Berisha, ‘çimka’ në ditëlindje, flet për “komplot e puç”. Mero Baze: Ka më keq se “puçi”. Do kesh një fund të tmerrshëm

Kryeartikulli DITA December 11, 2012 11:32

Berisha, ‘çimka’ në ditëlindje, flet për “komplot e puç”. Mero Baze: Ka më keq se “puçi”. Do kesh një fund të tmerrshëm

Deklarimin e mëposhtëm Sali Berisha e ka bërë dje në mbledhjen e grupit të deputetëve të tij. Me stilin e njohur të “më thanë” “i thashë”, kryeministri 68 vjeçar i Shqipërisë ka folur për një “komploti apo puçi, që, natyrisht, nuk ishte ndaj kurrkujt tjetër, përveçse ndaj Sali Berishës”. Berisha që me sa duket spiunon gjithë takimet apo ditëlindjet e rivalëve politikë, nuk përmend emra, por fjala është për ditëlindjen e Prec Zogajt. Kurse “gazetari” që përmend aty është Ylli Rakipi, ish-botues i gazetës Albania që nuk del më në treg. Tha Berisha ndër të tjera:

“…Më duhet t’ju rrëfej një “darkë të gabuar”, jo si ajo e Kadaresë, por në disa nuanca shumë e gabuar, që ka ndodhur 5 ditë më parë, tek Rozafa, te kazinoja. Aty, në dukje po festohej ditëlindja e njërit prej ish-bashkëpunëtorëve të mi. Në thelb, jo me një, por me disa dëshmitarë, kjo darkë ishte një lloj përpjekjeje për një gjysmë komploti apo puçi, që, natyrisht, nuk ishte ndaj kurrkujt tjetër, përveçse ndaj Sali Berishës. Së pari filloi me tezat se Enver Hoxha bëri shtet. Ndërkohë një ish mik i imi, një gazetar i një gazete që nuk botohet më, i thotë: Spartak, po çfarë shteti bëri Enveri, sepse ai të futi në burg ty dhe prindërit e tu. Spartaku ia kthen: Në burg më futi, por më futi me ligje. Të pranishmit i kthehen Edi Ramës dhe i thonë: Kemi ardhur këtu për të bërë enverizëm, apo si të ftuar? Dhe ai u thotë se shtetin, Enveri e kishte serioz.  Muhabeti u prish komplet, kur gazetari që përmenda më lart, të cilit nuk po ia përmend emrin se nuk dihet si e marrin, i thotë: Kur unë kisha muhabet me Berishën, i kisha thënë në mënyrë të përsëritur që tre vetë nuk të duhen. Avokat Ngjela kthehet dhe e pyet kush ishin ata të tre. Dhe gazetari vazhdon: I pari Spartak Ngjela, i dyti Mero Baze, i treti Bamir Topi. Kjo gjë e xhindosi avokatin. Si përfundim, ajo çka në paraqitje ishte një ditëlindje, u shndërrua e tëra në një darkë të gabuar, jo me Gurametër, por me guralecë. Megjithatë, rëndësi ka një përpjekje e shpërfytyruar për të mbrojtur Enver Hoxhën. “Enveri bëri institucione serioze”, –  thotë Rexhep Qosja. Ju duhet ta dini se, kur shkuan kosovarët në Vuthaj, vuthjanët dërguan çelësat e shtëpive që nga Nju Jorku, por vetëm dy shtëpi nuk u hapën kurrë, njëra prej të cilave ishte ajo e “profesorit” të Shpëtim Gjikës. Ajo nuk u hap ndonjëherë. Kjo, atij iu shpërblye në kulmin e festimeve të Vlorës, vetëm sepse deklaroi se “Enveri bëri shtet serioz”. Por Enveri bëri diktaturën më çnjerëzore që Europa ka pasur. Kurrë ndonjëherë, ndonjë popull nuk ka vuajtur nga ndonjë diktator, sa shqiptarët nën diktaturën hoxhiste. Pra, atë që ekspozoi profesori i tyre enverist e zhvilluan më tej në “darkën gjysmë të gabuar”… Të gjitha këto i thashë sepse ka një ofendim në këtë drejtim. Edi Rama do të kishte bërë mirë t’u kishte kërkuar të falur shqiptarëve, në këtë 100 vjetor, për të gjitha barbaritë, mizoritë që kreu ndaj shqiptarëve diktatori stalinist dhe bllokmenët e tij hoxhistë. Duhet ta bënte këtë gjë, të paraqiste një lloj ndjese. Nuk them ndjesë për veten, sepse ai vetë nuk ka qenë direkt i përfshirë. Megjithëse më duhet t’u them edhe një gjë. Kur unë e kërkova Ramën dikur, për t’u bërë deputet, ai nuk erdhi dhe ktheu përgjigje për jo. Por zgjedhja ishte e tij. Në fakt, ata që ishin në “darkën gjysmë të gabuar” i shtruan pyetjen se si kishte mundësi që edhe ai të ketë nostalgji për Enver Hoxhën. Por ai u tha se Enveri bëri shtet serioz. Pra, diktatura, sipas tyre, ishte diçka serioze, kur realisht diktatura ishte diçka makabre. Por unë uroj që dikush tjetër, që ka qenë tek kjo darkë së fundi, ta përshkruajë atë si “darka gjysmë e gabuar”, për të nxjerrë të gjitha të vërtetat e saj, të cilat ishin të vërteta shumë të hidhura…

