Bedri Islami: Bodler dhe dyzimi i tij, me Zotin apo shejtanin?

December 29, 2020 13:34

Bedri Islami: Bodler dhe dyzimi i tij, me Zotin apo shejtanin?

Nga Bedri Islami

 

 

A kishte të drejtë Bodler, BAUDELAIRE, i cituar nga Jean-Paul Sartre, se, ” Në çdo kohë, te çdo njeri rrinë njëkohësisht dy postulate: njëri drejt Zotit , tjetri drejt Shejtanit.

Të drejtuarit nga Zoti është një dëshirë për me u ngjitë më lart, ajo e Shejtanit është gëzimi për të rënë më poshtë”.

Pak njerëz deri tani kanë vënë haptas kandidaturën drejt gëzimit të Shejtanit, më të shumtët thonë se priren drejt dëshirës së Zotit.

Jo rastësisht, poeti i madh Bodler, ngjitjen drejt Zotit e quan dëshirë, e drejt Shejtanit e quan gëzim.

Bodler nuk e çoi atë jetë që meritonte dhe këtë krahasim mund ta sjellim edhe për Frederik Reshpjen, jeta e të cilëve është një ilustrim i mrekullueshëm i kësaj thënie fatkeqe e fatkobe në të njëjtën kohë.

Bodleri ka qenë dëshmitari i vetëm i vetvetes; vetdija e tij pasqyruese, tepër herët e kthjelltë, ka nxjerrë llogarinë më të saktë të jetës së tij kur shkruan se,

 

Unë jam plaga dhe thika

Dhe viktima dhe xhelati..

 

sepse askush tjetër nuk e përmbyti jetën e tij si ai vetë.

Ai është thellësisht nën postulatin e tmerrshëm se, nuk mund ta dashurosh veten, nuk mund të urresh veten, nuk mund të shkëputesh nga vetja, nuk mund të torturosh veten. Ai ishte i vuajturi i madh që ishte thirrur për të qenë sa më pranë Zotit , por e tërhoqi gëzimi i Shejtanit.

Ai martirizohet, pa e ditur se çfarë është martirizimi, ai është paditësi dhe i padituri, njeriu që e shkakton vuajtjen dhe që e vuan atë, është poeti i “Lulet e së Keqes”, kur e keqja e ka mbërthyer vetë atë; është Tjetri që shkruan dhe tjetri që dëgjon; nuk është asnjëri e prap është gjithësecili; dy përsonazhe të veçantë tek i njëjti trup; është mendje kthjellti i mundur dhe i munduri që e di mendjekthjellësisht rënien e tij; e pa veten të shtrirë, pasi ishte vetshtrirë; viktima dhe xhelati që e duan njëri tjetrin, shpesh herë e njëjta gjë e kurrë dy të ndryshëm; ai e ndjen veten, e shikon veten si i huaj dhe i huaji e shikon atë përmes pasqyrës mugëtuese:

 

Ç’ bisedë e zymtë dhe e kulluar kokë më kokë,

qenka një zemër kur bëhet pasqyra e vetvetes…

 

Shpirti i tij lëkundet mes së mirës e së keqes; ai nuk e di fundin e tij, por e përgatit atë; ndërsa shkruan mrekullitë e tij poetike, ndërkohë ka nisur të mprehë gozhdët e arkmortit; një ndjesi vetmimi e padurueshme është tek ai si një vetmi absolute; jeta i është dhënë mrekullisht, vazhdimi i saj do të jetë shkëputje tragjedie, ku ai vetë do të shkruajë njërin akt të saj, atë ku, bashkë me jetën e tij, bie edhe perdja; kur ngrihet, ëndërron rrëzimin; në rrëzim ndjehet si në botën e tij të vërtetë, sa që një herë do të shkruante, në atë Letrën e tij të famshme të vitit 1845, ” se do të vras veten, sepse jam i padobishëm për të tjerët e i rrezikshëm për veten”.

