Bashkësia ortodokse e Tiranës

Jovan Bizhyti June 12, 2016 17:46

Bashkësia ortodokse e Tiranës

Tirana, si vendbanim është themeluar rreth vitit 1614 nga popullsia e fshatrave të malësisë rreth saj,nën drejtimin e Sulejman Pashë Bargjinit nga fshati Mullet, i cili në fillim ndërtoi një xhami, një furrë pjekje dhe një han. Më pas pasardhës i tij ishte i biri, Ahmet Pashë Bargjini. Fshatrat për rreth Tiranës ishin pothuaj të islamizuara plotësisht nën sundimin e Perandorisë Osmane, shkruan historiani Prof. Kristo Frashëri.

Në shekullin e XVIII-të Tirana mori formën e një qyteti mesjetar nën drejtimin e pasardhësit të tretë të këtij fisi, Ibrahim Pashë Bargjini. Krahas banorëve vendas në fillimet e këtij shekulli, erdhën dhe elementë të krishterë ortodoksë, kryesisht vllahë të ardhur nga zonat juglindore të vendit, të cilët lozën një rol të dukshëm në jetën e këtij qyteti. Këta të krishterë ishin kryesisht familje vllahe (arëmëne) të ardhur nga trevat e Voskopojës dhe hapësirave të vendbanimeve vllahe rreth  saj.

Ky komunitet vllah (arëmën), që në fillimet e para të vendosjes në hapësirat e Tiranës, u organizua në një bashkësi të komunitetit të tyre, që më pas u quajt,“Bashkësia Ortodokse e Tiranës”, kryesisht nga familjet vllahe (arëmëne).

Në fillimet e saj kjo Bashkësi Ortodokse kishte si qendër banimi periferinë e këtij qyteti, në anën jug-perëndimore, midis Qytetit të Nxënësve dhe ish-Zdrukthëtarisë “Misto Mame”, siç emërtohen sot. Vllehtë e parë, sipas të dhënave historike, janë vendosur në Tiranë në vitin 1700 dhe kanë qenë rreth 10 familje. Trevat e pasura me kullota i kanë tërhequr vllehtë blegtorë, ku fusha e Tiranës përdorej kryesisht si hapësirë kullotash më shumë se sa për tokë buke. Po ashtu vllehtë kanë qenë të njohur dhe si karvanxhinj, që me kuaj dhe mushka formonin karvanët e transportit për mallra të ndryshëm e bereqet nga njëra trevë në tjetrën brenda vendit dhe në gjithë Ballkanin. Brenda vendit, karvanët e vllahëve përshkonin rrugët: Tiranë,Durrës, Elbasan, Manastir, Voskopojë, Korçë, Selanik, Janinë, Berat, Vlorë e tjera.

Në gjysmën e parë të shekullit të XVIII-të, pas viteve 1818, erdhën në Tiranë rreth 60 familje vllahe (arëmëne) dhe në fillimet e shekullit të XIX-të u shtuan në rreth 140 familje, kryesisht nga Voskopoja, Grabova, Llënga, Niça, Shipska, Belica, Vithkuqi e tjera.

Sipas studiuesit Mihal Hobdari, thuhet se në kodikët e kishës së Shën Prokopit të Tiranës shkruhet se: ”Më 2 maj 1769 u prish dhe u dogj Voskopoja, Grabova, Llënga, Niça, Shipska e tjera, të cilat gjatë atij shekulli kishin arritur një zhvillim të dukshëm ekonomik e kulturor. Mjaftë familje nga këto qyteza erdhën edhe në Tiranë”.

Siç njihet nga historia, anarkia feudale në shekujt XVII-XVIII-të, kur pushteti i Perandorisë Osmane ishte mjaft i dobët, shtypja, shfrytëzimi i egër dhe sidomos grabitjet, kishin marrë përmasa të gjera shkatërruese dhe shumë qendra qytetërimi, u bënë pre e këtyre sulmeve barbare siç ishin, Voskopoja, Grabova, Llënga, Niça, Shipska, Belica e tjera, ku ishin kryesisht vendbanime të etnisë vllahe (arëmëne).

Viti 1769 ishte mësymja e parë barbare e plaçkitjes dhe e djegies së Voskopojës, epidemi e cila përfshiu shpejtë dhe hapësirat e tjera me zhvillim ekonomik e kulturor të dukshëm. Mjaft nga banorët e këtyre zonave ikën në arrati dhe u vendosën kryesisht në territoret më të qeta të Shqipërisë së Mesme dhe asaj Perëndimore, duke përfshirë dhe Tiranën, Durrësin, Kavajën, Elbasanin dhe gjithë Myzeqenë. Këto familje vllahe (arëmëne) u vendosën në Tiranë në vendbanime të grupuara, në mëhalla të veçanta sipas zonave nga vinin.

Nga Llënga erdhën familjet: Fendiku, Shundi, Murra, Zgalla, Pano, Çaniti e tjera; nga Niça, familjet: Koja, Mara, Premti, Janku etj.; nga Grabova, familjet: Nishku, Grabovski, Prosi etj.; nga Voskopoja, familjet Voilla, Mima etj.; nga Belica: Heba, Hobdari, Jorgo, Goshi, Panteqi, Ballku, Terca etj.

Gjatë shekullit të XVIII-të, në zhvillimet që morën disa nga qytetet kryesore shqiptare, mori zhvillim dhe qyteti i Tiranës. Në vitin 1703 Tirana kishte 4000 banorë, ndërsa mbi një shekull më pas, rreth vitit 1821 arriti në 12 000 banorë. Përbëhej kryesisht nga popullsi myslimane. Në qendër të qytetit u ndërtua në vitin 1789 Xhamia e Madhe nga Mulla Beu që ishte nga Petrela dhe kjo xhami përfundoi në vitin 1821 nga i biri i tij, Haxhi Et-hem Beu, stërnip i  Sulejman Pashë Bargjinit dhe kjo mori emrin“Xhamia e Et-hem Beut”. Tirana në fillimet e shekullit të XIX-të ka pasur shumë xhami, shumica e banorëve ishin myslimanë dhe po thuaj në çdo mëhallë kishte nga një xhami. Pranë saj u ndërtua dhe “Kulla e Sahatit” po nga Haxhi Et-hem Beu rreth viteve 1821-22 dhe përfundoi me ndihmat e familjeve të pasura të Tiranës. Po ashtu u ngritën dhe tri kisha në shërbim të besimtarëve ortodoks e katolik, siç ishin, Kisha e Shën Prokopit e ndërtuar në vitin 1780, Kisha Katolike e ndërtuar në vitin 1865 në rrugën e Kavajës dhe kisha tjetër ortodokse e Shën Vangjelizmoit, ndërtuar në vitin 1874, fillimisht aty ku sot është Hoteli 15-katësh. Në vitin 1816 është ndërtuar “Tyrbja e Kapllan Pashës”, pranë vendit ku gjendet sot statuja e“Ushtarit të pa njohur”, si dhe monumenti i “Urës së Tabakëve”, që është ndërtuar në fillimet e shekullit të XIX-të dhe që lidhte dy anët e kroit të Lanës. Mbrojtja e Tiranës nga mësymja e ekspeditës ushtarake të Ahmet Kurt Pashës së Beratit.

Sipas kodikut të kishës së Shën Prokopit të Tiranës, në shkurt 1780 Ahmet Kurt Pasha i Beratit në krye të një ekspedite ushtarake sulmoi Elbasanin dhe më pas Tiranën, ku forcat e tij ushtarake u vendosën në Laprakë. Prej aty i bëri thirrje prijësit të Tiranës, Ibrahim Bej Bargjinit, për të dorëzuar qytetin. Ibrahim Bargjini nuk u bind, duke ngritur në këmbë gjithë popullin e Tiranës për mbrojtjen e qytetit, midis tyre i bëri thirrje dhe Bashkësisë Ortodokse të Krishterëve të përbërë kryesisht nga vllehtë (arëmënët) që jetonin në periferi.

Bashkësia Orthodhokse krijoi një repart me luftëtarë vlleh, me në krye një pjesëtar të familjes së dëgjuar Voilla, që ishte më trimi dhe më i stërvituri si luftëtar, duke marrë dhe titullin “Strategu”, në kuptimin si komandant. Banorët e Tiranës e mbrojtën me heroizëm qytetin e tyre, në këto luftime u shqua dhe grupi i vllahëve në betejën kundër luftëtarëve të Ahmet Kurt Pashës, dhe kjo tërhoqi vëmendjen e Ibrahim Pashë Bargjinit dhe të banorëve të tjerë të Tiranës. Pas mbarimit me sukses të luftës për mbrojtjen e qytetit, Pashë Bargjini thirri të parin e Bashkësisë Ortodokse të vllahëve, që përfaqësonte voskopojarët, grabovarët, llëngarët, niçarët, shipskarët, belicarët e tjerë, e falënderoi për kontributin e dhënë në këtë betejë luftarake dhe i lejoi këta banorë të Bashkësisë të vendoseshin me banim të përhershëm në Tiranë, duke u dhënë toka e troje  në qendër të Tiranës dhe të ushtronin lirishtë zanatet e tyre të tregtisë, zejtarisë dhe të ushtrisë. Kurse fisit më të dëgjuar të prijësit Voilla, i fali dyqane brenda Tiranës dhe një truall për ndërtimin e një kishe ortodokse përballë Xhamisë së Et-hem Beut.

