Bashkia e Tiranës dhe OSHEE zhvendosin shtyllën e tensionit të lartë në “Don Bosko”

December 14, 2015 15:07

Bashkia e Tiranës dhe OSHEE zhvendosin shtyllën e tensionit të lartë në “Don Bosko”

Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, realizuan sot zhvendosjen e shtyllës së tensionit të lartë, e cila prej vitesh ndodhej në mes të rrugës “Don Bosko” dhe pengonte kalimin normal të qytetarëve dhe makinave.

Për të ndjekur këtë aksion të përbashkët, ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe drejtori i OSHEE-së, Adrian Çela, të cilët vlerësuan ndërhyrjen për lirimin e kësaj hapësire, e cila do të sjellë një investim për rehabilitimin e plotë të trotuareve në këtë rrugë.

“Bashkia e Tiranës do të vazhdojë një investim prej 190 milion lekë në rrugën ‘Don Bosko’, me të njëjtin standard me të cilin ka investuar në rrugën paralel, që është rruga ‘Dritan Hoxha’. Do të sigurohemi që të ndërhyjmë edhe në kanalizime, për t’u siguruar që ka një lidhje të kolektorëve të ujit”, u shpreh Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se kjo frymë bashkëpunimi me OSHEE-në i hap rrugë një investimi të ri, jo vetëm në këtë rrugë, por edhe në zona të tjera të Tiranës.

Më tej, kryebashkiaku i Tiranës foli edhe për protestën e paralajmëruar këtë javë nga Partia Demokratike, duke kërkuar nga organizatorët dhe pjesëmarrësit që të mos e vandalizojnë sërish qytetin. “Kjo është një javë kur qyteti mirëpret protestën e radhës. I lus organizatorët e protestës që të mos jetë sërish një protestë vandale. Ne nuk do të hezitojmë që të penalizojmë sërish cilindo që shkul një pllakë, që vjedh një pusetë, cilindo që pret një pemë ose që dëmton dekorimet në qytetin tonë. Në qytet, gjërat bëhen në bashkëpunim”, tha Veliaj.

Ai shtoi se kushdo që vjen për të protestuar në Tiranë është i mirëpritur, por vandalët nuk do të tolerohen. “Ne do të penalizojmë për çdo gur, tullë, për çdo pllakë, për çdo zbukurim, kangjëll, për çdo pemë. Qyteti është i të gjithëve. Ky është edhe mesazhi që duam të japim bashkë me drejtorin e OSHEE nga rruga “Don Bosko” dhe më vjen mirë që kjo rrugë e cila ka qenë gangrenë e mosbashkëpunimit, qoftë për të hequr një shtyllë apo për të rregulluar trotuaret, do të jetë po ashtu një rrugë moderne sipas standardit që vumë tek rruga ‘Dritan Hoxha’”, përfundoi Veliaj.

Ndërkohë, drejtori i OSHEE, Adrian Çela, tha se domethënia e spostimit të kësaj shtylle është më shumë sesa për të treguar atë çfarë duhet të bëjmë, gjëra të thjeshta të cilat për qytetarët janë shumë të prekshme.

“Ne vërtet po bëjmë investime, por primare kemi edhe jetën e qytetarëve. Në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, gjatë muajit të kaluar, kemi spostuar 6 shtylla të tilla që ishin kthyer në “gangrenë” në akset rrugore të qytetit, kanë mbetur edhe dy shtylla të tjera në zonën e Freskut, të cilat do i spostojmë këto ditë”, tha Çela. Pas bashkëpunimit për lirimin e kabllove ajrore, drejtori i OSHEE deklaroi se do të bashkëpunohet me Bashkinë e Tiranës për çlirimin e hapësirës së nënstacionit që ndodhet pas hotel “Tirana”. /Dita/

December 14, 2015 15:07
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim