Bast apo blof i Ilir Metës?

Eduard Zaloshnja November 14, 2012 10:29

Bast apo blof i Ilir Metës?

A do ta rikapë në 2013 koalicioni Berisha 46.95 përqindshin (e Ristanit)?

 

Pas mbarimit të votimit në qershor 2009, KQZ-ja e kontrolluar nga PD-ja, shpalli një rezultat që i jepte 46.95% të votës popullore koalicionit të udhëhequr nga Berisha, kundrejt 45.34% të votës popullore për koalicionin e udhëhequr prej Ramës. Ky rezultat, i përkthyer në mandate kuvendore, nuk i dha mundësinë Berishës të merrte votëbesimin në Kuvend për të krijuar qeverinë. U deshën 4 mandatet “e florinjta” të LSI-së që ai të rivotohej si kryeministër…

 

Në qershor, katër vjet më vonë, koalicioni origjinal i Berishës do të kërkojë përsëri votën e 46.95% të zgjedhësve që, sipas KQZ-së së Ristanit, votuan për të në 2009-ën. Por problemi është se gjasat janë që mos ta kapë më 46.95 përqindëshin, edhe pse Ristani është zëvendësuar me një Llesh.

 

Së pari, identifikimi elektronik i zgjedhësve në qarkun e Tiranës, ku janë regjistruar rreth 25% të votave të vendit, do ta ulë sadopak mundësinë e votimit fiktiv (votim në emër të emigrantëve që nuk janë në Shqipëri ditën e votimit) në zonat ku ai ka qenë i mundur, si në Kamëz, Bathore, Paskuqan, etj.  Dhe kjo do të ketë padyshim një efekt elektoral për koalicionin e Berishës. Se sa do të jetë ky efekt – 1 apo 2 apo 3 pikë përqindje – nuk mund të parashikohet dot. Por fakti që edhe në 2009-ën u deshën mandatet “e florinjta” të LSI-së për të krijuar qeverinë, tregon se sa delikate është situata për Berishën.

 

Së dyti, ekonomia është ngadalësuar shumë pas 2009-ës. Dhe kjo do të ketë padyshim një kosto elektorale për koalicionin e Berishës. Se sa do të jetë kjo kosto – 1 apo 2 apo 3 pikë përqindje – nuk mund të parashikohet dot. Por fakti që edhe në 2009-ën u deshën mandatet “e florinjta” të LSI-së për të krijuar qeverinë, tregon se sa delikate është situata për Berishën.

 

Së treti, krijimi i FRD-së përbën një kërcënim për 46.95 përqindëshin e koalicionit të Berishës. Shtresa e pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist, si dhe shtresa e të persekutuarve nga ai regjim, kanë krijuar pakënaqësi nga premtimet e pambajtuara të Berishës për kompensimin e tyre. Dhe FRD-ja duket se ka në fokusin e saj pikërisht këto shtresa. Se sa do ta gërryejë FRD-ja këtë pjesë të elektroatit tradicional të koalicionit të Berishës – 1 apo 2 apo 3 pikë përqindje – mbetet të shihet. Por fakti që edhe në 2009-ën u deshën mandatet “e florinjta” të LSI-së për të krijuar qeverinë, tregon se sa delikate është situata për kryeministrin aktual.

 

Së katërti, edhe krijimi i AK-së përbën një kërcënim për 46.95 përqindëshin e koalicionit të Berishës. Fushata e saj nacionaliste duket se po rezonon mirë me të rinjtë e familjeve të djathta në bastionet e PD-së si në Shkodër, Kukës, Lezhë, Kavajë, Kamëz, etj. Se sa do ta gërryejë AK-ja këtë pjesë të elektroatit të koalicionit të Berishës – 1 apo 2 apo 3 pikë përqindje – mbetet të shihet. Por fakti që edhe në 2009-ën u deshën mandatet “e florinjta” të LSI-së për të krijuar qeverinë, tregon se sa delikate është situata për kryeministrin aktual.

