Beteja shqiptare për Kriporen e Ulqinit

February 8, 2016 10:21

Beteja shqiptare për Kriporen e Ulqinit

Kripa, përveç peshkimit është një nga pasuritë e shqiptarëve të Malit të Zi, në qytetin antik të tyre, Ulqinin.

Që nga pushtimi i qytetit prek malazezëve, u grabitën pasuritë natyrore të ulqinakëve, ku ndër të cilat është dhe Kriporja që ka sjellë të ardhura që nga antikiteti.

Prej vitesh në Ulqin është ngritur një Komitet për Mbrojtjen e Kripores, e cila në mënyrë të tërdhortë ndodhet në dorën e familjes së kryeministrit malazez, Milo Gjukanoviç; e cila synon të ndërtojë një kompleks ndërtimi të madh që ta shfrytëzojë, natyrisht për turizëm.

Një kompani që ka marrë në shfrytëzim nga qeveria e Podgoricës Kriporen synon të tjetërsojë destinacionin.

Në Ulqin u ngrit një komitet qytetar që ka kërkuar që të zbatohet ligji ku ky objekt shpallet si “Zonë e Mbrojtur”, ligj i miratuar me votat e të gjitha partive përvec asaj në pushtet PDS-së.

Por çndodhi?! Gjykata Kushtetuese, me një vendim të sajin të marrë 3 muaj më pare, por që e ka shpallur vetëm këto ditë, i ka dhënë  të drejtë pronarit të kompanisë, Eurofond që të nisë ndërtimin e objekteve.

Por kjo kompani ka shpallur falimentin dhe nuk mund të paguajë dot kredinë, ndërsa Kriporen e ka hipotekuar në Prva Banka, e cila është pronë as më shumë e as më pak por vëllait të kryeministrit të Malit të Zi, Aco Gjukanoviç. Banka mund të bëjë ç’të dojë me Kriporen në këtë rast.

Me një fjalë, familja e Milo Gjukanoviçit ka të gjitha mundësitë që ta zotërojë pronën shekullore të shqiptarëve.

Kjo ka sjellë protesta dhe reagime të forta.

Kështu, deputeti shqiptar Genci Numanbegu e quajti vendimin e Gjykatës Kushtetuese si në dëm të interesave të shqiptarëve të Malit të Zi.

Por përveç shqiptarëve kanë reaguar edhe ndërkombëtarët.

Ambasadorja e Gjermanisë në Podgoricë, Gudrun Shtajnaker, ka paralajmëruar disa herë se nëse Kriporja nuk shpallet zonë e mbrojtur rrezikohet rruga e Malit të Zi drejt Bashkimit Europian.

Nimanbegu ishte njëri nga deputetët i cili nënshkroi propozimin për mbrojtjen e Kripores në vitin 2012.

Nimanbegu nuk pajtohet me arsyetimin e Gjykatës se vendimi për mbrojtjen e Kripores është bërë pa shqyrtim publik, pasi në këtë proces ishin përfshirë si subjektet politike ashtu edhe organizatat joqeveritare dhe ekologjike, dhe të gjithë ishin për mbrojtjen e saj.

Vendimi për mbrojtjen e Kripores u miratua nga Kuvendi i Malit të Zi në vitin 2012 me vota të opozitës, Partisë Socialdemokrate dhe deputetëve shqiptarë.

Kriporja e Ulqinit mbulon një sipërfaqe prej 14,5 km2 dhe është e vendosur në deltën e Lumit Buna.

Para se të ndërtohet Kriporja në vend të saj, ka qenë Këneta e Zogajve, e cila ka qenë e njohur për gjuetinë e shpezëve, gjë që e tregon edhe emri “zog”.

Fillimi i Kripores është i lidhur me rregullimin e ujit të Kënetës se Zogajve në vitin 1913, kur është hapur kanali i Port Milenës. Ajo është e rrethuar nga një kanal që drenazhon ujërat e kënetave përreth, duke mos lejuar që uji i tyre të përzihet me ujin e Kripores.

Kriporja është një pjesë e rëndësishme e sistemit të pellgut të Liqenit të Shkodrës dhe të Lumit Buna, i cili ka një siperfaqe prej 1,000 km2.

Kriporja është e rrethuar nga disa nga vendet më të rëndësishme mjedisore në Adriatik, siç janë Plazhi i Madh, Ada e Bunës, Liqeni i Shasit dhe Liqeni i Shkodrës.

Kriporja e Ulqinit është një nga dhjetë kriporet më të mëdha  në Mesdhe. Në fund të bazenit të saj gjenden në sasi të mëdha mbetjet e guackave dhe të kërmijve të detit. /tesheshi/

February 8, 2016 10:21