Në jetë ai sheh vetëm një magjepsje : lojën dhe në këtë ruletë të madhe ai futet me gjithçka ka; hidhet verbërisht, dashuron marrëzisht, hidherohet ashpërsisht, ndjen tragjedinë dhe e ndjell më afër; nuk ka asnjë merak nëse ka fituar në këtë lojë apo ka humbur; gjithçka sillet rreth hiçit, që të kujton më pas Niçen në vorbullën e tij tek ” Udhëtari dhe hija e tij”.

Bodleri e kishte krijuar me kohë hijen e tij, e ndjente se ishte e dyfishtë, duke e tërhequr njëra drejt Zotit dhe ai shkruan poezi të denja për perënditë, tjetra drejt Shejtanit, dhe ai bën një jetë të rënduar nga veset dhe të çkujdesur nga të gjitha paradigmat morale.

Nuk e beson vetveten dhe mosbesimi tek ai shfaqet gjithnjë në qëndrimin e pasigurtë, të egër, pasionant, të lëvizshëm, ndonjëherë shfaqet thuajse i tërbuar dhe i egër, pikërisht ky poet që i përkdhel vargjet si pak kush në botë.

Gratë tek ai janë lindur për të magjepsur. Por ai e shthur magjinë e tyre, të cilën nuk e gjeti kurrë. Ai është vetë njeriu shpirtftohtë që ankohet se kurrë nuk gjeti ngrohtësi.

Nëse ai është djalli i vesit, kjo nuk ka të bëjë me magjinë që nuk e gjeti të plotë, por as që e kërkoi si të tillë. Ai e dinte se e vërteta është në të panjohurën, ai do të jetë poeti i mallkuar i poemave të ndaluara, herë – herë e sheh veten si profet i së ardhmes dhe nuk e dinte se ishte i tillë, e herë të tjera gjithçka i kall krupën, deri njerëzit, të cilët, edhe pse nuk e kuptuan në momentin e shfaqjes, e deshën gjatë kur u kthjelluan.

Në prozat e tij poetike, përmbledhur në librin “Brenga e Parisit“, sjellë dhe përkthyer mrekullisht nga Besiana Kadare, befas jam ndeshur me njërën nga magjitë e poetikës së tij, „ Ajo dashuron ashtu siç dashurojnë njerëzit në vjeshtë“.

Në rininë e herëshme ne ishim të mrekulluar pas Pushkinit dhe vargjeve të tij, „Pranverë, kohë për dashuri, ç’më pik në zemër ardhja jote…“, mirëpo që ja, një poet i hallakatur, „ shpirt që ndriçohet prej afrimit të fatit të keq“, siç e ka quajtur një bashkëkohas, befas sjell bukurinë e dashurisë në vjeshtë. Askush nuk e di nëse e ka fjalën për stinën, kur thua se afrimi i dimrit ndez pasione dhe zjarr të paepur, kur përkushtimi i dhembshëm i dashurisë nuk është kurrë i lodhshëm, apo, krejt ndryshe, për vjeshtën e jetës, kur synon të shtrydhësh deri në fund atë lëng dashurie, për të cilin dikur ke menduar se do të jetë i pafund.

Si në gjithçka tjetër, edhe në këtë përceptim, ai është i dyzuar! Si shkruan Jean-Paul Sartre, “ai, Bodler-i, është gjuetari që gjuhet“. Është njeriu fort i ndershëm që bën jetë të çthurur. Është nga brezi i shkrimtartëve të mallkuar , të cilët u mallkuan të jenë të përjetshëm.

Ky djalosh elegant, i brishtë si një ëndërr, me zakone të përkora dhe sjellje që janë thuajse femërore, që provon detrat si ndihmës timonier në bordin e një anije, që hiqet si agjent policie, që falenderon gjykatësin kur e dënon , megjithëse nuk ka bërë asgjë, veçse ka shpërndarë diamante poetikë. që fliste me një tonmbrojtës, buzëqeshës, që hidhte mbi vete shashkat e së keqes dhe e bëne këtë duke luajtur, e njëkohësisht kështu luante me jetën e tij, që çuditërisht, në të njëjtën kohë , tmerrohet dhe mahnitet nga spitali ku e dërgojnë, është njëri ndër poetët e parë të botës.

