Bie ndjeshëm besimi në ekonomi për 2016

April 25, 2016 09:22

Bie ndjeshëm besimi në ekonomi për 2016

Besimi në ekonomi nuk ka nisur mirë për vitin 2016. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë flasin për një ulje të ndjeshmërisë ekonomike jo vetëm nga sektorët e ekonomisë por dhe tek konsumatori. Kështu Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) ra me 5.7 pikë, në tremujorin e parë të vitit 2016, duke zbritur poshtë mesatares historike për herë të parë pas tre tremujorëve.

Ecuria e këtij treguesi u përcaktua nga rënia e besimit në të gjithë sektorët e ekonomisë, ku rënie më të fortë regjistroi besimi në sektorin e ndërtimit. Sipas raportit të Bankës balanca e kërkesës ka pësuar rënien më të theksuar në tremujorin e parë, me 12.4 pikë përqindje. Gjithashtu, kërkesa nga eksportet vlerësohet të ketë rënë (balanca ra me 2.6 pikë përqindje).

Për tremujorin e dytë, bizneset presin një rikuperim të lehtë të kërkesës (balanca u rrit me 0.3 pikë përqindje). Balanca e pyetjes mbi investimet e reja, të kryera gjatë gjashtëmujorit të fundit, si dhe ajo për investimet e pritura në gjashtë muajt e ardhshëm, janë rritur me 16.1 pikë përqindje dhe 20.2 pikë përqindje këtë periudhë.

Bizneset kanë vlerësuar një rritje të lehtë të çmimeve të prodhimit për të dytin tremujor radhazi. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri shënoi vlerën 69.0% në tremujorin e parë, 2.9 pikë përqindje më e ulët se mesatarja historike. Bizneset e industrisë i kanë shfrytëzuar më pak kapacitetet e tyre, në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2015 (me 4.6 pikë përqindje), por disi më shumë se i njëjti tremujor i një viti më parë (me 1.2 pikë përqindje).

Sektori i ndërtimit, larg besimit në ekonomi

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) ra me 16.7 pikë përqindje në tremujorin e parë të vitit 2016, pas dy tremujorësh me rritje. Niveli i tij qëndron poshtë mesatares historike me 15.4 pikë përqindje dhe poshtë mesatares së periudhës 2008 – 2015 me 9.0 pikë përqindje. Gjatë tremujorit të parë janë vlerësuar me rënie të gjitha aspektet e biznesit në sektorin e ndërtimit. Rënien më të theksuar e shënoi balanca e gjendjes së përgjithshme të biznesit, me 23 pikë përqindje.

Pritjet për gjendjen e përgjithshme të biznesit, për tremujorin e dytë të vitit, janë gjithashtu me rënie, vlerësohet në raport. Edhe balanca e gjendjes financiare regjistroi rënie me 21.2 pikë përqindje në tremujorin e parë. Po kështu norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin e ndërtimit, gjatë tremujorit në analizë, vijoi rënien.

Aktualisht kjo normë shënon nivelin 54.7% ose 9.5 pikë përqindje më pak se mesatarja historike e saj. Në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë kjo normë është 2.5 pikë përqindje më e ulët.

Sektori i shërbimeve

Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSh) vijoi tendencën rënëse në tremujorin e parë të vitit 2016, duke qenë 1.0 pikë përqindje më poshtë nivelit të një tremujori më parë. Rënia e tij rezultoi disi më e ngadalësuar gjatë periudhës në analizë. Aktualisht niveli i TBSh-së mbetet 3.7 pikë përqindje nën mesataren historike.

Vijimi i prirjes rënëse të TBSh-së u shkaktua nga rënia e dy prej balancave përbërëse të tij: kërkesa (balanca ra me 5.3 pikë përqindje) dhe ecuria e përgjithshme e biznesit (balanca ra me 1.7 pikë përqindje). Në të kundërt, gjendja financiare, balanca tjetër formuese e TBSh-së, rezultoi e përmirësuar (+4.1 pikë përqindje), por në një masë të pamjaftueshme për të ndërprerë rënien e treguesit.

Sektori i tregtisë

Treguesi i besimit në tregti (TBT), megjithë rënien me 4.1 pikë përqindje në tremujorin e parë të vitit 2016 vijoi të qëndrojë mbi mesataren historike afatgjatë. Të treja balancat formuese të treguesit kontribuan në rënien e nivelit të TBT-së gjatë tremujorit në analizë. Rënie të ndjeshme shënoi balanca e gjendjes financiare, me 5.8 pikë përqindje, dhe balanca e ecurisë së përgjithshme të biznesit, me 5.7 pikë përqindje.

Ndërkohë, balanca e punësimit ra në një masë më të vogël, prej rreth 0.7 pikësh përqindjeje.Vlerësimet dhe pritjet e bizneseve të përfshira në vrojtim kanë rezultuar të përkeqësuara për të gjitha aspektet e lidhura me aktivitetin e tyre. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në tregti shënoi rënie me 5.7 pikë përqindje, duke qëndruar në nivelin 73.5% në tremujorin e parë të vitit 2016. Bizneset rezultojnë të kenë shfrytëzuar kapacitetet e tyre me një normë 5.2 pikë përqindje më të ulët se norma mesatare historike dhe 2.3 pikë përqindje më të ulët se norma e të njëjtës periudhë një vit më parë.

April 25, 2016 09:22
Komento

1 Koment

  1. shaqo April 25, 11:20

    Akoma me i ndjeshem eshte renia e besimit tek gazeta DITA , TEMA 2, OSE TEMA 1-DITA 2

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*