Bien drastikisht rastet e infektimit me SIDA, shoqatat në alarm

August 30, 2016 17:56

Bien drastikisht rastet e infektimit me SIDA, shoqatat në alarm

 

Rritja qesharake e rasteve të infektimit me SIDA për të gjashtin vit rresht dhe rreziku i afërt i humbjes së qindra mijë eurove financime për fushatat e ndërgjegjësimit kundër kësaj sëmundjeje, mblodhi në Tiranë një grup aktivistësh të vendosur për të ndërgjegjësuar qytetarët mbi rëndësinë e marrjes së Sida-s, mësojë Gojët e Liga.

“Ne kemi 15 vjet që punojmë parreshtur për të bindur qeverinë se financimi i fushatave kundër Sida-s është jetike për ne”, tha koordinatorja e takimit, Rubeola Verdhëza, “por tani që kjo sëmundje pothuajse ka mbetur në vend numëro, gjithçka mund të hidhet në erë. E vetmja mënyrë për të shtuar ndërgjegjësimin mbi këtë virus vdekjeprurës, është që akoma më shumë njerëz të vdesin nga ai”.

Kështu, aktivistët e shoqatave të ndryshme vendosën të udhëtojnë në qytetet kryesore të vendit, të vizitojnë universitete dhe gjimnaze për të ofruar informacion mbi seksin e pasigurtë dhe për të inkurajuar njerëzit të infektojnë miqtë e të afërmit.

Siç mësojnë Gojët e Liga, sloganet kryesore të fushatës janë “SIDA, jo vetëm për DISA!”, “Ma HIV mua!” dhe “Kape dhe Shpërndaje!”.

Koordinatorja Rubeola Verdhëza sqaroi se janë me qindra familje ato që mbahen nga financimet e fushatës kundër Sida-s.

“Ç’do të bëhet me mbrëmjet gala, me VIP-at që bëhen zëdhënës të fushatave, me stafet e shoqatave tona. Po me gjithë ata djem e vajza të talentuara që bëjnë dizajnet grafike dhe posterat aq të bukura dhe ngjethëse? Prandaj, unë them: Kapeni dhe shpërndajeni”, përfundoi ajo.

 

***

Shënim: Edhe pse Gojët e Liga është rubrikë satirike, mos qeshni me detyrim. Mjafton të futeni në mendime.

August 30, 2016 17:56
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*