Biseda e Azem Hajdarit me plakun e Haklajve në selinë e PD-së, vrasja e Azemit më 12 shtator 1998

Artan Hoxha July 2, 2013 16:58

Biseda e Azem Hajdarit me plakun e Haklajve në selinë e PD-së, vrasja e Azemit më 12 shtator 1998

Speciale nga gazetari investigativ Artan Hoxha, dosja ‘Tropoja’. Çfarë u bisedua në zyrat e selisë së PD-së më 2 shtator 1998 mes Azem Hajdarit dhe plakut të Haklajve. Roli i Izet Haxhisë në këtë takim. Pse Berisha nuk e përmendi emrin e Haklajt në komunikimin e menjëhershëm publik pas krimit. Kush ishin protagonistët e dëshmitarët në vrasjen e Azemit dhe fati i tyre pas kësaj ngjarje të rëndë.

 

Artan Hoxha: Krimi ndodhi pasi Azemi u nxorr jashtë zyrave nga një drejtues kryesor i PD-së. Haklaj deklaroi se ‘Azemin e vrava për të marrë hakun e vëllait’. Ngjarja ndodhi 10 ditë pas 2 shtatorit ku Hajdari, duke para ndjerë hakmarrjen, kishte thirrur në Tiranë plakun e Haklajve për të dhënë sqarime rreth akuzave që ata kishin ndaj tij.

 

Deputeti demokrat Azem Hajdari ishte përplasur disa herë brenda harkut kohor të një viti me vëllezërit Haklaj. Përballja e parë kishte ndodhur qysh në momentin që ai ishte prezantuar si kandidat i PD-së për deputet në Tropojë në qershor të 1997-s. Fatmir Haklaj e kishte futur Azemin në listën e personave të cilët dyshonte se qëndronin pas vrasësve të Qafë Luzhës. Deklarimet publike të Azem Hajdarit dhe disa fjalime të ashpra tij në parlament ku akuzonte direkt me emër Fatmir Haklajn, çuan në ngjarjen e 4 qershorit në Bajram Curri. I paralajmëruar dhe nga strukturat shtetërore për rrezikun që i kanosej nga Fatmir Haklaj, Azem Hajdari vendosi t’i paraprijë të keqes. I bindur tashmë se Fatmir Haklaj ishte një kërcënim që nuk duhej nënvlerësuar, Hajdari preferoi të takonte plakun e Haklajve për të sqaruar pozicionin e tij.

 

TAKIMI

Paraditen e 2 shtatorit 1998, Muharrem Haklaj kishte ardhur në Tiranë për punët e veta. Azem Hajdari ndodhej në zyrë, kur u njoftua nga një bashkëpunëtor i tij, se Muharrem Haklajn e kishin parë pranë godinës së PD-së. Ai vendosi të shfrytëzonte këtë rast për ta takuar plakun e Haklajve. Një i njohur i Azemit, ish-shefi i SHIK-ut në Tropojë gjatë qeverisjes së PD-së, u dërgua prej tij për ta ftuar plakun e Haklajve ta takonte në godinën e Partisë Demokratike. Muharrem Haklaj nuk e refuzoi ftesën, përkundrazi u ngjit në zyrën e Azemit, në katin e dytë të godinës së PD-së. Takimi u zhvillua kokë për kokë pa prezencën e askujt tjetër. Por, ngjitja e plakut të Haklajve në zyrat e PD-së, nga ku djemtë e tij ishin akuzuar për shumë ngjarje të rënda krijoi padyshim një habi dhe kureshtje të madhe. Biseda mbeti e panjohur deri në vitin 2000, kur Muharrem Haklaj e bëri publike për median. Sipas plakut të Haklajve, Azemi e kishte sqaruar në lidhje me vrasjen e djalit, Shkëlqimit në Qafën e Luzhës. “Unë nuk kam gisht në vrasjen e djalit tënd. Ai është vrarë prej këtu”, i ka thënë deputeti Hajdari, Muharrem Haklajt. Në një intervistë të mëvonshme në media, Haklaj tha se i kishte dhënë Azemit 10 ditë kohë për të biseduar me djemtë dhe më pas do t’i kthente një përgjigje. Në të vërtetë 10 ditë pas këtij takimi, më 12 shtator, Fatmir Haklaj zbarkoi në Tiranë për t’i kthyer përgjigje Azem Hajdarit.

