Bij të denjë dëshmorësh dhe bashkëshortë shembullorë

May 5, 2018 10:21

Bij të denjë dëshmorësh dhe bashkëshortë shembullorë

Nga Gëzim Voda                                                                                                                                      

(Servet dhe Inajete Agalliu, ata që u bënë dikushi pa baba)

Kur vjen 5 Maji kemi vite e dekada që kujtojmë të rënët, ata që derdhën gjakun për një Shqipëri të lirë e pa pushtues. Kujtojmë ata djem dhe vajza që në shumicën e tyre dhanë jetën në lule të rinisë, pa arritur të krijonin familjet përkatëse, ata që sakrifikuan veten si idealistë, që para se t’u dhimbsej jeta dhe trashëgimia e tyre familjare, menduan për vatanin. Gjykuan se pa një Shqipëri të lirë, do të ishte e cunguar edhe liria e tyre individuale e familjare.

Ca më shumë kjo sakrificë merr vlera kur disa prej tyre nuk lanë pas vetëm prindër, vëllezër, motra e të afërm, por edhe gruan e fëmijët e tyre. “Mbyllën sytë” në betejë pa arritur të shohin ç’fat pati më pas pjella e vet, ç’rrugë ndoqën ata në mungesë të një prindi. Kjo kategori dëshmorësh, sigurisht është më e pakët në numër, sepse shumica ishin të pa martuar, por do të qe një homazh përkujtimor kur flitet jo vetëm për atë çfarë dhanë ata për kohën që jetojmë sot, por edhe për trashëgimtarët e drejtpërdrejtë, për fëmijët që mbetën pa baba, të cilët nuk mundën t’i shihnin e t’u përkushtoheshin këtyre fëmijëve, të angazhoheshin për mirërritjen e mirë edukimin e tyre, t’u gëzoheshin arritjeve të tyre nder vite.

Ndër këta trashëgimtarë janë edhe bashkëshortët Servet dhe Inajete Agalliu, bij të dëshmorëve të luftës antifashiste Nacionalçlirimtare, përkatësisht të Hysen Agalliut nga fshati Çorrogjaf i krahinës së Tërpanit të Beratit dhe të Mehdi Vilës nga fshati Vinokash i Parë i krahinës së Dëshnicës në Përmet, krahina të cilat kanë mjaft gjëra të përbashkëta në zakone e tradita e që puqen me njëra-tjetrën tek fshatrat Bubësi Dytë e Vokopolë. Si Hyseni edhe Mehdiu kanë qenë pjesë e familjeve me tradita atdhetare e patriotike në secilin fshat.

Njëri prej të parëve të Hysenit kish qenë bashkëluftëtar me Tafil Buzin. Ndërsa Vilët e Vinokashit ishin shquar gjatë pushtimit osman dhe sidomos gjatë lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare. Të dy u rreshtuan në radhët partizane qysh në vitin 1943. Hyseni, si fillim në çetën partizane të fshatit të vet, madje edhe komandant i asaj çete e më pas në batalionin e Mallakastrës që komandohej nga kushëriri i tij, Baba Fejzua. Ndërsa Mehdiu pasi braktisi radhët e ushtrisë qeveritare të kohës, u bë pjesë e “Çetës Plakë” të Mallakastrës dhe më tej në brigadën e 7-të sulmuese.

Të dy luftuan siç u kish hije burrave të motit dhe e paguan me jetë. Mehdiu  u vra në shkurt të vitit 1945, kur brigada e tij luftonte kundër forcave naziste në territoret e Malit të Zi. U flijua kur ishte 27 vjeç duke lënë trashëgimtare dy vajza: Inajetin pa i mbushur 3 vjeç dhe Mbaresën një vjeç e pak. Hyseni, u plagos shumë rëndë në luftimet e zonës së Mallakastrës në verën e vitit 1944, dhe ndonëse u kurua ndër vite nëpër spitale, ndërroi jetë në vitin 1950, kur mbushte moshën 50 vjeç, duke lënë pas 9 fëmijë: 5 djem dhe 4 vajza. Ai kish lindur në 5 Maj dhe kjo datë ka vlerë të dyfishtë për të. Prej shumë vitesh janë shpallur zyrtarisht “Dëshmorë të Atdheut” dhe kanë merituar e meritojnë gjithë respekt për veprën e tyre sublime.

Fëmijët e tyre, patën fate të ndryshme gjatë rritjes dhe formimit individual. Hyseni ndërroi jetë kur fëmijët e tij ishin më të përkëmbur, madje më të mëdhenjtë kishin hedhur edhe hapat e parë në jetë. Pjesa tjetër ishte nën kujdesin dhe ndikimin e bashkëshortes, nënë Shahos, një grua punëtore dhe trime me tipare burri që bënte emër në fshat e në krahinë, një “Maro Mokra” e asaj zone, që jetoi me kobure në gji deri në vitin 2001 kur ajo u nda nga jeta.

