i parë i Republikës së Re

May 23, 2017 11:00

Basha: Mbrëmë u hodh hapi i parë i Republikës së Re

 

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka përshëndetur votimet në Kuvendin e Shqipërisë, ku deputetët kanë miratuar masat e reja ndëshkimore për ata që blejnë, por edhe për ata që e shesin votën.

Me një shënim në faqen e tij në Facebook, kryedemokrati Lulzim Basha shprehet se kjo është rruga drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme, por edhe drejt Republikës së Re.

Ja çfarë shkruan kreu i PD-së në Facebook:

Mbrëmë u hodh një hap i rëndësishëm drejt zgjedhjeve të lira dhe Republikës së Re: Kuvendi shpalli ligjërisht krim serioz çdo lloj përpjekjeje apo veprimi që kufizon apo cenon vullnetin e lirë dhe votën e lirë të qytetarëve.

Dënime të rënda i presin tani, matrapazët e zinj të blerjes së votës, kriminelët e rrugës dhe ata në poste shtetërore që kërcënojnë apo detyrojnë me forcë qytetarët të votojnë kundër vullnetit të tyre, komisionerët, numëruesit dhe punonjësit zgjedhorë që manipulojnë votimin dhe numërimin e votave. Policët dhe ushtarakët të cilët në vend që të mbrojnë të drejtat e qytetarëve dhunojnë të drejtën e shenjtë të votës, punonjësit e shtetit që paratë dhe pasuritë që u takojnë qytetarëve i vënë në shërbim të partisë.

Me forcën dhe vendosmërinë që treguam 90 ditët e qëndresës sonë historike, ne do bëhemi barrierë ndaj kriminelëve zgjedhorë që ata të mos guxojnë të dhunojnë lirinë e votës, sepse do të humbasin lirinë e tyre. Puna e ndershme dhe kurajoze e ministrave teknikë, drejtimi i paanshëm i KQZ-së, kufizimi i shpenzimeve zgjedhore dhe masat e tjera që po ndërmarrim për zgjedhje të lira dhe të ndershme, do u japin qytetarëve mundësinë dhe garancitë që të zgjedhin lirisht qeverinë që ata duan t’i drejtojë.

Koha e maskarenjve po mbaron. Tani është koha për Republikën e Re, republikën e lirisë dhe demokracisë së vërtetë.

#ZgjedhjeTeLira #RepublikaeRe

May 23, 2017 11:00
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*