Bastet e Ruçit dhe Metës

Nga EDUARD ZALOSHNJA April 18, 2013 10:00

Bastet e Ruçit dhe Metës

Kur u kërkoi socialistëve që ta zgjidhnin në krye të tyre, Edi Rama bëri dy premtime të mëdha. Së pari, premtoi se do t’i jepte fund përçarjes së të majtës, që e kishte çuar në opozitë, dhe së dyti, premtoi se do ta risillte atë në pushtet pas 4 vjetësh – përndryshe, do të jepte dorëheqjen. Por socialistët e Kongresit të PS-së të shtatorit 2005 nuk ia dhanë votën platformës së Ramës. Ish-rebeli antikomunist dhe antikonformist mori më pak se gjysmën e votave të “kongresmenëve” socialistë.

Dhe në atë moment, në lojë u fut Gramoz Ruçi, njeriu që në të gjitha betejat e brendëshme të PS-së, kishte treguar deri atëherë se kishte qenë faktori përcaktues për ta anuar balancën e pushtetit brenda partisë në favor të konkurenit që ai kishte përkrahur. Gjatë mbrëmjes dhe natës pas dështimit në Kongres të platformës Rama, Ruçi loboi fort për Ramën dhe arriti t’ua kthejë mendjen një pjese të mirë të “kongresmenëve” socialistë.

Dhe për këtë, Ruçi pagoi një çmim të madh politik: E konsideroi si një dështim personal rënien e platformës Rama, të cilën e kishte prezantuar në kongres në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së së mbetur pa kryetar. Dhe ai dha dorëheqjen nga posti i vet, ndërkohë që Rama u zgjodh kryetar, me garancinë e dhënë nga Ruçi se ky bast i guximshëm i tij do të inkasohej pas 4 vjetësh.

Në 2007-ën, u duk se gjysma e bastit të Ruçit po inkasohej – LSI-ja u fut në koalicionin e PS-së dhe opozita e bashkuar arriti një fitore spektakolare në zgjedhjet bashkiake të qyteteve të mëdha, e sidomos në Tiranë. Rruga e rikthimit të së majtës së bashkuar në pushtetin qendror dukej e shtruar.

Por këtu futet në skenë Kastriot Islami, një politikan i rëndësishëm i PS-së qysh nga themelimi i saj. Duke analizuar rezultatet e zgjedhjeve të mëparshme dhe sondazhet/anketimet e brenshme të partisë, Islami llogariti se PS-ja mund t’i fitonte zgjedhjet parlamentare pa patur nevojën e LSI-së së rikthyer në koalicionin opozitar – mjaftonte, sipas tij, që të sajohej sistemi i duhur elektoral dhe PS-ja do të merrte 72-75 mandate kuvendore.

Vendimin që mori Rama rreth koalicionit dhe sistemit elektoral, bazuar në këshillat e Islamit, Ruçi nuk e sfidoi – këmborën që ia kishte varur në qafë në 2005-ën, ia la ta tundte deri në fund. Dhe Rama, në fakt, arriti një rezultat fenomenal elektoral në 2009-ën – koalicioni i udhëhequr prej tij mori 124 mijë vota më shumë se ç’kishte marrë kur udhëhiqej nga Nano. Por sidoqoftë, pa votat e 83 mijë “zemrave të majta” që shkuan tek koalicioni i udhëhequr nga Ilir Meta, nuk e arriti dot shifrën magjike të 71 mandateve kuvendore.

Ishte faji i manipulimeve të Saliut, e jo i ndarjes se “zemrave të majta”, shpjegoi Rama dhe Ruçi e pranoi këtë shpiegim. Dhe jo vetëm e pranoi, por e mbështeti fort Ramën në luftën e tij për ruajtjen e pushtetit brenda partisë dhe kundër Saliut që nuk pranonte të hapte kutitë e votimit.

Sidoqoftë, s’duhet harruar se ndejtja e Ramës në krye të PS-së dhe diskreditimi i manipulimeve të Berishës nuk ka qenë qëllim në vetvete për Ruçin – basti i tij personal i 2005-sës duhet inkasuar… Një fitore e Ramës në 23 qershor, megjithëse me 4 vjet vonesë, do t’u tregonte të gjithë socialistëve se Ruçi di të zgjedhë se kë të mbështesë brenda PS-së. Ndërsa një humbje e Ramës do të shkaktonte një rënie ndoshta të pariparueshme të krebilitetit të Ruçit në sytë e shumicës së socialistëve.

Dhe këtu futet në skenë Ilir Meta, i cili, për arsye të ndryshme nga të Ruçit, ka vënë edhe ai së fundmi një bast publik për fitoren e Ramës në 23 qershor.

Në 4 zgjedhjet e fundit (parlamentare apo lokale), pozicionimi i Metës në garë ka qenë faktori më kryesor për të përcaktuar se cili do të zinte postin e kryeministrit dhe të kryebashkiakut të Tiranës.

Duke qenë i vetëdijshëm për këtë fakt, Rama kapërceu Rubikonin dhe e riftoi Metën në koalicionin prej të cilit e kishte përzënë në 2008-ën. Ndërsa Meta u kthye në koalicion, duke vënë bastin publik se do ta rivërtetojë për herë të 5-të hipotezën se pozicionimi i tij në garë është faktori më kryesor për përcaktimin e fitores së njërit kamp apo tjetrit. Dhe në qoftë se ia del ta fitojë bastin, ai mund t’i hapë rrugën vetes për t’iu afruar jo pak “zemrave të majta” që janë plagosur keqazi prej tij, sidomos pas humbjes së Tiranës. Ndërsa në qoftë se e humbet bastin, mund të rrezikojë  damkosjen përfundimtare si Hamza Kastrioti  par excellence i së majtës…

Nga EDUARD ZALOSHNJA April 18, 2013 10:00
Komento

3 Komente

  1. KOLI April 18, 12:09

    Ti vete ,Zaoloshnje me mire se une dhe gjithe te tjeret,e din fort mire se je kthyer ne nje sherbetore te rendomet dhe te peshtire te EDVIN KRISTAQ RAMES dhe Partise se ENVER HOXHES edhe pse pretendon, se sot kemi PD fale teje.Vazhdo te shkruash dhe te lehesh,se me shume bajat behesh.

    Reply to this comment
  2. Arif Gjongjini April 18, 12:52

    Shqipëria është bërë e tëra kazino, prandaj edhe titulli i shkrimit, edhe pse nuk ka si synim të nxjerë në pah këtë që them unë, ndihmon mjaft mirë në cilësimin e të vërtetës. Baste ngado: në lloto, në politikë, në ekonomi…, kudo ka ka ndonjë copëz Shqipëri, për ta përtharë edhe atë që ka mbetur prej saj. Kjo mender politike bëhet nga këta mender politikanë. Edhe votën na duket sikur e hedhim në një oqean menderi, ku zhytin duart për ta vjedhur kush të mundë nga politikanët që “vdesin” për Shqipërinë.

    Reply to this comment
  3. Zef Dedja April 18, 14:20

    Jo kazono por burdeloo e nje fshat pa forme e pa permbajtje dhe qe po shkon drejte shperberje se pashmangeshme

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim