Bilbil Klosi: Koçi Xoxe zbatoi shfarosjet masive krahinore, mbi bindjet politike e bazë gjinore

Kujtim Boriçi May 13, 2013 16:39

Bilbil Klosi: Koçi Xoxe zbatoi shfarosjet masive krahinore, mbi bindjet politike e bazë gjinore

Ekskluzive / Gjyqi kundër Koçi Xoxes e 4 bashkëpunëtorëve të tij të akuzuar për tradhti. Seanca e VIII-të. Dëshmia e Bilbil Klosit dhe provat e Prokurorit Spahiu për urdhrin e Koçi Xoxes lidhur me vrasjet, shfarosjet masive, torturat dhe internimet e familjarëve të të dënuarve

 

Akuza: Për revoltën në Malësinë e Shkodrës, u arrestuan 300 fshatarë. 150 prej tyre u pushkatuan, u torturuan apo u burgosën me shumë vite burgim. Pasi e vranë pa gjyq Galip Hatibin me inskenimin e arratisjes, torturuan e internuan familjarët dhe të afërmit e tij!

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Dëshmia e funksionarit të lartë Bilbil Klosi dhe provat e prokurorit Bedri Spahiu në seancën e 8-të të gjyqit kundër Koçi Xoxes e katër bashkëpunëtorëve të tij të akuzuar për veprimtari armiqësore, sjellin prova të reja lidhur me krimet e të pandehurve.“Koçi Xoxe urdhëroi e zbatoi tri lloj shfarosjesh masive, atë mbi bazë krahinore, mbi bindjet politike dhe mbi bazë gjinore. Për revoltën në Malësinë e Shkodrës, u arrestuan 300 fshatarë. 150 prej tyre u pushkatuan, u torturuan apo u burgosën me shumë vite burgim. Pasi e vranë pa gjyq Galip Hatibin me inskenimin e arratisjes, torturuan e internuan familjarët dhe të afërmit e tij!” – u dëshmua mes të tjerave në këtë seancë…

 

Prokurori(Bedri Spahiu): -Vazhdojmë seancën e 8-të me pyetjen e të pandehurit Vaskë Koleci. Ke konstatuar ti i pandehur Vaskë Koleci raste përçmimi të udhëheqësve nga i pandehuri Koçi Xoxe?

 

Vaskë Koleci: -Po, ka pasur raste të përçmimit të udhëheqësve duke i marrë nën kontroll. Më kujtohet një rast kur kam qenë edhe unë në  dhomën e të pandehurit Koçi Xoxe dhe shoku Nako Spiro i kërkoi makinën këtij Koçit. Dhe ai nuk ja dha makinën dhe duke mbyllur telefonin tha se ‘Ky Nako na u bë si djalë i përkëdhelur”. Kjo ka qenë para muajit shtator të vitit 1947.

 

Prokurori: -Si t’u duk ty kjo çështje, a ishte kjo një sjellje e mirë kundrejt një shoku udhëheqës dhe a ishte kjo një shprehje komuniste?

 

Vaskë Koleci: -Atëherë nuk më bëri ndonjë përshtypje, por tani e realizoj me ç’qëllim e ka thënë i pandehuri Koçi Xoxe këtë…

 

Prokurori: -Di gjë ti i pandehur, janë kontrolluar sovjetikët që ndodheshin në vendin tonë?

 

Vaskë Koleci: -Për kontrollin e sovjetikëve nuk di gjë. Vetëm se kur kam vajtur një herë në jug, sipas kërkesës së tyre dhe me urdhër të shokut Manush Myftiu, janë porositur repartet e atjeshme që të kenë kujdes dhe t’i kenë nën mbrojtje.

 

Prokurori: -Po Safet Filipoviç ka kërkuar gjë survejimin e sovjetikëve?

 

Vaskë Koleci: -Një ditë ose dy, para rezolucionit të Inform-Byrosë, Safeti ka thënë që sovjetikët të jenë nën kontroll.

 

Prokurori: -Si guxoi ai që ta thotë këtë gjë?

