Besarta, e mbijetuara e 7 marsit 1998

Bedri Islami March 7, 2016 09:23

Besarta, e mbijetuara e 7 marsit 1998

Në pasditën e vonët të 7 marsit 1998 në lagjen Prekaz i Poshtëm të Drenicës kishte rënë heshtja. Tymi vazhdonte të dilte nga kullat e fisit të Jasharëve dhe 56 të vrarët shtriheshin në një mjedis tjetër. Të rradhitur pranë njëri tjetrit, ende të përgjakur, tre breza njëherësh. Bekim Shyti, njëri nga drejtuesit e mëpasmë të luftës për lirinë e Kosovës, do u bënte fotot e fundit. Kishte filluar njëkohësisht pasjeta dhe pavdekësia e tyre.

Disa ditë më parë pashë disa foto që Besarta Jashari, e bija e Njeriut legjendë, Hamzë Jashari, kishte vendosur në FB, në 66 vjetorin e Ditëlindjes së babait të saj, Hamzës.
Foto të familjes së saj, të cilat njëkohësisht nuk i përkasin më vetëm familjes së tyre. Na takojnë të gjithëve.

Besarta është e mbijetuara e vetme e atyre tri ditëve të pashoqe nga gjithë Fisi i lavdishëm, në netët e Rrethimit të Tretë të tyre, mes 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998. Kishte qëndruar tri ditë e tri netë nën gjëmimin e armëve dhe kishte parë atë që nuk do e shohë askush tjetër në jetën e tij. Djali i mixhës së saj, Bashkimi, kishte arritur të largohej që në fillimin e rrethimit, tre djemtë e vëllezërve Jashari, Murati, Bekimi e Lulzimi, ishin jashtë, ndërsa për një rastësi të bardhë, pak para rrethimit, disa nga fëmijët e të rinjtë e familjes kishin shkuar tek dajallarët.

Ka parë gjëmë e mbi gjëmë Besarta Hamzë Jashari, por fotot e saj më kanë kujtuar edhe disa gjëra të tjera, të cilat lidhen me këtë bijë Jasharësh, që ka përmasat e njëjta si të të gjithë Fisit të saj.

E kam takuar menjëherë pas luftës, kur sapo, së bashku me djemtë dhe bacën Rifat, ishim kthyer në Drenicë. Që nga Shtutgart i kishim rënë nga veriu në jug Italisë, kishim kaluar detin dhe pasi kishim bujtur një natë në Tiranë, së bashku me Rifat Jasharin, ku tjetër, veçse tek shtëpia e profesor Shaban Sinanit, dhe megjithëse Drenica ishte ende në tymin e kullave të djegura, gjithçka dukej tashmë ndryshe.

Sytë e Besartës ende kishin në thellësinë e tyre atë që kishin përjetuar, por edhe gëzimin e pamasë, sepse djemtë ishin kthyer dhe mes tyre edhe i vëllai, tashmë i vetmi ndër motrat e vllezërit, Bekimi. Ishte kthyer edhe Lulëzimi, edhe Murati, ndërsa Bashkimi ishte gjendur atje, e këta ishin djemtë e mixhallarëve.

E shikoja Besartën, si e thashë, ende në moshën mes fëmijërisë dhe pranverës së parë, por që në sy kishte aq shumë gjëra të skalitura.

Më dukej e çuditshme se si jeta kishte mbijetuar tek ajo, dhe tani, në fotot që pashë, jeta kishte lulëzuar plotësisht.

Besarta shikonte djemtë që ishin kthyer dhe ndjehej e lumtur.

E pyeta atë ditë qershori të vitit 1999:

– A kishe frikë, Besarta?

– Deri sa ka kënduar bali Adem, (Adem Jasharit fëmijët i thonin bali Adem) hiç nuk kam pasë frikë. Kur nuk ia kam dëgjuar zërin, atëherë edhe kam fillue me pasë frikë.

-E çfarë këndonte bali Adem?, e pyeta.

-Këngën e Çerçiz Topullit, atë, Milazim, largo taborrë, se të skuq, të bëj me bojë; dhe këngën e Kamber Loshit, atë këngën, kalle kalle, qitja tymin, sa të jem gjallë s’e baj dorëzimin…

Ajo që kishte parë me sytë e saj kjo bijë Drenice, kishte qenë njëkohësisht tmerri dhe shpresa e Kosovës.

Vazhdimi i tregimit të Besartës në ditët e tjera:

Me 5 mars, në mëngjez heret, para se të nisin gjuatjet e serbëve erdhi bali Adem dhe na tha që të mos frikësohemi….Ditën e parë u zhvillue luftë e madhe. Gjatë tërë ditës shtëpitë tona u granatuan. Atë ditë, dikur u vra vetëm Adilja, gruaja e balit Adem. Ajo u vra në shkallët e njërës shtëpi. Ajo shkoi të marrë municion në katin e tretë të shtëpisë ku i kishin dhomat bali Adem dhe babai ynë, Hamza. Adilja u ngjit në katin e tretë të shtëpisë për të marrë një çantë me fishekë dhe u vra duke zbritur shkallëve teposhtë…

Më 6 mars kanë filluar përsëri granatimet e forcave serbe. Ne ishim duke qëndruar në bodrum. Granatat binin në çdo cep të shtëpive dhe të oborrit. Copat e një granate dhe gojëzat e saj e zunë përfundi Igballin, djalin e bacit Rifat, ndërsa gjyshja Zade i tha nënës së tij, Zarifes: “Çohu hiqja djalit ato copa prej trupit, sepse të gjithëve do të na gjejë kjo. Askush nuk ka vrrit e nuk ka pasë tut prej gjuajtjeve“. Burrat e shtëpisë e djemtë luftoshin nalt, prej një vendi në një vend tjetër.

