Bashkëudhëtari ynë i harruar / Durrësi nga dëshmia rrënqethëse e një murgu bizantin, te tërmeti i 26 nëntorit

December 2, 2019 22:14

Bashkëudhëtari ynë i harruar / Durrësi nga dëshmia rrënqethëse e një murgu bizantin, te tërmeti i 26 nëntorit

Nga Kesiana Lekbello

 

Dëshmia rrënqethëse e shkrojtur nga një murg bizantin, me emër Jorgos Pachymeros, mbi tërmetin që shkatërroi Durrësin në Mesjetë është jashtë mase e rëndësishme sot, jo vetëm në kuadrin historik, por edhe mbi atë geologjik.

Ja çfarë lexojmë mbi tërmetin në Durrës në Mesjetë:

“Tronditja është e tipit rrahës, siç rreh zemra dhe nuk pushon… Kështu edhe lekundjet në Durrës vazhdojnë dhe shoqërohen me zhurmë që vjen nga brënda tokës. Kuptojmë që po vjen një fatkeqësi [….] Dhe ja që ndodhi. Mbasi nata mbuloi tokën dhe dridhjet e ditës i kishim akoma pranë vetes, një tjetër sizmë e fuqishme që zgjati sa hap dhe mbyll sytë, hodhi në tokë tërë qytetin e Durrsit pa lënë në këmbë asnjë gurë …” [nga libri Adriatiku deti i Evropës-  Shtëpia botuese SilvanaEditoriale,2001, Milano]

Dikur u kujtonte historia shekullore e Durrësit. Kur ishim fëmijë dëgjonim për qytetin tonë që ishte shkatërruar tre herë. Shekujt nuk kishin zhdukur memorien e dhimbshme dhe e kishin përcjellë deri në vitet ‘90 në shekullin e XX. Pastaj harruam e, nëse harrohet e kaluara, dëmet që sjell e nesërmja janë të pallogaritëshme.

Kjo ndodhi me 26 nëntorë të 2019. Një dridhje e frikshme – si dridhjet e Mesjetës që murgu përshkruan në kujtimet e tij –  solli sërish fatkeqësi! Sigurisht orët e vështira, ditët e rënduara nga lotë e dhimbje për viktimat dhe për mijëra njerëz që mbetën jashtë kanë shqetësuar shqiptarët si brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Zemra ime është e lënduar, e pezmatuar dhe qan! Nuk është tani momenti i polemikave, nuk është momenti të ngrejmë zërin / edhe pse e dimë ku qëndron gabimi dhe faji i ndërtimeve; nuk mund t’ia japim fajin as natyrës që prej milliona vitesh ka ndryshuar tokën, nga forcat që quajmë endogjenesi {në rastin konkret tërmeti}, që modelojnë dhe ndryshojnë vazhdimisht dhe përherë planetin tonë.

Si proçes natyror tërmeti është bashkëudhëtari ynë, është memoria jonë, është e kaluara, e sotmja dhe e ardhmja jonë.

Thuhet që –tërmeti nuk vret, ajo që vret janë ndërtimet tona dhe pakujdesia jonë. Pikërishtë nëse kuptojmë që me shkaqet natyrore duhet të bashkëjetojmë nevojitet edhe të kuptohet rëndësia që ka ndërtimi i ndërtesave tona dhe urbanizimi i qyteteve tona.

Prof.Dr. Kesiana Lekbello

Dikur në shkollë, gjatë viteve të Enverit, brezi ynë mësonte në Gjeografi që zona Mesdhetare duke filluar nga Italia, Greqia, dhe Turqia dhe sidomos zona Ballkanike  duke filluar nga Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria dhe pjesërisht Rumania janë zonat me rrezik shumë të madh sizmikë.

Mbas viteve 1990 çdo gjë u harrua. Jo vetëm u harruan problemet që lidheshin me tërmetet, por edhe ndërtimet / vend e pa vend, shumë katëshe, me leje dhe pa leje; shpërytyrime urbanistike nëpër qytete – Durrësi është KAMPIONI i shfrfytëzimit barbar – plazhet, kodrat etj u mbipopulluan kudo. Denoncimet kundër barbarisë ndërtimore nuk kanë munguar në këtë gazetë, {dhe jo vetëm kundër ndërtimeve, por në çdo fushë shoqërore, politike apo kulturore}.

Unë që po shkruaj kam shkruajtur dhe ngritur me dhjetra herë problemin e ndërtimeve, peisazhit, qytetit, të mirat kulturore si pasuri kombëtare etj etj , por deri më sot asnjë rezultat nuk kanë prodhuar denoncimet. Përkundrazi është vazhduar me ndërtime e me beton por, edhe betonin e rrëzon tërmeti nëse trualli nuk e pranon.

Në këtë situatë tragjike, sot, më tepër se kurrë çdokush me të drejtë pyet veten: a është e sigurt shtëpia ime? E nëse jo, cilat janë masat e sigurisë së mundshme, brënda disa kushteve që mund të përballojnë lëkundjet e tërmetit.

Shqipëria është zonë sizmike dhe si e tillë duhet patjetër rindërtuar me parametra bashkëkohorë. Nëse populli nuk punon me vetveten dhe nuk dëgjon zërin e Dijes, zërin e KRITIKËS dhe denoncimit si mjet për të ndalur skandalet apo për t’i korrigjuar ato në mënyrë të drejtë, tërmeti përsëritet dhe nuk ti fal gabimet!

Jemi akoma të pezmatuar, të lodhur dhe të stresuar nga fatkeqësia, dhe e dimë që nuk është aspak i lehtë rindërtimi, i cili do të zgjasë shumë. Por këto momente fillestare duket shumë e qarte pse korrupsioni dhe ndërtimet abuzive duhet të zhduken. Po ashtu edhe ndërtimi i kateve shtesë dhe akoma dhunimi me ndërtime në truallin e Pasurisë Publike ndalohet rreptësisht!

Tërmeti na e prishi gjakun por edhe na dha një mësim të dhimbshëm, ndaj bëjmë mirë ta dëgjojmë dhe të respektojmë karakteristikat e truallit shqipëtar ku ne jetojmë prej mijëra vitesh. Ky duhet të jetë objektivi i qeverisë në rindërtim: më mire një pallat më pak, një kat më pak , një dhomë më pak sesa një jetë e humbur!

 

*****

Autorja është lindur në Durrës dhe jeton në Itali. Është historiane e artit dhe arkitekturës, mban gradën shkencore Prof. Dr.

 

December 2, 2019 22:14
Komento

2 Komente

  1. Fidel Kastro December 3, 14:19

    Mire e ke o zonje e nderuar , por ketu babezia nuk ka fund.

    Reply to this comment
  2. demo December 3, 15:23

    O burra maloke,
    ju rafte keneta ne koke

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*