 

Vaskë Koleci: -Ai nuk e tha hapur, por pasi kishte qenë nën hekurudhë, kishte parë inxhinierin sovjetik që lëvizte.

 

Koçi Xoxe: -Safet Filipoviç më kishte propozuar që edhe sovjetikët të mos kishin këtu tek ne rrjet spiunazhi, por këtë unë ja kisha refuzuar kategorikisht. Këtë ua thashë sovjetikëve.

 

Prokurori: -Di ti i pandehuri Vaskë që korrespondenca e udhëheqësve të jetë kontrolluar?

 

Vaskë Koleci: -Me urdhër të Koçi Xoxes, korrespondenca e Omer Nishanit ka qenë kontrolluar vazhdimisht. Nga muaji prill ose maj i vitit 1947 ai ka urdhëruar që të kontrollohet e gjithë korrespondenca e jashtme pa përjashtim. Di që në bazë të këtij urdhri është kontrolluar një letër që i vinte Komandantit(Enver Hoxhës) nga Italia prej Pandi Frashërit dhe një letër me po atë përmbajtje i qe drejtuar të shoqes së Pandi Frashërit në Durrës.

 

Koçi Xoxe: -Të pyetet i pandehuri, se urdhri ka qenë të përjashtohet nga kontrolli korrespondenca e anëtarëve të Komitetit Central.

 

Vaskë Koleci:--Urdhri ka qenë për kontroll të përgjithshëm, pa përjashtim.

 

Prokurori: -A e di i pandehur Vaskë Koleci që korrespondenca zyrtare e Kryeministrit(Enver Hoxhës) është vënë nën kontrollin e Ozna-s (zbulimi) së jugosllavëve?

 

Vaskë Koleci: -Unë di që një letër që vinte nga Zvicra dhe që i drejtohej Qeverisë Shqiptare apo Kryeministrit personalisht, nuk më kujtohet mirë, kur na erdhi, ka qenë e hapur. Unë ja tregova(dërgova) Koçit, e ai më tha që të mos dërgohet(tek Kryeministri), por të veprohet ashtu siç kërkohet në atë letër. Kujtoj se kjo letër kishte të bënte me Sigurimin. Pastaj ka qenë rasti edhe i një letre që i drejtohej Komandantit(Enver Hoxhës) dhe që ishte në gjuhën holandeze dhe që Koçi na e dha për ta përkthyer.

 

Koçi Xoxe: -Letra që tha më parë i pandehuri Vaskë ishte ajo që një i quajtur Lee kërkonte disa të holla për disa punë të Sigurimit. Ky i qe drejtuar Komandantit(Enver Hoxhës) dhe Komandanti më ngarkoi mua t’i përgjigjemi.

 

Kryetari(Frederik Nosi): -Të na thotë, të na shpjegojë i pandehuri Vaskë Koleci se cila ishte arsyeja që u vu nën kontrollin e Sigurimit korrespondenca zyrtare që vinte nga jashtë?

 

Vaskë Koleci: -Kanë qenë disa informata të ardhura nga Beogradi, mbi bazën e të cilave, është dhënë urdhri që të kontrollohet korrespondenca pa përjashtim. Është e vërtetë se në disa informata që kishim, nuk ishte e drejtë të vihej nën kontroll korrespondenca, por me urdhër të Koçi Xoxes u vu.

 

Kryetari: -Po arrestimet, në çfarë mënyre bëheshin?

 

Vaskë Koleci: -Arrestimet bëheshin me justifikimin se jemi në vitet e para të çlirimit dhe duhej me çdo mënyrë të forcohej pushteti që posa ishte ngritur.

 

Avokat S. Stringa: -Të pyetet i pandehuri Vaskë Koleci se me ç’kompetencë dha urdhër kur vajti në Shkodër, që nga 300 të burgosur, të liroheshin 150 vetë, derisa ky deklaron këtu se ka qenë kurdoherë nën influencën e të pandehurit Koçi Xoxe?

 

Vaskë Koleci: -Unë, kur vajta në Shkodër, pashë se ndër të arrestuarit kishte dhe fshatarë të varfër dhe që ishin arrestuar pa material të mjaftueshëm. Atje ne formuam një Komision dhe me propozimin e këtij Komisioni, u liruan me urdhër të Drejtorisë së Sigurimit.

 

Fuat Fico(Avokat): -Të pyetet i pandehuri Vaskë Koleci, se si e shikon pozitën e tij po të mos ekzekutonte të gjithë urdhrat që i jepeshin?

 

Vaskë Koleci: -Unë kam qenë funksionar dhe urdhrat e superiorit duhet t’i zbatoja se ndryshe do të hiqesha nga puna.

 

Avokati S Stringa: -Të pyetet i pandehuri Vaskë Koleci, se si Ndihmësministër që ai ishte, kur shihte që jepeshin urdhra të padrejta, pse nuk jepte dorëheqjen? Si i pranonte ai ato urdhra?

 

Vaskë Koleci: (Heziton që të përgjigjet).

 

Prokurori: -Na fol për listat e familjarëve të të arrestuarve, përse do të shërbenin këto?

 

Vaskë Koleci: -Listat e familjarëve të të arrestuarve shërbenin për të marrë një sërë masash si pushime nëpunësish, dyshime dhe vënie nën survejim, sepse kjo do të kishte goditje të mëvonshme. Sepse goditja e deputetëve u konsiderua si goditje bazë për goditje të mëtejshme.

 

Prokurori: -Atëherë si të duket ky plan që u zhvillua këtu nga akuza publike në lidhje me veprimtarinë e këtij grupi?

 

Vaskë Koleci: -Nga sa u zhvillua këtu, del se kjo është një punë e kombinuar dhe atë ma ka thënë vetë i pandehuri Koçi Xoxe.

 

Prokurori(Bedri Spahiu): -Domethënë, këtu ishte baza për goditjen e pushtetit në tërësi.

 

Koçi Xoxe: -Nuk është e vërtetë kjo, zoti kryetar.

 

Prokurori: -Njerëzit që pushoheshin nga puna, ata që dyshoheshin dhe ata që përjashtoheshin nga Partia ku përfundonin?

 

Vaskë Koleci: -Për herën e parë ata viheshin nën kontroll, survejoheshin dhe pastaj, pas përpunimit që u bëhej, përfundonin në burg.

 

Prokurori: -Gjendemi këtu përpara një liste shfarosëse në bazë të listave të gjinisë?

 

Vaskë Koleci: -Po, kjo quhet shfarosje në bazë të listave të gjinisë të atyre që ishin goditur.

 

Prokurori: -Përveç kësaj, ka ekzistuar edhe metoda e shfarosjes në masë të krahinave, a është kështu?

 

Vaskë Koleci: -Ka ekzistuar dhe metoda e shfarosjes në masë të krahinave, sidomos në rastet e operacioneve.

 

Prokurori: -Nga ana tjetër, kemi edhe shfarosjen në bazë të pikëpamjes së kundërshtarëve, a është kështu?

 

Vaskë Koleci: -Po, në bazë të pikëpamjeve të kundërshtarëve janë zhdukur njerëz si armiq të Partisë pa gjyq.

 

Prokurori: -Në këtë grup të fundit, që konsiderohet me pikëpamje kundërshtare, a futen edha ata udhëheqës të Partisë dhe personalitete të Pushtetit që u përmendën këtu nga akuza?

 

Vasskë Koleci: -Po, hynin edhe ata si njerëz kundërshtarë politikë.

 

Prokurori: -Atëherë, shokë gjyqtarë, kemi tre lloj shfarosjesh që praktikonte i pandehuri Koçi Xoxe: Shfarosjen në bazë të krahinave, shfarosjen në bazë të gjinisë edhe shfarosjen në bazë të pikëpamjeve politike, ashtu siç i shikonte i pandehuri Koçi Xoxe.

 

Prokurori: -A di të na thotë i pandehuri Vaskë Koleci ndonjë rast, që për ndonjë njeri të dënuar të jetë marrë masa radikale kundrejt farë e fisit, qofshin këta edhe anëtarë Partie?