 

HAKLAJT

Sipas hetimeve të kryera nga një grup special prokurorësh disa vite më pas, rezultoi se Haklaj kishte zbritur nga Tropoja duke zbardhur 11 shtatori, nëpërmjet aksit rrugor të Qafë Malit. Për t’iu shmangur goditjes nga kundërshtarët, ai preferonte të udhëtonte në orët e vona, i shoqëruar nga disa makina dhe një numër i madh personash të armatosur. Fakti që ishte person në kërkim nuk e kishte penguar që për udhëtimin e fundit të merrte me vete disa mjete dhe drejtues të komisariatit të Bajram Currit, duke filluar qysh nga shefi i rendit Jaho Mulosmani, shefi i qarkullimit Ismet Haxhia, disa efektivë të policisë dhe furgonin tip Iveko të grupeve të gatshme. Para se të hynte në Tiranë, Fatmir Haklaj është ndalur në Nikël për të marrë në eskortën e vet dhe një tjetër personazh, Naim Çangun. Gjatë qëndrimit në kryeqytet, Haklaj u takua dhe me truprojën e ish-presidentit Berisha, Izet Haxhia. Nuk dihet çfarë ka biseduar, por sipas hetimit të prokurorisë, ai shfrytëzoi pikërisht këtë njohje për të nxjerrë nga godina e PD-së Azem Hajdarin.

 

AZEM HAJDARI

Më 12 shtator, Azem Hajdari ndodhej në një takim të PD-së në qytetin e Fierit. Por atë e kërkuan me insistim në kryeqytet. Dëshmitarë okularë pohojnë se atë ditë Hajdari pati disa telefonata në celularin e tij me persona të rëndësishëm të opozitës, të cilët i kërkonin të kthehej me urgjencë në kryeqytet. Në mesditë, ai zhvilloi një takim në Lushnjë dhe pas një ndalese në Shijak, mbrëmja e zuri në Tiranë. Fatmir Haklaj ka pritur mbrëmjen për t’iu afruar pa probleme selisë së PD-së. Në vendimin përfundimtar të gjykatës për ngjarjen që njihet si “Vrasja e Shekullit”, thuhet se Haklaj kishte përgatitur një atentat me pjesëmarrjen e shumë personave dhe një numri të madh mjetesh. Në të vërtetë Haklaj iu afrua godinës së PD-së vetëm me një autoveturë tip Benz Mercedes, me ngjyrë blu të errët dhe targa VL 06 76. Mjeti për t’iu shmangur kontrolleve të befasishëm të policisë në kryeqytet mbante sipër një fenelinë identike me ato të mjeteve të Ministrisë së Brendshme. Bashkë me Haklajn ndodheshin shefi i rendi i Tropojës Jaho Mulosmani dhe 29-vjeçari nga Nikla, Naim Çangu. Pavarësisht dëshmive të shumta apo deklarimeve të ndryshme askush tjetër nuk ka qenë me Haklajn në atë mbrëmje.

 

 

VRASJA E AZEM HAJDARIT

Rreth orës 21:13, Azem Hajdari doli nga selia e PD-së krejt papritur dhe me një shqetësim që e shfaqte haptazi në fytyrë. Dy truprojat e tij, Zenel Neza dhe Besim Cera ishin të ulur në një lokal para godinës së PD-së dhe sapo e kanë parë të dalë i janë bashkuar nga pas pa e ditur se ku po shkonte. Në momentin që ai ka mbërritur aty ku sot ndodhet memoriali përkujtimor, ka shkëmbyer disa fjalë me Fatmir Haklajn, i cili si zakonisht ishte i veshur me uniformë kamoflazhi dhe në duar mbante një Kallashnikov. Përpara se të dëgjoheshin të shtënat e para mes Hajdarit dhe Haklajt ka pasur një konfrontim fizik. Jaho Mulosmani është futur mes tyre, por ka qenë tepër vonë. Fatmir Haklaj tashmë e kishte marrë vendimin për të tërhequr këmbëzën e Kallashnikovit. Nga breshëria e Haklajt mbeti i vrarë Azem Hajdari dhe truproja i tij Besim Cera. Truproja tjetër, Zenel Neza, për fat të mirë vetëm u plagos. Në momentin që Haklaj hapi zjarr mbi Azemin, në rrezen e të shtënave të tij ishte dhe Naim Çangu. 29-vjeçari nga Nikla mbylli sytë vetëm pas disa orësh në urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Pas breshërisë së parë Haklaj nuk humbi kohë, por tërhoqi zvarrë deri në auto-veturën e tij Naim Çangun dhe u largua me shpejtësi. Fillimisht Benz-i i tij u nis drejt bulevardit dhe më pas mori drejtimin e Rrugës së Dibrës.

