Besa, gjashtë javë larg shtëpisë

Dritan Ikonomi November 7, 2012 14:36

Besa, gjashtë javë larg shtëpisë

Dënohet edhe Daja, verdhezinjtë paguajnë për protestat në ndeshjen kundër Skënderbeut

 

Besa do të luajë gjashtë ndeshje në fushë asnjanëse për shkak të incidenteve të ndodhur të shtunën në takimin e kampionatit, kundër Skënderbeut. Skuadrës kavajase i kanë kushtuar shtrenjtë protesta në fushë dhe akuzat e presidentit Nexhat Bizhdili ndaj Skënderbeut dhe gjyqtarit të takimit, në barazimin 1-1 për javën e 9-të të Kategorisë Superiore. Komisioni i Disiplinës pas shqyrtimit të pamjeve e ndëshkoi skuadrën kavajase me zhvillimin e gjashtë ndeshjeve jashtë fushës së saj, ndërkohë që ajo do të kthehet të luajë në shtëpi pas 12 javësh. Një dënim i rëndë për skuadrën që aktualisht renditet në vendi e dytë, me gjashtë pikë më pak se Skënderbeu.

 

Kështu, takimi javës së 11-të, Besa-Vllaznia do të luhet në një fushë asnjanjës, dhe po kështu ndeshjet Besa-Bylis (java 13), Besa-Laçi (java 14), Besa-Shkumbini (java 16), Besa-Tirana (java 18) dhe Besa-Kastrioti (java 21). Besa do të luajë para shikuesve të saj, vetëm në javën e 23-të, përballë Kukësit, pra kur nga kampionati mbeten dhe katër ndeshje për të luajtur. Një dënim i rëndë! Dy javë “burg” edhe për Ilir Dajën, trajnerin e Besës, i cili reagoi ashpër ndaj kryesorit Laver Alla. Ish-trajneri i Elbasanit dhe i Dinamos do të derdhë  në arkën e FSHF-së dhe 1 milionë lekë të vjetra gjobë.

Për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, të konstatura e gjykuara si probleme disiplinore nga Disiplina, janë pezulluar edhe Julian Ahmataj i Tiranës dhe Roland Dervishi i Shkumbinit, secili me nga dy ndeshje.

 

Falet Paro Laçi

Një nga aksionarët e Partizanit, Paro Laçi, tani është i lirë ta ndjekë skuadrën e tij, kudo që ajo të luajë. Komisioni i Disiplinës revizionoi vendimin e tij të mëparshëm, të datës 25 shtator 2012, në të cilin Laçi ishte i pezulluar me 12 muaj për të mos e shoqëruar ekipin, kjo me arsyetimin e atij vendimi “për nxitje të braktisjes së ndeshjesh dënohet me pezullim nga aktivitetet për 12 muaj në baze të nenit 55, pika 3 të Kodit të Drejtësisë Sportive”. Por, pas ankimimit të Laçit, Komisioni i Disiplinë, i mbledhur dje (6 nëntor 2012), çmoi se nga pamjet filmike dhe provat e tjera të paraqitura në seancë nuk rezulton se zyrtari në fjalë të ketë konsumuar shkeljen e parashikuar nga neni 55.3 të KDS-së, “ndaj çmon se ky dënim duhet revokuar, me kushtin që zyrtari Paro Laci të mos qëndrojë më në stolin e skuadrës së tij, në bazë të nenit 134.2 të KDS.

Dritan Ikonomi November 7, 2012 14:36
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*