Biblioteka si “shtëpi e librit”

Petrit Nika - Intervistë September 2, 2013 18:44

Biblioteka si “shtëpi e librit”

Petrit Nika, drejtuesi i ri i Bibliotekës Publike Fier, flet në këtë intervistë për rolin e bibliotekës dhe menaxhimin e saj. Mund të them se ky institucion kulturor është një nga më të mirët në Shqipëri, qoftë nga hapësira, estetika, mirëmbajtja dhe funksionon me një staf korrekt dhe kulturëdashës. Edhe fondi i bibliotekës është relativisht i kënaqshëm – thotë z.Nika

 

Z. Nika, ju keni treguar vite me radhë ndjeshmëri ndaj problemeve të librit në veçanti dhe të kulturës kombëtare në përgjithësi. Ju tashmë jeni drejtuesi i ri i Bibliotekës Publike në një qytet të rëndësishëm siç është Fieri. Cili është opinioni juaj për problemet e institucionit që iu është besuar të drejtoni?

Po e filloj komentin tim duke bërë një sqarim lidhur me komentin tuaj që i paraprin pyetjes. Vërtetë për shumë vite në masmedia i kam trajtuar shumë probleme të mprehta që kanë të bëjnë me kulturën tonë kombëtare dhe në veçanti me promovimin dhe integrimin e letërsisë së re. Fatkeqësisht këto probleme jo vetëm nuk kanë gjetur zgjidhje në vite, por mund të them se sot, gjërat kanë shkuar drejt një pike akoma më kritike. Kështuqë, fakti që unë jam në krye të një institucioni të rëndësishëm kulturor lokal siç është Biblioteka e qytetit të Fierit, besoj se nuk do më pengojë të shoh me realizëm dhe ta them fjalën time po me realizëm, edhe për proçesin e zhvillimeve të mëtejshme, qoftë këtu në Fier, apo më gjerë ku konsistojnë interesat tona të përbashkëta integruese. Integrimi i kulturës nuk duhet parë vetëm në prizmin lokal, por në një rrafsh të gjerë mbarkombëtar. Të vijmë tashmë tek pyetja juaj. Emërimi im në detyrën e Përgjegjësit të Bibliotekës këtu në Fier, u bë nga fillimi i këtij muaji dhe për përvoja konkrete është shpejt për të folur. Mund të them se ky institucion kulturor është një nga më të mirët në Shqipëri, qoftë nga hapësira, estetika, mirëmbajtja dhe funksionon me një staf korrekt dhe kulturëdashës. Edhe fondi i bibliotekës është relativisht i kënaqshëm. Për pasurimin e tij do punojmë në maksimum dhe besoj se në mënyrë permanente lexuesi do ketë akoma më shumë arsye të vijë në bibliotekë. Intelektualët dhe qytetarët fierakë them se duhet të ndihen krenarë për biblotekën e tyre. Është një institucion që e përfaqëson denjësisht kulturën e këtij qyteti. Si kudo në Shqipëri dhe në rajon, problemet ekonomike që po kalojmë janë edhe për ne një problem kyç që e bën paksa të turbullt vizionin e së ardhmes, por kemi shpresë se gjërat do shkojnë mirë.

Gjatë kësaj kohe, ndonëse pak javë, që ju jeni drejtues i këtij institucioni, si ka qenë frekuentimi nga ana e lexuesve?

Ka patur një frekuentim përgjithësisht të kënaqshëm. Pavarësisht se gushti nuk është muaji i përshtatshëm për t’u marrë si bazë për numrin e frekuentuesve të një biblioteke, ngase është muaj kur njerëzit largohen me pushime në bregdet apo në vende të ndryshme, gjithësesi sektorë të tillë si ai i librit shqip, apo sektori i librit për fëmijë kanë patur frekuentues të shumtë përgjatë gjithë javës që stafi ynë është në pritje të lexuesit. Qytetarët e Fierit janë njerëz kulturëdashës dhe pavarësisht eklipsimit të madh që i bëjnë bibliotekës, interneti dhe media dixhitale, prapë fatmirësisht ka shumë lexues që referent kryesor shohin librin dhe, bibliotekën si shtëpinë e librit. Në shume vende të botës së zhvilluar, për të ruajtur raportet e frekuentueshmërsisë dhe shërbimit bashkëkohor, bibliotekat operojnë tashmë edhe me literaturë të dixhitalizuar. Madje literatura e vjetër dhe unikale, për të shmangur  dëmtimin nga përdorimi, shërbehet edhe përmes teknologjisë së mikroformës, mikrofilmit, apo në forma të tjera të ngjashme. Interneti është një detë i gjerë e i thellë ku lundron në mënyrë të çrregullt dhe të rrezikshme informacioni, kurse një bibliotekë mbetet përherë shtëpia e dashur e librit. Lexuesi që frekuenton bibliotekën, e viziton librin në shtëpinë e tij. Kjo traditë është shumë e lashtë dhe e ka çuar qytetërimin për shekuj me radhë drejt përparimit. Edhe treva e Myzeqesë e njeh këtë traditë që nga kohërat antike me bibliotekën e Apolonisë, ku ruheshin tekste të ndryshme në papiruse. Që kjo traditë të mos shuhet, them se edhe bibliotekave iu bie një përgjegjësi e madhe që duhet menaxhuar me shumë energji dhe maturi.

 

Cilat janë disa nga planet tuaja për riorganizimin e këtij institucioni?

 

Biblioteka e Fierit e ka krijuar prej kohësh traditën e vet dhe them se duhet vetëm të organizohet. Godina e saj është një objekt i rikonstruktuar totalisht në nëntor të vitit 2000, duke i dhënë bibliotekës formën e saj moderne që ka sot. Për ta përmirësuar shërbimin dhe fondin e saj, së bashku me stafin tim të specialisteve përkatëse për çdo sektor, do punojmë maksimalisht. Do shfrytëzojmë çdo praktikë legjitime për pasurimin akoma më tej të kësaj biblioteke, qoftë përmes fondeve që burojnë nga Bashkia Fier, e cila e ka nën vartësi institucionin, qoftë nga donatorë, qoftë nga ndërkëmbimet me biblioteka të tjera në Shqipëri, Kosovë, apo në vende të tjera të botës. Krahas shumë shkollave, në Fier ushtrojnë veprimtarinë e tyre aktualisht dhe dy universitete të rëndësishme private, kështu që ne do përpiqemi që studentit fierak të mos i mungojënë edhe botimet universitare e akademike bashkëkohore, qoftë në gjuhën shqipe, qoftë në gjuhën e huaj.  Në praktikën tonë çdo burim për pasurimin e kësaj biblioteke me fonde të reja do të nderohet dhe vlerësohet. Gjithashtu kemi si objektiv të jemi përherë e më ndërveprues me komunitetet e lexuesve të ndryshëm dhe krijuesit, pa asnjë paragjykim përveç respektit reciprok dhe shërbimit ndaj qytetarit, si dhe promovimit të vlerave kulturore e shkencore të rajonit të Fierit e më gjerë. Kjo ka qenë praktikë e ndjekur edhe më parë. Krahas shërbimit të zakonshëm të librit dhe shtypit të shkruar, ditor apo periodik, ne ofrojmë edhe shërbime të tjera kulturore e arsimore për qytetarët, siç është shërbimi i internetit falas, aktivitetet e ndryshme përkujtimore dhe promovuese, kurse periodike të gjuhës angleze falas për nivele të ndryshme të nxënësve etj. Së shpejti do të inkuadrohemi në ëebsite dhe jo shumë larg do punojmë qe të kemi faqen tonë zyrtare online. Kjo i shërben promovimit të vetë institucionit tonë për lidhje dhe bashkëpunime me krijuesit dhe studiuesit, si dhe me donatorë dhe bashkëpunëtorë kudo në botë. Në axhendën tonë të bashkëpunimit do jetë çdo institucion, apo individ dashamirës ndaj shkencës dhe kulturës. Në kuadrin e këtij bashkëpunimi besoj se do sjellim në tryezën e diskutimit në sallën e kësaj biblioteke sa më shumë forca krijuese, që nga lokalët e deri tek personalitetet më të njohura të letërsisë dhe mendimit shqiptar në botë, siç janë Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Sabri Hamiti etj.

 

Ju përmendët Kadarenë dhe Qosen, për të cilët thoni se do t’i planifikoni për ftesa bashkëpunimi në planet tuaja të së ardhmes. Para ca vitesh vetë ju keni mbajtur një qëndrim mbrojtës ndaj Kadaresë gjatë debatit të njohur mediatik Qose – Kadare. Keni ndryshuar mendim?

Jo, nuk është se kam ndryshuar mendim dhe nuk është çështje preferencash, pavarësisht se unë ruaj konsideratën time të lartë ndaj aktivitetit letrar e kulturor të secilit prej tyre. Asokohe ndjeva njëfarë shqetësimi, ngase debati u ashpërsua shumë dhe Kadare u vu nën sulmin e shumë personave, që ishin, apo me dëshmitë e tyre u bënë papritur mediatikë. Unë e pata ndjekur në media dhe në ekran debatin që u zhvillua pothuaj gati gjatë gjithë vjeshtës dhe kur debati po i afrohej fundit, duke gjykuar nga mënyra se si u zhvillua, e kisha të qartë të mbaja qëndrimin e duhur. Atëherë botova tek “Shekulli”, shkrimin “Bubullima e gjatë e një vjeshte pa shi”, ku theksova negativitetin e një debati të tillë aq të ashpërsuar. Të dy, qoftë Qosja, apo Kadareja, përfaqësojnë vlera në kuota të larta në fushën e kulturës dhe të identitetit tonë shoqëror e kombëtar. Pikërisht për këtë përfaqësim, qasja e tyre në tryeza me krijues, intelektualë dhe lexues të një qyteti siç është Fieri, është një domosdoshmëri kulturore. Letërsia dhe mendimi ecin në mënyrë progresive edhe me zhvillimet e brezave dhe të vetë shoqërisë. Janë raste të rralla tejkalimet, më të dendura stonimet, por në rastin e autoriteteve të tilla që përmenda, dhe jo vetëm këta, faktori bashkëkohor funksionon normalisht. Fakti që përgjatë atij debati të gjatë, i cili në njëfarë mënyre ende nuk është mbyllur, mbajta qëndrim mbrojtës ndaj Kadaresë, edhe po ta shohësh në aspektin personal, nuk do të thotë se Qosen nuk e dua dhe nuk e çmoj për kontributin e tij në fushën e filologjisë shqiptare. Për mua asokohe qëndrimi i Qoses nuk duhet të shkonte drejt një ashpërsimi kritik të tillë, për shumë arsye që nuk lidhen vetëm me Kadarenë. Gjithësesi fenomeni nuk është i panjohur. Gjergj Fishta dhe Ndre Mjeda, dy poetë dhe intelektualë të shkëlqyer të viteve “30, të dy priftërinj, të dy shërbëtorë të palodhur në altarin e dijes dhe të kombit, jetonin në të njëjtin qytet, në Shkodër dhe kishin divergjenca të njohura midis tyre. Ndoshta është fenomeni i përjashtimit të tjetrit, i zbehjes së rolit të tij. S’mund ta them plotësisht me siguri, por nga mënyra e servirjes ngjan si diçka e tillë.

