Bashkim Shehu: Luftë varfërisë, rikthim i shpresës

Reporter June 9, 2015 19:57

Bashkim Shehu: Luftë varfërisë, rikthim i shpresës

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë Kukës, Bashkim Shehu, shprehet se do të punojë njëkohësisht në disa drejtime për të bërë të mundur reduktimin e varfërisë dhe përmirësimin e situatës socio-ekonomike.

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Kukësit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemi i parë lidhet me papunësinë, varfërinë, pasigurinë dhe humbjen e vendeve të punës së banorëve të bashkisë së re të Kukësit, të shprehura këto në një krizë besimi për të ardhmen dhe një emigrim gjithmonë në rritje kohët e fundit. Kjo ka ardhur në analizën tonë për arsyet e mëposhtme:

Të ardhura mujore të pamjaftueshme dhe jo të qëndrueshme të cilat shoqërohen me shtimin e varfërisë dhe pasigurisë ndërmjet banorëve të Kukësit;

Infrastruktura e pazhvilluar dhe jo e mirëmbajtur në aspektin e furnizimit me ujë, kanalizimeve, energjisë elektrike dhe rrugëve, veçanërisht në periudhën e dimrit;

Mungesa e infrastrukturës sociale dhe shërbimeve, veçanërisht në aspektin shëndetësor dhe arsimor;

Një përqindje e ulët e familjeve mbulohet nga skemat e sigurimeve shëndetësore/ kontributeve sociale;

Ferma të vogla dhe me investime të pamjaftueshme për të qenë konkurruese në treg;

Mungesa e oportuniteteve për arsim profesional dhe pamundësia për të përdorur teknologjinë e re;

Sisteme mbështetëse të pazhvilluara të tilla si ujitja, rrugët, etj;

Mungesa totale e aftësive organizative të Bashkisë për të ndihmuar fermerët të zhvillojnë produktet e tyre dhe ofruar shërbime të reja;

Investime të kufizuara në veprimtaritë bujqësore.

Bashkia e Kukësit do të punojë njëkohësisht në disa drejtime për të bërë të mundur reduktimin e varfërisë, përmirësimin e situatës socio-ekonomike të familjeve, sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshëm të arsimit, tregtisë, bujqësisë dhe blegtorisë në vend, duke garantuar përfshirjen, përgjegjësinë dhe transparencën në marrjen e vendimeve dhe duke mënjanuar përjashtimin dhe diskriminim.

Bashkia e Kukësit me përgjegjësitë e reja që do i jepen nga ndarja territoriale dhe decentralizimi do të trajtojë me prioritet çështje të tilla si :

identifikimin e potencialeve dhe përmirësimin e produktivitetit të ushqimeve lokale;

rritjen e ndërgjegjësimit dhe përdorimin e kapaciteteve të familjeve në diversifikimin e produkteve dhe shërbimeve si dhe në rritjen e cilësisë së bujqësisë;

eksplorimin e mundësive për zhvillimin e turizmit malor me anë të vlerësimit të pasurive lokale dhe shfrytëzimin e burimeve të papërdorura, tashmë të identifikuara nga ana ime me stafin;

përmirësimin e performancës së fermerëve dhe bizneseve rurale, dhënien e lehtësirave fiskale për fermerët dhe bizneset rurale;

rritjen e kapaciteteve të familjeve dhe komunitetit rural në përgjithësi për të zbatuar zgjidhje të provuara për zhvillimin social dhe ekonomik si psh: ide të reja, përdorimi i teknologjive të reja, eksplorimi i tregjeve të reja, krijimi i partneriteteve të reja, etj;

përmirësimin e arsimit dhe aftësive të forcës punëtore nëpërmjet trajnimeve profesionale, mbështetjes së OJF-ve dhe Agjencive përkatëse;

rritjen e ndërgjegjësimit dhe kapaciteteve të familjeve për të aksesuar mundësitë dhe përfitimet nga programet e zhvillimit dhe mbështetjes, si psh IPARD, etj;

rritjen e kapaciteteve të administratës lokale për të ngritur fonde, përmirësuar rrjetet rurale dhe zbatuar projekte në njësitë administrative lokale.