************
Përgjigja e Mero Bazes: Ka më keq se “puçi”… Do kesh një fund më të tmerrshëm seç e përfytyron”

“Besoj të kujtohet kur të kam gjetur në zyrë me 2 të natës, me dritë të fikur nga frika, me gruan që nuk e dije ku e kishe dhe me Genc Pollon në paradhomë që tallej me frikën tënde. Besoj e mban mend kur më ke ngelur në dorë më 1 të natës dhe m’u desh të thërrisja tët bir të të jepte “ilaçin” që të mban Liria në sirtar për t’u ngjallur…”

Nga Mero Baze

M’u kujtua një fjalim i Enver Hoxhës në vitin 1982, ndërsa shpalli Mehmet Shehun poliagjent dhe bëri një tablo sinoptike për rreziqet që i kanoseshin socializmit në Shqipëri. Të gjithë mbajnë mend fjalinë e tij të famshme se “ata, puçistët, donin të eliminonin Sekretarin e Parë, d.m.th mua…” (Të të marrin të keqen shoku Enver, dëgjohet një zë nga salla)… duartrokitje dhe plenumi vazhdon.
Është e njëjta sallë në ndërtesën e Komitetit Qendror të PPSh, ku bën mbledhjet e Grupit Parlamentar Partia Demokratike. Në vend të Enver Hoxhës së frikësuar dhe lodhur nga eliminimet brenda llojit, flet Sali Berisha. Ajo figurantja nga salla, që thotë “të të marrin të keqen…”, është Mesila, pasi atë ka zgjedhur Berisha për të komunikuar në makthet e tij. 30 vjet më vonë, në të njëjtën sallë, Shqipëria ka fatin e keq të ketë në krye të vendit një të sëmurë mendor, që rron me makthet e puçeve dhe tradhtive. Nuk besoj se e kishte aq shumë me Bamir Topin, Spartak Ngjelën dhe mua, se sa me ata që kishte përpara, atë tufë të padenjë delesh, të cilëve ishte duke u thënë të mos u shkonte në mendje ta tradhtonin.

21 janari
Por pavarësisht kësaj, meqë po ma përmend për herë të dytë emrin në skemat e puçeve që i dalin në ëndërr, dua ta qetësoj për makthet e puçit dhe ta paralajmëroj se ka dhe më keq se puçi…
Ma përmende për herë të parë emrin më 21 Janar. Isha përballë dritares tënde së bashku me disa kolegë gazetarë, por jo me të gjithë ata që ti quajte puçistë. Ishim në punën tonë dhe as na shkonte mendja se tek dritarja përballë ku ti shfryje dhe ulërije të qëllonin në katin e katërt të lokalit të Fidelit se aty ishte ‘shtabi’. Aty nuk kish asnjë deputet socialist. Edi Rama as që e kaloi Urën e Lanës dhe socialistët e tjerë ishin në bulevard. Unë isha aty, si gazetar i thjeshtë, biles si reporter. Rrotull meje veç disa kolegëve të mi të njohur, kishte reporterë të rinj, që as emrat nuk ua di, të cilëve mund t’u kishe rrezikuar jetën nga urrejtja për mua. Dështove të na trembje, dhe me keq akoma dështove të gënjeje mbi masakrën që ne pamë me sytë tanë. Kamera e kolegut tonë, që ishte krah meje, Artan Hoxhës, arriti të filmojë plumbat e banditëve të tu mbi qytetarët e pafajshëm. Vrave në sytë e mi Aleks Nikën, Ziver Viezin, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedën, nga makthi se tek dritarja përballë teje po bëhej një puç. Le tetë fëmijë jetimë, afërsisht sa nipa e mbesa ke vetë, me gjithë ato që të kanë sjellë me vete.

