Beteja CEZ-qeveri shqiptare do të jetë një sagë e gjatë

Edlira Shehu January 29, 2013 10:41

Beteja CEZ-qeveri shqiptare do të jetë një sagë e gjatë

“Beteja” CEZ shpërndarje- qeveri shqiptare duket se do të jetë një sagë e gjatë deri në Gjykatën e Arbitrazhit. Tashmë është ERE ajo që po menaxhon situatën e borxheve që CEZ i ka KESH, por e sheh këtë vetëm në një këndvështrim të saj, detyrimet që kjo kompani i ka shtetit, ndërsa për borxhet e shtetit do të jetë vetë ky i fundit që do të vendosë si do i shlyejë. Të paktën ky reagim erdhi dje në deklaratën e ERE-së nëpërmjet drejtoreshës së marrëdhënieve me publikun, Entela Cipa. Sipas saj borxhi prej 209 milionë euro që kompania “CEZ Shpërndarje” i detyrohet KESH do të shlyhet nga administrata e re. Cipa u shpreh dje se në ditët në vijim, kompania “CEZ Shpërndarje” do të paraqesë strukturën e re të menaxhimit për miratim nga Bordi i Komisionerëve të ERE, si edhe planin e shlyerjes së detyrimeve ndaj operatorëve të tjerë energjetikë. Ndërsa borxhi qeveritar do t’i shlyhet CEZ sipas kushteve që vetë borxhliu do të vendosë.
Nga ana tjetër Entela Cipa ka kërkuar dje që kompania CEZ t’i dorëzojë administratorit të përgjithshëm të operatorit të sistemit të shpërndarjes së energjisë, Sait Dollapi të gjitha dokumentat. “CEZ Albania është në varësi të CEZ-it në Pragë. ERE i hoqi licencat CEZ pasi nuk plotësoi kushtet”, tha ajo, ndërsa vijoi se “borxhet që kanë institucionet do i shlyhen CEZ-it”.
Reagimi i CEZ mëmë
Do të jetë Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar ajo që do të vendosë se si do të jetë e ardhmja e detyrimeve që palët i kanë njëra-tjetrës. Të pakëtn këtë kanë lënë të kuptohet në deklarimet publike drejtues të rëndësishëm të CEZ mëmë në Ceki. Sipas ERE qëllimi i privatizimit ishte “rritja e efikasitetit të operimit, ulja e humbjeve dhe krijimi e një shoqërie furnizimi të energjisë elektrike të qëndrueshme dhe të besueshme”. Me kalimin e viteve, kompania dëshmoi se nuk mund të operonte në kushtet e një tregu të diktuar nga politika. Korporata, si CEZ, kanë rregulla loje të qarta dhe nuk mund t’u imponohen kollaj kushtëzimeve që vijnë nga politika apo interesa të ngushtë. Ndaj në këtë mënyrë do të jetë e vështirë që administratori shtetëror të marrë të dhënat financiare pa vendosur Gjykata Ndërkombëtare.  Burimet saktësojnë se vec marrjes së garancisë nga Banka Botërore të shumës së 60 milionë eurove, CEZ do të kërkojë dhe dëmshpërblime të tjera nga qeveria shqiptare për të ruajtur reputacionin e saj. Drejtuesit e CEZ në Ceki duke qenë të qartë në strategjinë e tyre, qartësojne se CEZ në Shqipëri nuk do të ketë ndonjë ndikim në strategjinë e grupit energjetik çek që tashmë do të fokusohet tek burimet e rinovueshme të energjisë në Poloni dhe Gjermani dhe energjinë bërthamore në Çeki. Të paktën kështu është deklaruar zv/kryetari i bordit të CEZ në Pragë, Martin Novak për një agjenci vendase. Sipas tij, mjedisi i biznesit në Shqipëri, çmimet e vendosura nga autoritetet vendase dhe fakti se CEZ Shpërndarje u shndërrua shpejt në një kompani me humbje krijon një pozitë të mirë për çështjen e arbitrazhit, deklaroi Novak, duke lënë qartë të kuptohet se puna e kompanisë do të vijojë në drejtime të tjera dhe arbitrazhi do të favorizojë këtë kompani në seanca gjyqësore. Sipas tij zhvillimet në Shqipëri nuk do të kenë ndikim në zhvillimet e grupimit Çek, i cili tashmë e ka hedhur vështrimin nga tregjet të tilla si Gjermania dhe Polonia, por që cështja do të marrë zgjidhjen e duhur në instancat e duhura, pasi drejtuesit e kësaj kompanie nuk mund të lejojnë që të prishet reputacioni i saj, me qëllim vijimin e investimeve të tyre në vende të zhvilluara të Evropës.

 

Dollapi në mbledhje të gjata për menaxhimin e CEZ
Struktura e re e CEZ po punohet nga administratori i ri i saj, Sait Dollapi. Megjithë pretendimet e tij se do të kalojnë deri në dy muaj derisa ajo të jetë gati, arsyeja reale mbetet shkaku i mos marrjes së gjendjes financiare nga CEZ. Megjithatë burime nga ky institucion bëjnë të ditur se dje Dollapi ka nisur mbledhjet e gjata me departamentet përkatëse për të ideuar strukturën e re. Hutimi i punonjësve aktual të CEZ vijon, pasi mbeten të papërcaktuar në detyrat e tyre dhe takimet e bëra prej tij më shumë kanë qenë informuese se përcaktuese për situatën, duke i lënë në pritje të një komunikimi tjetër për të vijuar apo jo punën në këtë ndërmarrje.

Shefi i FMN për CEZ
Problemet me CEZ-in kanë ekzistuar për një farë kohe. Kjo ishte si pasojë e privatizimit. Sektori energjetik pati mungesë investimesh dhe tarifat nuk u përshtatën duke bërë që kompania të mos arrinte të mbulonte shpenzimet. Largimi i CEZ  është produkt i kësaj situate që do të shkaktojë probleme të tjera. Kjo do të sjellë nevoja për importin e energjisë dhe qeveria duhet të mendojë për këto faturë. Ikja e CEZ-it mund të krijojë probleme të tjera që mund të kërkojnë vëmendje fiskale.

Edlira Shehu January 29, 2013 10:41
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*