Bashkia e Tiranës ndërton dy fusha të reja sportive në sheshin “Emil Lë Grand”

June 6, 2019 15:33

Bashkia e Tiranës ndërton dy fusha të reja sportive në sheshin “Emil Lë Grand”

Në këto 4 vite, Bashkia e Tiranës i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edhe shtimit të hapësirave sportive, për të nxitur të rinjtë të merren me sport. Falë investimit të Bashkisë së Tiranës dhe mbështetjes së “Raiffeisen Bank”, dy fusha të reja sportive janë shtuar në sheshin “Emil Lë Grand” në Njësinë 7 në kryeqytet, me standarde të nevojshme për një mjedis të sigurt e të përshtatshëm për zhvillimin e aktiviteteve. I shoqëruar nga deputeti i PS, Besnik Baraj dhe kandidatë për Këshillin Bashkiak të Tiranës, kryebashkiaku i Tiranës dhe njëherësh kandidati i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, Erion Veliaj, përuroi përfundimin e punimeve dhe tha:

Jam shumë i lumtur që hapim këto dy fusha fantastike, fusha komunitare. Një nga porositë që kam është që asnjëherë nuk duhet lënë mësimi për lojën. Unë besoj se kush është i mirë i bën të gjitha, pra edhe del me 10-ta, është edhe i festave, por sigurisht merret edhe me sport e aktivitete të tjera, mëson gjuhë të huaja, kompjuter”.

Në Njësinë 7 puna do të vijojë me hapjen e këndeve të tjera sportive. “Shpresoj që Njësia 7 t’i vlerësojë si shumë të çmuara këto asete. Nëse ruhet dhe mirëmbahet, ashtu si çunat po luajnë me kujdes këtu, çunat e tjerë tek kalçeto atje, na jep mundësi që me një donator tjetër të shkojmë një vend tjetër. Tani që po vinim rrugës identifikuam 2-3 xhepa të vegjël, ku mund të bënim një kënd lojërash, mund të bënim një tjetër street-basket, mund të vendosnim një rrjetë volejbolli”, tha ai.

Teksa theksoi se sporti nuk është vetëm një mënyrë për të mbajtur trupin e shëndetshëm, por edhe një mënyrë fantastike për të kalitur karakterin, kreu i Bashkisë u shpreh se për 4 vitet e ardhshme fokusi do të jetë krijimi i mjediseve më të përshtatshme për më të rriturit. “Nëse në katër vitet e para fokusin e kishim kryesisht tek këndet e lojërave për fëmijë, çerdhet, kopshtet, tani po shkojmë më shumë drejt sportit e shkollave, sepse besoj që, kur janë adresuar nevojat e më të vegjëlve, mund të lëvizim tek nevojat për më të rriturit.

Kaluan 4 vite dhe tani duam që, siç kemi filluar këtu me dy fusha, siç kemi bërë tek stadiumi “Dinamo”, tek Parku Olimpik, siç kemi bërë në Kodër-Kamzë tek “Isa Boletini”, tek Liqeni, do vazhdojmë në çdo lagje. Mesazhi që japim në brendësi të pallateve, duke i kthyer në terrene sportive, besoj se do gjejë një dakordësi me prindërit sepse në fund, po ta pyesësh një prind dhe t’i thuash: Zgjidh, o makinën o fëmijën, të gjithë do zgjidhnin fëmijën”, theksoi Veliaj.

Deputeti i PS, Besnik Baraj vlerësoi Bashkinë e Tiranës për vëmendjen që tregon për të gjitha moshat, teksa u shpreh se kryeqyteti është me fat që ka një kryetar si Erion Veliaj.

Ajo që vë re në të gjithë punët e Bashkisë është se mendon për të gjitha moshat. Ka menduar për fëmijët, ka menduar për të moshuarit. Ajo që do ju uroja është që ta përdorni sa më shumë, por edhe ta ruani sa më shumë, në mënyrë që kjo të jetë sa më afatgjatë, që t’ju shërbejë juve dhe brezave të tjerë. Jam i bindur se Bashkia do të realizojë të gjitha ato objektiva që i ka caktuar vetes. Kemi fat që do kemi një kryetar bashkie si Erioni”, tha deputeti i PS.

b.b/dita

June 6, 2019 15:33
Komento

1 Koment

  1. Hosteni June 6, 17:36

    Ta dinte Emil Legrand (dhe jo le Grand) se cilit shesh i kane vene emrin e tij, do cohej nga varri.
    Sa per temen qe behet fjale, nuk ja vlen te komentosh. Neveri.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*