 

Juve e cilësuat pak më parë bibliotekën si “shtëpinë e librit”. Ju vetë jeni një poet dhe studiues i njohur tashmë, në brezin e pas viteve “90. Pra vini në krye të këtij institucioni kulturor pikërisht nga “republika e letrave”. Si ndihet një krijues në rolin e menaxhuesit të një biblioteke, apo “shtëpie libri”, siç e quani ju?

Puna e një drejtuesi biblioteke nuk është vetëm menaxhuese, por edhe bashkërenduese, projektuese dhe krijuese. Përveç kësaj mendoj se një drejtues biblioteke duhet të gëzojë njëfarë përvoje dhe autoriteti të spikatur në një fushë të caktuar të dijes. Mendoj se krijuesi në këtë rast ndjehet si prifti në tempullin e shenjtë. Është një nder i veçantë, por dhe një përgjegjësi e shumëfishtë kur ky nder i bëhet pikërisht një krijuesi dhe studiuesi. Në raftet e bibliotekës së tij fle dija e lashtë e së shkuarës dhe e së tashmes. Kjo dije duhet të zbulohet pambarimisht dhe të materializohet në të ardhmen nga qytetarët përmes sjelljes dhe veprimeve të tyre. Jo vetëm nga ai si krijues-studiues-menaxhues, por prej sa më shumë njerëzve që të jetë e mundur. Në një bibliotekë publike duhet të gjendet nga lexuesi mundësisht çdo gjë që lidhet me përvojën shkrimore, qoftë libër, broshurë, katalog apo fletëpalosje që lidhet me fushat e dijes dhe të arsimimit. Sa më shumë të lexohen librat, aq më shumë nderohet biblioteka dhe roli i saj ndërlidhës midis lexuesit dhe librit. Përvoja e gjatë me librin e rrit dhe ndërgjegjen e menaxhimit. Duke qenë se vetë letërsia dhe shkencat filologjike janë dominuese në një bibliotekë publike, menaxhimi i një biblioteke nga poetët dhe shkrimtarët besoj se duhet të jetë një praktikë e volitshme kudo në bibliotekat publike të qyteteve. Përsa i përket rastit tim në Bibliotekën Publike të Fierit, unë me stafin tim do punojmë maksimalisht që kjo të funksionojë.

Atëherë ju urojmë vetëm suksese!

Ju faleminderit!

Intervistoi: Ilirjan Gjika

Petrit Nika - Intervistë September 2, 2013 18:44
Komento

2 Komente

  1. Bato Mokra September 3, 07:25

    Intervistes do t’i shkonte per shtat shprehja “i eshte gjetur punes njeriu”. Megjithate, jo kalimthi, si njohes i veprimtarise se ketij institucioni, do te deshiroja te lexoja dicka dhe per nje nga drejtueset me te mira te rrjetit kombetar te bibliotekave, sidomos te atyre publike, zonjen e nderuar Athina Basha, e cila la ne ate institucion nje trashegimi te vyer, qe nuk mund te mos permendet me nderim, pavaresisht largimit te saj. Biblioteka publike e Fierit, nen drejtimin e saj ishte nje biblioteke pioniere ne risite qe do te aplikoheshin neper biblioteka, i ktheu dhe i rriti ndjeshem funksionet bashkekohore te bibliotekes. Me siguri, duhet te kete ende njerez ne stafin e z. Petrit dhe me shume jashte tij, si perdorues te bibliotekes qe t’i flasin ende per kete pervoje te kesaj drejtueseje, per te cilen eshte vleresuar edhe me cmimin si biblioteka me e mire, krahas BKSh-se e ndonje tjetre…Te shkofte mbare! E meriton ai qytet kulturedashes me nje kryetar bashkie, qe ka mbeshtetur ne cdo rast cdo iniciative kulturore, ne saje edhe te bashkepunetoreve qe ka pase si Fran Ukcama, Petraq Kote etj, poet dhe shkrimtar te njohur tashme.

    Reply to this comment
  2. sami February 9, 09:56

    pertoj ta lexoj po duket e mire

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*