Fundi për ty do të jetë më keq
Meqë e paske me mua, po të them që ata tetë fëmijë, që le jetimë nga frika e karriges, kanë për të qenë ferri i nipave dhe mbesave të tua, nëse në këtë vend nuk vendoset drejtësia. Unë do të jem në anën e tyre derisa gjaku i prindërve të tyre të lahet me drejtësi. Ti burracak që vret pas dritaresh të blinduara do të kesh një fund më të tmerrshëm seç e përfytyron. Ti mendon se fundi i botës është “puçi”. Jo, fundi për ty do të jetë më keq. Ti do të shikosh me sytë e tu ç’është drejtësia dhe do të tmerrohesh nga ballafaqimi me krimet e tua. Ty nuk të vrasim, as të përmbysim. Ty do të mundim dhe do të dënojmë. Në mos mjaftoftë për këtë një mandat apo dy, do të mjaftojë jeta e brezit im. Në mos mjaftoftë ajo, do të mjaftojë mosha e fëmijëve të Ziverit, vajzave të Aleksit, djalit të Faikut dhe fëmijëve të Hekuranit, që s’do të të lënë të qetë ty dhe pasardhësit e tu, përfshi këtu Lulëzim Bashën. Ke për ta parë me sy këtë tmerr. Puçi nuk është asgjë.

Nuk kam punë me të, por me tët bir
Përpara se të më klasifikoje si puçist më 21 Janar, nuk le gjë pa bërë. Bodigardi yt, shoferi i gruas dhe tët biri, qëndroi për dy ditë rresht para shtëpisë sime deri në mesnatën që makina ime u dogj në sytë e fëmijëve të mi. Ja thashë zëvendësministrit tënd atë emër, ndërsa një ditë më parë ia kisha dhënë dhe prokurorisë. Është i njëjti emër që u shfaq në shtëpinë e Hekuran Dedës për të blerë gjakun me lek.
Nuk kam punë me të, por me tët bir. Tronditjen e tim biri, që pa me sy si ia digjnin makinën për të hakmarrë ndaj babit, nuk ia fal sa të jem gjallë. Por dhe më tej ka të tjerë që nuk ia falin. Ai fantazmë gjobëvënës, që shëtit me çantë në dorë derë më derë, do të provojë atë që kanë provuar viktimat e tij për shkak të pushtetit të babait të tij. Një javë më pas nuk u mjaftove me kaq, por rrethove me policë kundër vendimit të gjykatës shtypshkronjën dhe redaksinë e gazetës me arsyetimin se të duhej objekti. Kanë kaluar katër vjet dhe aty mban të bllokuar gjithë investimet tashmë të shkatërruara. Nuk të duhet për asgjë ai objekt pasi është prapë bosh dhe sot e kësaj dite. Nuk të duhej gazeta Tema dhe unë aty. Ke shkaktuar një dëm qindra mijëra euro, por gazetën nuk e ke mbyllur dot dhe as mua nuk më zhduk dot nga pasqyra e shtypit. Për fatin tënd të keq dhe Familjes tende, ajo është sot gazeta më e lexuar e hapësirës shqiptare në gjithë botën. Gruaja jote merr vet pronarët e televizioneve të mos lexojnë gazetën Tema çdo mëngjes dhe është bërë objekt barsoletash, pasi gjithë pronarët i binden frikës së saj, por nga ana tjetër më tregojnë dhe panikun e saj nga gazeta dhe kjo më mjafton. Nuk ta fal as financiarisht, as politikisht dhe as moralisht atë sulm të ndyrë familjar.

