BE diskuton të premten mbi pezullimin e përkohshëm të Schengenit

December 3, 2015 19:36

BE diskuton të premten mbi pezullimin e përkohshëm të Schengenit

Këshilli i ministrave të Brendshëm të BE-së pritet të diskutojë të premten mundësinë e pezullimit të regjimit të lëvizjes së lirë e pa viza në zonën “Schengen”, për një periudhë që parashikon më së shumti deri në dy vite.

Propozimi i Luksemburgut, që mban Presidencën e BE-së deri në fund të këtij muaji, justifikohet me krizën e refugjatëve, që shfaqi “deficenca serioze” në kufirin grek, duke vënë në rrezik të gjithë zonën europiane.

Nëse 28 ministrat e BE-së pajtohen për të zbatuar nenin 26 të “Kodit Schengen”, atëherë pritet të mbeten në fuqi për një kohë të gjatë kontrollet e përkohshme kufitare të disa shteteve, të vendosura me miratimin e Komisionit Europian që prej verës.

“Gjatë muajve të fundit, disa shtete anëtare kanë aktivizuar mundësitë e parashikuara në nenet 24 dhe 25 të ‘Kodit Kufitar Schengen’ për rrethana të parashikuara, apo të paparashikuara, në rivendosjen e kontrollit të brendshëm për arsye të sigurisë publike”, tha Natasha Bertraud, zëdhënëse e KE-së.

Aktualisht, Komisioni Europian ka pranuar zyrtarisht rivendosjen e kontrollit të përkohshëm kufitar në kuadër të “zhvillimeve për veprim të menjëhershëm” nga Norvegjia, për periudhën 26 nëntor – 6 dhjetor, si dhe nga Suedia për periudhën 12 nëntor – 11 dhjetor raporton gazetarja e TCH, Arta Tozaj.

Ndërkohë që ka pranuar rivendosjen e përkohshme të kontrolleve për arsye të “ngjarjeve të parashikuara” nga Austria, për periudhën 16 nëntor – 15 shkurt 2016; nga Gjermania për periudhën 14 nëntor – 13 shkurt 2016; nga Franca gjatë 13 nëntorit deri më 13 dhjetor të këtij viti; dhe Malta nga 9 nëntori deri më 31 dhjetor 2015 (samiti i Valetës).

Brukseli vijon paralajmërimet ndaj Athinës për rikthim të vendosjes së kufijve me Europën, nëse nuk përmbush pritshmëritë e partnerëve deri në mes të dhjetorit, kur mbahet samiti europian i krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së. Në rast të kundërt, disa diplomatë të vendeve anëtare përsërisin se “Greqia rrezikon seriozisht daljen nga Schengeni”.

“Mbeten edhe dy javë deri në samitin europian dhe, këto dy javë duhen përdorur për të prodhuar progres të prekshëm në terren”, tha Margaritis Schinas, kryezëdhënës i KE-së.

Marrëveshja e firmosur fillimisht nga 5 vendet themeluese (Belgjika, Luksemburgu, Franca, Holanda e Gjermania) të BE-së, në 1985-n në qytezën Schengen të Luksemburgut, përfshin sot 26 shtete europiane, 4 ndër të cilat janë vende jo anëtare të BE-së.

December 3, 2015 19:36
Komento

3 Komente

  1. mbylljet e kufijve sinjale lufte December 3, 19:45

    Nuk ka lidhje situata me pezullimin e Shengenit, por kodi i Shengenit e parashikon vendosjen e kontrolleve kufitare ( neni 26) deri ne 6 muaj dhe mundeson dhe shtyrje deri ne tre here. Ne rastin konkret do diskutohet qe kjo shtyrje per raste emergjente nga vende te caktuara te krijoje nje opsion deri ne dy vjet, ne raste te jashtezakonshme qe mund te shfaqen si kercenuese ndaj rendit publik apo situates se sigurise ne pergjithesi. Pra jane thjesht kontrolle kufitare,per te imponuar respektimin e vendosjes se tyre nga vendet anetare, ne dakordesi edhe me vendet e tjera fqinje, pa shmangur proceduren e konsultimit paraprak. Shengeni nuk preket.

    Reply to this comment
  2. Darius December 3, 19:53

    Ne ballkan po se ne perendim nuk ka lufte!!

    Reply to this comment
  3. Skeptiku December 3, 20:12

    BE qeshi kur Hungaria beri rrethimin e kufirit, pastaj nje nga nje filluan rrethimin dhe te tjeret qe po shikonin tmerr nga vershimi klandestin. Ajo ” Mikpritja e emigranteve ” tani eshte bere ” Kriza e emigranteve “. Atje te Hungaria do dalin te gjithe, nuk kane ku shkojne. Sot e quajne ” Ngjarje e pa parashikuar ” ate qe gjithe europianet e shihnin. Pushtimin klandestin pa ndalim. Vetem keta qorrat e BE nuk po shikonin gje. Nga miopia e plote e politikes tyre te qelbur.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*