Është i dyzuar : poezia e tij shkoi drejt dëshirës së Zotit, jeta e tij u vërsul drejt gëzimit të Shejtanit.

 

Për Frederikun!

Kam menduar shpesh herë përse poezitë e Frederik Reshpjes kanë një magji të veçantë.

Përse poezitë e tij kanë atë ndjesinë si të këputet rrezja e diellit apo florimi i shiut?

Përse poezitë e tij të ngjajnë shpesh herë si trëndafilë të thurur me diell dhe të veshur me dritë?

Shpesh herë më është dukur se poezia e tij tundej në brirët e drerëve të mëdhenj dhe kurdoherë mes tyre ka një mesnatë si palmë!

Herë – herë, në poezitë e tij të duket sikur mëngjesi po të vdes në duar dhe se largimi nuk është asgjë tjetër veçse çasti i riardhjes!

Lirika e tij , e magjishme, do ë thoja, që ka pak vdekje në sy, përse është rrëzuar në koha dhe pikërisht atë çast , në orën kur hijet bien në gjunjë dhe falen si perënditë e lashta pagane?

Frederiku i madh shtatvogël, me ecjen e çuditshme, që vargjet ishte e vetmja gjë që donte nga bota eterne dhe NËNA e vetmja tek e cila ka besuar e Zot tjetër nuk kishte pasur kurrë, poeti që e pinte kafen duke qeshur dhe tallej në të njëjtën kohë me të gjithë perënditë, i zakonshëm në pamje, për të mos thënë as i zakonshëm, por që dukej i bukur dhe se tërë shirat e botës binin për të, përse na është magjik?

Shpesh herë e kam menduar këtë?

Poezia e tij vjen si nga një tjetër botë, jo nga kjo e prekshmja, e dukshme dhe e zakonshme. Ai dukej se i kishte rënë pash më pash ferrit dhe ishte rikthyer, duke mbyllur trëndafilat në pikëllimin e vet, i padëshifrueshëm, me jetë perëndish – nga mjerimi i madh – në shkëlqimin e përkohshëm – për të shkuar përsëri drejt mjerimit të fundit; shumë jetë të mundimshme janë fikur njëkohësisht tek sytë e tij;

ai ishte në të njëjtën kohë poeti i vdekur në rrugët e magjisë dhe i gjalli duke bartur me vete rrasën e mermerit të lavdisë!

Ai ishte poeti që vazhdoi deri në fund të mbrunte një Zot me fjalën, dhe, kur i erdhi dita, i munduar, barti si kryqin e tij dashurinë për njerëzit, por kjo dashuri nuk i ktheu kurrë përgjigje!

Ai solli fjalë zotash në poezinë shqipe!

 

ESSE ….PA CAK!

Në njërin nga librat e tij , Joice ka shënuar se ” Historia është një ëndërr nga e cila dua të zgjohem”.

Persët e lashtë, ashtu fisnikë dhe të shumëditur si ishin, kanë përfshirë në historinë e tyre Aleksandrin e madh, njeriun që i dërmoi në fushëbeteja, si Ai që flinte me Iliadën dhe me shpatën e vet nën jastëk.

Në vendet islamike e përkujtojnë ende me emrin Aleksandër Dybrirësh, sepse ai ishte i pari sundues zot i dy brirëve, Lindjes dhe Perëndimit, ndërsa ne, shqiptarëve, na pëlqen ta besojmë se pikërisht nga dy brirëshi ilir i Lekës së Madh, erdhi edhe përkrenarja e Skenderbeut, edhe dy krerëshi në flamurin kombëtar.

Një shqiptar është e vështirë të ndihet ballkanas, por e ka shumë më të lehtë të ndihet europian apo të përdallojë në vehte orientin, i cili i ka magjepsur gjithnjë njerëzit e Oksidentit.

Që një shqiptar e ka të vështirë të ndjehet ballkanas, kjo është lehtësisht e kuptueshme – të gjitha luftrat dhe copëtimet i kanë ardhur nga fqinjët ballkanas, të cilët, sëbashku me ushtrinë, sollën edhe një varg bëmash , më saktë, që në herëshmëri, ata na ngulën shigjetën dhe kurrë nuk deshën ta heqin atë.

