Berisha u jep një tjetër hidrocentral miqve të Metës

Redaksia Online March 28, 2013 09:43

Berisha u jep një tjetër hidrocentral miqve të Metës

Shoqëria e përmendur në skandalin e video-përgjimit të Ilir Metës me Dritan Priftin do të ndërtojë në lumin Gostimë. Gazeta “Tema” shkruan sot se dje kryeministri Berisha ka firmosur miratimin e kontratës së koncesionit, të formës “BOT” të lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, si autoritet kontraktues, dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Vëllezërit Tola”, sh.p.k., “Arti”, sh.p.k. dhe “G.P.A. Konstruksion”, sh.p.k.

“Marrëveshja përcakton ndërtimin e hidrocentraleve në rrjedhën e lumit Gostimë, ndërkohë që shoqëria që ka përfituar këtë marrëveshje është pjesë e skandalit të videos së regjistruar nga Dritan Prifti me Ilir Metën. Në videon që u transmetua në janar të vitit 2011 flitej që shoqëria ka ofruar 7 përqind të aksioneve dhe 700 mijë euro për ish-zv/kryeministrin Meta, për të marrë me koncesion ndërtimin e hidrocentralit të Shushicës. Pas transmetimit të videos u zhvillua një demonstratë para kryeministrisë u vranë Ziver Veizi, Alek Niko, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj”, shkruan “Tema”.

“Vëllezërit Tola” është kompania që ka qenë qendër të bisedimeve ndërmjet Ilir Metës dhe Dritan Priftin në video-përgjimin “Meta-Prifti”, transmetuar në janar të vitit 2011. Në video përmendet “Gimi” dhe oferta prej 7 përqind e aksioneve të një hidrocentrali dhe 700 mijë euro për ish-zv/kryeministrin Meta, për të marrë me koncesion  hidrocentralin e Shushicës. Gimi i përmendur në regjistrim ishte Agim Rrapaj, djali i të cilit sipas ekstrakteve të QKR-së është administrator i shoqërisë “Vëllezërit Tola”. Për shkak të kësaj lidhje, sipas video-përgjimit, dhe miqësisë me ish zv/kryeministrin, Rrapaj i ka ofruar Metës 700 mijë euro dhe 7 përqind të investimit, në këmbim të marrjes së hidrocentralit. Menjëherë pas kësaj oferte, kompania “Vëllezërit Tola” krijoi një shoqëri nëpërmjet të cilës përfituan dhe koncesionin e hidrocentralit të Shushicës. Në një njoftim zyrtar, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës lajmëroi bashkimin e përkohshëm të shoqërive “Vëllezërit Tola” sh.p.k, “Arti” sh.p.k dhe “G.P.A Konstruktion” sh.p.k, se oferta e paraqitur në procedurën konkurruese për dhënien me koncesion të hidrocentralit “Egnatia-Shushicë”, me fuqi të instaluar 65.360 kË dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë 312.802.976 kwh, është pranuar. E ndërsa procesi i marrjes në koncesion të këtij hidrocentrali u bë objekt hetimi i prokurorisë, Gjykata e Lartë mbylli dosjen pas një darke që Berisha kaloi në shtëpinë e Ilir Metës.

Redaksia Online March 28, 2013 09:43
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*