Bie besimi i shqiptarëve ndaj BE-së

August 14, 2017 12:39

Bie besimi i shqiptarëve ndaj BE-së

Opinioni publik shqiptar, i monitoruar nga sondazhi i përvitshëm i Komisionit Evropian, Eurobarometër* shfaq një sërë të dhënash interesante. Të dhëna, që evidentojnë gjykimin dhe vlerësimin e tij ndaj situatave ekonomike dhe politike të brendshme kombëtare, por edhe evropiane. Besimin, që ata kanë në institucionet kombëtare dhe evropiane si edhe pritshmërinë e tyre në lidhje me situatën ekonomike. Por, kush janë të dhënat që tërheqin më shumë vëmendjen, sidomos në krahasim me të dhënat, që shfaqin vendet kandidate të rajonit, por edhe të BE-28 ?

Ekonomia 

EB-87

Teksa vjet do të ishin 66% e qytetarëve të pyetur, që do ta vlerësonin të keqe situatën ekonomike në vend, të dhënat e fundit flasin për një ulje të konsiderueshme (-21) të vlerësimit negativ duke shkuar në vetëm 44%, ndërkohë që 55% (+20) e të pyeturve kanë deklaruar se situata ekonomike në vend është tërësisht e mirë.

Në të njëjtën linjë pozitive, vlerësohet jo vetëm situata personale në lidhje me punën, ku 55% e të pyeturve deklarojnë se është tërësisht e mirë, po ashtu edhe situata financiare në lidhje me shtëpinë, ku 58% e të anketuarve e kanë vlerësuar si tërësisht të mirë.

Vlerësimit pozitiv mbi gjendjen ekonomike në vend i shtohet edhe optimizmi mbi pritshmërinë për 12 muajt në vijim. Në shumicë (55%) qytetarët e pyetur, shprehen se situata ekonomike në 12 muajt në vijim do të jetë më e mirë; në lidhje me punësimin, ata deklarojnë gjithashtu në shumicë (52%) se situata do të jetë më e mirë; duke qëndruar në të njëjtën linjë edhe mbi situatën personale në lidhje me punën (49%).

Papunësia (36%), ekonomia (29%) dhe rritja e çmimeve/inflacioni dhe kosto e jetesës,  dhe siguria sociale (përkatësisht me 26% ) shfaqen si problemet më të rëndësishme, me të cilat po përballet vendi. Por, duhet theksuar se papunësia njeh rënie, teksa vlerësohej si shqetësim vitin e kaluar, nga 37% e të anketuarve dhe në vitin 2015, nga 55% e tyre.

Ndërsa, dy çështjet më të rëndësishme me të cilat po përballet personalisht qytetari shqiptar janë: rritja e çmimeve/inflacioni dhe kosto e jetesës (34%) dhe shëndeti dhe siguria sociale (29%).

Në krahasim me vendet kandidate të rajonit, qytetarët serbë e kanë vlerësuar situatën ekonomike në vendin e tyre, si negative, në një shumicë absolute prej 80%. Qytetarët e Malit të Zi e kanë vlerësuar në nivelin 76 % si negative, ndërsa qytetarët e Maqedonisë e kanë gjykuar si negative në një nivel prej 72%.

Besimi ndaj institucioneve 

EB-87

50% e qytetarëve të pyetur janë shprehur se, priren të mos i besojnë Parlamentit kombëtar, ndërkohë që në BE-28 ky nivel, shfaqet në 57%.

Besimi i qytetarëve shqiptarë ndaj qeverisë, është rritur (+4) që prej pranverës së vitit 2016, duke shkuar në nivelin prej 49%. Ndërsa, përqindja e qytetarëve, që priren të mos i besojë qeverisë (46%) nuk njeh lëvizje që prej vitit të kaluar. Ndërsa 5% e të pyeturve, janë shprehur se nuk e dinë.

Ndërkohë që vlen të theksohet gjithashtu se, në pranverën e vitit 2015, vetëm 39% e qytetarëve shqiptarë të pyetur prireshin t’i besonin qeverisë, kundrejt një shumice (53%) që prirej të mos i besonte asaj.

Por, prirjen më të lartë për besim (65%) qytetarët shqiptarë e kanë ndaj Bashkimit Evropian. Gjithsesi, ky besim është lëkundur dhe ka njohur rënie modeste (-2), prej monitorimit të vitit të kaluar.