E pati trofe nga ajo luftë si një ndër aktivistet e shquara në teren. Ndryshe qe me vajzat e Mehdiut. Nëna e tyre që ishte shumë e re në moshë kur iu vra i shoqi, me mirëkuptim mes miqësisë u rimartua gjetkë dhe Inajeti e Mbaresa mbetën nën kujdesin e gjysh Selmanit dhe gjyshe Haxhos, prindërit e babait dhe njerëz me cilësi të rralla për bujari dhe mirësi në Vinokash e më tej. Ata në asnjë rast nuk dhanë shkas që ato të konsideroheshin “jetime”, përkundrazi meraku dhe kujdesi i tyre nuk rreshti kurrë për t’i nxjerrë ato me dinjitet në jetë. Ishin “nishanet” e vetme që u la djali, “drita e syve” për ta, deri sa një ditë do t’u gëzoheshin martesave të tyre.

Fati e deshi që vajza e madhe e Mehdiut, Inajeti në vitin 1959, kur ishte vetëm 17 vjeçe, të martohej me Servetin, djalin e dytë të Hysenit. Rast disi i rrallë. Dy fëmijë dëshmorësh bëheshin pjesë e njëri-tjetrit. Nuk “u kolisën” me dashuri dhe as u lidhën të motivuar politikisht. Rastësia e pruri të përfundonin ashtu. U bënë sebep dashamirës të tyre për atë martesë fatlume, e cila është përshkuar nga korrektesa dhe harmonia shembullore në shtatë dekadat e derisotme. Ndër vite ata u bënë prindër të një vajze dhe gjyshër të dy mbesave. Edhe pse jeta i lidhi së toku, ata ashtu sikurse kanë pasur të përbashkët qenien “Fëmijë Dëshmorësh” dhe përkushtimin e korrektesën në punë e në jetë, kanë edhe të veçantat në ecurinë individuale të tyre. Veçse, asgjë nuk u është falur për shkak të kësaj trashëgimie, asnjë privilegj apo “ledhatim” nuk ka ndodhur me ta me që baballarët i kishin dëshmorë.

Përkundrazi, kanë pranuar të sakrifikojnë për t’u bërë dikush në jetë në saj të përpjekjeve individuale për t’u arsimuar dhe angazhuar në punë e detyra që u janë caktuar mbi bazën e meritës profesionale dhe asaj morale, duke u bërë dikush pa thënë kurrë “jo” për çka u besohej dhe pa pretenduar kurrë ofiqe për “sadaka” (mëshirë).

Kur Inajeti u martua, Serveti kish kryer Shkollën e Bashkuar dhe gjendej oficer në Durrës. Inajeti që vinte nga fshati, kish mbetur me arsimin 7-vjeçar, sepse në zonën e Dëshnicës shkolla e parë e mesme u hap në Këlcyrë 4 vite më vonë, në vitin 1963. Në atë moshë ajo nuk mund të rrinte thjesht “një grua shtëpiake”, për hir  “të vajtjes tek burri”. Nuk mund ta pranonte këtë as bashkëshorti i saj. Ishte e gatshme të bënte çfarë do lloj pune, mjafton që të integrohej në një kolektiv punues.

Dhe prej vitesh punoi punëtore e thjeshtë në Ndërmarrjen Tregtare Ushqimore të atij qyteti. E konsideroi këtë hap, si arritjen e parë të saj. Synimi tjetër ishte, arsimimi i mëtejshëm. Të ishe në qytetin e Durrësit dhe të mbeteshe më arsim 7-vjeçar, kur shkollat e mesme pa shkëputje nga puna po bëheshin masive në atë kohë, ishte e pa pranueshme për ta. Dhe, pa e lënë punën do të merrte jo vetëm arsimin e mesëm në atë qytet, por edhe arsimin e lartë. Kjo ishte arritja e dytë dhe më e rëndësishmja për të. Në vitin 1974, ajo ishte një ndër të diplomuarit e parë të Fakultetit Ekonomik që u hap aso kohe në Durrës si pjesë e Universitetit të Tiranës.

