Basha: Pakt kriminal për Tiranë-Elbasan, Gjiknuri: Rrugët, jo me letra

September 6, 2018 13:19

Basha: Pakt kriminal për Tiranë-Elbasan, Gjiknuri: Rrugët, jo me letra

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe Ministrisë i Energjisë dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri kanë replikuar në distancë mbi punimet në autostradën Tiranë – Elbasan.

Basha u shpreh se falë marrëveshjes kriminale Balla-Bego janë zhdukur miliona euro dhe pikërisht për këtë arsye, rruga Tiranë-Elbasan nuk po njeh përfundim punimesh.

Gjiknuri iu kundërpërgjigj Bashës nga seanca plenare, ku po diskutohej akti normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2018.

Ministri i Infrastrukturës tha se autostrada Tiranë-Elbasan ka gëlltitur qindra milionë euro sepse nuk pati projekt dhe nuk u mendua mirë. Ai shtoi si faktor ndikues edhe keqmenaxhimin.

“Pak më parë dëgjoja nga Elbasani ata që janë mbledhur atje si kukutë për të bërë atë parlamentin paralel, që po preknin disa plagë që i kanë hapur vetë për rrugët. Merr guximin kryetari i opozitës dhe flet për rrugën Tiranë-Elbasan, duke na e shitur si dështimin tonë, pa harruar që një rrugë e filluar pa projekt, e filluar me gjoja 160 milionë euro, e cila ka përfunduar mbi 400 milionë euro, pikërisht për atë që them: Nuk ka pasur projekt të plotë dhe nuk ka qenë menduar si duhet. Për të mos thënë keqmenaxhimi i vazhdueshëm që i është bërë asaj rruge dhe që fatmirësisht është duke u hetuar nga prokuroria.”

Gjiknuri u përgjigj edhe për akuzat se qeveria socialiste nuk ka investuar në infrastrukturë, duke deklaruar se rrugët nuk bëhen me letra dhe vija.

“Ata që thonë që kanë bërë rrugë, rrugë ata vetëm filluan, bënë procedurat dhe tenderat, rrugët kryesisht u mbaruan nga kjo qeveri në 5 vitet e fundit dhe do të vazhdojnë të përfundojnë këto projekte infastrukturore në 3 vitet në vijim. Mjafton të kujtoj rrugën Rrogozhinë -Plepa, e hapur dhe e papaguar. Thonë që nuk kemi bërë rrugë të reja, kur u bë rruga Elbasan-Gramsh, Lushnje-Berat?

A përfundoi ndonjëherë rruga Durrës-Kukës? Asnjëherë nuk përfundoi. Sot po përfundon, segmenti nga Kukësi në Morinë, që është pjesa më e degraduar e rrugës, sot që flasim është duke punuar dhe do të përfundojë. Po punohet për urat, është bërë dhe tenderimi për pjesën e mbetur të rrugës, është lidhur kontrata dhe ajo rrugë do të përfundojë. Kur përfundoi pjesa nga Thumana në Milot, këto ditë u hap, në gusht. Krijohet perceptim që po bëre procedurën e tenderit, paska mbaruar rruga. Projekte dhe viza mund të bëjnë të gjithë, problemi është a i kemi financimet e nevojshme për të përfunduar një vepër.”

Gjiknuri tha në përfundim se me ndryshimet në buxhet sigurohet financimi i nevojshëm për përfundimin e të gjithë programit kombëtar të rrugëve që janë nisur.

s.a/dita

 

September 6, 2018 13:19
Komento

1 Koment

  1. perkthyesi September 6, 17:37

    Ne ka pune te nje qeverie, apo te disa qeverive, ku korrupsioni, vjedhja dhe abuzimet kane arritur kulmin, kjo eshte pa asnje medyshje rruga Tirane – Elbasan! Nuk e kuptoj, pse ende nuk shohim palacot e kesaj afere te futen nje e nga nje ne qeli! Shqiperi hesapi!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*