Më ke bërë gjëra dhe më perverse
Më pas ke bërë gjëra dhe më perverse. U ke çuar prindërve të mi fadromat para shtëpisë së tyre, një shtëpi e ndërtuar me leje në truallin e tyre. Ke prishur nga themelet shtëpinë e motrës sime, një shtëpi e ndërtuar me të njëjtin standard leje si komshinjtë e saj, të cilëve nuk ua ke prishur. Ke hequr nga puna çdokënd që është dhe nuk është miku im, mjafton që dikush ta ketë lidhur me mua. Ti sot flet për Enver Hoxhën, por unë nuk di që Enver Hoxha t’i ketë bërë më shumë se kaq  ndokujt që e ka konsideruar armik. I internonte apo hiqte nga puna, por fadromat nuk ua çonte tek shtëpia. Ti i ke bërë të gjitha këto dhe tani je shumë i çuditur që me ke sërish përballë. Je thjesht një plak i mjerë dhe i çmendur për fatkeqësinë e këtij vendi, që do të kesh një fund të keq. Do kujdesem personalisht mos të të gjejë gjë, as të të vrasin apo të heqin qafe, por të rrosh e të shikosh si duhet bërë shteti ligjor dhe drejtësia në këtë vend. Të përballesh me krimet e tua, me të varët e tu dhe me makthet e tua.

Siç e shikon, varret po shtohen
Nuk le gjë pa shpikur për të justifikuar armiqësinë tënde dhe sulme e tua të ndyra. Por nuk të ngjit asgjë. Nuk të ngjit pasi ti e di të vërtetën çfarë tërboi Familjen tënd edhe ty. Edhe pse qysh nga viti 2005 marrëdhëniet tona ishin të ngrira, tërbimin tuaj ndaj meje e zgjoi biznesi i djalit tuaj ne Gërdec. Është e thjeshtë se ta kam thënë në sy dhe po ta them publikisht: Yt bir hyri kokë e këmbë në biznesin vdekjeprurës të Gërdecit dhe angazhoi aty rrethin e tij kriminal. Ministrat e tu më ankoheshin mua të të thosha ty nëse di gjë Doktori që Shkëlzeni po merret me armë në Gërdec. E di që i ke problem dëshmitarët dhe përpiqesh t’i nisesh për gjah,  por unë jam dëshmitar që yt bir ishte pronari real i asaj ndërmarrje vdekjeprurëse. Punësoi aty burrin e tezes së tij, baxhanakun tënd, që unë e kisha komshi në një pallat, punësoi aty njerëzit e rrethit të tij shoqëror, atë rreth banal që ka ai dhe pastaj i hipi qejfi dhe mori nën kontroll dhe biznesin e dytë, atë të paketimit të armëve kineze drejt Afganistanit. Ti sot je në pushtet me dhunë dhe arrite t’i mbyllësh çështjet një nga një si 26 varret e viktimave. Por siç e shikon, varret po shtohen dhe ato nuk mund të jenë gjithmonë nga e njëjta anë. Kije mirë parasysh këtë meqë bën sikur beson në Zot ti dhe yt bir.

Të kam gjetur në 2 të natës, me dritë të fikur nga frika
Po ta bëj këtë retrospektivë për të treguar se makthi yt i vazhdueshëm i puçit prej meje, Bamir Topit, Spartak Ngjelës apo kujtdo tjetër, nuk ka të bëjë me ne, por me modelin tënd për partnerët dhe bashkëpunëtorët. Ne e pranojmë se kemi qenë bashkëpunëtorë dinjitozë me ty. Meqë na i përmende të treve emrat, të tre nuk i kemi ngjarë në raportet me ty as njëri- tjetrit dhe asnjërit preje deleve që ke aty në vathë. Unë kam qenë gazetar që kam mbështetur opozitën dhe të kam ndihmuar të dalësh nga bataku ku fute vendin dhe veten pas vitit 1997.
Besoj të kujtohet kur të kam gjetur në zyrë me 2 të natës, me dritë të fikur nga frika, me gruan që nuk e dije ku e kishe, me fëmijët që të ishin arratisur në Itali dhe me Genc Pollon në paradhomë që tallej me frikën tënde. Besoj e mban mend kur më ke ngelur në dorë më 1 të natës, natën që Edi Rama u bë për herë të parë kryetar bashkie në Tiranë dhe m’u desh të thërrisja tët bir të të jepte “ilaçin” që të mban Liria në sirtar për t’u ngjallur. Nëse nuk të kujtohen të gjitha, mund të t’i kujtoj dhe nuk jam aspak i penduar, që kam ndihmuar të ringrihet në këmbë një opozitë, e cila në atë rrugë që ish nisur mund të dëmtonte të ardhmen e vendit pasi mund të rivendoste një monizëm të ri të ish- komunistëve të ringjallur. Shqipëria u balancua falë ngritjes së opozitës, e cila i mbijetoi jo vetëm pushtetit, por dhe veglave të fëlliqura të tij si Genc Pollo, Genc Ruli, Arben Imami, dhe një shoqërie civile agresive kundër saj, në krye të së cilës shquheshin Mesilërat, Aldorat, Bogdanërat dhe gjithë konsomolasit e rinj, që atëherë Edi Rama i përdorte për t’u argëtuar kundër teje. Nuk kam asnjë pendesë pse të kam ndihmuar të mbijetosh në opozitë, pasi i kam shërbyer bindjes sime se në këtë vend pa kulture opozitare, duhet të triumfojë demokracia dhe jo hegjemonia e një partie. Të njëjtën gjë jam i lumtur që po e bëj përsëri. Kam pasur shumë zgjedhje përveç kësaj. Ashtu si Fahri Balliu mund të isha bërë ortak me tët bir në Gërdec dhe pastaj ti me Jozefinën do thoshit që Tema është gazetë që mbron interesin kombëtar, (nënkupto Familjen), por për fat s’e kam bërë. Mund të heshtja dhe të mos pajtohesha me pushtetin tënd dhe të shikoja punët e mia. Mund të përfundoja dhe me keq, sahanlëpirës si Frangaj apo Fevziu, që më zgjonin që më 7 çdo ditë në vitin 2005 për t’u takuar me ty meqë erdhe në pushtet, por i kam ikur me vetëdije atij fati. Zgjodha të qëndroj përballë si zgjedhje personale. Dhe ty të shqetëson pikërisht kjo gjë.

