Bën gafë në formacion, Bylisi rrezikon humbjen

Gazeta "Dita" February 25, 2013 00:38

Bën gafë në formacion, Bylisi rrezikon humbjen

Ballshiotët barazojnë 2-2 me Skënderbeun, por aktivizojnë një të huaj më tepër nga numri i lejuar

Dritan Ikonomi

Bylisi i Ballshit është bërë përsëri protagonist i kampionatit, këtë herë me bëma brenda dhe jashtë fushës, pas hapjes së portës javën e kaluar në Vlorë. Dje ballshiotët kanë barazuar 2-2 në fushën e Skënderbeut, por rrezikojnë ta humbasin në tavolinë ndeshjen, për shkak se kanë aktivizuar gjashtë lojtarë të huaj njëkohësisht në fushë, nga pesë që lejon rregullorja. Nuk mund të thuhet me siguri nëse veprimi ka qenë i qëllimshëm apo jo, por është një gafë tepër e rëndë dhe e papranueshme për një klub të Kategorisë Superiore, që pak gjasa ka të mos dijë rregulloren dhe të bëjë një gabim të tillë në javën e 18-të të kampionatit, por jo më parë. Nëse Disiplina do t’i japë pikët në tavolinë, do të jetë hera e dytë që Skënderbeu përfiton nga raste të ngjashme, me gabime të kundërshtarit në ndërtimin e formacionit. Në sezonin 2009-2010, Skënderbeu u mund në Shkodër nga Vllaznia, por fitoi në tavolinë, për shkak se shkodranët aktivizuan një lojtar që nuk ishte në protokollin e ndeshjes. Kjo gjë u bë për t’u hedhur hi syve tifozëve kluqeblu, të cilët nuk dëshironin që Vllaznia të ndiqte shembullin e skuadrave të tjera, të cilat i dhuruan fitore Skënderbeut që rrezikonte të binte nga kategoria.

Ndërkohë, në fushën e lojës, Bylisi kaloi i pari në epërsi, me anë të nigerianit Izuçuku, në minutën e dhjetë. Pero Pejiç barazoi me një goditje të lirë tetë minuta më pas. Në pjesën e dytë, Bicaj kaloi kampionët në epërsi, por ishte përsëri Izuçuku që shënoi dhe barazoi rezultatin nëntë minuta nga fundi. Me renditjen e bazuar në rezultatin e djeshëm, Skënderbeu ka përsëri shtatë pikë më tepër se Teuta, që gjithashtu barazoi, 1-1 me Tiranën në “Qemal Stafa”. Në vendin e tretë është Flamurtari, me nëntë pikë më pak se kampionët. Diferenca nga vendi i dytë është mjaft e madhe, megjithatë u krijuan shpresa se diçka mund të ndodhte, deri në momentin që u mësua se gjithçka ishte “lojë”.

Gazeta "Dita" February 25, 2013 00:38
Komento

2 Komente

  1. Niko Rapo February 25, 04:25

    Pse nuk e njeh rregulloren trainieri i Bylisit.

    Reply to this comment
  2. anonim February 25, 16:30

    Loja e Bensik Kapllanaj. Rezultati i paracaktuar dhe ju fitoni per gabim teknik. Kapllanaj dhe Pashk Lasku jane dy nga mjeshtrat me te medhenj te llotos. Ne fazen e pare Laci qe humbte 0-1 ne Korce hapi porten 5 minutat e fundit ne menyre te turpshme dhe la 2 gola qe shkoi 3-0 identik si rasti Flamurtari. Me pas Lasku ju tha lojtareve se ai e dha urdherin per hapjen e porte se ata nuk po shenonin dot dhe ishte luajtue +3 me gola. Simbas Laskut ato 15 mije euro qe ai kishte fituar do ti harxhinte per rrogat e ekipit.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*