12019919_511000022399934_5400600492193025690_nFamiljet e para të “Llaci-facëve” të Tiranës   

Në fillimet e shekullit të XIX-të shquheshin në Tiranë dy familje të dëgjuara vllahe (arëmëne) si karvanxhinj që i shërbenin tregut të Tiranës, përfaqësuesit e tyre ishin Mark Heba dhe Thanas Fendiku. Në vendin ku u formua bërthama e parë e Bashkësisë Ortodokse e Tiranës, është një toponim,“Fëntëna a la Bana”, që në shqip do të thotë, “Kroi i Banës”. Fjala “Fëntënë” vjen nga latinishtja e vjetër ballkanike, që në shqip do të thotë,“çezmë”, apo “krua”, ndërsa termi “banë”, në shqip do të thotë “jetë”. Kjo latinishte e vjetër ballkanike është gjuha e vllahëve (arëmënve), që banorët vendas të Tiranës u thoshin,“Llaci-faci”. Pra, ky “Krua i Jetës” ishte vendi tërheqës i vllahëve. Aty ata ngritën kasollet e para provizore, “këlivat”, që në shqip i thonë, “kasollet” për banim dhe aty rrotull ngritën dhe stanet e bagëtive. Pak më larg është toponimi tjetër, “Fëntëna a la Shëngjini”, që shqip do të thotë,”Krojet e Shëngjinit”, ndërsa “Kroi i Lanës”, që zbriste nga rrëza e Dajtit, përdorej për të pirë ujë bagëtitë. Në pjesën lindore të Tiranës, afër “Parkut të Liqenit” të sotëm, ka qenë toponimi,“Stanet e Gogëve”, ku vllehtë nomadë përqendronin tufat e bagëtive. Banorët vendas këta vlleh i quanin “Gogë”, që në shqip i thonë “të ardhur”. Në anën veri-lindore të Tiranës, mbi fshatin Surrel, ka ekzistuar një tjetër toponim, “Pero Vllahinkave”, ku vajzat dhe gratë vllahe sipas traditës shkonin e mbushnin ujë në krua, ku lanin dhe teshat e shtëpisë. Me termin“Vllahinka”, vendasit quanin vajzat e gratë vllahe.

Ja ku ishin lagjet e dikurshme vllahe të Tiranës

tirana.jpgQysh në atë kohë, vllehtë e Bashkësisë Ortodokse të Tiranës u vendosën në qendër të Tiranës të grupuar sipas vendeve nga vinin dhe sa më afër tregut. Pjesa më e madhe e tyre, u vendosën në zonën ku është sot “Muzeu Kombëtar” dhe Hoteli Tirana Internacional, që u quajt “Lagja Fendiku”. Termi“Fendik” vjen nga latinishtja e vjetër ballkanike që në shqip do të thotë “Prift”, pra “Lagja e Priftit”. Në këtë mëhallë u vendosën familjet Fendiku, Murra e të tjera nga Llënga; Nishku, Grabovski e të tjera nga Grabova. Një pjesë tjetër e familjeve vllahe u vendosën në mëhallën ku ishte dikur Mapua e Madhe, kësaj zone i thoshin në ato kohë “Lagja e Sulejman Pashë Bargjinit”. Këtu u vendosën vllehtë nga Voskopoja, Shipska, Vithkuqi e tjera, që kryesoheshin nga familja Voilla, si fisi më i dëgjuar. Familje të tjera vllahe u vendosën në zonën ku sot quhet Pazari i Ri dhe tek Selvia, që ishin kryesisht familjet nga Niça e Gorës. Aty u krijua një mëhallë që u quajt Mëhalla e Niçiotëve. Në pjesën jugore ku sot janë Pallatet e Shallvareve, u vendosën shumë familje vllahe nga Llënga me profesione tregtarë, rrobaqepës,shajak-punues, muratorë, marangozë e të tjerë, si dhe vllahë të ardhur nga Durrësi dhe Kavaja. Në zonën e Shallvareve çdo të enjte bëhej pazar me rroba për veshje. Në këtë mëhallë u vendosën dhe vlleh zejtarë të ardhur nga Elbasani dhe Belica e Poshtme dhe e Sipërme të Pogradecit. Gjatë shekullit të XVIII-të Bashkësia Ortodokse e Vllahëve të Tiranës, u organizua dhe në esnafe, që ishin shoqata sipas profesioneve, nën shembullin e esnafeve të vendeve nga vinin si, Voskopoja, Grabova, Llënga, Niça e tjera.