 

Vaskë Koleci: -Një rast të tillë mund të përmend atë të Galip Hatibit, për familjen e të cilit u mor masa e internimit me pretekstin gjoja se ai ishte arratisur.

Po të doni një fakt konkret, shokë gjyqtarë, mund të thërresim e të dëgjojmë si dëshmitar Bilbil Klosin.

 

Bilbil Klosi(Dëshmitar. Vjeç 38, Nënkolonel i ushtrisë): -Dua të theksoj se familja jonë është një familje e shumtë në numër dhe ka në gjirin e saj 15 anëtarë Partie. Kur u arrestua Sulë Klosi, një nga pjesëtarët e kësaj familje, të tërë pjesëtarët e tjerë u vunë nën survejim nga i pandehuri Koçi Xoxe. Disa prej tyre, edhe u përjashtuan nga Partia. Dua të them edhe një rast konkret për gjendjen që ishte katandisur familja e Klosajve… Megjithëse unë isha anëtar Partie dhe kisha dhënë e vazhdoja të jepja kontributin tim, në një mbrëmje ku isha edhe unë dhe kisha shkuar me dekoratat që më kishte dhënë Partia dhe Pushteti, i pandehuri Koçi Xoxe, duke m’i prekur dekoratat me dorë më tha: ”Mbaji fort ato dekorata se s’t’i ka dhënë populli”. Nga kjo kuptova se unë isha me sy të keq dhe se gjoja (sipas Koçit), unë nuk i meritoja ato dekorata. Po kështu, një rast tjetër që provon se familja jonë kishte rënë në disgrasë(për poshtë) është edhe se, që me gjithë ligjin e shtetëzimit të bagëtive nuk duheshin shtetëzuar një sasi prej afro 100 kokë dhenve, që i kishin tepruar kësaj familje. Por pas gjithë shkatërrimeve që pësoi pas luftës, në kundërshtim me ligjin, u vunë në listën e shtetëzimit edhe këto 100 kokë bagëti.

 

Vaskë Koleci: -Kjo që thotë dëshmitari ka lidhje me goditjen në bazë të gjinisë dhe është vërtetuar pas arrestimit të grupit të deputetëve…

 

(Vijon nesër)

 

Përgatiti: Kujtim Boriçi

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Dëshminë e të pandehurit Vaskë Koleci: Si u torturua në qeli i arrestuari Kolë Kuqali me urdhër të Koçi Xoxes dhe roli i Xoxes në dënimin e pjesëtarëve të grupit të deputetëve e familjarëve të tyre.

-Dëshmia e ish-deputetit e funksionarit të lartë Arif Gjyli: Si më torturuan për 43 ditë rresht Koçi e vartësit e tij të Sigurimit për të treguar marrëdhëniet që kisha me Enverin e udhëheqës të tjerë të lartë.

-Debatet mes të pandehurve Koçi Xoxe e Pandi Kristo për abuzimet me tortura në qeli dhe urdhrat e dhënë në kundërshtim me ligjet e kohës.

 

Kujtim Boriçi May 13, 2013 16:39
Komento

2 Komente

  1. shqiptar May 13, 20:44

    E pse i mveshin vrasjet e burgosjet E. Hoxhes?

    Reply to this comment
  2. Tomor Labi May 14, 10:57

    Po kjo histori vashdoi edhe pas Kocit sepse ishte ne parimet baze te komunistave shqiptar qe vrisnin edhe vllane pa le te ashtuquajturit tradhetare por kur ju vinte radha edhe atyre vete athere qaheshin dhe sot duan te dalin edhe si te perndjekur duke harruar se ci kane punuar ketij populli pre 50 vjet por skan faj se jane mbledhur e bejne lloqe si te perndjekur e merren dhe me politike , nuk marrin nga nje hu e ti vene perpara ata dhe bijte e tyre ne partine roze dhe ne partine blu.Poshte komunizmi, kete parulle e kane harruar bile edhe Sala vete

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*