 

ALIBIA

Një shi rrebesh që nisi menjëherë pas ngjarjes i krijoi një tjetër avantazh Fatmir Haklajt, duke i dhënë mundësi të largohet qetësisht nga kryeqyteti. Në vendngjarje u gjet dhe një pistoletë me silenciator, e cila nuk kishte kryer qitje. Në vendimin përfundimtar të procesit “Hajdari” deklarohet se në vendngjarje ka patur qitje nga dy armë, një Kallashnikov, me të cilin ka qëlluar Fatmir Haklaj dhe një pistoletë e kalibrit 9 milimetra, tip Bereta, me të cilën ka qëlluar Jaho Mulosmani. Haklaj, disa muaj pas ngjarjes, deklaroi se vetëm ai kishte qëlluar mbi Azemin. Askush tjetër nga njerëzit që ndodheshin me të nuk kishte hapur zjarr ndaj deputetit të PD-së. Ai tha se nuk kishte shkuar për ta vrarë Hajdarin, por donte të bisedonte me të për t’i dëgjuar me veshët e tij fjalët që deputeti demokrat ia kishte dhënë plakut të Haklajve më 2 shtator. Por në momentin që Haklaj kishte parë Azem Hajdarin të dilte me një pistoletë me silenciator në dorë, ndërroi mendje dhe vendosi ta qëllonte. Ndërsa vrasjen e Naim Çangut, Haklaj e justifikoi me faktin se krutani i kishte dalë në rrezen e zjarrit. Madje ky fakt sipas Haklajt tregonte që ai dhe njerëzit e tij nuk ishin pozicionuar për ta vrarë Azem Hajdarin, vendim të cilin e kishin marrë aty për aty. Versioni përfundimtar i procesit “Hajdari” ishte i ndryshëm nga ai i Haklajt. Sipas gjykatës edhe Jaho Mulosmani ka qëlluar në drejtim të Azemit dhe truprojave të tij. Por, gjykata nuk sqaroi se e kujt ishte pistoleta me silenciator e gjetur në vendngjarje pas atentatit, duke mos provuar nëse ajo ishte e vrasësve apo e vetë deputetit të PD-së, i cili e kishte nuhatur rrezikun që i kanosej.

 

DËSHMITARËT

Procesi maratonë i çështjes Hajdari u mbyll pa deklarimet e tre dëshmitarëve shumë të rëndësishëm për zbardhjen e së vërtetës, kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha, ish-truprojës së tij, Izet Haxhia dhe Jaho Mulosmanit. Rrjedha e procesit mund të kishte qenë krejt ndryshe nëse këta tre dëshmitarë do të rrëfeheshin para trupit gjykues. Në vendimin përfundimtar gjykata shpalli si motiv të vrasjes së deputetit Hajdari, hakmarrjen. Sipas saj, Haklaj e kishte vrarë Hajdarin pasi dyshonte se ai ishte implikuar në vrasjen e të vëllait më 5 janar 1998 në Qafën e Luzhës. Ky motiv vazhdon të mbetet i pandryshuar pavarësisht deklaratave të shumta të opozitës dhe liderit të saj Berisha, për një rigjykim të atentatit të 12 shtatorit, që tashmë ka hyrë në histori si “Vrasja e Shekullit”. Jaho Mulosmani u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa Izet Haxhia u dënua me 25 vjet burg në mungesë, si bashkëpunëtor në krim. I vetmi i ndëshkuar shumë më rëndë nga përgjegjësia e vërtetë që kishte në këtë ngjarje është Ismet Haxhia, fajësia e të cilit është vetëm fakti që shoqëroi nga Tropoja në Tiranë dhe pastaj gjatë kthimit, eskortën e Fatmir Haklajt.

SALI BERISHA

Pas ngjarjes Fatmir Haklaj dhe eskorta e tij e përbërë nga disa mjete të policisë nuk e kishte të vështirë të largohej drejt veriut pa i ndaluar asnjë postblloku në rrugën nacionale. Shefi i opozitës Sali Berisha doli në një konferencë shtypi vetëm pak minuta pas atentatit. Ai akuzoi për autorësinë e krimit struktura shtetërore të qeverisë Nano, dhe direkt me emër shefin e rendit të Tropojës Jaho Salihi. Nuk dihet se për çfarë arsye Berisha vendosi të etiketonte Jahon me mbiemrin Salihi dhe jo me mbiemrin e tij, Mulosmani. Berisha nuk e përmendi fare vrasësin e vërtetë, Fatmir Haklaj dhe nuk do ta bënte një gjë të tillë publikisht asnjëherë deri në momentin që ai u vra një vit më vonë. Pas deklaratës së Berishës, ish-ministri Teta i kërkoi shefit të krimeve në Tropojë, Kastriot Gjongecit që të verifikonte nëse Jaho Mulosmani ndodhej në banesën e tij në Bujan. Një furgon i grupit të gatshëm të policisë së Tropojës shkoi në banesën e Jahos për të kontaktuar me të disa orë pas atentatit. Drejt kullës së Mulosmanëve u nis polici Çel Pozllumi. Në vend të Jahos atij i doli përpara babai i tij, Sali Mulosmani që punonte si shofer në degën e SHIK-ut në Bajram Curri. Ai i tha Pozllumit se Jaho ndodhej në banesë i sëmurë dhe nuk mund të ngrihej nga shtrati, por të nesërmen ai do të ishte në komisariat. Këtë përgjigje Pozllumi ia raportoi shefit të krimeve Gjongecaj, ndërsa ky i fundit e përcolli te ministri Teta. Në orën 7:00 të mëngjesit të 13 shtatorit Jaho u paraqit në detyrë dhe nëpërmjet telefonit të zyrës së OSBE-së u lidh me ministrin Teta. Ndërsa Haklaj, pasi kishte kryer “Vrasjen e Shekullit” ishte kthyer në kullën e tij në Kërnajë, për të ndjekur nga ekrani i televizionit atë që ndodhi në orët në vazhdim.

 

(Vijon nesër)

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Atentati me mina të telekomanduara mëngjesin e 6 majit në aksin e  rrugës Kërnajë-Bajram Curri ku u vra Eduart Haklaj dhe u plagosën Fatmir Haklaj, Sami Kërnaja, Shpëtim Gjyriçi dhe një grua që udhëtonte në automjet me ta.

-Kush u akuzua për këtë atentat dhe plani i Fatmir Haklajve për hakmarrje ndaj tyre.

-Atentati hakmarrës i maj 1999 me kallashnikovë tek ekspozita ‘Shqipëria Sot’ në Tiranë, ku mbeti i vrarë Gani Neza kushëriri i Drejtorit të Policisë së Kukësit

 

Zinxhiri i krimeve në Tropojë

5 janar 1998

Vritet në një pritë në Qafën e Luzhës, vëllai i Fatmir Haklajt, Shkëlqim Haklaj dhe kunati i tij, Artur Demiri teksa ishin duke u kthyer nga Hasi. Nga zjarri i armëve të autorëve të pritës ka shpëtuar polici i komisariatit të Bajram Currit Avdi Buçpapa.

6 janar 1998

Vriten në një pritë në afërsi të fshatit Cernicë të Tropojës, ish-nëndrejtori i doganave, Avdyl Matoshi, ish-punonjësi i SHIK-ut Gjin Kolbuçaj dhe mësuesi Naim Dizdari. Viktimat udhëtonin nga Luzha drejt Bajram Currit. Për këtë ngjarje u akuzua Fatmir Haklaj.

9 janar 1998

Vritet në ambientet e brendëshme të komisariatit të Bajram Currit shefi i policisë së kufirit, Shaqir Hoxha. Vrasja u krye nga shefi i komisariatit të Tropojës, Fatmir Haklaj, në shenjë hakmarrje për vrasjen e të vëllait dhe kunatit në Qafën e Luzhës.