Në librin Republika X të Platonit flitet për ëndrrën e një ushtari, i cili sheh shpirtra që përpara se të pinë ujë në lumin e Harresës, zgjedhin fatin e tyre.

Askush nuk e di se cilin fat kanë zgjedhur shqiptarët!

Ata ndjehen më lehtësisht europianë, ashtu si kanë shpesh në vete magjinë e Orientit ngazëllues, pikërisht se nuk duan të jenë ballkanas.

Njeriu nganjëherë është i çuditshëm: Të jetosh do të thotë të lindësh, të jetosh, të plakesh, të kesh dhembje, të përjetosh gëzime, të sëmuresh, , pa folur për dhimbje të tjera, mes të cilave ajo që për Budhan është më e rënda : Të ndahesh prej atyre që do!

Lui Aragon është njëri ndër poetët më të shquar francez. Nga ata që quhen vështirë të përsëritshëm. Në fillim, kur ende nuk e kuptoja si duhet, e doja më shumë nga dashuria e tij për Elsa Triole-në.

Ai ka shkruar , mes qindra të tjerave, ” Kur të t’i kem dhënë njëherësh” , si një mesazh njerëzor dhe jetëdhënës për tabllonë e madhe të njerëzve të martirizuar, për gjithçka që sjellin ujërat nëntokësore, dashuritë e panjohura, Udhët e Qumështit, për dritën që lëlundet mbi parketin e kristaleve dhe ….të kaluarën, e cila, duam apo nuk duam, me ato që kemi humbur dhe që nuk mund të kthehen, dhëmbin si gjëja më njerëzore në botë. Por që kanë bukurinë e tyre.

Makthi i historisë është i bukur po aq sa është i habitshëm. Të vendosësh makthin bri të bukurës duket një paradoks i pamatë, por është e vërtetë se kjo ndodh. Është një bukuri, për të cilën, shpesh herë i lutemi Zotit ta rkthejë atë!

Ankthi nga i cili duam të shpëtojmë është nga ato bukuri që është gjithmonë gati t na gllabërojë.

Nganjëherë fuqia e këtij ankthi vjen nga goditja e bukurisë.

Në një varg të tij poeti persian Hafizi ka shkruar: ” po iki, pluhuri im do të jetë ai që jam unë”.

Është bashkuar makthi i ikjes me bukurinë e një vargu që vlen sa një mijë të tjerë, besimi i një jete të devotshme dhe doktrina e rimishërimit, ideja makthiane e largimt, por edhe bukuria e besimit se, ja, unë po iki, ikja është njerëzore, por unë do të rilind , do të jem përsëri, në një tjetër vend, në një shekull tjetër, ndoshta me të njëjtën pamje, duke larguar nga vetja historinë e së shkuarës, si heqim pluhurin e shumë viteve, por, ama, do të rikthehem, ashtu si njerëzit rikthehen tek dashuria dhe e bukura.

Është e habitshme, por ndryshe nga kombe që kanë zgjedhur si Symbol përgjithsisht indidividë që nuk u ngjasojnë fort, shqiptarët kanë zgjedhur një simbol që mendojnë se i ngjajnë atij: meqenëse i kemi të gjitha dyfish, dy brirëshin, dy krerët e shqiponjës, dy nënndarjet e mëdha, edhe simbolin e kemi me dy emra : Gjergj dhe Skenderbe!

Njëri oksidental dhe tjetri oriental!

Ka dy përngjasime nga Borges:

Gjermania, për shembull, ky vend i ashpër dhe i bukur, ku makthi i jetës ka qenë lehtësisht i përcptueshëm, fanatik ndaj gjithçkaje dhe i rregullt deri në pabesueshmëri, më tepër ushtarak në bindje se sa në mendim, zgjodhi si simbol të tij një njeri jashtëzakonisht të kulturuar, tolerant, aspak fanatik, që nuk ishte i dhënë aq shumë pas termit e nocionit atdhe apo komb, që i thurte hyme Napoleonit, pra zgjodhi poetin Gëte. Një komb që e kishte familjen e shenjtë cmendej pas vargjeve poetikë të një 80 vjeçari për një vajzë të re, çka ngjason pak me ditët e fundit të Poradecit!

