Basha, Rama, Meta, Lu… Do të ketë dorëheqje pas Njëzetenjëshit?

July 17, 2016 14:25

Basha, Rama, Meta, Lu… Do të ketë dorëheqje pas Njëzetenjëshit?

Nga Pëllumb Kulla

 

Varet nga rezultati i votimit të reformës në Parlament dhe nga zhvillimi ose jo i atij votimi më 21 korrik. Por një dorëheqje do të jetë e sigurtë.

1.

Do të jetë e Bashës?

Jo. Ai nuk ka pse të mënjanohet. Nuk ka përse të japë dorëheqje se Basha nuk mund të fajësohet. A mund të fajësohet një aparat telefonik, edhepse mund të ketë përcjellë fjalë të ashpra, mashtrime, propozime dhe marrëzira që iu pëshpëritën që pas kurrizit?!

2.

Do të jetë e Ramës?

Rama mund të japë dorëheqje, posi! Edhe pse në tërë kaçamakun e këtyre muajve të Gjashtëmbëdhjetës, ishte më i qarti, më i drejtpërdrejti, më i përkushtuari dhe, sipas pikëvështrimit tim, qendrimi dhe lufta për reformën i siguroi një mbështetje mbarëpopullore, si kurrë ndonjëherë. Por në një rrëzim të reformës, kjo mbështetje do të tkurret ndjeshëm dhe në plan të parë do të nxjerrin krye pakënaqësitë e socialistëve për aleancën e dështuar që gatoi që në krye. Do t’i përmenden mosmbajtja e premtimeve vezulluese të Trembëdhjetës, do ta qortojnë për të vetëndjerin e sigurtë dhe prepotent. Do ta fajësojnë që nuk arriti të çvidhoste asnjërën nga minat në ngrehinën e shtetit të minuar që trashëgoi.

3.

Dorëheqje, Meta?

Mbase e jep edhe ai. Ngjet kjo në rast se ai vetë voton kundër dhe votimi i sallës së parlamentit i thotë po reformës.

Por deri në këtë fitore të shumëpritur, por thuajse të pamundur, duhet të kenë ndodhur shumë mrekullira në pejzazhin politik. Meta ka thënë hapur se do ta votojë reformën (deklarata që nuk kanë lënë deri tani shqiptar pa buzëqeshur!). Por kohët e fundit ngul këmbë që duhet pëlqimi i demokratëve, pëlqim që kryesia e tyre i ka dhënë garancira të plota për jo. Por ende mosbesues, ai dënon mundësinë e rebelimit të deputetëve që mund të tradhëtojnë kryesitë. Këtë dënim ai ua drejton deputetëve demokratë, por edhe të vetëve. Se ku i dihet?

Më parë Berisha pat kërcënuar deputetët e vet, se në rast votimi të tyre pro reformës, ai do t’u bëjë djegjen e mandateve. Është poshtërimi i radhës që u premtoi deleve historike në vathën e madhe të parlamentit shqiptar. Me këtë kërcënim u shpërfaq dukshëm përmbajtja reaksionare e marrëveshjes Berisha-Rama, e prillit 2008, kur të dy aspirantët kryeministra, në prag të zgjedhjeve 2009, vendosën, që kushtetutshmërisht t’i ndajnë kulltuqet e parlamentit dhe të vendosin në to besnikët e tyre të bindur. Kjo bëri që përkëtej e tutje milionat e shqiptarëve do të votonin vetëm për krerët e partive, pavarësisht hajdutëve dhe kriminelëve, që do të sillnin këta mes të tjerëve në kolltuqet që thamë.

Ja vërtetimi lakuriq! Kërcënimi u drejtohet deputetëve demokratë, të cilëve Berisha që i caktoi, ua kujton se populli demokrat nuk votoi aspak për ta, por për Të. Zgjedhësit nuk i njihnin njerëzit nga të cilët do të përfaqësoheshin, nuk ua dinin as të mirat e as mëkatet, ata ia besuan votën hartuesit të listës, me besimin që Ai, Berisha, di se ç’bën! U kujton se, ashtu siç i bëri baballarë të kombit, edhe mund t’i zhbëjë! U kujton se ata nuk kanë ardhur në atë kuvend për të kuvenduar, për të patur idera dhe kundërshtime, por për t’u bindur.  Ata nuk janë aty për të menduar, por për të qenë në një mendje me çoban-liderin historik!

Këtu Ilir Meta, në aleancë pushtetore me Ramën dhe në një aleancë më thelbësore akoma, nga më jetëgjatat, me kreun e demokratëve, dënon, trafikimin, blerjen e votave deputetore! Sikur kjo të ishte një praktikë e papranueshme për moralin e zotit Meta! Ai iu bashkua aleatit të tij të vjetër në fyerjen e tyre. Votimin  e mundshëm në favor të reformës, të deputetëve  demokratë e quan trafikim! Nuk pranon se ky mund të jetë reflektim, ndërgjegjësim, e patriotizëm i deputetëve të të gjitha ngjyrimeve në një moment historik si ky.