 

Duke peshuar të paktën këta katër faktorë, rezulton se Berishës i intereson së tepërmi një koalicion parazgjedhor me LSI-në, pavarsisht se Edi Paloka i PD-së deklaroi në televizionin AS se partia e tij është përgatitur të hyjë në zgjedhje edhe pa bërë koalicion parazgjedhor me partinë e Ilir Metës.

 

Arsyeja pse Paloka e bëri këtë deklartë është e thjeshtë. Zërat për krijimin e një poli të veçantë parazgjedhor LSI-PDIU janë shtuar që nga konventa e LSI-së, dhe për t’i dalë përpara një të keqje të tillë, Berisha dërgoi Palokën në televizionin e Rezart Taçit, ku ai i dha mesazhin elektoratit të vet se “Baca” i ka bërë llogaritë e fitores edhe pa LSI-në dhe PDIU-në.

 

Ndërkohë, nga ana tjetër, edhe Gramoz Ruçi i PS-së deklaroi në Vizion Plus se koalicioni i udhëhequr nga Rama ka patur në disa bashki rezultate më të mira kur ka qenë e ndarë nga LSI-ja, se sa kur ka qenë bashkë me të.  Sidoqoftë, të dyja palët e dinë se nuk e kapën dot shifrën magjike të 71 mandateve në Kuvend, kur LSI-ja garoi më vete…

 

Dhe ndoshta duke patur parasysh pikërisht këtë gjë, si dhe zhvillimet e fundit në skenën politike shqiptare, duket se Ilir Meta po shkon drejt opsionit të krijimit të një poli të veçantë parazgjedhor, me strumbullar dyshen LSI-PDIU (këto parti morën 5 mandate në 2009-ën).

 

Në qoftë se ky opsion materializohet, i bie që Meta të vërë bastin se asnjëri prej koalicioneve të mëdha nuk do të jetë në gjendje të krijojë qeverinë pa mandatet LSI-PDIU dhe se asnjëri prej deputetëve të koalicionit të tij nuk do të bëjë atë që bëri në 2009-ën Dritan Prifti, i cili deklaroi votën pro Berishës para se LSI-ja të merrte një vendim partiak për votimin në Kuvend.

 

Kuptohet që çdo bast e ka rrezikun e vet, por në qoftë se Meta e fiton këtë bast, përfitimi politik për të do të jetë i jashtëzakonshëm. Qoftë Rama e qoftë Berisha (si dhe elektoratet përkatës) do të pranonin çdo kusht të Metës për t’u dhënë votat në Kuvend për krijimin e qeverisë. Dhe në rast se koalicioni i udhëhequr nga Rama do të jetë më afër numrit magjik 71, Metës i krijohet mundësia të mirëpritet në shtëpinë e tij origjinale politike – në të majtën – të cilën e ka përfaqësuar dikur si kryeministër…

 

Por deri më sot Meta, përveçse për baste të forta politike, është shquar edhe për blofe të forta politike. Pra, zërat e fundit për dalje më vete të LSI-së në zgjedhje mund të jenë edhe një blof i Metës, për të ushtruar trysni ndaj Berishës para krijimit të koalicionit parazgjedhor nga ky i fundit.  Është e vështirë të parashikosh se ç’do të bëjë “pokeristi” Meta…

 

Sidoqoftë, një hamendje mund të bëhet që tashti – dilema “bast apo blof i Metës” nuk mund të zgjidhet dot deri ditën kur do të zyrtarizohen koalicionet parazgjedhore. Për Metën është tejet e rëndësishme që përkrahësit e tij të vazhdojnë punësimin në 20% të administratës shtetërore dhe që komisionerët e tij të jenë në komisionet zgjedhore të të gjitha niveleve. Me pakë fjalë, deri sa të fillojë zyrtarisht fushata zgjedhore, teatri i deklaratave e kundër-deklaratave rreth pozicionit që do të ketë LSI-ja në zgjedhje do të vazhdojë pa pushim…

 

Eduard Zaloshnja

Eduard Zaloshnja November 14, 2012 10:29
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*