Spanja, një mori fisesh luftarake që zbritën nga Pirenejtë, besimtarë deri në çmendje, idhtarë të flakëszgjodhën si symbol të tyre Cervantesin, i cili, megjithëse ishte bashkëkohas i Inkuzicionit, makthin e tij e hoqi përmes figurës legjendare të një njeriu që përdalloj çmendurinë e një njeriu fisnik dhe të krisur.

Është i vetmi rast kur krisja, si i themi para çmendjes, është e bukur, e dhimbshme dhe fisnike!

Ne kemi të vështirë të zgjedhim një njeri të tillë , si Gëte, apo si Don Kishoti: në Veri e kemi të vështirë të imponojmë për të gjithë Gjergj Fishtën, pasi edhe ai ishte poeti ndoshta më i linduri për të qenë shqiptar dhe luftarak; ndërsa jugu nuk mund të imponojë Naim Frashërin, edhe nga që largësia nuk e zbuti makthin e poezisë së tij.

Ne duam simbolin ashtu si jemi, gjaknxehtë, besatar, dashuronjës të marrë, që në njerin moment kapardiset dhe në momentin tjetër nuk e di as ai vetë se çfarë është; njeriu që edhe pas vdekjes tmerrohet se ” e ka xanë deka me besë dhanë”, apo që dashuron marrëzisht, ” nga muri do të ngjitem ta di se do të vritem”; ne e duam atë me vrull jetik, asnjëherë shpirti i tij nuk kërkon frone perëndish, gjithësecili do që të jetë ai vetë një i tillë; e pastaj përkulet për një kokërr misër…

Ka vargje poetike që mund të shkruhen e mund të shijohen vetëm në gegnisht. Nuk ka asnjë arsye të veçantë për këtë : ata janë të tilla, sepse janë!

Askush nuk mund t’i përceptojë ndryshe vargjet e Ndre Mjedës, ndoshta liriku më i madh i brezit të tij!

Gegnishtja nuk mund të mënjanohet, sidomos kur ka dhënë vargje të tilla, pa të cilën ata do të kishin qenë të pamundura!

Edhe kjo i takon endrren nga e cila kemi frikë të zgjohemi.

“T gjitha gjërat duan të qëndrojnë në tzë qenurit e tyre”, ka shkruar Spinoza.

Të gjitha duan të kenë të kaluarën e tyre, e cila, edhe pse është e papërsëritshme, pra, nuk rivjen, ata janë ëndrra nga e cila kemi frikë të zgjohemi.

Perënditë dikur ishin tepër njerëzore, luanin, dashuronin, grindeshin, përzinin detrat dhe ngrinin stuhitë, nxirrnin nga fundi i detrave erërat e çemndura, binin në dashuri, grabisnin gra të bukura, pinin verë, lidhnin njëri tjetrin nëpër shkëmbinjtë e kaukazit, krijonin parajsën toksore dhe e prishnin atë, u prinin luftrave, mbanin anë, dhe krijonin ngjarje tragjike që poetët të kshin lëndë për poemat e tyre.

Ëndrra nga e cila kemi frikë të zgjohemi është tek të natyrshmet : muzika, gjendjet dhe përjetimet e lumturisë, mitet dhe shtojzovallet, fytyrat e gdhendura nga koha dhe Harresa si domosdoshmëri, mugullimet dhe vendi i Agimit, duan të thonë diçka përmes tyre, ose diçka që e kishin thën dhe nuk duhej të humbiste, ose, në fund të fundit, janë duke thënë diçka dhe ne duhet të bëjmë dëshifrimin e tyre.

Sot, në mëngjes, isha në pyllin pranë qytetit, ku bora dhe bryma kishin zbardhur gjithçka, era ishte e tejdukshme si gjithnjë dhe u përpoqa rë zbuloja enigmën e pishave dhe ahishtes së lartë.