Të gjallë nuk më mund dot
Ti mund të pajtohesh dhe të armiqësohesh me Edi Ramën se jeni në politikë. Nuk kam punë me betejën tuaj. Unë kam betejën time me ty dhe të siguroj që të gjallë nuk më mund dot. Vdekja është diçka që nuk e llogaris se nuk më hyn në punë. Të njëjtin makth ke dhe për Bamir Topin dhe Spartak Ngjelën. Me makthin e njerëzve që kanë betejën e tyre personale me ty. Të shqetëson shumë aleanca e mundshme e këtyre betejave me opozitën. Qetësohu. Nuk jetojmë për të marrë hak ndaj teje. Jetojmë jetën tonë. Nuk merremi gjithë ditën me ty. Kemi pjesën tjetër të jetës të mbushur me plot pasione dhe ndodhi.
Fiksimi jot si njeri i çmendur pas idesë që ne merremi me ty gjithë ditën, është thjesht një shenjë se je çmendur dhe duhet të vizitohesh për tu shëruar. Ne nuk të vrasim. Ne nuk të rrëzojmë. Nuk të përmbysim. Nuk jemi si ty. Do të mundim dhe të do të dënojmë. Kësaj nuk i shpëton dot. Qetësohu!

 

Kryeartikulli DITA December 11, 2012 11:32
Komento

1 Koment

  1. Gjin Musa December 12, 07:57

    Sali Berisha eshte nji Gadaf i Shqiperis.
    Populli Shqiptare ose ne nji fare mase e ka humbure logjiken ,ose bane sikure nuke degjon dhe nuke shefe.
    Sali Berisha dhe mafja rrethe tije duhen eleminuare sa ma shpejte.
    Ky komuniste dhe njeri i pa moral dhei pa personalitet rrene dhe mashtron popullin,mashtron nderkombetaret,ka vjedhure e shitur Shqiperin,ka vjedhure dhe vrare Shqiptaret,atentatore,eleminues i kundershtareve,puciste e nji cope mishi e qelbure qe po qelbe Shqiperin.
    Populli duhet ta djegi ne nji revolucion qe eshte i domosdoshem ne Shqiperi per te shuare nji here e pergjithmon kete klase politike te drejtuare nga S.Berisha.
    Ky duhet te paguaje te gjitha ato qe kane ndodhure ne Shqiperi qe nga 96-ta e deri me sote.Gadafi u vra ne tubat e haleve,ky kriminel duhet djegure ne qender te Tiranes aty ku ishte permendorja e diktatorit Enver,aty duhet te shkrihet diktatori mai eger i te gjitha koherave ne Shqiperi.Nji “politikan”qe na shkaterroje te gjithe jeten Shqiptare,mjerimi dhe vdekja jane plage e dites,nji ore shi permbyten fushat,ato qe Partia e Punes i nga mocale i ketheje ne toka pjedhore,Saliu poi kethen ne mocale dhe vende malarje.Keshtu do integrohemi ne Europ o Sali Mashtruesi………fundi jote po troket,drejtesia Shqiptare duhet te vendose ne qelit e burgut si nji kriminel dhe tradhtare t interesave kombetare.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*