Bashkia e Tiranës nuk fle gjumë…

November 15, 2017 09:00

Bashkia e Tiranës nuk fle gjumë…

Nga Eduard Zaloshnja

Në bllokun ku banoj unë, është ndërtuar një kënd lojërash i ri. Pasi u ndërtua këndi dhe u asfaltuan (për herë të parë histori), rrugicat e bllokut tonë, banorëve që pa dyshim u kënaqën, u lindi edhe një shqetësim. Automjetet filluan të lëviznin më me shpejtësi në rrugicat e lagjes, duke u shndërruar në një rrezik për fëmijët që luanin në këndin e ri të lojërave. Kështu, banorët ia përcollën bashkisë këtë shqetësim. Fill pas kësaj, bashkia dërgoi menjëherë punonjësit e saj, të cilët m’u përpara këndit të lojërave, vunë një polic të shtrirë (një nga ato gungat që vihen mbi asfalt, për t’i detyruar ngarësit e automjeteve të ulin shpejtësinë). Gjithashtu, ata vunë një parapet, për ta ndarë këndin e lojërave nga rruga, në mënyrë që fëmijët e vegjël, të mos dilnin drejtpërdrejt në këtë të fundit. Por le të kthehemi 6 vjet mbrapa në kohë… Në bllokun tonë banojnë edhe disa deputetë dhe ish-deputetë të opozitës aktuale.

Fill pasi Lulzim Basha u bë kryebashkiak i Tiranës, banorët shpresuan se rrugicat e lagjes do të asfaltoheshin, meqë deputetët ishin atëherë më shumicë. Por banorët u zhgënjyen – vetëm rrugicës që lidhte rrugën kryesore me pallatin ku banonte një nga deputetët, iu hodh, shpejt e shpejt, një shtresë e hollë asfalti (për trotuare nuk bëhej fjalë). Ndërsa rrugicat e tjera mbetën me pluhur e me baltë, siç kishin qenë qysh para 60 vjetësh. Dhe blloku ynë i banimit, ndodhet vetëm 500 metra larg sheshit Skënderbej…Por ç’ndodhi rishtazi në bllokun tonë? Të gjitha rrugicat janë asfaltuar dhe janë pajisur me trotuare. Sinjalistika rrugore, si ajo horizontale edhe vertikale, mbulon çdo metër të rrugicave të bllokut. Pranë pallateve janë vendosur stola për banorët dhe janë mbjellë lule e shkurre dekorative. Në një shesh të vogël, që deri dje mbulohej nga hedhurat, u ndërtua i sipërcituari kënd i lojërave për fëmijët.

Me pak fjalë, blloku ynë i banimit nuk ngjan më me një bllok banimi të Kandaharit, por me një bllok europian. Dhe më e bukura është se punimet u kryen nga punonjësit e bashkisë, e jo nga ndonjë firmë private që ta krip kokën, kur fiton tenderin. Por a do t’ia vlente të shkruhej ky artikull në qoftë se blloku ynë do të kishte qenë i vetmi që është rregulluar? (I është bërë rikualifikim urban, thuhet në gjuhën e urbanistëve). Janë gjithsej 13 blloqe të rregulluara në Tiranë në dy vitet e fundit, janë ndërtuar / rinovuar gjithsej 21 kënde lojërash. Lulzim Basha akuzohet shpesh nga kundërshtarët e vet politikë se fjeti gjumë gjatë katër viteve që ishte në krye të Bashkisë së Tiranës, ndërsa Erion Veliaj akuzohet nga kundërshtarët e tij se ka më shumë fjalë se sa punë. Akuzat i kanë dëgjuar të gjithë. Por edhe punët e bëra nga Bashkia i kanë parë të gjithë banorët e Tiranës… Albanian Free Press

November 15, 2017 09:00
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*