Gara Rama-Berisha, zbret edhe në Facebook

August 12, 2016 10:03

Gara Rama-Berisha, zbret edhe në Facebook

Sali Berisha është kampion i pëlqimeve në faqen e tij zyrtare në Facebook dhe këtë nuk e fsheh e jo pak herë e përdor këtë si kredo politike. Sali Berisha ka një numër total prej 1 029 142 fansa, përballë 981 326 të Edi Ramës.

Por cila është e vërteta e këtyre pëlqimeve dhe fansave të politikanëve shqiptarë. Shqiptarja.com ka bërë një studim mbi shpërndarjen e fansave të dy liderëve kryesorë: Edi Rama dhe Sali Berisha, të cilët kryesojnë listën e politikanëve shqiptarë më të pëlqyer, pasuar nga Lulzim Basha me 536 216 fansa, dhe Erion Veliaj me 339 532 fansa.

Ajo që rezulton nga përpunimi i të dhënave përmes programit socialbakers.com, më shumë se gjysma e fansave të Sali Berishës janë jashtë vendit, teksa e kundërta ndodh për kryeministrin Edi Rama, i cili i ka shumicën dërrmuese të pëlqyesve të tij brenda vendit, raporton shqiptarja.com

Për Sali Berishën, janë 622 834 jashtë vendit, dhe vetëm 406 308 brenda vendit. Kryeministri Rama ka 511 941 fansa brenda vendit, dhe 469 385 fansa jashtë tij. por ku janë shpërndarë fansat jashtë vendit të Sali Berishës i cili ka kaluar 1 milionë pëlqyes?

Nëpër vendet më të çuditshme të botës, duke e bërë të dyshimtë origjinën e tyre dhe mënyrën e fitimit të këtyre pëlqimeve. Vende që nuk kanë asnjë lidhje gjeografike dhe historike me Shqipërinë mbajnë më shumë se 600 mijë fansa të Sali Berishës.

Në Filipine ka 34 479 përdorues të facebook që janë çuditërisht fansa të ish-kryeministrit shqiptar dhe që përbëjnë 3.4 % të totalit të fansave të tij. Sali Berisha ka në Pakistan 20 703 fansa ose    2.0 %; në Bangladesh 3 535 ose 0.3 %; në Ganë ka 2 738 fansa ose 0.3 %; në Nigeri  ka 2 411fansa ose 0.2 %; ndjekur nga Maroku me 2 372 fansa; në Kamboxhia 2 138 fansa; në Nepal 2 067 fansa; në  Miamar 1 340 të tillë, dhe në Sri Lanka 1 315 pëlqyes. Përdorues nga vende të tjera në total përbëjnë 33 419    fansa “mërgimtarë” të Sali Berishës.

Por cila është beteja në vendet e rajonit mes dy liderëve? Sali Berisha kryeson pëlqyeshmërinë në Kosovë me 146 094 fansa, krahas 112 097 fansave të Edi Ramës.

Po ashtu, Berisha e mund Ramën në Serbi me 34 050 fansa ndaj 21 801 të kryeministrit. Në avancë, Berisha është në SHBA me 32 350 fansa, kundrejt 22 347 të Ramës.

Edi Rama e mund Berishën në Itali me 71 098 fansa ndaj 48 296 të Berishës; në Greqi me 67 344 kundrejt 33 643 të Berishës; dhe në Turqi me 3 306 ndaj 2 874 të ish-kreut të PD-së.

 

 

 

 

August 12, 2016 10:03
Komento

1 Koment

  1. Emigranti August 12, 11:54

    Do zoti qe gara mes ketyre dy gangstereve te tranzicionit shqiptar, vitin tjeter te zhvillohet ne burg!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*