9 maj 1998

Vritet pranë fshatit Miliskajë shefi i logjistikës i UÇK-së, Ilir Konushevci dhe mjeku nga Tropoja Hazir Mala. Ata po udhëtonin me një kamion me armë drejt Bajram Currit, kur ranë në pritë. Një nga autorët, Agim Demiri u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit.

12 shtator 1998

Fatmir Haklaj vret gjatë një atentati pranë selisë së PD-së në Tiranë, deputetin e Partisë Demokratike Azem Hajdari dhe truprojën e tij, Besim Çera. Truproja tjetër Zenel Neza mbetet i plagosur. Gjatë zjarrit Haklaj vrau gabimisht dhe Naim Çangun.

Artan Hoxha July 2, 2013 16:58
Komento

6 Komente

  1. Beri July 2, 20:17

    ….

    Reply to this comment
  2. berti July 3, 03:54

    Ja si do kete qene loja : ..Keta kane pasur hasmeri me Azemin, por nuk mudn ta mernin guximin nqs nuk do gjenin nje perkrahje nga pushteti –Dhe ka qene ne natyren e SHIK-ut te PS-se atehere qe nqs PS-ja e Nanos te konsideronte armik, atehere ata te SHIK-ut shikonin ku ti kishe ndonje konflikt dhe nqs kishe konflikt ata specialistet e SHIK-ut te atehereshem e nxisnin kundershtarin tend te merte hakun me fjale por edhe me vepra duke e ndihmuar …dhe pasi behej krimi ….te gjithe do thoshin qe :….” ate e vrane se kishte hasmeri me filanin”…ne kete menyre shteti merte haken duke perdorur si mashe konflitket personale qe kishin kundershtaret
    Ne kete menyre vrane nje demorkat ne Vlore ne vitin 2000

    Ndersa ne lidhje me Azemin , aty nuk thuhet qe ate dite qe u vra Azemi ishte mbas benzit edhe Nehat Kulla ne nje makine IFA me njerezit e tij te veshur me roba ushtarake –Dhe kete e pane njerezit aty

    ..Por edhe nga vete perfshirja e gjithe ketyre njerezve qe ishin pjese e strukturave te policise , duket qe shteti ishte nxitesi i heshtur i ketij krimi, sepse SHIKU-i atehere patjeter qe i ka vene re gjithe keto levizje ne mes te dites ne Tropoje dhe ruges per Tirane
    Le pastaj po te shtojme faktin se keta kriminele te cilet ishin te kerkuar per krime ne kohe te PD-se , u futen ne strukturat e Policise kur erdhi Nano , kur keta ishin njerez me dosje per krime ordinere
    PO ashtu duhet shtuar qe Azemit ju bene tentativa per vrasje edhe me perpara dhe shteti merte masa te kunderta
    Ne vend qe ta mbronte depudetin, shteti mundohej ta carmatoste depudetin …Kjo te con direkt ne konkluzion
    se ishte nje shtet kriminal i drejtuar nga Nano , i cili donte ta vriste Azemin, sepse Azemi ishte pengesa kryesore e ndalimit te ofensives greke ne drejtim te Shqiperise

    Biles kur eshte vrare Azemi , edhe Amerikanet duhet ta kene ditur, sepse atehere SHIKU jone dhe Sherbimet inteligjente amerikane punonin sebashku ne luften kunder terorizmit dhe biles kishin zyra te perbashketa

    Si ka mundesi keta amerikanet na lufotnin terorizmin qe ishte mijra km larg Shqiperise, dhe nuk ju bente pershtypje qe ne organet e policise dhe te SHIK-ut po futeshin njerez me sfond kriminal ,
    dhe nga ana tjeter , si nuk po ju bente pershtypje ketyre kjo tendence ku nje depudeti i behej atentat here pas here nderkaq qe SHIK- ku edhe amerikanet ishin ne te, nuk merte asnje mase mbrojtese , por perkundrazi….