Dy vjet më pas kreu edhe kursin pasuniversitar për ekonomi në Tiranë. Dhe të gjitha këto duke qenë edhe nënë me fëmijë. Rritja e nivelit arsimor dhe përvoja në punë, e kishin zhvilluar atë jo vetëm si punonjëse dhe aktiviste shoqërore, por edhe intelektualisht, duke u radhitur ndër femrat më të emancipuara të Durrësit. Qenë këto arsyet që Inajeti në vitin 1976, me meritë u bë drejtore e asaj ndërmarrje, detyrë që e kreu me dinjitet për 12 vjet rresht. Ky qe viti kur ajo u bë edhe Deputete e Kuvendit të Shqipërisë, mandat të cilin e mbajti për disa vite. Kësisoj, ajo ka mbetur njëra mes dy femrave dëshnicare që arriti këtë  nivel vlerësimi në ato vite, duke u bërë një personazh i njohur publik, sidomos në Durrës. Ishte një triumf i vullnetit, këmbënguljes dhe përkushtimit të saj, por dhe i mbështetjes së pakursyer prej bashkëshortit të vet Servetit.

E ndërsa kjo ishte rruga që kish përshkuar Inajeti, ecuria e Servetit nuk qe aq e ngjashme me atë të bashkëshortes. Duke qenë pak vite më i madh në moshë, ai ndonëse në vitet e luftës nuk ishte më shumë se 12-13 vjeç, nuk i kaloi ato kohë thjesht duke ruajtur shqerrat ose kecrret siç ndodhte me moshatarët e vet, por donte të “burrërohej” para kohe, të ndiqte gjurmët e të atit, pa i marrë leje atij “të kontribuonte” dhe ai në atë luftë. Ishte tip çapkëni dhe i shkathët, që i pëlqenin aventurat, i përshtatshëm për detyrën e një “korrieri partizan”. Ja besuan jo pa mëdyshje këtë detyrë, sepse dikush e quajti “kec kërthi” që nuk mund t’i ngarkohej një “çilimiu” një mision i tillë.

Por ai dha prova për të kundërtën. Ai me kalin e tij shkeli fshatra me radhë jo vetëm në zonën e Tërpanit, por deri në fshatra të Tepelenës, Përmetit, Skraparit dhe Mallakastrës që ishin afër me Tërpanin dhe Rehovën. Kali që ai kalëronte, ishte “shoku” më i ngushtë për mirë e për keq. Ai e shpinte gjasme tek “miku i babait”, tek “mulliri për të bluar bereqet”, apo dhe deri tek “dyqanxhiu” në Berat. Ai numëron plot 73 “baza lufte” ose pika kontakti për të shpurë dhe marrë porosi në interes të luftëtarëve për liri. Diçka e rrallë për atë moshë në kushte lufte, që sot zor ta marrin përsipër dy herë më të mëdhenj se ai në moshë. Më pas iu “vërsul” aksioneve vullnetare për ndërtim rrugësh e hekurudhash që morën përparësi mbas çlirimit të Shqipërisë.

Shkoi 4 herë në aksione të tilla që nga ndërtimi i rrugës Kukës-Peshkopi në vitet 1946-1947 deri tek ndërtimi i hekurudhës Peqin-Elbasan në vitin 1950, dhe u dekorua tre herë me “Medalje Pune”. Ndërkohë, në vitet 1947-1949- ai kreu dy vjet shkollën për gjeometër dhe punoi në Durrës, Kuçovë e Patos. Më pas (1951-1953), kryen Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë dhe më tej Akademinë e Lartë Ushtarake dhe Fakultetin e Histori-Gjeografisë në Tiranë, të cilat e ndihmuan të ngjisë shkallët e karrierës nga komisar kompanie deri komandant reparti, Shef  Shtabi i Forcave Vullnetare në Durrës etj. Gjurmët e tij komanduese i la në Berat, Vlorë, Lushnjë e sidomos në Durrës, ku ai mbylli karrierën dhe doli në pension në vitin 1988 dhe prej vitesh banojnë familjarisht në kryeqytet.

Një karrierë e lakmueshme për shumë kënd, e karakterizuar nga devotshmëria, korrektesa dhe profesionalizmi, por dhe nga marrëdhëniet shembullore më njerëzit. Jo më kot ai është vlerësuar me mjaft Urdhra e Medalje të ndryshme, që do e kish zili çdokush nga ne. Njëherazi ai gëzon titullin e “Veteranit të LANÇ-it”.

Aktualisht i ka kaluar të 85 vjeçët, por mbahet vital fizikisht e mendërisht dhe ka vite që kontribuon me pasion e përkushtim në Komitetin Kombëtar  të Veteranëve të LANÇ-it si anëtar Kryesie dhe Shef Departamenti. Njëherazi ai është N/Kryetar i Organizatës së Dëshmorëve të Atdheut për Tiranën etj. Një përfaqësim dinjitoz i trashëgimisë atdhetare të të parëve të vet, ashtu sikurse e përligj këtë dinjitet edhe shoqja e tij e jetës, Inajeti.

