BE thirrje popullit grek : Kujdes, nëse votoni JO i thoni JO Evropës

June 29, 2015 18:09

BE thirrje popullit grek : Kujdes, nëse votoni JO i thoni JO Evropës

Unioni po kalon momente të tensionuara. Tension, që nuk lidhet vetëm me krizën greke dhe fatin e mëtejshëm të Greqisë në Union, por edhe me efektin domino ndaj vendeve të tjera pjesë e programeve të masave shtrënguese ekonomike, si edhe me imazhin e BE-së, në rajon dhe në botë. Teksa pritet këtë të diel, mbajtja e referendumit në Greqi, dy mesazhe të forta vijnë nga Unioni Evropian. Mesazhe, që ftojnë për reflektim popullin grek, si ndaj qeverisë në pushtet dhe mungesës së qartë të transparencës, por edhe ndaj të ardhmes së tyre në familjen evropiane.

Në një sallë, që kishte marrë vëmendjen e gjithë medieve evropiane dhe ndërkombëtare, kreu i KE-së, Junker, shprehu zhgënjimin dhe hidhërimin e tij mbi këtë “spektakël evropian”, dhe ndërprerjen e njëanshme të negociatave. Duke deklaruar se, ndjehej i plagosur në lidhje me këtë situatë, ai konfirmoi se nuk ka pasur aspak shantazhe dhe ultimatume të natyrës “lëre ose merre”, se ka bërë gjithçka personalisht për të mundësuar një marrëveshje mes palëve dhe se, nuk janë propozuar aspak “reforma idiote për masat shtrënguese”.

Transparencë

Për të qenë sa më transparent me publikun, çka duket se mungon nga pala greke përballë qytetarëve të saj, Komisioni Evropian ka publikuar ndërkohë edhe dokumentin e masave dhe reformave të sugjeruara, në mënyrë që transparenca me publikun dhe popullin grek të jetë maksimale.

Por, çfarë përmban kjo paketë masash, që detyroi radikalët e majtë, të ndërprisnin negocimet duke ndërmarrë risqe të forta politike për të ardhmen e vendit ?

Si kreu i KE-së Junker në deklaratën e mesditës së sotme, por edhe kreu i PE-së Schulz, në daljen pas Konferencës së Presidentëve të PE-së, konfirmuan në linja të përgjithshme se:

-Kjo paketë, nuk përmban shkurtime rrogash, dhe se askush nuk lejohet të krijojë përshtypjen se, ka shkurtime rrogash në të. Kjo s’ka qenë kurrë në tavolinë. Çka ishte në tavolinë ishte një propozim për të modernizuar grilën e rrogave të sektorit publik. Dhe për sektorin privat është rënë dakord për rishikimin e praktikave të negocimeve kolektive. Kërkesa e vetme e Unionit; ishte se kjo duhet bërë në përputhje me praktikat më të mira evropiane në bashkëpunim me institucionet përkatëse të specializuar në këtë fushë.

-Kjo paketë, nuk përmban shkurtime pensionesh. Edhe qeveria greke është dakord se sistemi i pensionit grek ka nevojë urgjente për reforma të mëtejshme të qëndrueshme.

-Kjo paketë nuk ka rritje të TVA-së, në energji.

-Kjo paketë nuk ka rritje të TVA-së, në shëndetësi.

Në përgjithësi, paketa përfshin më shumë barazi sociale: duke propozuar shkurtime në fusha ku nuk preket kuleta e shumicës së qytetarëve, siç janë shpenzimet në buxhetin e mbrojtjes; heqja e trajtimit të favorshëm të sistemit të taksimit, për pronarët e anijeve; luftë korrupsionit; një administratë taksash e pavarur (normë e të gjithë vendeve evropiane). 

Sipas, Junker, kjo nuk është një paketë idiote. Disa prej masave sigurisht, që plagosin në planin afat shkurtër. Por, paketa shkon përtej masave fiskale dhe propozon një rrugë të qartë përpara. Për më tepër kjo paketë, ul objektivat fiskalë dhe i jep më shumë kohë qeverisë greke për t’i arritur ato. Konsolidimi fiskal, sipas tij, nuk do të thotë masa shtrënguese, por të mbash financat publike në kontroll, teksa zhvillon mundësitë për punë dhe rritje ekonomike. Shumë shtete anëtare kanë pasur gjithashtu objektiva shumë më të lartë fiskalë, pavarësisht se kishin nivele borxhi më të ulëta.

Dalja e kreut të Komisionit Evropian, Junker mesditën e sotme, nuk ishte për të bërë një hap drejt Athinës, apo për të ofruar propozime të reja. Ajo çka kërkohet nga Unioni, është përgjegjshmëri, ndërgjegjësim, transparencë dhe largpamësi, në këtë situatë të tensionuar. Ai i bëri thirrje popullit grek për të votuar PO, në referendum dhe të shprehë vullnetin e tij për të qëndruar në zonën euro.

