Berluskoni jo më kryeministër, koalicioni i djathtë drejtohet nga Mateo Salvini

January 19, 2018 16:08

Berluskoni jo më kryeministër, koalicioni i djathtë drejtohet nga Mateo Salvini

 

Qendra e Djathtë në Itali është projektuar të fitojë zgjedhjet e Përgjithshme që do të mbahen më datë 4 Mars të këtij viti, por sondazhet tregojnë se koalicioni i konfirmuar së fundmi mes partive Forza Italia, Lega Nord dhe Fratelli D’Italia nuk do të arrijë të marrë shumicën e nevojshme të vendeve në Parlament për të formuar qeverinë e vetme.

Liderët e tre partive arritën një marrëveshje parimore për të garuar bashkë, por ka ende shumë pikëpyetje mbi bashkëpunimin.

Së pari, ende nuk është përcaktuar lidershipi i grupimit të djathtë, por me shumë mundësi, këtë detyre do ta marrë kreu i Ligës së Veriut, Mateo Salvini, ndikuar edhe nga fakti se Silvio Berluskoni nuk mund të garojë për postin e Kryeministrit, si rrjedhojë e vendimeve gjyqësore që i ndalojnë atij mbajtjen e posteve publike.

81-vjeçari ka apeluar vendimin e gjyqësorit italian në Gjykatën e Strasburgut, por verdikti i kësaj të fundit nuk mendohet se do të bëhet i ditur përpara Marsit. Sipas sondazheve, qendra e djathtë do të mund të fitojë nga 36 deri në 39% të votave, ndërsa thelbi i marrëveshjes politike do të jetë shkurtimi i taksave dhe rritja ekonomike.

Qendra e majtë ndërkaq mendohet se nuk do të shkojë përtej 29% të elektoratit, duke qenë se PD ka përcjellë zhgënjim, lidhur kryesisht me pamundësinë për të sjellë rritje ekonomike. Gjithashtu, mbetet për t’u parë se si do të reagojnë votuesit ndaj një alternative tashmë të provuar si ajo e ish-Kryeministrit Mateo Renzi.

Me një rritje historike vjen në këto zgjedhjet Lëvizja Pesë Yjet, e cila pritet të renditet në vend të tretë por me një rezultat mjaft të ngushtë në krahasim me PD. Populistët italiane me shumë mundësi do të qëndrojnë në nivelin 26-27% të votave. Ndërkaq, të majtët e Partisë Liri dhe Barazi mund të mbërrijnë në stadin 6%.

Duke parë statistikat paraprake, ekspertët paralajmërojnë vështirësi të mëdha në formimin e një qeverie të qëndrueshme. Gjithashtu, ardhja në pushtet e qendrës së djathtë mund të mos jetë lajmi më i mirë i mundshëm për Bashkimin Europian, duke qenë se tre partitë më të mëdha në koalicion kanë një frymë euro-skeptike.

January 19, 2018 16:08
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*