Beteja për Tiranën, fitorja fatlume e PS-së për mandatin e 18-të

July 21, 2017 17:31

Beteja për Tiranën,  fitorja fatlume e PS-së për mandatin e 18-të

Banorët e Qarkut Tiranë hodhën rreth 33 mijë vota më pak në zgjedhjet e 25 qershorit 2017 në krahasim me vitin 2013 ndërkohë që popullsia votuese është rritur me 64 mijë vetë, duke e lënë pjesëmarrjen në masën 50 për qind, më e ulëta e regjistruar në të gjitha zgjedhjet e së shkuarës. Partia Socialiste arriti të marrë vetëm 1680 vota më shumë se sa katër vjet më parë ose 200 mijë vota, por kjo i mjaftoi që të merrte 18 mandate deputetësh nga 16 që pati marrë katër vjet më parë. Lëvizja Socialiste për Integrim qe partia që shënoi rritjen më të madhe në krahasim me vitin 2013. LSI arriti të marrë gati 56 mijë vota, 20 mijë më shumë se katër vjet më parë ndërsa numri i deputetëve të saj nga Tirana u rrit nga 3 në 5. Rritje të fortë në numër votash shënoi edhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila mori 12 mijë vota, vota këto mëse të mjaftueshme për të marrë një deputet, por të pamjaftueshme për të arritur pragun 3 për qind, të nevojshëm për të hyrë në llogaritjen e ndarjes së mandateve. Kryetarit të PDIU, Shpëtim Idrizi, i iku mandatit të tij për vetëm 37 vota të munguara ndërsa Partia Socialiste e fitoi mandatin e 18 me vetëm 11 mijë vota. Në thelb, mandati i humbur nga Idrizi u mor nga PS.

Beteja për mandatin e Idrizit vijoi deri më 13 korrik, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rinumëroi disa dhjetëra kuti me vota pas kërkesave të PDIU dhe PS, të cilat pretendonin se në këto kuti gjendej ndryshim i destinacionit të votës nga një parti në një tjetër. Në fund, PDIU rezultoi se në disa kuti kishte marrë më shumë vota nga sa i qenë numëruar dhe në disa kuti të tjera më pak vota me rezultatin final të pandryshuar.

Partia Demokratike është humbësja e madhe e zgjedhjeve. Si subjekt më vete, PD mori vetëm 128 mijë vota në Qarkun Tiranë, 23 mijë më pak se sa pati marrë më 2013. Për rrjedhojë, PD ra në vetëm 11 mandate deputetësh. PD pati marrë 11 mandate si subjekt më vete më 2013, por aleatët e saj të kohës, Partia Republikane dhe PDIU patën marrë nga një mandat secila.

Partia Socialiste duket se mori më pak vota në qytetin Tiranë ndërsa pati rezultat më të mirë në zonat përreth. Partia Demokratike duket se humbi në të gjithë qarkun, por numri më i madh i votave i mungon në qytetin Tiranë ku humbi 21 mijë nga 23 mijë votat e humbura në qark.

Të tetëmbëdhjetë deputetët e zgjedhur nga Partia Socialiste janë:

