Bieber: Deklarimet e Thaçit për korrigjim kufijsh tregojnë se ai po zhvillon bisedime sekrete

February 10, 2019 16:08

Bieber: Deklarimet e Thaçit për korrigjim kufijsh tregojnë se ai po zhvillon bisedime sekrete

Historiani dhe diplomati nga Luksemburgu, Florian Bieber, njëherësh bashkërendues i Grupit për Këshill Politik Evropian (BIEPAG), mendon se lidhur me Kosovën, jashtë skenës publike, prapa dyerve të mbyllura po bisedohet për ndryshimin e kufijve, për çka ekziston edhe përkrahja e disa vendeve perëndimore. Këtë sipas tij e dëshmojnë deklarimet e Thaçit për korrigjim të lehtë të kufijve.

Për të problemi më i madh është se po krijohet përshtypja sikur Gjermania është jashtë këtyre zhvillimeve, por thotë se nuk e di nëse ndonjëherë kanë ndodhur diku bisedime, “në të cilat nuk ka qenë e përfshirë Gjermania, e të cilat kanë mundur të sjellin një rezultat i pozitiv”.

Sipas Bieber, deklaratat e fundit të presidentit Thaçi për një korrigjim të lehtë të kufijve dhe përmendja e Rusisë nga ai, flasin në favor të tezës për “bisedime të fshehta”.

Në anën tjetër ai paralajmëron se “ndryshimi i kufijve është një opsion i rrezikshëm, i cili më shumë hap probleme, sesa mbyll probleme”.

“Nuk e zgjidh as problemin e serbëve që do të mbesin të jetojnë në Kosovë, pas shkëmbimit të territoreve”, tha Bieber, për “FoNet”

Ai dyshon në gatishmërinë e Beogradit dhe Prishtinës për ta zgjidhur këtë problem.

“Nuk e kam fituar përshtypjen se në Beograd dhe në Prishtinë duan të zgjidhin këtë çështje. Beogradi, për shkak të BE-së, vetëm flet për një zgjidhje. Në të njëjtën kohë, për ta [udhëheqësit serbë] do të ishte ideale të mos gjejnë zgjidhje dhe për këtë të fajësojnë palën kosovare”, tha Bieber, i cili problemin tek pala kosovare e sheh tek mospajtimet mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj.

Sipas tij, “Thaçi po i dërgon mesazhe Perëndimit se si ai po bën gjithçka që ta zgjidh problemin, duke u përpjekur të sigurojë përkrahjen që të mbetet në pushtet dhe të mos jetë i akuzuar për disa gjëra që i ka bërë në të kaluarën”.

Bieber vlerëson se krerët e pushtetit në Serbi dhe në Kosovë nuk komunikojnë në mënyrën që nënkupton zgjidhje dhe marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, për dallim nga qeveritë e Maqedonisë dhe Greqisë, shkruan ‘telegrafi’.

“Ato kanë bërë përpjekje që të ndryshojnë mënyrën e komunikimit, kurse mesazhi nga Beogradi dhe Prishtina është – ne urrehemi, por do të arrijmë marrëveshje përmes urrejtjes”, ka thënë Bieber.

 

v.l. Dita

February 10, 2019 16:08
Komento

1 Koment

  1. Kasandra February 11, 19:04

    Nyje Gordiane?!
    Nyja Gordiane zgjidhet ose pritet, dredhohet ose shmanget. Autori i këtij shkrimi paralajmëron se bisedimet sekrete fshehin ndarjen e Kosovës (Znj. Mogherini e ka kërkuar hapur diskutimin e statusit të Trepçës në Bruksel), dhe se palët në bisedime nuk e duan zgjidhjen e kësaj çështje për arsyet e tyre, mirëpo s’kanë ç’ti bëjnë Brukselit. Pyesim: po Brukseli çfarë do që nuk i përmbahet pavarësisë së Kosovës, por vë të dy palët që aspirojnë të hyjnë në BE të kacafyten me njëri tjetrin nën drejtimin e tij? Pse nuk kanë këto dy vende të drejtë të mbajnë përgjegjësi vetëm për veten e vet po i fusin në një shportë si dy karavidhe që pengojnë njëra tjetrën për të dalë jashtë? Cila është nyja Gordiane që BE nuk e zgjidh dot vetë? Cili është problemi i vërtetë që historiani dhe diplomati Florian Bieber flet vetëm si diplomat për situatën e krijuar por jo si historian? E ka të lehtë se nuk pritet në mish të tij!
    Ai ka pak merak se “korrigjimi i lehtë i kufijve”, siç e ka kuptuar ai Presidentin Thaçi, është opsion i rrezikshëm se hap probleme, por, thotë ai, mund të mos zgjidhet plotësisht as problemi i serbëve të mbetur në Kosovë. Bobo, ç’farë halli! Mërzitet kotë, njerëzit janë të lirë të lëvizin si të duan, trualli është tokë autoktone shqiptare, nuk luan nga vendi qoftë në anë apo në mes të Kosovës.
    Ai hedh balt edhe mbi Presidentin Thaçi kur përmend akuza të pa faktuara. Ai barazon pushtuesin dhe kolonizatorin që mban akoma territore shqiptare me viktimën kur e përmbledh historinë e përgjakshme me fjalët cinike “urrejtje dhe marrëveshje përmes urrejtjes”. Ai mbyll sytë para pastrimit etnik të shqiptarëve dhe përpjekjeve serbe për të përvetësuar me dredhira truallin e spastruar, veriun e Kosovës si të ishte truall pa zot. Njeriu i Zotit, Kryepeshkopi Irinej nuk turpërohet kur thotë se “Serbija pa Kosovën është si njeriu pa zemër”-zero, dhe kur pretendon se kishat janë serbe kur ato janë fakte historike që dëshmojnë pushtimin serb dhe përdoren bashkë me njerëzit si mjet presioni. Bota ka edhe plotë probleme të tilla të ngjashme që presin të zgjidhen me drejtësi. Këtë nyje Gordiane historiani Bieber e ka anashkaluar.
    Situatat ndryshojnë vazhdimisht…Drejtësia vonon po nuk harron. Kasandra.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim