Berisha e bëri një gjest që duhej ta kishte bërë me kohë

June 27, 2013 11:59

Berisha e bëri një gjest që duhej ta kishte bërë me kohë

Pranimi i humbjes dhe dorëheqja e djeshme e Berishës nga të gjitha funksionet në partinë e tij, u prit mbrëmë me një entuziazëm të dukshëm nga të gjithë ata që në 23 qershor votuan masivisht kundër tij. Nuk po flas vetëm për kundërshtarët e tij të njohur politikë, por për të gjithë shqiptarët që ai u ka sjellë aq shumë dhimbje dhe zhgënjime për 22 vjet me radhë. Ata me votën e tyre i dhanë përgjigjen e merituar Berishës, si një tirani dhe diktatori, që u kish ndrydhur lirinë dhe i kishte mashtruar si askush. Sepse, i tillë, si tiran dhe diktator ai ishte etiketuar sa e sa herë edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Duket e tepërt të përmenden këtu 97-a, 98-a, Gërdeci, 21 janari…

Dje, me shumë vonesë, Berisha e bëri një gjest që duhej ta kishte bërë me kohë, që ditën e parë, qysh në momentin kur mori vesh se anija e tij ishte mbytur. Sidoqoftë, me hir a me pahir, e pranoi. Uroi edhe kundërshtarin. Në fjalimin e lamtumirës ai i mori mbi vete të gjitha kusuret e disfatës, duke i mallëngjyer aq shumë ata që i shërbyen verbërisht për vite e vite me radhë, duke na kujtuar funeralin e Enver Hoxhës. I pamë të gjithë në ekran dhe ata  dhe ato ishin si në mort. E përcollën me lot idhullin e tyre, sikur ai të kishte ikur nga kjo botë. Në të vërtetë ai nuk ka ikur, ai pas 23 qershorit është thjesht një kufomë politike. Ai vetëm sa dha dorëheqjen nga funksionet, por do të jetë aty, në parti, do ta kemi në parlament si deputet. Ai prapë do të jetë udhëheqësi de fakto i partisë, frymëzuesi dhe kryetari që do t’i ndërsejë turmat, pavarësisht se kush do të jetë pasardhësi i tij në krye të selisë blu. Ai do të jetë aty në parti dhe do ta zgjedhë lidershipin pasardhës sipas oreksit të tij dhe sipas modelit të vetëm të tipit të Kim Ir Senit që ai di dhe që ka zbatuar prej themelimit të asaj partie. Ai kurrsesi nuk mund ta lerë partinë e tij të shtrenjtë, ai do të udhëheqë fushatën për zgjedhjen e pasardhësit dhe pasardhësve, që ndryshe do të thotë se do t’i zgjedhë me dorën e tij dhe nuk do të lejojë demokratizimin e saj. Pra do të kemi një Sali të klonuar në krye të selisë blu, ndërsa rolin kryesor, direktivat dhe udhëzimet, do t’i japë sërish ai. Sepse janë ato turma që e kanë shpallur atë të pazëvendësueshëm. Dhe përpara atyre turmave ai është engjëlli, është udhëheqësi i madh, është prijësi legjendar, më i lavdishëm edhe se Skënderbeu. Në fjalimin e tij të dorëheqjes nuk kishte asnjë lloj brejtjeje të ndërgjegjes për gjithë ato të zeza që ai kishte punuar dhe për të cilat u ndëshkua, ai ishte i bindur se kishte bërë më të mirën dhe e tha se përgatitet për betejën e radhës. Për cilen betejë e kishte fjalën? Ndërsa ne e kemi parë se si sillet Berisha në opozitë.

Prandaj dorëheqja e tij e djeshme është thjesht një iluzion. Ai vetëm sa bëri një rit që e bëjnë të gjithë të humburit. Ai vetëm pranoi humbjen. Po ai e ka vërtetuar se edhe pasi ikën, kthehet prapë, sikurse u kthye pas 97-s për t’i sjellë gjëma të tjera këtij populli. Prandaj mos u gëzoni para kohe. Nuk ka vend për ngazëllim. Edhe po të pranojmë për një moment se iku Berisha, nuk mund të pranojmë se iku berishizmi, si frymë, si model politik, si arketip administrimi. A nuk kemi thënë se berishizmi i ka përmbytur të gjithë institucionet e këtij vendi? Falangat e tij gjallojnë në të gjitha institucionet dhe administratën e shtetit dhe derisa të krijohet qeveria e re andej nga shtatori, kushedi ç’u pjell mendja…

Pra: Kujdes! Ai nuk ka ikur ende. Viktor Hygoi thoshte se për sa kohë tirani merr frymë, liria e ka lakun në fyt.

June 27, 2013 11:59
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*