  1. Elona Gjebrea [Cv Link], e arsimuar në biologji dhe me eksperiencë pune në sektorin jofitimprurës dhe zëvendësministre e Punëve të Brendshme gjatë katër viteve të fundit;
  2. Besnik Baraj, [CV Link] profesor kimie, deputet që nga viti 2009 dhe ish zyrtar i lartë socialist në periudhën 1997-2005;
  3. Olta Xhaçka, [CV Link], e diplomuar në marrëdhënie ndërkombëtare dhe deputete socialiste që nga viti 2009;
  4. Blerina Gjylameti, [CV Link], doktore shkencash, e arsimuar për ekonomi në Salerno, Itali dhe që ka punuar si pedagoge në ekonomi para se të bëhej deputete më 2013;
  5. Pandeli Majko, [CV Link], i diplomuar në inxhinieri mekanike dhe drejtësi dhe që ka për eksperiencë pune të qenit deputet, ministër e kryeministër;
  6. Sajmir Tahiri, [CV Link] aktualisht kandidat për doktor shkencash, i diplomuar në drejtësi dhe që ka punuar si zëdhënës dhe funksionar i Partisë Socialiste;
  7. Vasilika Hysi, [CV Link], e diplomuar në drejtësi dhe që mban titullin Profesor, deputete që nga viti 2009′
  8. Ervin Bushati, [CV Link], i diplomuar në financë dhe me eksperiencë në biznes privat;
  9. Ogerta Manastirliu, [CV Link] e diplomuar në kimi dhe doktore shkencash, ka punuar në Bashkinë e Tiranës në kohën kur kryebashkiak qe Edi Rama dhe më pas si drejtore e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza e Ministre e Shëndetësisë;
  10. Fatmir Xhafaj, i diplomuar në drejtësi dhe që ka punuar, sipas CV-së zyrtare, “jurist në organet e sistemit të drejtësisë” në vitet 1982-1985 por që më vonë ka pranuar se ka qenë emëruar gjykatës dhe hetues në Krujë;
  11. Rakip Suli, [CV Link], biznesmen, jurist me gradën “Master i Shkencave” në të Drejtën Private dhe të Biznesit nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”;
  12. Arben Ahmetaj, [CV Link], i diplomuar në Gjuhë Angleze dhe me titullin Doktor i Shkencave në fushën e Sigurisë Energjetike.
  13. Xhemal Qefalia, [CV link] i diplomuar nga Akademia Ushtarake, nga Akademia e Polivisë, nga Fakulteti Juridik si dhe ka punuar si ushtarak, drejtor e zëvendësdrejtor në sistemin e burgjeve.
  14. Sadri Abazi, [CV Link] i diplomuar në ekonomi, master, dhe me eksperiencë si biznesmen.
  15. Ulsi Manja [CV link], ish-prokuror që më herët ka qenë drejtues i degës së Partisë Socialiste në Dibër.
  16. Klotilda Bushka [CV link], avokate me eksperiencë pune këshilltare ne Gjykatën e Lartë dhe avokate.
  17. Sadi Vorpsi, [CV Link] i diplomuar në inxhinieri mekanike dhe që ka punuar më parë si prefekt i Qarkut Tiranë dhe;
  18. Arben Pëllumbi, [CV Link] inxhinier elektrik me eksperiencë pune në sektorin privat.

Për Partinë Demokratike, deputetët e Tiranës janë:

  1. Lulzim Basha, [CV mungon], kryetar i Partisë Demokratike.
  2. Orjola Pampuri, [CV link] e diplomuar në psikologji dhe me eksperiencë pune në Institutin e Shëndetit Publik dhe së fundmi si pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës.
  3. Rudina Hajdari [CV Link], e arsimuar në SHBA dhe Britani por më së shumti e njohur si vajza e njërit prej themeluesve të PD Azem Hajdari.
  4. Grida Shqima [CV Link] sociologe.
  5. Albana Vokshi [CV Link], e diplomuar në inxhinieri dhe me master në ekonomi, me eksperiencë pune drejtoreshë në Këshillin e Ministrave dhe deputete nga viti 2009.
  6. Jorida Tabaku, [CV Link], doktore shkencash në ekonomi me eksperiencë pune si pedagoge, zëvendësministre dhe zëvendëskryetare bashkie.
  7. Sali Berisha [CV nuk është e disponueshme]
  8. Halim Kosova [CV link], mjek gjinekolog.
  9. Gent Strazimiri, i cili nëCV-në e tij ka shkruar qëështë jurist dhe ka eksperiencë pune deputet.
  10. Fatmir Mediu [CV link], i diplomiar në inxhinieri nafte dhe me eksperiencë pune kryetar partie, deputet e ministër.
  11. I fundit në listën e PD është Dashamir Shehi [CV Link], i cili shkruan se është doktor shkencash në ekonomi me eksperiencë pune deputet.

Nga partia Lëvizja Socialiste për Integrim, deputetët janë:

  1. Klajda Gjosha, [CV Link], e diplomuar në Angli dhe me eksperiencë pune drejtoreshë në shtet, zëvendës-ministre dhe ministre.
  2. Kejdi Mehmetaj, aktualisht studente që nga viti 2011. [CV Link]
  3. Floida Kërpaçi, aktualisht studente. [CV Link]
  4. Endrit Brahimllari, i diplomuar për filozofi më 2013 dhe që ka punuar si Drejtor Kabineti pranë OST SHA në që nga tetori i vitit 2014. [CV Link] dhe;
  5. Luan Rama [CV Link], i diplomuar për Gjuhë Letërsi dhe që ka punuar si gazetar te Zëri i Popullit dhe deputet e ministër.

July 21, 2017 17:31
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*