Ata, kur vjen 5 Maji kanë të njëjtat ndjesi si “Fëmijë Dëshmorësh”dhe ndjehen krenarë për këtë përfaqësim dinjitoz që u bëjnë baballarëve të tyre që nuk jetojnë. Por ata meritojnë respektet e posaçme edhe për ndjekjen me konsekuencë e ndershmëri të rrugës për të cilën u flijuan prindërit e tyre. Është i vetmi stimul moral që mund t’i jepet kësaj kategorie qytetarësh, të cilët çuditërisht nuk gëzojnë asnjë lloj stimuli material që e kishin dikur si “Fëmijë Dëshmorësh”, ndërkohë që ndryshe veprohet me fëmijët e të përndjekurve politikë. Nuk është thjesht çështje “interesi material”, por respekt dhe detyrim për të respektuar sakrificat e të rënëve dhe të fëmijëve të tyre, siç bën gjithë bota e përparuar.

May 5, 2018 10:21
Komento

6 Komente

  1. Dinua May 5, 14:37

    Hyseni vdiq ne spital ne vitin 1950 dhe u shpall deshmore??? Megjithate nderime, me vjen keq qe askush nuk i kujton me.

    Reply to this comment
    • Refik Malo (oficer ne pension) May 5, 18:00

      Po s’ka rendesi kur ka vdekur o Dine, rendesi ka se per cfare ka vdekur, kemi deshmore edhe ne vitet 2000, te rene ne Afganistan ne mision.
      Ju lumte gazeta Dita, te lumte shoku Bedri Islami, mos i harroni te renet, kurre.

      Reply to this comment
  2. demo May 6, 09:22

    Por cfare picken e katunares donte ne Mal te Zi ne shkurt 1945 ky deshmori?Ne dhjetor 1944,Ushtria Gjermane ishte ne Slloveni.Ne 28 nentor 1944 trupat gjermane kaluan kufirin shqiptar dhe hyne ne Mal te Zi.Sikur me zvarritje ta kishin marre rrugen,Nentor,dhjetor,janar,shkurt,do ta kishin kaluar ate cope Mal i Zi qe eshte sa qarku Tiranes.Ne shkurt 1945 katundaret partizane luftuan me MALSORET HEROIKE TE sHQIPNISE SE ROBNUEME PREJ ENKLAVES SERBE TE MALIT TE ZI.Sepse Mali i Zi prej Kotorrit te mbretneshes Teute e deri ne Kelmend,perfshi Kuc,Tuz e Piper,Pallabardh,Podgorice,Plave e Guci,Zhabjak,Ulqin e Tivar,Shpuze e Vranine,jane toka shqiptare te banuara nga Shqiptare(mjerisht sot as nje e dhjeta e tyre nuk ka mbetur ne trojet stergjyshore),por ne 1943-44,Wermachti zulmemadh i bashkoi me trungun Ame.Ja,me cilet ka luftuar katundari Vinokashit te Deshnices!Ka lene kockatr per serbet e malit te zi,duke luftuar me malsoret e Mujit dhe Halilit,me RRACEN E ARBERVE TE KRESHNIKEVE TE DIOKLESE ANTIKE.LUFTETARET E LIDHJES SE PRIZRENIT,TRIMAT E DEDE GJON LULIT.Ja kunder ketyre ka lene kockat ne Mal te Zi ky katundar i Vinokashit.Cojani mor kockat ne Cetinje,ta nderojne serbet,,c`i ndyni varrezat e deshmoreve me kesi kadavrash antikombetare!

    Reply to this comment
    • koment May 7, 17:16

      Si mund te flasesh me ket gjuhe te rende per nje te vdekur

      Te pakten ka qene luftetar antifashist qe dmth ka bere me shume se ti qe lufton luften e madhe virtualisht

      Me cfare flet dukesh s’do kishe pertuar t’u vinje drune pleqve veterane bashke me trimat bashibozuke te Lulit ne Varrezat e 5 majit.

      Reply to this comment
  3. Taraboshi May 6, 22:33

    O demo keta jane sorrat partizane qe na prune lirine staliniste sebashku me vllezerit serbo-jugosllave , prandaj e festume dje me 5 maj diten kur fitune isisat partizane u dhjefsha gjakun qe kane derdh per babi stalinin dhe nenen Rusi , se shqiperine e roberuan nuk e cliruan . Dhunen e terrorin qe kane ushtru keto hale me trevat e malcis se mbishkodres jane te pa para ndonje here nga asnje pushtues i huaj

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*