Nuk munda: ajo që më mungonte ishte koha e vërtetë, si mbarimi i pambërritshëm i një ëndrre të pafund!.

Mos u mundoni të gjeni çka nuk është shkruar.

Kjo është një ese pa cak!

Natën e mirë!

 

Për Shpirtmadhin

I largët është viti kur e kam takuar për herë të parë Qerim Kelmendin. Në shtëpinë e dikurshme të vëllait të tij. Nuk e kam ditur atëbotë se ishte i plagosur dhe, për më tepër, i plagosuri i parë i UÇK-së.

Më shpesh e thërrisnin ” Demë”, ky ishte emri i tij i luftës dhe, vetëm më vonë, mësova se ai ishte njeriu me tri emra, sepse kishte tri zemra! E them pa droje, ai ishte njeriu që kishte zemër për të gjithë dhe në atë pjesë të trupit të tij mund të ishin të gjithë.

Në Lëvizjen Popullore të Kosovës kishte qenë Njeriu që nuk e donte më statukuonë; ai donte ndryshimin, kërkonte të lëviznin gjërat dhe të kishte një shpresë.

Rrallë herë emri i gjetur prej tij në Lëvizje ” Shpirtmadhi” ishte kaq i njësuar me njeriun që e kishte zgjedhur apo ia kishin zgjedhur.

Në fakt, kur e njoha më vonë, shumë më tepër se njohja fillestare, kur miq u bëmë dhe vinte edhe në shtëpinë time në Shkodër, në ndenjat e gjata dhe bisedat e pafund, kam mësuar mbi të gjitha se Njeriu që kishte qenë në themelet e UÇK-së, ashtu si ishte, njeri i shpotitshëm, gazmor e shpirtplot,

që nuk merrej kurrë me anësoret,

që falte edhe kur nuk e falnin,

që linte kokën pas shokëve,

që fjalët i kishte gjithnjë të duhura,

që duke qeshur thonte të vërteta,

që të donte pa hile dhe nuk ti duronte hilet,

që e dinte se ku gabonin shokët, por nuk çirrej,

që i dhembte Kosova dhe nuk ia vinte re se kishte nisur harresa; miku më i afërt i tre herojve të shquar , Zahirit, Ilir Konushevcit dhe Ardian Krasniqit;

i dënuar me 15 vite në mungesë nga gjyqet e Serbisë dhe nuk ia ndjeu kurrë,

i përndjekur nga një skotë udbashe, të cilët shihnin tek ai njeriun e zakonshëm që, pasi kishte bërë histori , ishe kthyer në familjen e tij,

njeriu që kishte çarë borën për vite me rradhë, duke shprishur kufijtë e dhunshëm dhe ndërtuar historinë e re,

që kishte pasur në duar qindra mijra marka e kishte mbetur i varfër, i pabindur ndaj së keqes ,por i shtruar në punët e mira;

i rënë në prita dhe i dalë prej tyre i përgjakur;

që kishte idhull Adem Jasharin e mbi të gjitha donte Shqipërinë;

i papërkulur në thelbësoret dhe që linte anash mëritë;

më i miri, më i dashuri, më i sinqerti dhe më i ndershmi i Kelmendve ( më i ndershmi mes të ndershmëve);

mikpritës dhe i drejtpërdrejtë,

ky ishte Qerimi që kam njohur, që kam ndër mend,

që e kam dashur më shumë se gjithë Kelmendasit e tjerë, megjithëse me të isha njohur përmes Ibrahimit dhe të cilit, Shpirtmadhit, nuk ia prisha kurrë.

E kam pasur dhe e kam për nder që isha mik i tij, që e kisha mik në familje, që e donte Nënën time dhe ajo e donte jashtëzakonisht, tashmë Hero i Kosovës, ishte nga ata njerëz që e merrnin jetën seriozisht dhe vdekjen duke qeshur!

Pushon në mesin e shokëve të tij!

Një jetë e nderprerë brutalisht!

Por një jetë e bukur, fisnike, njerëzore, që nuk do të mund të harrohet!

Pusho në paqe, miku ynë!

______

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

December 29, 2020 13:34
Komento

15 Komente

  1. Shkodra December 29, 13:49

    Rrespekt!