Se të vjen në buzë menjëherë pyetja: nuk mund të ketë vallë një zhvillim të tillë ndërgjegjësimi njerëzor? Nga mund ta dallojë zoti Meta, përveçse nga ndonjë përvojë e përfolur shumë, se u dhanë para për këto tradhëtira?

Ja këtu më lind dëshira që t’u drejtohem një pjese të atyre deputetëve që i njoh nga afër dhe pjesës tjetër të heshtur qëi njoh veç nga larg, e t’u them se kanë rast të bëjnë një gjest monumental historik të pavarur, që do t’u a kisha zili. E do t’u thosha: ju votoni edhe kundër reformës, nëse jeni të bindur vetë që nuk duhet ta jepni pëlqimin, por mos e bëni këtë ngaqë është urdhër partie! Partia juaj, – dhe çdo parti! -mund të tradhëtohet. Vjen koha që ajo duhet braktisur. I pari juaj e ka bërë këtë njëherë. Ai pikërisht ai, vjen nga një tradhëti historike qëi ka bërë një partie më të frikshme se këto të sotmet. Dhe ka bërë mirë atëherë, po ta ketë patur sinqerisht dhe të mos ketë zbatuar ndonjë platformë, apo detyrë nga lart.

Votimi në favor është një rast i artë për figurat më të shquara, pjesa më e madhe e të cilëve me PD-në janë divorcuar dhe rimartuar, kanë kandiduar për kryesimin e partisë në ca zgjedhje të shtrembëruara dhe kanë goditur me kokë murin shkëmbor shumëvjeçar të Partisë Demokratike. Ata kanë rastin të flasin edhe për ndonjë ndotje gjatë jetës politike, dhe kjo do t’i jepte energji një analize përgjithësuese, të cilën mëkatlideri i tyre historik nuk e do. Ky do të ishte një grusht hundëve edhe kundër marrëveshjes djallëzore të vitit 2008, që sapo zura në gojë!

A mundet të krahasohet një thirrje e sinqertë dhe atdhetare, si kjo e imja, me thirrjen demagogjiko-nacionaliste për “shenjtërinë e sovranitetit” dhe përjashtimin e të huajve nga punët e drejtësisë së shqiptarëve, kur Berisha që valavit sovranitetin sa herë që i hyn në punë, nuk i ka përfillur autoritetet e drejtësisë “sovrane”, as prokurorët e zgjedhur nga të tjerët, as edhe ata të caktuar nga ai vetë, teksa të vetmin ballafaqim për një çështje hetimore, të vetmen dëshmi të tij, edhe pas dhjetra e dhjetra thirrjesh të prokurorisë shqiptare për rastin e vrasjes së Azem Hajdarit, e dha në zyrat e ambasadës amerikane, të cilën sot e akuzon se po na lëndon sovranitetin?!

4.

Dorëheqja e ambasadorit Lu?

Është dhe kjo një mundësi, që për dështimin, të paguajë sedra e kryediplomatit amerikan në Tiranë. Votimi mund të jetë një disfatë totale e reformës braktisur nga delet dhe deshët me këmborë të parlamentit. Dhe atëherë do të jetë humbje e hidhur për të gjithë shqiptarët, por nuk do të ndodhë asnjë tragjedi në stanet politike. Qeveria Rama do të vazhdojë të mbijetojë dhe të qeverisë deri vitin që vjen. LSI-ja e Metës do të vazhdojë gjithashtu qeverisjen, por edhe përgatitjen paralele të aleancës groteske të radhës me demokratët. Meta me të vetët do të synojë të mbetet në historinë e shqiptarëve, si pjesë inventari e godinave të Kryeministrisë dhe të-ish Komitetit Qendror që çdo katër vjet u hapin dyert partive fituese të cilat LSI-në e gjejnë këmbëkryq në to.

Por nuk i dihet. Zgjedhjet e ardhshme do të jenë shumë të rëndësishme edhe për ndërtesat dhe inventarët e palëvizshëm. Shpreh i sigurtë bindjen se ky 21 korrik do të ketë peshën e vet sigurisht të rëndë në ato zgjedhje.

Atëherë të presim që më 22 korrik 2016, zoti Donald Lu, që udhëhoqi këtë fushatë me frymëzim dashamirës, apo me udhëzime të Departmenti  të tij të Shtetit, – për këtë dështim, të bëjë një gjest logjik: dorëheqjen, që titullon këto shënime!

Zoti Lu do të bënte mirë të largohej për arsyen se në kaq pak kohë, nuk arriti dot të kuptonte, as Shqipërinë, as administratën e tij në Uashington.

 

*Shkrimi mund të komentohet në faqen e autorit në Facebook

July 17, 2016 14:25