Basha–PD-Olldashi (Në vend të rekuiemit për një mungesë)

December 28, 2017 20:32

Basha–PD-Olldashi (Në vend të rekuiemit për një mungesë)

Nga Bedri Islami /

Nëse në historinë e PD-së ka patur një vit të prapshtë, ky është 2017-ta. Jam i bindur se edhe në atë që është quajtur kështu, viti 1997, nuk ka ndodhur kjo shkapërderdhje, pavarësisht se atëherë ishte gjithçka e jashtëzakonshme: politika, siguria, armët, ndërkombëtarët, uniformat e vendit tënd të zhdukura dhe uniformat e huaja të vendosura, plumba dhe mallkime. Megjithatë, pavarësisht se pak kush besonte, ia doli.

Tani pak kush beson se do ia dalë.

Në katër vitet e para si drejtues i PD-së, Basha nuk bëri asgjë tjetër, veçse përgatiti vitin 2017, kur gjithçka, marramendshëm shpejt, u rrokullis drejt fundit dhe ende askush nuk e di nëse rrokullisja ka përfunduar dhe nëse mund të ketë një mundësi rifillimi.

Pas gjithë katrahurës që ndodhi në PD, dëbimit të figurave të njohura dhe bashkë me të edhe të më shumë se 230 mijë votuesve të saj, ngritjen e një grupi parlamentar sipas shijeve kunatiane, ku të mençurit janë shumë të pakët dhe agresivët janë skifterë të çartur, ku e djeshmja sundon mbi të sotmen dhe mposht të nesërmen, përsëri lideri de jure i PD-së, Basha, ka bërë thirrje për një përsëritje të protestave dhe grumbullimeve, përplasjeve dhe, ndoshta, një lloj çadre të re, që të gjitha sëbashku nuk do të jenë asgjë tjetër, veçse ripërsëritje e atyre që janë parë në vitin fatkob të saj, por dobisjellës për Bashën.

Në të gjithë këtë kohë i kam bërë vetes një pyetje: a do të ndodhte e gjithë kjo, nëse në drejtimin e kësaj force politike nuk do të kishte vendosur marrëzia e Njëshit që po ikte, por mendimi politik, i ndërthurur me një vizion më të saktë drejt asaj që synonte me ringritjen pas humbjes së qershorit 2013  dhe roli i një lideri tjetër në drejtimin e saj, Sokol Olldashit.

Sa më shumë kohë që kalon, aq më tepër PD e ndjen humbjen e një figure politike të spikatur si Olldashi. Sa më e thellë bëhet zbrastësia rreth saj, aq më shumë do të duken diferencat e ndjeshme në mendimin politik dhe forcën e veprimit të atij që shkoi, duke lënë pas një enigmë të madhe pas vetes , dhe,  këtij që u vendos, duke pasur para vetes përsëri një enigmë, por që lidhet me karakterin e tij, futjen në politikë, ndërlidhjet, aferat dhe krushqitë politike.

Nëse i pari, Olldashi është mungesë, i dyti, Basha është pengesa kryesore e mosbërjes së një partie ashtu si ishte menduar. Nëse i pari do të ishte shkëputur shumë shpejt, jashtëzakonisht shpejt nga një praktikë politike e dhunës, dëbimit dhe linçimit, i dyti, Basha, i përvetësoi ata si një domosdoshmëri për të qeverisur brenda partisë me hipokrizinë e paskajshme, etjen e pasurisë, kunatëzimin e mendimit politik dhe dëbimin e gjithçkaje që duket se ishte kundër tij. Nëse me të parin hija e Berishës do të shkonte gradualisht drejt hiçit, çka do të ishte premisë e një fillesë të re, me të dytin hija është bërë mbizotëruese, e pushtetshme dhe e frikshme.

Mes dy alternativave, vizionit të ri dhe përplasjes, Olldashi do të kishte zgjedhur të parën, vizionin,  si primare dhe përplasjen si nevojë e së domosdoshmes, ndërsa i dyti ka vetëm përplasjen, në pamundësi për të gjetur një vizion ndryshe nga sa ka trashëguar.

Olldashi mungon edhe tek ata që duket se ishin pasuesit e tij dhe që u dëbuan nga partia si të mos ishin askush. Mungon, sepse ai kishte, të paktën, guximin, për të parë atë që po vinte dhe për të qenë njeriu që deshi ta përballonte, duke e ditur fare mirë se ishte një betejë e humbur, ndërsa miqtë e tij, qofshin të vërtetë, qofshin hipotetikë, nuk e bënë këtë kur ishte koha. Nëse e bëjnë, tani janë të vonuar, pavarësisht se mund të kenë të drejtë.

Olldashi mori përsipër gjithçka, Basha humbi gjithçka. Ndoshta edhe nga fakti se i pari kishte qenë pjesë e ngritjes së pas vitit 1997, kur qënia në PD nuk ishte më nder, por, fillimisht, fshehje nga e vërteta, pastaj mundim e më në fund shpresë. Ai nuk do të kishte mundur të rrëzonte atë që kishin ngritur duke qenë edhe vetë pjesë. Basha nuk e ka për gjë ta hedhë në erë gjithçka që ka gjetur të gatshme, ledhatuese, pushtetore dhe përfituese. Nëse Olldashi ia kishte marrë dorën punëve të partisë, Basha ia mori dorën punëve të parasë. I pari , Olldashi, eci ngadalë, sepse aq ishte hapësira e krijuar, kur deshi të krijonte hapësirë më të gjërë, iu mbyllën të gjitha. I dyti, Basha eci shpejt nga hiçi drejt gjithçkaje dhe tani që mendon se mund të kthehet rishtas në asgjë, gjen të vetmen rrugë të gatshme paraardhëse, revoltën e shkatërrimin.

Nuk e di pse, por jam krejt i bindur se nata fatale kur Berisha vendosi të ishte përkrah Bashës, duke i vënë kryqin Olldashit është edhe zanafilla e kësaj gjendje, në të cilën as vlerat nuk dihen, as idetë nuk janë të njohura dhe askush nuk të sjell një vizion të ri në mendimin politik të saj.

Të bësh sot karrierë në PD nuk të duhen as dijet, as thellësia intelektuale, përvoja apo fjala e duhur në momentin e duhur. Nuk janë të vlefshme as alternativat që ke shtruar dhe që je i aftë të shtrosh përsëri. Statura politike e PD-së tani është e ndarë në dysh, ose të jesh nul nga çdo gjë intelektuale, si për shembull Noka, ose të bësh të fortin, të ulërasësh, të godasësh, të çirresh, të përleshesh, të shash, si për shembull Noka. Çdo gjë jashtë kësaj stature është bërë e huaj, e pa vend dhe e dëbuar.

Në të vërtetë nuk kam qenë kurrë përkrahës i PD-së dhe nuk është kjo tema e shkrimit tim, por, e kam dashur, qoftë në pushtet, qoftë në opozitë, më së shumti në opozitë, krejtësisht ndryshe nga sa është tani.

Përmes një opozite të tillë, e cila agjëron 100 ditë në një çadër dhe e çel sa po i shfaqet një fillesë pushteti, e etur për çka ka humbur dhe pa e dijshme se thellimi i humnerës së saj është edhe humnerizimi i gjithë vendit, shumica qeverisëse mund të vazhdojë të jetë aty ku është, me gabimet e faket e saj, e patrazuar dhe e qetë, e bindur se gjithçka po shtrohet poshtë këmbëve të saj dhe kështu, edhe e pamoralshme.

Alibia se populli do të ngrihet për të mbrojtur Kushtetutën, pasi ajo u hodh poshtë në zgjedhjen e përkohshme të një kryeprokuroreje, është sa naive, aq edhe e sajuar keq.

Njerëzit, nëse do të ngrihen, do e bëjnë këtë për pushtetin që është humbur dhe përmes kësaj ngritje një klasë politike, qoftë djathtas, qoftë majtas, do të krijojnë alibinë e re për kalimin e një rreziku që i u është shfaqur jo befasisht, Vettingu.

Në fund të fundit, Vettingu është edhe shkaku themelor përse zëra të të fortëve në PD kërkojnë djegien e mandateve të deputetëve, si hapi i parë për një pazar të ri politik dhe përmes së cilit mund të shpëtojnë atë që mund të shpëtohet nga familja e tyre.

Olldashi, ashtu si ishte, me vlerat e mangësitë e tij, do i mungojë edhe shumë kohë opozitës së sotme.

Basha, kështu si është, me ulërimat vajzërore dhe marifetet e pështira, edhe për disa kohë dë i bëjë dëm të ndjeshëm forcës së tij politike, duke synuar t’i bëjë keq gjithë Shqipërisë.

Bedri Islami

 

December 28, 2017 20:32
Komento

3 Komente

  1. Kris December 29, 10:12

    Keni te drejte Z. Bedri si gjithmone! Por artikulli ka shume uje!

    Reply to this comment
  2. Adih December 29, 14:54

    Z . Bedri ,lart citoni se kurre nuk kam qene fens i PD .Po i kujtja je ???? Ah more derbardhe, kot lodhesh qe shkruan ne kete gazete dinjitoze . Ta them kete me bindjen me te plote ,
    SI PD ;LSI E PS , KANE PROGRAM TE NJEJTE:.
    Po gjete ndonje ndryshim ne programet ndermjet tyre , hec e me beshty e me kundershto .Prandaj o Z :Bedri mos shkruaj…e mos u lodh kot per keto tema se na hape barkun .???!
    Kurse per Vettingun keni te drejte ,por prap ben gabim me dashje .Vettingun e kane frike qe te gjithe ,E jo vetem PD ,por dhe LSI e PS:pa perjashtim o Bedri ..

    Reply to this comment
  3. Adih December 29, 15:27

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*