“Nuk duhet të vetëvritemi, pasi kemi frikë nga vdekja”…(…)…” Një JO, do të jetë shkatërrimtare për vijimësinë e ngjarjeve”….”Një JO, e grekëve në referendum do të interpretohet, si një Jo ndaj zonës euro, një Jo ndaj Evropës”.

(…)

“I kërkoj popullit grek që të votojë PO, pasi nga vota e popullit grek do të shkojë një sinjal si për Greqinë, si dhe për vendet e tjera të zonës euro. Nëse populli grek i përgjegjshëm, i ndërgjegjshëm për rolin kombëtar dhe evropian, që luan voton PO mesazhi që do të çojë për vendet e tjera të zonës euros dhe përtej Unionit Evropian dhe përtej shoqërisë globale është se, Greqia do të qëndrojë së bashku me vendet e tjera të Eurozonës dhe të Unionit Evropian”

(…)

Të varfër, por luksozë në shpenzime 

Drejtuesit e rinj radikal të Greqisë, erdhën në pushtet me tone të larta demagogjie, duke ofruar vizionin e një çlirimi popullor nga barra e borxheve të padrejta. Çlirim, që në rastin më të mirë do të aplikohej nën formulën e barazisë, duke ia deleguar barrën e rëndë elitës së pasur, e cila duhet të angazhohej seriozisht përballë detyrimeve të saj dhe në rastin më të keq, duke zgjedhur si opsion, mohimin irracional të detyrimeve të shlyerjes së borxhit ndaj ndërkombëtarëve.

Por, që në hapat e para të qeverisjes dhe mënyrës së negocimit me kreditorët evropianë dhe ndërkombëtare, tendenca për të fshehur realitetin, për ta transformuar atë përpara popullit grek dhe për ruajtur imazhin e “shpëtimtarit” vijon ende të kryhet në këto momente.

Ndoshta në mediat dhe publikun e gjerë grek nuk mbërrijnë aspak informacionet, që shqetësojnë një pjesë të mirë të politikës së lartë evropiane dhe që lidhen me shpenzimet e pajustifikueshme të delegacioneve greke në Bruksel. Teksa vendi vuan një krizë të paprecedentë ekonomike, dhe ndërsa të gjithë politikanët evropianë përdorin fluturime të klasit të dytë, qoftë me avion apo me tren, delegacioni grek bën përjashtim. Ai mbërrin me Charter në Bruksel, në Samitin e radhës për të diskutuar mbi krizën në vend. Ndryshe nga kolegët evropianë, delegacioni grek e ka të pakonceptueshme fjetjen në hotele më pak se 5 yje. Rezervimet kryhen tek hoteli më i shtrenjtë i Brukselit, në Avenue Louise, pikërisht aty nga ku panorama shtrihet në të gjithë qytetin dhe ku nata varjon nga 500 euro e sipër. Acarimi i kolegëve evropiane, më shumë se sa tek papërgjegjshmëria e sjelljeve të tilla politike shkon edhe drejt faktit se, këto para që shpenzohen hidhur nga pala greke, dalin nga xhepat e qytetarëve dhe taksapaguesve evropianë.

Referendumi i së dielës është shqetësues për evropianët. Nga njëra anë, ende nuk dihet se kush do të jetë pyetja që qeveria radikale do të shtrojë në të, dhe nga ana tjetër një rezultat i mundshëm negativ, sigurisht që do të shoqërohet me një sërë pasojash. Pasoja, që lidhen sa me të ardhmen e Greqisë në zonën Euro dhe në Union, sa me efektin domino, që mund të shkaktojë kjo situatë për vendet e tjera, nën të njëjtat politika masash shtrënguese, po aq edhe me tronditjen, që do të pasqyrohet në vendet e tjera të eurozonës. Pa llogaritur këtu kostot, që mund të transmetojë tronditja rajonale dhe ndërkombëtare e imazhit të një Unioni në krizë politike. Unioni është angazhuar tërësisht për transparencë të situatës, ndaj popullit grek. Kjo javë do të angazhojë maksimalisht strukturat përkatëse, pa neglizhuar dhe figurat e larta politike të Unionit, për një vajtje dhe komunikim nga afër në terren. Me shpresë, se populli grek pavarësisht kostos së lartë, që po paguan nga papërgjegjshmëria e keqqeverisjeve dhe keqadministrimit të vazhdueshëm të klasës politike vendase, do të dijë të zgjedhë opsionin e duhur për të ardhmen e tij./im.ta/

 

Shkrime të tjera:

Evropa në bllok kundër Greqisë: “Të jemi logjikë dhe jo ideologjikë”

 

 

 

June 29, 2015 18:09