Bayern i frikshëm edhe pa shpenzime në merkato

September 2, 2018 14:36

Bayern i frikshëm edhe pa shpenzime në merkato

 

Bayern Munchen “tremb” brenda dhe jashtë fushe. Sezonin e kaluar, bavarezët e fituan Bundesligën me 21 pikë diferencë mbi Schalken e vendit të dytë, e megjithatë iu deshën 10 javë për të marrë kryesimin në kampionat.

Këtë vit gjërat janë ndryshe. Pas vetëm dy javësh, Bayern e Wolfsburg janë me nga 6 pikë të plota, me bavarezët që kanë avantazhin e golavarazhit më të mirë, me +5 gola kundrejt +3 të Wolfsburgut.

Nën drejtimin e Nico Kovaç, Bayerni është më mirë sesa ekipet e tjera gjermane në të gjitha aspektet. Lewandowski, që u duk se do të largohej gjatë kësaj vere, duket se ka gjetur motivimin e duhur dhe në 4 ndeshje zyrtare ka shënuar 6 gola.

Në Superkupën e Gjermanisë ndaj Eintrachtit shënoi tregolëshin e parë në historinë e kompeticionit. Edhe Mueller duket se ka fituar besim, pasi ka shënuar dy gola në dy ndeshjet e para të kampionatit.

Ajo që të bën përshtypje është se, ky dominim i bavarezëve në këtë fillimsezoni vjen në një moment kur skuadra nuk ka bërë asnjë shpenzim në merkaton e verës.

Kampionët e Gjermanisë, morën gjatë verës Goretzkën nga Schalke me parametra zero, ndërsa u rikthyen nga huazimi edhe Gnabry e Sanches.

Në fakt, Bayern ka larguar Vidal, Bernat, Douglas Costa e Rudy, nga të cilët ka arkëtuar 88.5 milionë euro.

Vetë Hoeness ka pranuar se ideja e klubit gjerman është që të kursejë për të shpenzuar më shumë në të ardhmen, nëse do ta shohë të nevojshme.

Në fund të sezonit do të skadojnë kontratat e Ribery e Robben, e Bayernit do t’i duhet të bëjë ndonjë lëvizje, edhe pse në janar do të marrë 17-vjeçarin kanadez Davies, për 19 milionë euro.

Me siguri, kampionët e Gjermanisë do të përgatisin një goditje të madhe në merkaton e sulmuesve, për të krijuar një skuadër edhe më dominuese.

a.s/dita

September 2, 2018 14:36
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*