    Sic duket qenia e XHORXH Tenet ne krye te CIA-s ne ate kohe ka bere qe amerikanet te heshtin dhe te bejne sikur nuk dijne gje , por qe absolutisht ata kane qene ne dijeni -dhe jane fjator me heshtjen e tyre, sepse nderkaq qe Shqiperia po ju jepte ndihmen maksimale per te luftuar terorizmin Amerikanet nuk e ndihmonin aspak Shqiperine ne kete lufte kunder Shqieprise qe bente sherbimi sekret grek duke perdorur politkanet spiune shqiptare

    Edhe ngjarja nuk ka ndodhur sic thoni ju aty, sepse kur ndodhi ngjarja ka pasur njerez plot aty rotull
    Ai Haklaj qelloi dirket me pistolete dhe Azemi vuri doren ne para , dhe plumbi e shpoi ne pellembe te dores,
    pastaj doli nga makina Mulosmani dhe qelloi me mitroloz te lehte , thoshin njerezit qe e kishin pare

    Cudia me gazeten t uaj eshte se ju ben pershtypje pistoleta me “silenciator” qe mund ta kete pasur depudeti ,
    nderkaq qe e kaloni si normale kallashin e krimineleve
    Megjithse ju jeni te pa anshem ..lol

    Nuk diskutohet qe Azemin e vrau Nano, por Sala nuk e penalizori Nanon, spes edonte te regullonte politken me greket
    Dhe piekrisht ngaqe regulloi politken me greket edhe i humbi zgjedhjet Sali gomari, se po tu qendronte fort grekeve dhe ne lufte kunder tyre te bashkohej me qeverine maqedone , sot Sala do ishte fitues i zgjedhjeve , nderkaq qe opozita do diskretitohej si nje opozite e mbushur me spiune dhe do shkaterohej fare, sepse krahu patriot brenda PS-se do ngrihej kunder kaureve spiune brenda ne PS __Pasi Sala po te bente patriotin , do i diskretitonte shume lehte opozitaret socialsite qe ulerinin ,kush me ze e kush pa ze …..Agapimeno Papandreu

    Sala nuk e beri kete dhe mire ju be qe humbi zgjedhjet
    Pra vrasja e Azemit NUK ESHTE thjesht NJE BANALITET HAKMARRES, por ky banalitet hakmarres u shfrytezua per te pastruar rugen e helenizmit ne Shqiperi ,Dmth kjo hakmarje banditesh te veshur me pushtet nga pushtetit
    eshte pjese e nje pikture te madhe ne lojen politke qe ben Greqia kunder Shqiperise, per te eliminuar ata elemente qe jane pengese kryesore te politkes greke

    Sidoqofte , nuk mund te behet Shqiperia kur politkanet tane bejne nje politke te ndervarur nga Athina, sic beri Sala, dhe po ashtu e akoma me shume do beje EDI

    Reply to this comment
  3. Polat July 3, 07:47

    ky Fatmiri ka qen trim me gjith kuptimin e fjales…..

    Reply to this comment
  4. nendetesja 105 July 3, 10:39

    Interesant ky Tan Hoxha, qe eshte gazetari nr.1 per kroniken e zeze, i konkurueshem vetem nga skraparliu tjeter Bakillari,psenuk permend fare pjesemarrjen ne vrasje te djalit te Nasibese guzhinjers veterane te Hysni Kaqpos? Ky ish mundes, ish shef komisariati Rinas, ish trafikant droge,i plagosur me pas ne nje kombinacion te SHIK-ut te asaj kohe mjekohje me pas ne Turqi me nderhyrjen e niveleve te larta te Shik-ut(kolonle) te MIT-i turk.

    Reply to this comment
  5. elbasanlliu July 3, 12:24

    po kete e kemi pare ne emisionin “xhungel”, nuk ka ndonje te re ?

    Reply to this comment
  6. Albana November 17, 15:40

    Ju thoni se ekziston kaseta , të cilën e ka inçizuar vetë Azem Hajdari , ku dëgjohet biseda mes Muharrem Haklajt dhe Hajdarit . Thuhet se në këtë kasetë Hajdari i shfajësohet Haklajt për vrasjen e djalit të tij në Qafën e Luzhës , Shkëlqim Haklajt dhe i thotë se vrasjen e ka urdhëruar Berisha. Fatmiri nuk e ka besuar gjithsesi sepse ai ka pasur informacion se Azem Hajdari është parë në Krumë para pritës në Qafën e Luzhës .Kjo kasetë i është dorëzuar prokurores norvegjeze që ka hetuar çështjen nga vetë Muharrem Haklaj por atë nuk e njeh publiku . Në qoftë se ajo ekziston dhe i është dorëzuar prokurorisë për se nuk e bëni publike?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*