Granatimet në ditën e dytë vazhduan të jenë edhe më të fuqishme, ndërsa nga coprat e granatave filluan të vriten edhe anëtarët e tjerë të familjes sonë që ishin strehuar në dhomën si bodrum. Ai që vritej, merrej nga të tjerët dhe skajohej në një pjesë të bodrumit, ndërsa bali Adem e babai, Hamza me djemtë luftonin në pozicionet e tyre. Më tragjike ka qenë një granatë që i ra bodrumit dhe e çau në dy pjesë, ajo granatë i vrau edhe disa prej anëtarëve të tjerë të familjes. Fuqia e saj e hodhi gjyshen prej vendit ku ishim, në një dhomë tjetër, sepse ishin shkatërruar edhe muret që ndalin vendin me dhomat e tjera. Nga kjo granatë dhe të tjerat që hidheshin rrjesht, pos atyre që u vranë mbetën të plagosura rëndë edhe Hidajetja, vajza e bacit Rifat dhe motra ime, Fatimja, që ishte dy vjet më e vogël se unë. Hidajetja m’u mbështet pas trupit bashkë me Fatimen. Eshtrat e tyre kërcitnin, sepse ishin thyer nga granatat: Kërkuan ujë dhe dola që të marr ujë për to duke kaluar mbi trupat e të vdekurve, kur u ktheva, kishin vdekur. Të gjallë ishin ende Besimi, bali Adem dhe Kushtrimi.

Në ditën e tretë, 7 mars, krejt herët, afër derës së bodrumit ku ishim strehuar bie edhe bali Adem, në përpjekje për të na mbrojtur. Pak më parë ishte vrarë Besimi. E kam parë balin Adem kur e ka marrë plumbi, ka rënë afër shkallëve të shtëpisë, aty u vra.

Pas rënies së balit Adem, djali i tij Kushtrimi, ka qenë atëherë veç 13 vjeç, e mori automatikun dhe u nis drejt një pozicioni tjetër dhe është vrarë midis dy shtëpive me automatik në dorë.

Kur nuk mbeti më asnjë i gjallë, vetë fillova të shkoj tek trupat e secilit, duke i prekur e duke i thirrur me zë mos kishte mbetur kush i gjallë. I thirrja me emër, por nuk përgjigjej askush. Kur nuk dija më se ç’të bëja, u futa nën maxhen e shtëpisë, krejt kjo po zhvillohej kah fundi i luftës, dikund në ditën e tretë, paradite.

Tregimi i Besartës nuk ndërpritet këtu…Ajo do të tregonte se si policët serbë e kishin marrë me vete dhe filluan ta pyesnin për balin Adem që ishte i vrarë para shkallëve se a ishte ai Adem Jashari apo jo. “E dija se bali Adem ishte vrarë, por ata nuk ishin të sigurtë se a ishte ai, se ai e kishte shkurtuar pak ditë më parë mjekrën, e u thashë: “Ky nuk është Ademi, është një dajë prej Llaushës..“.

Si shkrova më sipër, pak ditë më parë unë pashë një foto të Besartës dhe Bekimit, vajzës dhe djalit të Hamzë Jasharit, duke u përkulur tek varri i tij në 66 vjetorin e lindjes. Ajo vajzë, sot nënë, ka parë atë që nuk mund të mendohet,por askush nuk e shihte dot në sytë e saj.

Ajo që unë, pashë në sytë e saj, pikërisht në ato foto, është e ardhmja e Kosovës.

Qofsh e lumtur, Besarta, në të gjithë jetën Tënde. Para babit Tënd përkulen me respekt e adhurim të gjithë shqiptarët.

Kam më shumë se 20 vite që i njoh nga afër Jasharët. Dhe përsëri them se nuk i kam njohur sa duhet. Ata nuk janë pjesë nga shkëmbi i lirisë sonë. Ata janë vetë shkëmbi, prej të cilit ne marrim cifla, sa herë na duhet të ringrihemi.

Këtë e dëshmojnë edhe sa foto të zakonshme, që Besarta, njëra prej bijave, kishte postuar në 66 vjetorin e Lindjes së babait të saj, Nderit të Kombit tonë, Hamza Jashari.

Bedri Islami March 7, 2016 09:23
Komento

1 Koment

  1. adili March 7, 09:37

    O Bedri,
    Pa e lexuar shkrimin te ngrihen nervat: Pse xhanem nuk i hidhni nje sy online para se ta lexojne lexuesit ate?
    Titulli permend vitin 1988!?, po ashtu edhe kur permendet viti per here te pare!? Per se dyti here behet korigjimi (1998). Pse te ndodhi? Ne se procedura eshte “copy-paste” atehere si eshte e mundur te te shpetojne ty keto gabime qe, per hire te se vertetes, jane te pranishme ne cdo shkrim ku duhen permeendur data?!
    adili

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*