Tek qytetarët e BE-28, kjo prirje për të besuar shfaqet në një nivel prej vetëm 42%.

Në rajon, qytetarët shqiptarë kryesojnë për nivelin e lartë të besimit, që kanë ndaj BE-së, teksa qytetarët serbë, këtë besim e kanë në 35%, qytetarët malazezë në 47%, dhe qytetarët maqedonas në 53%.

Edhe për sa i përket pasjes së një imazhi pozitiv ndaj BE-së, qytetarët shqiptarë e konfirmojnë këtë prirje në një shumicë të konsoliduar prej 73%. Edhe pse, ky vlerësim njeh rënie (-7) në krahasim me vitin e kaluar.

Ndërsa në tërësi qytetarët e BE-28, mbartin një imazh pozitiv ndaj BE-së vetëm në nivelin prej 40%.

Ndërkohë që në vendet kandidate në rajon, vetëm 35% e qytetarëve serbë të pyetur kanë imazh pozitiv për BE-në; 42% e qytetarëve malazezë; dhe 55% e qytetarëve të pyetur të Maqedonisë.

Për qytetarët shqiptarë, cilësimet që e përshkruajnë më mirë BE-në, janë: modernë (88%), demokratikë (83%), vizionarë (82%), dhe mbrojtës (80%). Në rajon, kemi gjithashtu të njëjtin konfigurim vlerësimesh.

Për qytetarët e Unionit, cilësimi demokratik (63%) vjen i pari, dhe më pas vijnë cilësimet e tjera si modern (60%), vizionar (54%), dhe mbrojtës (53%).

Në lidhje me njohuritë, që qytetarët kanë ndaj BE-së në tërësi, qytetarët shqiptarë të anketuar janë përgjigjur në mënyrë të gabuar në dy prej tyre, në lidhje me zgjedhjen direkt të deputetëve evropianë nga qytetarët e çdo vendi anëtar (51%), si edhe në lidhje me faktin që Zvicra nuk është anëtar i BE-së, (56%). Në pyetjen e tretë, nëse Eurozona përbëhet nga 19 anëtarë, 45% e të pyeturve ka dhënë përgjigje të saktë, 40% e tyre të gabuar dhe 15% janë shprehur se, nuk e dinë.

Në rajon, qytetarët e Serbisë (56%), të Malit të Zi (61%) dhe të Maqedonisë (67%) kanë dhënë përgjigje të saktë në lidhje me faktin se, Zvicra nuk është anëtar i BE-së; ndërsa për dy pyetjet e tjera, po njësoj si qytetarët shqiptarë përgjigjet janë të pasakta edhe pse me luhatje nga njëri vend në tjetrin.

Por sa të lidhur ndjehen qytetarët e vendeve kandidate të rajonit, me BE-në dhe me Evropën ?

Vetëm 41% e qytetarëve shqiptarë të pyetur, ndjehen të lidhur me Bashkimin Evropian, dhe 58 % e tyre janë shprehur se, nuk ndjehen të lidhur me Unionin. Ndërsa me Evropën, 54% e të pyeturve janë shprehur se nuk ndjehen të lidhur, përkundrejt 44% që shprehin të kundërtën.

Në rajon, qytetarët malazezë, po ashtu si qytetarët shqiptarë, shprehen në të njëjtin nivel prej 58%, se, nuk ndjehen të lidhur me Bashkimin Evropian dhe 53% e tyre shprehen se, nuk ndjehen të lidhur me Evropën. Qytetarët maqedonas, shprehen në 49% se nuk ndjehen të lidhur me BE-në dhe 48% vlerësojnë të kundërtën, ndërkohë që 54% e tyre shprehen, se ndjehen të lidhur me Evropën. Ndërsa, qytetarët serbë shprehen në një shumicë të konsoliduar prej 78%, se nuk ndjehen të lidhur me BE dhe me të njëjtin nivel të lartë prej 70% shprehen se nuk ndjehen të lidhur me Evropën.

*Eurobarometri Standard EB-87, është zhvilluar në 34 vende të Evropës, në BE-28 si edhe në 5 vendet kandidate (Shqipëri, Serbi, Mali i Zi, Maqedoni dhe Turqi). Metodologjia e anketimit bazohet në intervista të drejtpërdrejta, ku janë pyetur 1083 qytetarë shqiptarë, përgjatë periudhës 20- 30 maj të këtij viti.

DITA

August 14, 2017 12:39