 

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godinave arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Kukësit?

Prioritet i Bashkisë Kukës në mandatin qeverisës do të jetë ndërtimi, rehabilitimi dhe mirëmbajtja e rrugëve, trotuareve dhe shesheve publike.

Në programin strategjik të zhvillimit të bashkisë do të planifikohen disa masa të veçanta, si më poshtë vijon:

Inventarizimi i të gjithë rrjetit rrugor që do t`i kalojë në administrim Bashkisë Kukës;

Shfrytëzimi i projekteve ekzistuese dhe hartimi i projekteve të reja për rehabilitimin e segmenteve rrugore dhe veçanërisht të atyre për të cilat kërkohet një ndërhyrje e menjëhershme emergjente;

Ristrukturimi organizativ i Drejtorisë së Shërbimeve, duke përfshirë brenda saj dhe Sektorin e Rrugëve;

Ngritja e Njësisë së Auditimit dhe Inspektimit të Sigurisë Rrugore, si strukturë e veçantë pranë Bashkisë Kukës.

Prioritare do të jetë ndërhyrja për ndërtimin e akseve që lidhin qendrat aktuale të komunave: Rruga e Shishtavecit (investim i PD-së) është në përfundim; Rruga e Zapodit; Rruga e Surrojit; Rruga e Fshatit Fshat (qendra e komunës Grykë Çajë); Rruga e Kalisit; si dhe rikonstruksioni i disa rrugëve të brendshme të qytetit të Kukësit, plotësisht të shkatërruara dhe amortizuara, pasi nuk është vënë dorë që nga investimet Gjermane në shekullin e kaluar në Kukës.

Më tej do të vazhdohet me rrugët që lidhin fshatrat me numrin më të madh të popullsisë, pasi edhe përfituesit do të jenë më të shumtë.

Gjithashtu, do të shihet mundësia e ndërtimit të shkollës në lagjen e re Kukës. Kjo shkollë është lënë në harresë, ashtu siç u gjet para 8 vjetësh. Janë evidentuar fshatra të tëra pa ambulanca dhe shërbim shëndetësor, të cilat do të jenë prioritet i prioriteve.

Në vitin e parë do të realizohet një meremetim dhe mirëmbajtje në vijimësi e shkollave, sidomos në zonat rurale.

 

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Kukësit dhe cilat janë ato?

Kriteret janë kriteret ligjore, si Ligji “Për Nëpunësit Civil“ dhe aktet e tjera nënligjore dhe sigurisht dhe mjaft e rëndësishme profesionalizmi, ndershmëria dhe përgjegjshmëria dhe shërbimi ndaj qytetarëve.

 

Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj.?)

Qeverisja me dhe për qytetarët do të jetë motoja jonë e qeverisjes së ardhshme. Kjo qeverisje transparente do të realizohet nëpërmjet nxitjes së qytetarëve dhe grupeve të interesit, të shoqërisë civile në problemet e qeverisjes, sidomos në vendimmarrjet e rëndësishme nëpërmjet:

Vlerësimit dhe monitorimit të punëve, shërbimeve të ndryshme, etj;

Pjesëmarrjen e publikut duke rritur besimin dhe transparencën në organet e qeverisjes vendore;

Mbledhjet e hapura për takimet publike;

Bordet këshillimore të qytetarëve;

Dëgjesat publike për problemet e caktuara dhe përpara çdo vendimmarrjeje të rëndësishme për komunitetin;

Buxhetimi me pjesëmarrje; dhe

Përdorimi i faqes së bashkise dhe i E-Government.

Konsultimi në publik për çështjet e rëndësishme do të jetë një praktikë normale pune në bashkinë e Kukësit. Pjesëmarrja e grupeve të interesit në procesin e vendimmarrjes do të bëjë që të adresohen problemet që ka komuniteti dhe t’i jepet zgjidhje nëpërmjet ndërhyrjeve të mirëstudiuara dhe të mbështetura me buxhetin përkatës.

