Kirurgu lë operacionin: Ma lini pacientin hapur, kthehem nesër se jam telef

September 21, 2016 22:27

Kirurgu lë operacionin: Ma lini pacientin hapur, kthehem nesër se jam telef

 

I djersitur dhe me sy të turbullt, disa momente pasi arriti me sukses të ndalojë së punuari zemrën e pacientit të vet në orën 10.30 të mbrëmjes, kirurgu Biçak Bisturia vendosi se ishte më mirë që ta përfundonte operacionin të nesërmen herët në mëngjes.

Ngjarja e ndodhur para dy ditësh në QSUT ka ngjallur admirimin e kolegëve, eprorëve dhe vartësve të kirurgut Bisturia, për guximin e tij intelektual dhe sigurinë në vendimmarrje të tilla delikate.

Gojët e Liga mësojnë se gjithçka nisi pas një odiseje të gjatë për të siguruar sallën e lirë të operacionit dhe mjetet e nevojshme të punës.

E vërteta është se pacienti Pandi Siti do kishte hyrë më herët në sallë, por ikja dy-tri herë e dritave bëri që stafi mjekësor të sigurohej më parë me energji alternative, para se niste punën.

Doktor Biçaku i dha një bidon 5 litërsh një farefisi të pacientit dhe i tha:

“Dëgjo, shko te Sofua, thuaji më dërgoi Biçua, e di vetë ai. Dhe mbushe me naftë për gjeneratorin. Me naftë të mirë, thuaj!”

Në vijim, u morën të gjitha masat që salla e operacionit të kishte ngrohtësi, doreza plastike, dizinfektantë dhe oksigjen. Por çastin e fundit, anestezistja Klora Formi u kujtua që nuk kishte asnjë rezervë anestetikësh.

“Po hidhem një vrap në Sauk, doktor, te një miku im veteriner. Për gjysmë ore erdha!”, tha ajo me kurajo profesionale.  

Më në fund, gjithçka u bë gati dhe operacioni nisi. Por lodhja nisi shpejt të mbizotëronte në organizmin e njomë të dr.Bisturisë.

“Nuk mund të vazhdoj. Jemi mjekë, kemi në dorë jetë njerëzish dhe duhet të jemi të kujdesshëm”, tha kirurgu i talentuar. Dhe vijoi:

“Dëgjoni si do bëjmë. I lëmë gjërat kështu siç janë. Unë po iki. Do çohem herët se tani më duken të gjitha organet njësoj, jam bërë telef”.

Doktor Bisturia u shpreh i bindur se bajpasi i katërfishtë i pacientit do të kishte më shumë shanse për sukses kur ai të ishte shplodhur. Ai u tha infermiereve të mos preknin gjë sa të vinte ai, ndryshe i piu e zeza.

“Sa të marr një sy gjumë se kam gjithë ditën në këmbë, dhe erdha”, deklaroi kirurgu.

 

 

***

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike antianestezike

September 21, 2016 22:27
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*