Besim-qytetari-kulturë

Në vitet 1847-48 nën kujdesin e Bashkësisë Ortodokse u hap në Tiranë një shkollë 4-vjeçare në gjuhën greke për të gjithë banorët dhe në vitin 1890 u hap një shkollë femërore e vajzave. Në atë kohë në Bashkësinë Ortodokse të Tiranës flitej shqip dhe vllahisht, ndërsa gjuha greke ishte gjuha e shkollës, e kishës ortodokse dhe e korrespondencës tregtare. Familja patriarkale ishte baza e Bashkësisë Ortodokse të Tiranës.

Kjo bashkësi u mor  dhe me ndërtimin e kishave, ku njëra prej tyre, ajo më e hershmja me emrin e dëshmorit të krishterimit,“Shën Prokopit”, u ndërtua në pjesën lindore pranë bulevardit ku sot është Presidenca në vitin 1780. “Kjo kishë e vjetër ekzistonte deri në vitin 1926, ku në bazë të planit rregullues të Tiranës, ky monument historik u shpronësua nga qeveria e Ahmet Zogut për 8 mijë franga ari dhe u prish”, shkruan Dhimitër Beduli në librin “Kishë dhe Kulturë”, Tiranë 2006, faqe 186. Kisha e re e Shën Prokopit, u ndërtua tek “Kodra e Pashës”, ku është sot “Kodra e Liqenit”, punimet filluan në vitin 1937 dhe u inagurua në maj 1940. Në murin e kësaj kishe ka qenë një pllakë me mbishkrimin: “Themeluar në vitin 1940 në kohën e Kryepeshkopit të gjithë Shqipërisë, Imzot Kristofor Kisi, me të ardhurat e shpronësimit të kishës së vjetër dhe me ndihmat e Bashkësisë Orthodhokse të Tiranës”.

Po ashtu, në vitin 1874 u ngrit në Tiranë me kontributin e Bashkësisë Ortodokse të vllahëve të Tiranës edhe kisha e“Shën Vangjelizmoit”, pas objektit të Hotelit 15-katësh dhe me zbatimin e planit rregullues të Tiranës, edhe kjo kishë u prish e u ndërtua e re në Rrugën e Kavajës pranë kishës Katolike.

Bashkësia Ortodokse e Tiranës ka pasur dhe regjistrat themeltar të saj me regjistrimin e lindjeve, martesave dhe vdekjeve. Në vitin 1904, sipas këtij regjistri, në qytetin e Tiranës kishte gjithsej 724 ortodoksë, afërsisht 140 familje, që ishin kryesisht vllahë (arëmën). Në regjistrin e vitit 1923, ka pasur 150-160 familje, që vite më pas arritën në 165 familje vlleh ortodoksë, ku më pas u shtuan dhe shumë familje të tjera të besimit ortodoksë.

Pas caktimit të Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë në 1920 nga Kongresi Historik i Lushnjës, u përqendrua administrata shtetërore, u unifikua arsimi dhe u arrit bashkimi i popullit shqiptar, ku Bashkësia Ortodokse e Tiranës nuk e ruajti më karakterin e saj fillestar. Dalëngadalë u shkri me gjithë popullsinë tjetër shqiptare myslimane e ortodokse, duke u bërë pjesë e gjithë veprimtarive shoqërore, administrative e politike.

 

Jovan Bizhyti June 12, 2016 17:46
Komento

3 Komente

  1. Illo June 13, 18:55

    Jovanin e kam ndjekur me venmendje . Eshte studjus I thelle dhe aktiv . Nuk le gje pa pare nga Jovani , sepse meson nga ky hulmutus serioz dhe I mbeshtetur ne fakte historike . Nuk ekam ditur se Jovani eshte arumun dhe jeta ime profesionele ka qene e lidhur me kete komunitet shume progresist . Nuk gabon , kur thua se qyteterimi modern ne Shqiperi buron nga Voskopoja vllehe . Ke thene vlleehe ose shqiptare eshte e njejta gje . Vllehet kane gjetur hapesirat e duhura ne Shqiperine europjene . Midis shume arumuneve , qe njof une njof dy ideolloge te ketij komuniteti fisnik Ata e kritikojne Jovanin , se shkruan fjalen arumene me e , me pika . Ku e ka gjetur Jovani kete drejtshkrim , me sugjerojne ideolloget vlleh ? U jap te drejte ! I. Foto

    Reply to this comment
  2. Gjergji June 15, 11:00

    Etimologjise se toponimeve dhe emrave ja paska fut kot. Per te tjerat nuk kam kompetence.

    Reply to this comment
  3. Dashamirwsi D. June 17, 14:44

    Njwanshmwria wshtw gjithnjw negative…megjithatw Jovanit hulumtues i duhet thwnw faleminderit. na hap horizonte sa na fton ta pasojmw.

    Dahsamirwsi D.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*