Bilanci i vettingut, hetimet e KPK “rrëzuan” institucionet ndihmëse

May 8, 2019 09:42

Bilanci i vettingut, hetimet e KPK “rrëzuan” institucionet ndihmëse

Nga 108 rivlerësime të përfunduara prej shkurtit 2018 në fillim të procesit të vettingut deri në prill të këtij viti Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi 52 gjykatës dhe prokurorë që u gjetën me probleme në një apo disa prej kritereve të rivlerësimit.

Në një raport statistikor të publikuar sëfundmi nga Komisioni rezulton se gjykatësit janë penalizuar më shumë se prokurorët dhe përbëjnë 60 për qind të totalit të të shkarkuarve, që përfshin veç prokurorëve edhe dy ndihmës ligjorë.

Ndërkohë të dhënat statistikore për 108 rastet e shqyrtuara të publikuara nga KPK tregojnë se në të paktën 20 raste hetimet e Komisionit dolën në përfundime të ndryshme nga ato të institucioneve ndihmëse, Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) dhe Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK).

Sipas raportit KPK zbuloi 14 gjyqtarë e prokurorë me probleme me pasurinë, për të cilët raportet e ILDKPKI kishin qenë pozitive. Ndërkohë 6 gjyqtarë e prokurorë të cilësuar si të papërshtatshëm prej DSIK-së u “shpëtuan” nga KPK që pas hetimeve të saj i gjeti ata pa probleme sa i përket kriterit të pastërtisë së figurës.

“Nga raportet e DSIK-së për 92 subjekte rivlerësimi, kanë rezultuar të papërshtatshëm për vijimin e detyrës 22 subjekte rivlerësimi, ndërkohë që nga hetimi i Komisionit rezultuan me probleme 16 prej tyre”, thuhet në raportin statistikorë.

Përndryshe brenda Komisionit rezulton te ketë unanimitet.

Në 141 vendime të dhëna, që përfshijnë 108 rivlerësime, 10 vendime të ndërprerjes së procesit, 8 vendime për pushim të hetimit dhe 15 mbyllje të procesit pa vendim përfundimtar, anëtarët e trupave të KPK kanë qenë unanimë në 133 raste, ndërsa vetëm tetë vendime janë marrë më shumicë.

Sipas raportit nga 22 vendime të KPK-së që janë Apeluar shumica 68 për qind janë lënë në fuqi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Vetëm një nga vendimet e shkarkimit të Komisionit u prish në KPA, për shkelje të procedurës edhe pse Kolegji rikonfirmoi shkarkimin e gjyqtarit.

Ndërkohë tre prej personave të konfirmuar nga KPK u rrëzuan në Kolegj.

Dy vendime për ndërpreje të procesit u ndryshuan nga Kolegji për të sanksionuar kufizimin prej 15 vjetësh për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë.

Sipas raportit të Komisionit shumica e vendimeve (83 vendime) janë marrë për të tre kriteret e rivlerësimit, ndërsa 16 vetëm për një nga kriteret dhe 10 për dy kritere.

Procesi i vetingut apo i rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve në vend filloi në shkurt të vitit 2018 me seancat dëgjimore për 57 subjektet e listës prioritare, përfshi kandidatë për institucionet e reja të drejtësisë dhe anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Procesi synon “kthimin e besimit të publikut te drejtësia”.

Procesi mbështetet në ndryshimet kushtetuese të verës së vitit 2016 dhe ligjit nr. 84/2016 për “Rivlerësimin kalimtar të gjykatësve dhe prokurorëve”, i cili parashikon në nenin 61 se shkarkimi vendoset për pesë arsye që përfshijnë; deklarimin e më shumë se dyfishit të pasurisë që mund të justifikohet me të ardhura të ligjshme, kontaktet me krimin e organizuar apo kontaktet e papërshtatshme, deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës dhe pasurisë, paaftësinë dhe në pikën e pestë “cënimin e besimit të publikut te drejtësia”./reporter.al

 

May 8, 2019 09:42
Komento

1 Koment

  1. met allkurti May 8, 09:59

    ne vlersimin e gjukatesve dhe prokuroreve nga ana e KPK ka patur dy standarte.Kane kaluar vetingun njerez te korruptuar te drejtesise dhe kane mbetur te tjere qe ishinte ndershm.Kam mendimin te behet nje analize e verifikim nga nje organ tjeter,krejtesisht i pavarur dhe te japi rezultatin e duhur e te vertete.KPK te mos spekulloje me pavarsine e sa.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*