 

Si do të përdoren të ardhurat e bashkisë nga renta minerare?

Renta minerare, tashmë është një mundësi më shumë për komunitetet tona që kanë një pasuri të jashtëzakonshme minerare. Pjesa e rëndësishme e saj do të shkojë në funksion të përmirësimit të infrastrukturës së këtyre zonave ku shfrytëzohen këto pasuri minerare.

 

Ujësjellësi i qytetit të Kukësit është investuar shumë herë deri tani, por pavarësisht kësaj qyteti ende nuk ka ujë. Çfarë premtoni se do të bëni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për të zgjidhur këtë problem?

Investimi në ujësjellësin e qytetit në vitin 2009 kishte për qëllim që të furnizonte me ujë qytetin e Kukësit dhe 14 fshatra. Vlera e investimit ishte 3.5 milion euro. Pas punimeve të kryera jo vetëm që nuk u rrit koha e furnizimit me ujë, por sot banorët vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm.

Si hap i parë do të riorganizohet ndërmarrja e ujësjellësit duke afruar staf të aftë dhe profesional, për të vazhduar më tej me eliminimin e ndërhyrjeve të paligjshme në rrjetin shpërndarës dhe menaxhimin më të mirë të rezervave ujore. Gjithashtu do të ndërhyhet në mënyrën e menaxhimit të kësaj ndërmarrjeje. Të gjitha këto ndërhyrje do të jenë në funksion të përmirësimit të furnizimit me ujë të qytetit brenda vitit të pare, ndërsa zgjidhja përfundimtare do të jetë brenda këtij mandati.

Në programin tonë të punës do të jenë prioritete: inventarizimi i të gjithë rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve në administrimin e Bashkisë Kukës; hartimi i një master-plani për shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në të gjitha njësite administrative pjesë e Bashkisë Kukës; dhe marrja e masave për përmirësim të aksesit në sistemin e ujit të pijshëm.

 

Liqeni i Fierzës është resurs me potencial të lartë për zhvillimin e turizmit por është aktualisht i dëmtuar nga derdhja e ujërave të zeza të qytetit të Kukësit si dhe nga mbetjet urbane plastike që vijnë aty që nga Kosova. Çfarë do të bëni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për të shpëtuar liqenin nga ndotja dhe për të zhvilluar turizmin?

Aktualisht në këtë liqen ka 5 pika të mëdha shkarkimi të kanalizimeve të ujërave të zeza: Lugu i keq; Ramhas (ku derdhen edhe ujërat e spitalit); Lugu i Prizrenit ku derdhet kolektori kryesor i qytetit; Bozhë (kanalet e zonës industriale dhe lagjes Bozhë) dhe Kodër Lume pika e derdhjes e lagjes së re, zona nga axhensia e deri tek parku i ri).

Do të hartohet strategjia e menaxhimit të ujërave të përdorura duke mundësuar mbledhjen e tyre vetëm në një pikë, ku do të bëhet trajtimi i tyre dhe krijon mundësinë që në një periudhë të mëvonshme të ndërtohet një impiant i pastrimit të këtyre ujërave para se të derdhen në liqen.

 

Zona e Kukësit ka si pjesë të saj zonën etnografike të Shishtavecit e Zapodit dhe popullsinë gorane. Çfarë do të bëni brenda mandatit tuaj në ndihmë të vlerave kulturore dhe gjuhësore të kësaj zone?

Më kanë magjepsur bukuritë dhe potencialet turistike të këtyre fshatrave të përfshira në komunat Shishtavec dhe Zapod. Njerëz të punës, me tradita kulture mjaftë me vlera për bashkinë e re të Kukësit. Do të bëjë përpjekje për të organizuar aktivitete të ndryshme kulturore,artistike, sportive në trojet ku janë vendosur këto fshatra te mrekullueshme. Do të organizojë në mënyrë të përvitshme “ Ditën e Kulturës së Gorës” në qytetin e Kukësit. Do të tërheq me programe të veçanta, që tashmë i kam ideuar dhe krijuar mundësitë e mbështetjes financiare, promovimin e traditës dhe kulturës së komunitetit të Gorës.