    Reply to this comment
  2. Me ne fund nji Enciklopedi pershkrimesh Poetesh nga Bedriu December 29, 14:52

    Letersia Shqiptare me sy te fixuar ne Kotesin Zhgenjyese brenda nji Arkivoli qe rri hapur .

    Dhe perball tij zoti & shejtani !

    Te parin e kam par gjithmon si nji shplarje truri i trasheguar
    ” Gjenetikishte ” por me shume se nji Iluzion ,
    te dytin e jetoj ne cdo frymarrje Pandemish.

    Pandemi qe dominojne gjithshka ne jeten tone ,ne cdo fushe te jetes ,
    qe kafshon gjithcka qe frymon ne kte jete.
    Thjeshte per ” muhabet ” ,po shkruaj ,sepse e di Pandemia s’i duron dot te tilla grimca oxigjeni , as ne form komentesh madje ,hah c’bote , paShpirt , paZot .
    Fshihuniiiii ))))
    se ju kafshon Pandemia ,ju bien spaletat ,maskat ,pantallonat ,
    ju bie burreria , le te sundoj kudo Pandemia . E kam fjalen per minjt qe fshihen pas monitorit ,ata qe shiten posht e perpjet tipa qe levrojne Letersi dhe asnji s’guxon ,te afroje ktu nji bashkbisedim ,nji mendim ,nji kritik ,nji Koment .
    Kane frike se i bie maska e letrarit para Bedriut ?
    Jo thua ?

    Perse bejne jete tinzari pastaj ,e fshihes si hipokrite ?
    i ka ber Pandemia memec ?
    i ka kafshuar trut ?
    C’eshte ky stil jete i fjetur , ku askund nuk ndihet jet ,
    si nji shoqeri e shperbere nga cdo ndjesi ,
    lindur e vdekur !

    Gjithe Bota gumezhin edhe pse pran kan Pandemine ,
    ne vendin tim asgje s’Frymon ,
    asgje s’jeton ,

    degjohen veten zera te mbytura Fantazmash tek -tuk ,
    dhe Arkivoli rri akoma hapur

    me shikimin e shashtisur ne iluzionin se dikur ka jetuar
    ze ngjirur thot ;
    O Zot iluzionar ,
    Shejtani jeton .

    Te besosh ne iluzion …

    Reply to this comment
  3. KOKEPALARI December 29, 15:47

    hera e pare qe BEDRIU NUK BEN POLITIKE ????????????
    mos osht pa qejf ???

    Reply to this comment
    • ! December 29, 21:12

      edhe ktu e ndiqni Bedriun ju bijt e bushtres Januljatos !

      Ptuuuuu fare e jevgjitesh .

      U djegshi te gjalle o bijt e Shejtanit .

      Reply to this comment
  4. Bota digjet... December 29, 19:26

    Nga i psonise gjithe keto relike o Bedri? Ke bodrumet e komitetit qendror? Ah i mjeri ti.

    Reply to this comment
  5. Lili December 29, 23:44

    Bedri zeza ma ne fund shikonpasqyren edhe sheh kotsiren e jetes se tij si servkl deri ne diten e fundit! Ngushllon vetin !
    Hajt nuk eshte vone kur per me u larguar nga gezimi qe dreqi te jep!
    Po duhet me pranuar me jetuar si i padobishme

    Reply to this comment
  6. Bungee Jumping ... December 30, 11:21

    Un e di, qe jo te gjithe njerezit jane Admirues te Artit
    te fjlales ,
    Letresise etj ,
    por qe te arrish deri ktu,e sulmosh e fyesh ,dike si
    Bedriu ktu ,
    sepse shpalos pasionin e tij mbi Letersine ,Poezine
    duke afruar nji atmosfere ndryshe ,
    Kulture ktu ke Dita,
    dhe ndeshet me reaksione te tilla Talibanesh , eshte
    katastrofale per njeriun !
    Mesiguri qe kemi te bejme me njerez te prekur ne tru ,
    nga Pandemia ,
    sepse nji sulm i tille kunder nji personi qe levron Letersi,
    qe afron nji teme te larmishme diskutimi , Art -i ,
    duke tentuar te thyej sadopak monotonine e ksaj jete te
    mbyllur ne inkubator , nen shtres e depresion ,

    eshte skandaloze , eshte joNjerezore me duket mua.