 

A keni një plan konkret për mbështetjen e sektorit bujqësor dhe blegtoral në bashkinë Kukës?

Në programin tonë, sektori i bujqësisë dhe blegtorisë zë një peshë të rëndësishme dhe për vetë faktin e zgjerimit dhe përfshirjes së zonave rurale në bashkinë e re të Kukësit. Realizimi i programit të bujqësisë kërkon ndërmarrjen e një sërë reformash në sektorin e bujqësisë. Reforma do të jetë një paket e plotë, me shikim të largët zhvillimor të bujqësisë. Ajo do të paraprihet nga një studim i hollësishëm i gjendjeve reale, i dëmeve mbi tokën dhe në gjithçka që është kryer në këto vite.

Bashkia jonë e ardhshme do të orientohet në mbështetjen për ngritjen e qendrave të grumbullimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore e blegtorale, dhomat ftohëse, njësitë e vogla të përpunimit për lëngje, pije të ndryshme, etj.

Agro & ekoturizmi rural favorizohen shumë nga diversiteti, bukuria dhe pastërtia e natyrës. Ato janë fusha speciale, që kanë të bëjnë me ndryshimin e ambientit bujqësor dhe sistemit të fermës ndaj do të realizohen studime të posaçme për zonat Shishtavec, Kroi Kuq, Kroi i Bardhë, etj. Përdorimi i minifermave bujqësore dhe blegtorale në shërbim të agroturizmit dhe të turizmit malor do të jenë rrugë shumë efektive për shtimin e të ardhurave.

Reforma do të synojë ngritjen e modeleve të bujqësisë efektive, sipas zonave zhvillimore. Për prodhimet bujqësore, sipas zonave dhe traditave të tyre, përparësi do u jepet ndërhyrjeve të cilat sigurojnë rentabilitet (te ardhura) më të mëdha, shpejt dhe për një kohë më të gjatë. Kështu, në zonat Shtiqen, Tërthore dhe Bicaj bimët bujqësore të orientohen në prodhimet e freskëta për perimet, frutat , rrushi me destinacion tregun e qytetit Kukës dhe foragjeret dhe drithërat.

Në zonat Shishtavec, Topojan , Borje dhe Zapod prioritet do t’i jepet mbështetjes për kultivimin dhe tregtimin e patates,fasules, perimeve të vona, pemëtarisë me fokus tek arroret, por edhe mollës dhe dardhës, në blegtorinë e imët, kryesisht deles, dhe grumbullimit të bimëve mjekësore aromatike.

Në zonat Bushtricë dhe Kalis prioritet do i jepet mbështetjes për zhvillimin e blegtorisë së imët, kryesisht deles, pemëtarisë me fokus tek arroret, grumbullimit të bimëve mjekësore duke parë mundësinë për ngritjen e një qendre grumbullimi të tyre në Bushtricë.

Në zonën Caje prioritet do i jepet mbështetjes dhe investimeve për zhvillimin e të imtave, kryesisht deles, kultivimit të patates dhe grumbullimit të bimëve mjekësore aromatike, me fokus tek boronica dhe duke parë mundësinë e ngritjes të një njësie grumbullimi të saj.

Në zonën Ujmisht dhe Lusen prioritet do t’i jepet zhvillimit të të imtave, kryesisht për prodhimin e mishit të kecit dhe pemëtarisë me fokus tek arroret dhe grumbullimin e bimëve mjekësore. Ndërsa në zonat Malezi, Surroj dhe Arren prioritet do t’i jepet prodhimeve të pemëtarisë kryesisht kumbull, qershi, gështenjë por edhe për përpunimin e frutave në kushtet e shtëpisë. Gjithashtu, zhvillimi i blegtorisë dhe bletarisë shihen si prioritet.

Reporter June 9, 2015 19:57
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*