    Rrespekt Bedri ,
    ( un do ne vendin tat ,do guxoja ti pergjigjesha cdo
    Talibani duke rrezikuar cdo imazh personal )

    Reply to this comment
  7. Lili December 30, 17:22

    Bungee, sikur bedrija mos te na kishte helmuar me gjithe ato shkrime ditore per politike, do t’ia kishim pranuar ma lehtesisht kallimin ne komentet filoartistike! Po nukmbulohet muti me shurr, edhe keta analista kane kontrobuar shume ne mutin ku jemi si shoqeri, qofte vetem pse nuk jane marr ma shpesh me kultur e edukim po vetem me helmpolitike!

    Reply to this comment
    • Bungee December 30, 20:57

      Lili ,

      mua nuk me duket aspak e arsyeshme ,nji llogjike e tille .
      Bedriu ka bere natyrishte shume shkrime Politike ,

      dhe per kte ne e kemi kritikuar ,
      por kjo nuk do te thote se gjithcka do shkruaj ne vazhdim
      Bedriu duhet te ” Denohet ” /mosrrespektohet edhe kur afron ktu Tema qe kan te bejne me Literature ?
      Jo !
      Nuk funksionon nji llogjike e tille .
      Njeriu duhet vleresuar nga e kaluara ,por e tashmja .
      Pastaj eshte absurde qe te kerkon nga X-person ose Bedriu ne mediat Shqiptare ,qe dijme te gjithe se si funksionojne dhe te gjithe si Bedriu influencohen nga Politika e Redaktorit e Pronarit te medies .

      Nuk mendoj se Bedriu tenton ate qe shkruani ju ,ne ate gjuhe banale , te laj te kaluaren ktu , aspak .
      Bedriu e ka pasion Letersine nqs ju nuk e kemi kuptuar akoma.
      Sidoqofte le te jemi me atdhetare ,me te bashkuar per
      te miren tone .
      Te fokusohemi ke ato ,qe na bashkojne si shqiptare ,jo ato
      interesa te vogla qe na ndajne . Klm

      Reply to this comment
  8. mali December 31, 23:08

    Gezuar Vitin e Ri 2021!Shendet dhe dashuri!Falenderoj gazeten”Dita”qe hapi nje faqe te re ,te ketij lloji .Gjithashtu falenderoj dhe Bedri Islamin qe hedh nje fare per te mbire ne kete gazete.Ne komente duam edhe emra te inteligjences shkencore te japin mendimet e tyre ,pa u turperuar qe mund te rradhiten me popullin e thjeshte qe i thone gjerat sipas menyres se tyre.Ne kete menyre na mesojne ne si behet nje koment pa ofenduar.Ne komente duhen mendime ,jo fjale boshe.

    Reply to this comment
  9. k January 1, 12:15

    Përse e shikoni Bodlerin me gjyslyke shqiptare ?
    Ato deformojnë gjithshka të thellë dhe intelektuale duke humbur forcën e kllapisë ekzistenciale
    të Shopenhaurerit dhe Niçes që janë përkufizuesit filozofikë të dëshpërimit të Bodlerit.

    Reply to this comment
  10. Paul Tedeschini January 2, 11:49

    Shoku Bedri Islami,
    Pse nuk na shkrun nji here per fundin e babes tand Zenel Islamin, atij që quhet “Luli i Vocërr” prej nga u frymëzua Migjeni për kryeveprën?
    Si perfundoi baba jot dhe pse “vrau vehten”?

    Reply to this comment
  11. mali January 2, 14:36

    Paul Tedeschini!Ne se ke idera rreth shkrimit ,beji .Keto duam ne.Shkrimi yt nuk eshte koment,por shkelje e privatesise se personit,qe Bedriu(une nuk e njoh personalisht)ne se eshte burre te te coje ty ne gjyq .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim